Lumturi Ymeri Bersava – cikël me poezi

2
90

BRENGË

Ç’brengë më brengos brenda brinjëve?
Peizazh i ngrirë i reve
midis kaltërsive
horizontit e Jonit
unë me krahun e avionit…

Ç’brengë më burgos brenda brinjëve?
Rrethuar përqafimit
në truallin e Romës
mbi themele eshtrash
Napoli më fshiku
më djeg ende Vezuvi
2000 vjet i fikur…

Ç’brengë më ndjek, më pret, më prek?
Romeo, Zhulieta
tutje Garibaldi
Verona, Ravello, Amalfi
Në mendje i thur gërshet
Larg, lart, thellë
brengë Hëne
mbytur në det…

Itali 2014

HONE ZANORESH…

Zani i orëve shekullore
pa kurrfarë thirrmash gazmore
më ngjeth
Gjithnjë të zgjatur
mirazhe tingujsh
më vijn’ ndër vesh

“Oii” vajtimesh
dalë prej gjoksi
mbështjellin ajrin
në ikjet e përtejme
me “Ah”-e zemre
me “Oh”-e dhembje
me “Uff” gulçimi
brengosur shpirti…

Dhe “Eee” të isos
më vijnë nga larg
me zë të Atit: Përtej Qabesë…
me zë të Nënës shamizezë
më shungullojnë
më zbrazen “Ëë”
të qaj me zë…
Zanore shekujsh
Planetit tim
mbetur jetim…

GJOKË BECIT

Një zambak i bardhë në gur, që çel në bjeshknaje…
*
Rrënjë e gurit në legjendë
një zambak i bardhë në këngë
gjallon zemra përmbi shkëmb
*
Borë e bjeshkës, shtroj’ e shpirtit
syri shqipes, pikë e lotit
në kufij të horizontit
*
Zemër gjerë, nder e vlerë
derdhen diej mbi ylberë
jone drite në pranverë
*
Hapur krahët kaltërsia
zbret në këng’ fisnikëria
në lahutë, pas çiftelia
*
Një zambak i bardhë në gur
si një yll që s’shuhet kurrë

JETË NË KËNGË
(VAÇE ZELËS, në lamtumirën e fundit)
…u dashka humbja
për të kuptuar dhimbjen e madhe,
dashurinë…
U dashka këputur fryma
për të pushtuar zëri, qiellin,
e shndërruar në yje…
Zëri, që gdhendi kohën e prangosur
e mbushi jetën me tinguj hyjnorë…

U dashka Lamtumira
që zemrat të bëhen varg
si kurorat e ullinjve Arbëreshe
e lotët, rruazorë perlash
mbi Ty, Mbretëreshë!

Ti jetove me këngën për jetën
Ne jetojmë me këngën tënde në zemër

LUMBARDHIT

Shkojm’ Lumbardh…
Rrjedhës tande po due me ardhë,
mespërmes Prizrenit
e ne, ndër vedit.
Valët e tua nën diell t’gushtit
dridhen si harku trupit tim t’lahutës,
t’i knojme kangë dhimbjeje Poetit…
E në s’mujsha me thurë bukur
trishtilin e Podrimes,
rëndomë fort shpinës
të bie në fund t’shtratit
aty, nën gurë të lashtë,
në rranjë të plagës
Ku zen fill dhe jehona Kuvendit,
rritet e ushton,
në shkulmën tande të dimnit
E kam marrë kaherë
ngjyrën e flamurit kur ajrit flladitet,
më jep forcë në zemër…
Hajt pra, shkojmë
me hov kah Bistrica
më len mandej në nji skaj
e t’i ngjitem nalt ullishtës.
Ta mbjell vedin aty
vaditun me ty.
E të rritem kangë
e shqipes në shkamb…
Shkojm’ Lumbardh!
Prizren Gusht 2012

TOKA

Kush tha që toka është e rrumbullakët? !
Ju, turistë të mënçur të Hënës a Marsit? !

Absurd…
Toka është copëza të rrjepura gjurmësh
të ngjitura pas shputësh
zbathjesh,
ik’ e jakjesh,
askundësh
Dhe opingash…S’ka? ! Kush tha? !
Ju, që ngjeshni by**ët makinave luksoze
e këpucët firmato
s’kanë shansin e puthjes së tokës?

Toka është tastjerë gurësh
të bardhë e të zinj
ku lypsarët shkelin, sjellin e vjellin
muzikën funebre të shekullit
më të çmendur se të Stravinjskit…

Toka, ah, toka!
Me aromën e djegur të pyjeve
bashkë me kujtimet e shenjta të etërve…
Të arave të grunjta, të përmbytura
nga rrebeshet që zbrazën qiejt
dhe lotët që bastisën shpirtrat e nënave…

Toka e rrëfimeve, mendimeve
më të skajshme
ku groposen epokat, revoltat
dhe mbërrin
syri im…
Toka e lumenjve të hidhërimit, pa brigje
e deteve të derteve
mbi eshtrat thërrmuar në rërë…
E plantacioneve me cannabis
ku ngulin kthetrat për rrënjë…
Toka e ç’virgjëruar betonimeve
të ngrihen gradaçelat
të zënë qiellin, edhe frymën…

Toka, eh, tokë e ngratë!
Ngre padi për çdo pëllëmbë
e imja
e jotja
me thika
me krisma
me e pa gjyqe…
e pirgje mbi pirgje
në krye ngul kryqe…

Kryqe që zgjaten e bëhen rrugë
ngecur të gjallët semaforëve te kuq
Sirena fantazmë lajmëron “SOS”… !

