Mesila Doda dhe studentët e Dhjetorit kërkojnë hapjen e dosjeve

0
100

Dhe përjashtimin e Sali Berishës nga politika si dëshmitar në gjyqet e diktaturës, sot tryeza për ligjin e lustracionit

Mesila Doda dhe studentët e Dhjetorit kërkojnë përjashtimin e Sali Berishës nga politika si dëshmitar në gjyqet e diktaturës, sot tryeza për ligjin e lustracionit
Rikthimi i debatit, këtë herë me një bazë reale dhe paralajmërim serioz, për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ka krijuar një turbullirë në SHQUP. Nëse Sali Berisha dhe Fatos Nano, dikur bashkëpunëtorë të ngushtë të Ramiz Alisë, luajtën për një çerekshekulli me dosjet e sigurimit, duke e ndezur dhe fashitur debatin sipas interesave politike, Edi Rama duket i vendosur për t’i publikuar të vërtetat e hidhura, të cilat do të përvëlojnë shumëkënd, por do të shuajnë edhe një kureshtje të zjarrtë popullore.

Por, a do të shoqërohet hapja e dosjeve me sanksione për të implikuarit në gjyqe politike, dënime dhe spiunazh? Kjo është çështja! Nëse hapja e dosjeve do të shoqërohet me një ligj me sanksione, atëherë Sali Berisha del automatikisht nga politika. Nuk dihen me saktësi të gjitha lidhjet e Sali Berishës me mekanizmin ndëshkues të regjimit komunist, por është i provokuar botërisht, të paktën një rast, kur Sali Berisha ka qenë dëshmitar i një gjyqi politik me varje. Berisha ka kërkuar në sallën e gjyqit varjen në litar të Hysen Shoshorit. Ky i fundit ka denoncuar me zë dhe me figurë Sali Berishën, se ka qenë dëshmitar i regjimit në gjyqin e tij politik. Ndërkaq, deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, ka kërkuar dje miratimin e ligjit të lustracionit dhe largimin e dëshmitarëve në gjyqet politike të diktaturës.

Zonja Doda ka pohuar se nuk mjafton hapja e dosjeve të regjimit komunist, por sipas saj, ky proces duhet shoqëruar me largimin e të implikuarve nga jeta politike dhe postet shtetërore. Me mendimin e Dodës bashkohen edhe ish-studentë të Dhjetorit ’90, përfaqësues të shoqërisë civile si dhe ish të përndjekur politikë. “Të hapen dosjet? I vetëm ky proces është krejtësisht i pamjaftueshëm. Maxhoranca po tenton të reduktojë këtë plagë të madhe historike në një proces fals e sipërfaqësor dhe me këtë rast të lajë hesapet me procesin e enverizmit që po i bën sot e gjithë ditën politikës shqiptare. Do kërkoj me këmbëngulje dhe do mbështes nismën jo vetëm hapjen e dosjeve, por veçanërisht procesin e lustracionit. Nuk ka hapje dosjesh pa largimin e ofiqarëve, spiunëve, dëshmitarëve, ish-zyrtarëve të inkriminuar, nga instancat e larta shtetërore, nga Parlamenti nga drejtësia, ekzekutivi etj. Çdo përpjekje tjetër është vetëm orvatje për të shpëtuar krimin e djeshëm dhe të sotëm që ka mbërthyer për fyti këtë vend”, ka pohuar Doda.

Ligji sot në Kuvend

Në Kuvendin e Shqipërisë do të shkojë sot drafti i lustracionit, çka do të vërë edhe një herë në provë ligjvënësit shqiptarë dhe qeverinë, nëse kanë vullnet apo jo për hapjen e dosjeve të regjimit komunist. “Nesër Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut, bashkë me studentët e Dhjetorit dhe ish të persekutuarit politikë ka organizuar një aktivitet, për të çuar në Parlament ligjin e lustracionit. Unë jam pa dyshim një nga mbështetësit e kësaj iniciative. Ftoj gjithë kolegët e mi dhe veçanërisht ish-studentët e Dhjetorit t’i bashkohen kësaj nisme, si hap i parë për një proces real e të vërtetë dekomunistizimi të shoqërisë sonë”, tha Doda. Adriatik Doçi

Wednesday, 26 nëntor 2014