KONGRESI I MANASTIRIT (14-22 nëntor 1908)

0
62

Fran Tanushi

Aty ku u përcaktua alfabeti dhe orientimet shqiptare

Kongresi i Manastirit dhe vendimet e tij përbëjnë një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e re të popullit shqiptar.

Vendosja e një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe u përgatit gjatë një epoke të tërë të Rilindjes, falë veprimtarisë krijuese në lëmin e gjuhësisë dhe të letërsisë të brezave të tërë të ilimunistëve shqiptarë, gjuhëtarë, shkrimtarë, poetë, publicistë etj. Një ndihmesë të vyer dhanë organet e shtypit, sidomos ato të viteve të fundit të shek. XIX dhe të fillimit të shek. XX, ku spikati në mënyrë të veçantë revista “Albania” (Bruksel-Londër, 1897-1909) e Faik Konicës. Miratimi i alfabetit (alfabetares) së Stambollit, në vitin 1879, ndonëse shënoi një hap të rëndësishëm përpara në rrugën e vendosjes së një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe, nuk arriti ta zgjidhte përfundimisht këtë çështje. Alfabeti i Stambollit u përhap vetëm në Shqipërinë e Jugut e të Mesme, ndërsa në Shqipërinë e Veriut, përdoreshin tri alfabete të tjera për shkrimin e shqipes, ai i shoqërisë “Bashkimi” (1899), i “Agimit” dhe alfabeti i shkrimtarëve të vjetër të Veriut, që përdorej më shumë nga klerikët katolikë. Organet e shtypit shqiptar, ndonëse botoheshin të gjitha me alfabetin latin, kishin ndryshime ndërmjet tyre.
Në rrethana të tilla, vendosja e një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe do të arrihej jo vetëm në luftë me sunduesit e huaj osmanë, që përpiqeshin ta pengonin atë si një arritje që do të çonte në afirmimin e mëtejshëm të kombit shqiptar, por edhe duke kapërcyer frymën dhe interesat lokalë të shoqërive e të grupeve kulturore shqiptare, që ushqeheshin edhe nga dasitë krahinore të trashëguara nga e kaluara.
Ndonëse në thelb ishte një çështje kulture, njësimi i alfabetit të gjuhës shqipe paraqitej njëherazi një nga problemet më të rëndësishme politike të kohës, zgjidhja e të cilit do të varej nga zhvillimi i lëvizjes kombëtare në përgjithësi. Nismën për thirrjen e kongresit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe e mori klubi “Bashkimi” i Manastirit Drejtuesit e këtij klubi, menjëherë pas themelimit të tij, e shpallën zgjidhjen e kësaj çështjeje si detyrën më të ngutshme të lëvizjes kombëtare. Gjatë muajve gusht-shtator, pasi kishte marrë edhe pëlqimin e klubeve e të shoqërive të tjera atdhetare, klubi i Manastirit ndërmori masat konkrete për thirrjen e kongresit kombëtar për çështjen e alfabetit. Ku ftoheshin të merrnin pjesë në kongres “gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë Shqipërisë”, si edhe “çdo filolog” shqiptar. Nisma e tij u prit mirë nga atdhetarët shqiptarë dhe nga klubet e shoqëritë patriotike brenda e jashtë vendit, që u treguan të gatshme të dërgonin përfaqësuesit e tyre në këtë kongres.
Kongresi u hap në Manastir më 14 nëntor 1908 dhe i vijoi punimet deri më 22 nëntor. Në Kongres morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete e shoqëri të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë atdheut, si dhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës pa të drejtë vote. Kongresi i Manastirit u shndërrua kështu në një kuvend të vërtetë mbarëshqiptar, në të cilin morën pjesë gjithsej 50 delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga qytetet e vilajeteve të Manastirit, të Kosovës, të Janinës e të Shkodrës, si edhe nga shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, të Sofjes, të ShBA-së, të Egjiptit, të Italisë etj.
Kongresi i Manastirit për çështjet që diskutoi e zgjidhi dhe si një nga tubimet më të gjera e më përfaqësuese nga përbërja e tij, vlerësohet me të drejtë si kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike e kulturore të shqiptarëve në fillim të shek. XX. Delegatë të tij ishin shkrimtarët dhe publicistët më të njohur, lëvrues të gjuhës shqipe, laikë e klerikë, si Gjergj Fishta, Nikollë Kaçori, Ndre Mjeda, Gjergj Qiriazi, Mithat Frashëri, Hilë Mosi, Mati Logoreci, Thoma Avrami, Sotir Peci, Shahin Kolonja, Luigj Gurakuqi, Adam Shkaba; veprimtarë të lëvizjes kombëtare dhe të klubeve shqiptare, si Bajram e Çerçis Topulli, Mihal Gramenoja, Fehim Zavalani, Dhimitër Mole, Nyzhet Vrioni, Rrok Berisha, Leonidha Naço, Dhimitraq Buda, Akil Eftimi, Shefqet Frashëri, Refik Toptani, Gligor Cilka, Emin bej Shkupi, Hafiz Ibrahim efendiu (nga Shkupi), Ramiz Daci, Xhemal Beu (nga Ohri), Fahri Frashëri (nga Resna) etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, ndërsa nënkryetarë Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriazi. Megjithatë, për një varg arsyesh të diktuara nga rrethanat e kohës, pati edhe intelektualë të shquar (si Faik Konica etj.) që nuk arritën të merrnin pjesë në punimet ekëtijKongresi.