Toka është e rrumbullakët?
Oh, poo!
Po rrokulliset…

NDOT’JET’ NJERËZORE

E artë ndriti
në ninëzat e syve
të mi, të tutë
të gjithkujt
buzëqeshja, sovrane ndaj botës.

Stinët u përkundën
Vitet u lëkundën
Farëzat u shkundën
humbën në krisjet e çarjet e kohës.

Monotoni e grijtë…
Zemra kërkon jetë
Sytë duan dritë
Limfa do rrëmujë
shpirti, aventurë në skajet e tokës.

Përtej supit tim
qesh një dekolte
(çel një orkide)
Josh një kops-zbërthyer
(tulipan-shpërthyer)
Flirt, që nuk njeh cak
Trendy…s’ësht’ mëkat.

Dhe unë, prapa teje
tjerr (ç’)mendimin tim
dehur tek një shtrat
përpëlit…rënkim.

Ndezur bota zjarresh
digjet prapa krahësh
në flakë mëkatesh…

Ja! Nga lot fëmijësh
rrebeshe qiellore
rrëgjojnë, pastrojnë
ndotjet njerëzore.

Pendimi ngjyros ditët
me qiej të blujtë
për sytë e mi
të tutë
të gjithkujt…

JETA NË TREKËNDËSH

Ekzistenca e jetës
përmes Ujit, Ajrit, Dritës,
Nëpër kohë të Shkuar, të Tashme, të Ardhme
Të njeriut prej Gjaku, Mishi e Ashti
Në tru vizatuar Trekëndëshi…

Kauza e jetës
Provo! Zgjidh! Vërteto!

Provo, se vesa, lulja, gjethja,
sythi, loti, shiu, reja…
Krejt ngjyrat në natyrë
shëmbëllejnë me një fytyrë!
Provo të gjitha stuhitë
të dallgëve që ngrihen në shpirt,
trandin e dhembin në zemër
mbartin vetëm një emër!

E njëjta ëndërr të ndjell
I vetmi yll që të ndez
Dashuria më sublime
drejt Altarit Hyjnor
të Bekimit, Betimit.
Zgjedhjes, Bashkimit…

Rrjedhin ujra ndër brigje vitesh
akuj dimrash ngrirë stalagmitesh
Zënë të kalben stinët
të veniten tingujt
zemra pa një dridhmë
fishkur në rutinë…

Ngecur në trekëndësh
rrëzuar në brinjë
kë’ndin, vërteto!
Bri’një, po a’jo!
Joshjet, prekjet, klithjet
brenda gjoksit fshihen
Ti, kufij që s’njeh!
As fjalën e Nderit
as gruan me Nder
njeriu modern
me trininë e shenjt’
moralin e çjerr…
Për hir të lirisë
prej marrë’zisë
e çmend’urisë
katetesh në flakë
që digjen si kashtë
zjarr pa prush, pa hi
veç tym që nxin…

Sa i rëndë Globi
ta mbash mbi shpinë
farën që mbolli
lypsarë e jetimë
Ndë ujrat e zeza
në koshat me plehra
vdesin abortet
me ulërimë…

Harrove, Njeriu modern,
se Toka e Qielli
Hëna e Dielli
Qëllimi e Njerëzimi
janë Një
që po çon dëm
në Big Bang!

E ndërtove trekëndëshin Njeri?!
Varu tani!!!

SFIDË…

Sfidë
Kur të njoha?!
Kur të vunë përpara meje?!
Për t’u rritur a për të ditur
për t’luftuar a rrëzuar
për të bërë armiq a miq?!

(Ç)’sfidë më bëri koha
mbi flokë, trofe të argjendtë?!
Trok i çmendur i akrepve
zemrek zemre, të pajetë

(Ç)’sfidë më bëri jeta
që më dha të voglin gisht
cirkuitëve më vërvit
prej lindje gjer në vdekje
dashurive, gjaku, ëndrre?!
. . .
Nuk është sfidë, Njeri
Kur ti çan përpara meje
i vë ballë e gjoksin erës
e ta di për falemnderës!
As kur shkoj unë para teje
bëhem shtrat e bëhem breg
lumit tënd që pas më ndjek
të dy bashkë na pret një det!

Është deti i mirësisë
mëkuar prej gjiri Nëne
blatuar prej gjaku Ati…
Testament prej Tyre le:
Duaj!
E mos urre!

2 COMMENTS

  1. Poezi qe zbulojne nje bote te tere ndjenjash. Me nje pene mjeshterore ndalon mbi bukurine, dashurine, brengat e dhimbjen e nje jete njerezore. Per te nxjerre ne drite ne mesazh te qarte se;

    Është deti i mirësisë
    mëkuar prej gjiri Nëne
    blatuar prej gjaku Ati…
    Testament prej Tyre le:
    Duaj!
    E mos urre!

    Mjerisht ky det po shterron nga antivlerat.

  2. Gjeresia e mendimit poetik, reflektim i plageve sociale, na vjen me bukuri artistike ne kete cikel. Bazuar ne njohjen e tradites dhe kultures kombetare percillen mesazhe me vlere formuese njohese edhe edukuese. Kemi nje krijuese te formuar me poezi qe do t’i qendrojne kohes.

Comments are closed.