“E DUA GAZETARINË, MË BËN TË NDIHEM NË TERRENIN TIM”

0
50

Intervistë me gazetarin Ndue Lazri, dërguar për publikim nga Gjin Musa.

PYETJE – Përshëndetje Ndue.
Po i lë formalizmat dhe s’po të drejtohem me“zotëri” apo “i nderuar”(që mendoj se janë e njëjta gjë).
Kjo, duke të konsideruar koleg, me të cilin na lidh fjala e shkruar, mik me të cilin kemi shkëmbyer librat e botuar dhe mendime të ndryshme mbi krijimtarinë, natyrisht, duke ia ditur për nder internetit, i cili na ka ofruar aq njohje sa të mos jemi krejt të panjohur për njëri – tjetrin.
Së pari, komplimente për formën fizike. Jeni si një djalosh energjik.
NDUE LAZRI – Përshëndetje, Drita. Po të mos më kishe folur me emër, do kujtoja se për formën fizike po i drejtoheshe këtij sportistit që ishte pas meje…
Por e thënë nga një poete dhe gazetare energjike dhe e hijshme, duhet konsideruar si vlerësim dhe kjo nxit mendimin për të ardhur më shpesh në Atdhe…
Jam i kënaqur që ndodhem këtu, në vendin tonë, pas disa vitesh mungese, por edhe që po më jepet rasti të të shikoj e dëgjoj nga afër pas komunikimeve e leximeve internetike, apo librave të shkëmbyer, që po arrij të bashkoj zërin me figurën. Faleminderit për ftesën e një interviste spontane, po nuk e di nëse përgjigjet e mia do jenë në lartësinë e pyetjeve që do më drejtosh.
Ardhja në vendlindje ka padyshim emocionet e veta, ashtu si edhe kuriozitetin për të parë se ç’ ndryshime janë bërë në këto vite. Ditët në vijim do më diktojnë edhe se çfarë do të bëj. Me siguri, takimet me shumë miq e kolegë japin një kënaqësi e veçantë.
PYETJE – Kthehesh në Tiranë pas 6 vitesh. Çdo njeri ka motivet e tij të ardhjes apo të largimit.
Unë dua njërin ndër motivet ose motivin e vetëm(të ardhjes)
Apo s’ ka asnjë motiv. Apo është thjeshtë një motiv vjeshte, një motiv tetori?
NDUE LAZRI – Dikur tetori ka qenë muaji i letërsisë dhe arteve…Mbase mund të ishte një motiv po të kishte mbetur i tillë tetori.
Shiko, përgjithësisht emigrantët vijnë në verë kryesisht për pushime. Përfitojnë nga ajo periudhë kur në vendet perëndimore, por edhe gjetkë besoj, pushimet marrin forcë të shenjtëruar dhe ngjyra feste.
Unë kam ardhur më tepër për disa sebepe familjare, por edhe malli ka peshën e vet, ashtu si edhe dëshira për të kontaktuar miq e kolegë të vjetër e të rinj.
Një takim të tillë e organizuam bashke me kritiken, përkthyesen dhe redaktoren e njohur Iskra Thoma, që kishte ardhur edhe ajo nga Italia. Një takim – koktejl, ku morën pjesë shkrimtarë e botues. Kisha emocione të mëdha tek takoja miq e shokë të mi, me të cilt ënuk shiheshim prej gati 40 vjetësh. Jeta na kishte shpërndarë kur ishim ende të rinj, të sapo dale nga bankat e universitetit, plot me ëndrra. E tani takohemi duke patur njëfarë moshe, thinja, më pak flokë, ëndrra të realizuara e ëndrra të vrara. Dialektika e jetës. Sidoqoftë ishte bukur dhe u çmallëm sadopak, duke biseduar e duke përkëdhelur veprat letrare të njëri – tjetrit.
PYETJE – Më thuaj si po ndihesh, në Tiranë?
NDUE LAZRI – Tirana është qyteti me të cilin më lidhin shumë kujtime, qyteti ku kam kryer studimet, ku kam njohur emocionet e botimeve të para në faqet e shtypit, emocionet e dashurisë së parë, qyteti ku kam punuar disa vjet, qyteti që na bën ta kthejmë menjëherë kokën nga ekrani kur përmendet emri i tij në televizionin e vendit ku jetojmë.
Kur vij në Tiranë më pëlqen të lëviz në këmbë. Me makinë nuk kam mundur të ambientohem kurrë në trafikun e zhurmshëm e kaotik, ku, tek shikon se si lëvizin të tjerët me makinë, të vjen paniku se mos vallë ke harruar rregullat e qarkullimit.
Pastaj e shijoj më mirë Tiranën më këmbë. Kafen e parë mëngjesit herët në lokalet e bregut të Lanës, një shëtitje nga Universiteti dhe kodrat e liqenit, një kafe tjetër në Qytetin e Studentëve, ku nuk e gjej më atë romantikën e kohës sonë, zbritje në ish – rrugën e Barrikadave, në sheshin “Skënderbej”, që e gjej disi të çuditshëm me ndryshimet që i kanë bërë, ndonjë gotë raki me miq në qendër ose nga ish- blloku. Kilometra të tëra më këmbë, ku kujtimet ua heqin rëndesën hapave dhe lodhja nuk ndjehet.
Gjithsesi Tirana të bën të ndihesh mirë.
PYETJE – Kam dëgjuar që njerëzit flasin, ose gegërisht, ose toskërisht ose gjuhë letrare. Juve ju dëgjoj në timbër dhe në theks të lehtë verior,e me fjalë jo të pakta prej jugu.
Ke dëgjuar për shprehjen “jam nga fshati i gruas”?
NDUE LAZRI – Jam nga fshati i gruas për disa arsye. Së pari se ai “fshati” i bashëshortes sime është mjaft i bukur dhe i veçantë e ka një liqen të rrallë. Është Pogradeci, që e dua shumë si qytet, me të cilin më lidhin shumë kujtime të bukura. Së dyti ai ka nxjerrë kolosë të letërsisë si Lasgushi e Kuteli, të cilët i kanë dhënë shumë pasuri e kolorit gjuhës sonë e që imponohen me atë bukuri gjuhe. Kësisoj, vetvetiu ndonjë fjalë mbetet, si ata rubinët që i rezistojnë kohës apo edhe ndryshimit të vendqëndrimit të secilit.
Faktikisht unë jam mirditor dhe i tillë mbetem, por preferoj gjuhën letrare të shkruar e të folur dhe mundohem të respektoj normat e saj.