Gjatë dy ditëve të para të Kongresit u zhvilluan mbledhje të gjera e të hapura, ku morën pjesë, përveç delegatëve, edhe intelektualë e nxënës të shkollave të Manastirit, si edhe banorë të tjerë të këtij qyteti, rreth 400 veta. Këto mbledhje u shndërruan në manifestime kombëtare, në të cilat u mbajtën fjalime patriotike për nevojën e bashkimit të të gjithë shqiptarëve, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë, si dhe për përparimin dhe zhvillimin e kombit;
Vendin kryesor në punimet e Kongresit, duke përfshirë edhe mbledhjet e hapura, e zuri çështja e caktimit të një alfabeti të përbashkët për të gjithë shqiptarët. Gjatë diskutimeve që u bënë në ditët e para, të gjithë shfaqën mendimin se alfabeti që do të vendosej duhej të kishte si bazë atë latin. Por pikëpamjet e delegatëve më tej u ndanë, prandaj në ditën e tretë të punimeve Kongresi zgjodhi një komision prej 11 vetash, të kryesuar nga at Gjergj Fishta, ku bënin pjesë njohësit më të mirë të gjuhës shqipe, përkrahës të alfabeteve të Stambollit, të “Bashkimit”, të “Agimit”, si dhe intelektualë të tjerë të shquar. Komisionit iu dhanë fuqi të plota për të vendosur për këtë çështje.
Pas shumë diskutimesh Komisioni vendosi që si bazë i alfabetit të përbashkët të merrej alfabeti i Bashkimit të Shkodrës përpiluar nga at Prëng Doçi , duke u dhënë shkronjave latine vlera fonetike në përputhje më nevojat e gjuhës shqipe. Por Komisioni ndeshi në vështirësi për caktimin e shkronjave dyshe, që nevojiteshin për ata tinguj të shqipes, që i mungonin latinishtes (për dh, gj, nj, th etj.). Në këto rrethana, pas tri ditë diskutimesh (17-19 nëntor), anëtarët e Komisionit, “të shtyrë nga disa idividualista dhe provincialista”, nuk arritën të caktonin një alfabet të vetëm për gjuhën shqipe, prandaj vendosën “të kthehen prapa”, duke e pranuar edhe alfabetin e Stambollit “së bashku me atë të Bashkimit të at Doçit, që të përdorshin e të mësoheshin bashkarisht dhe detyrimisht në mes të shqiptarëve”.
Ky vendim, që vetë Kongresi e quajti kthim prapa, u argumentua nga Komisioni me “disa shkaqe të përjashtme” dhe pikërisht me nevojën për të shtypur me alfabetin thjesht latin libra jashtë Shqipërisë dhe për korrespondencat me jashtë. Në të vërtetë, me shkaqe të jashtme nuk kuptoheshin vetëm ato thjesht teknike, por edhe trysnia e ushtruar mbi Komisionin nga qarqet e shoqëritë e ndryshme shqiptare, që ishin për alfabetin e Stambollit (në Shqipërinë e Jugut) dhe atë të “Bashkimit” në Gegëri . Vendimi për të përdorur bashkërisht dy alfabete u mor për të mos shkaktuar përçarje në radhët e delegatëve dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Në të njëjtën kohë ai u quajt si një zgjidhje e përkohshme për të kaluar në të ardhmen në përdorimin e një alfabeti të vetëm.
Ndonëse nuk caktoi një alfabet të vetëm, vendimi i Kongresit të Manastirit ishte një hap i rëndësishëm përpara në rrugën e zgjidhjes përfundimtare të çështjes së alfabetit të shqipes dhe ushtroi një ndikim të fuqishëm në bashkimin politik dhe përparimin e mëtejshëm kulturor të kombit shqiptar. Me këtë vendim iu dha fund kaosit që mbretëronte deri atëherë në çështjen e shkrimit të shqipes. Në vend të alfabeteve të shumta që ishin përhapur në Shqipëri e në kolonitë e mërgimit, tani do të përdoreshin vetëm dy, edhe këta bashkërisht.
Atë që nuk e qoj dot deri në fund Kongresi i Manastirit, e zgjidhi përfundimisht vetë jeta e popullit shqiptar. Alfabeti thjesht latin, i shoqerisë Bashkimi, duke qenë i papërzier e më homogjen nga karakteri i shkronjave, më i lehtë e më praktik për shtyp, u përhap gjithnjë e më shumë dhe nga fundi i Luftës së Parë Botërore u bë tashmë alfabeti i përbashkët e i vetëm për gjithë shqiptarët, alfabeti i sotëm i gjuhës shqipe.

* Botuar me parë në Revisten Libertas, nëntor 2008, në njëqindvjetorin e kësaj date historike TANUSHI,
GJERMANI.