Nga Mero Baze
Historia e drejtoreshës së Arsimit të Lushnjës po kthehet në një fabulë kombëtare, për të debatuar rreth përballjes me korrupsionin nga qeveria e Edi Ramës. Natyrisht që ka një tepërim ekstrem, sidomos për përfoljen në ajër për favore seksuale, apo edhe një shfrim dufesh nga njerëz që janë dëmtuar nga ndryshimet në arsim. Por, nuk ka asnjë teprim në përkufizimin e saj; një zyrtare hajdute, me një mekanizëm klasik korruptiv. Pjesa reale e korrupsionit të saj, është pikërisht ajo pjesa jonormale e punës. Dalja darkave në zyrë, listat e shantazhit për heqje nga puna, përfshirja e të birit si sekser etj.
Kryeministri Rama thotë se do ta dërrmojë këtë fenomen brenda pushtetit dhe e quan Lushnjën vetëm majën e Ajsbergut. Por, a ka mekanizma Edi Rama ta ndalë këtë epidemi?
Korrupsioni në finale ndëshkohet në gjykatë dhe Edi Rama, së paku duket i pafuqishëm të ketë në anën e tij një frymë ndëshkimi ndaj korrupsionit në gjykata. Dhe nuk ka përse ta pretendojë këtë.
Megjithatë, Edi Rama ka pasur dhe ka në dorë një mekanizëm reflektues ndaj korrupsionit brenda partisë.
Së pari, zyrtarët e zgjedhur në poste kyçe, sipas tij, do të kalonin në sitën e konkurseve. Të jemi të qartë, ato konkurse nuk është se janë realisht të hapura për të gjitha palët politike. Por, së paku brenda njërës palë, të zgjidhen më të mirët.
Është e sigurtë se do të ketë skarco dhe njerëz të korruptuar do t’ia dalin të shkojnë në poste kyçe. Edi Rama nuk mund ta ketë këtë çdo gjë në dorë deri në fund, por ai ka në dorë një mekanizëm ndëshkimi ndaj atyre që kanë bërë rekomandimet.
Në shumë drejtori rajonale, edhe pas emërimeve të reja vazhdon moda e vjetër e gjobave dhe rryshfeteve për çdo hall të qytetarit. Nuk është se çdo gjë blihet, por ka plot raste që ilustrojnë një gjeografi të qartë korrupsioni. Në redaksi vijnë lloj-lloj denoncimesh, që nga barinj që nuk marrin dot lekët që u takojnë si kompesim po nuk paguan, e deri tek qytetarë që INUK i fut nën presion për prishje ndërtesash pa i lajmëruar, duke u shkatërruar veç ndërtesës, edhe biznesin. Pra, gjithandej gjendet një hapësirë për të prodhuar korrupsion.
Edi Rama bërtet kot kur thotë se do t’i çojë në burg të korruptuarit, nëse nuk ndëshkon strukturat e partisë së tij që bëjnë emërimet. Ata duhet të përballen me përgjegjësinë për njerëzit që kanë rekomanduar. Arsimi dhe Shëndetësia në Shqipëri, sidomos në qytetet e vogla jashtë Tiranës, kanë qenë simbole të jetës intelektuale të qyteteve të vogla. Mësuesi i qytetit dhe mjeku i qytetit, ishin simbolet e qytetit dhe njerëzit më të respektuar. Është e pafalshme që për 20 vjet ata të kthehen në figurat më të korruptuara të qytetit. Kjo, sepse sistemi ka degraduar fillimisht vlerat që promovoheshin dhe pastaj ka krijuar klimë miqësore për korrupsionin. Drejtorët e Shëndetësisë dhe Arsimit nëpër rrethe nuk mund të jenë njerëz anonimë, që njëherë kanë punuar në KESH, njëherë në Greqi, njëherë në ndërtim e pastaj bëhen drejtora. Edi Rama ka në dorë të ndëshkojë dhe të bëjë shembull njerëzit brenda partisë së tij që bëjnë rekomandimet, për t’u dhënë një mesazh publik të gjithëve se askush nuk mund të abuzojë me pushtetin.
Pikërisht këtu e ka problemin real ky koalicion, dhe veçanërisht Partia Socialiste. Në shumicën e rretheve të vendit ka një dualizëm idiot mes deputetëve dhe ministrave. Deputetët thuajse nuk i pyet njeri fare dhe shumë emërime bëhen në linjë vertikale. Nga ana e tyre, vetë deputetët duken të dorëzuar dhe bëjnë dhe ata nga një nder të tyre. Në finale, askush nuk mban përgjegjësi për ata që mbërrijnë në krye të drejtorive apo agjencive të rëndësishme.
Partia Socialiste, sot ende nuk ka një mekanizëm të qartë emërimesh, që të përfshijë një vendim kolegjial të deputetëve, strukturave të partisë dhe ministrive. Kjo bën që në finale Edi Rama nuk ka kë ndëshkon për hajdutët që i mbijnë në krye të pushtetit, dhe që në finale njollosin gjithë pushtetin e tij. Bezdia e tij për t’u marrë me partinë dhe dështimi për të pasur një mekanizëm të konsoliduar emërimesh, ku të respektohet profesionalizmi i atyre që ngrihen në detyrë, e bën Edi Ramën të pafuqishëm në betejën kundër korrupsionit. Kjo, pasi ai nuk ka kë tremb kur ngre zërin kundër korrupsionit. Një drejtor që e blen vendin e punës, as do t’ia dijë për ulërimat e Edi Ramës. Dhe një pushtet që nuk konsolidon dot një mekanizëm karriere në administratë, nuk bën dot një shtet modern dhe as luftë kundër korrupsionit.
Unë besoj sinqerisht se Edi Rama tërbohet kur i dalin monstra të tilla përpara, por ato janë pasojat e mënyrës se si ai për më shumë se një vit, nuk ia ka dalë të prodhojë një sistem të kontrollueshëm dhe profesional emërimesh. Dhe tani, kur të dalin monstra të tilla, nuk ke kë tremb. Shumica e tyre nuk kanë as meritë profesionale e as politike, por janë produkt i mekanizmit korruptiv të emërimit. Atij mekanizmi, që ka bërë me dhimbje koke Partinë Socialiste në bazë dhe që askush nuk po dëshmon seriozitetin e duhur për ta kthyer në një sistem vlerash. Sa më shumë të ngelen në mëshirë të fatit emërimet nga pushteti i ri, aq më shumë do të jetë në mëshirë të fatit edhe beteja kundër korrupsionit e pushtetit.