PYETJE – Keni punuar për gati 20 vjet si gazetar në Shqipëri, përpara se të emigronit. Disa nga momentet më të rëndësishme të jetës suaj profesionale si gazetar.
NDUE LAZRI – Njëzet vjet e mbushin me shumë momente jetën e përvojën e një gazetari. Unë do kujtoja me kënaqësi organet e shtypit ku kam punuar dhe kolegët e bashkëpunëtorët e mi në rrjedhën e viteve. Ata e kanë pasuruar në mënyrë të veçantë jetën time. Rreth 18 vjet në qytetin e Shkodrës, ku fillova punën si gazetar pas përfundimit të studimeve, kanë qenë vite të bukura në një qytet me kulturë, me tradita e me humor. Puna si redaktor në gazetën lokale e pastaj si kryeredaktor i gazetës “Humor shkodran” më kanë njohur me një qytet të mrekullueshëm dhe me njerëz të mrekullueshëm, pranë të cilëve ndjehesha si në familjen time. Bashkëpunimi me teatrin “Migjeni” më afroi edhe me botën e skenës.
Pastaj specializimi si dokumentarist pranë Kinostudios “Shqipëria e re” dhe eksperienca në realizimin e disa dokumentarëve, puna si zëdhënës i shtypit në Gjykatën e Kasacionit, pranë një personaliteti të pakorruptueshëm të drejtësisë, si Zef Brozi, përvoja e shkurtër si redaktor i faqes kulturore në gazetën “Albania”, kanë lënë mbresa të shumta në jetën time profesionale.
PYETJE – Jeton në Bolonjë, por besoj e ndiqni gazetarinë që bëhet në Shqipëri.
Ç’ mendim keni?
NDUE LAZRI – Eshtë e njëjta si para 20 vitesh të largimit tënd nga Shqipëria apo më e mirë?
Dëgjo, s’dua të më përgjigjesh si gazetar e të më humbësh nëpër labirinthe diplomacie.
E di që rrisku është, që në një përgjigje të bësh miq dhe “armiq”;
Ju zgjidhni pra: të shtoni miqtë apo të bëni “armiq”, hahaha.
PYETJE – Jo, do të përgjigjem me sinqeritet e pa diplomaci, nuk besoj se ka arsye të bëj armiq. Jemi në epokën e shtypit të lirë, apo jo?
NDUE LAZRI – Nuk më jepet mundësia që të lexoj rregullisht gazetat shqiptare. Se janë edhe shumë, aq shumë sa vështirë të dallosh profilin e njërës nga tjetra. Por ka raste që më bien në dorë gazeta të ndryshme dhe atëherë u hedh një sy edhe në aspektin profesional.
Mendoj që gazetaria e sotme ka bërë hapa përpara në lirinë e të shprehurit, por shumë hapa prapa në kulturën e seriozitetin e të shkruarit, në profesionalizmin e mjeshtërinë e gazetarit. E veçanërisht mungon etika e gazetarit, serioziteti dhe rreptësia në grumbullimin e fakteve dhe verifikimin e tyre përpara publikimit. Ka shumë shkrues, por pak gazetarë të vërtetë. Jam skandalizuar një herë me një të ashtuquajtur gazetar, që merrej me kronikën, dhe stiste lajme të paqena, skandaloze e i botonte në gazetë, i nisur nga parimi që të tërhiqte vëmendjen për të shitur gazetën. E një ditë më vonë nuk e kishte për gjë të botonte përgënjeshtrimin e atij lajmi, po për të shitur gazetën.
Gjuha e gazetave është e varfër e shpesh here aspak korekte përsa i përket drejtshkrimit. Nuk ekziston figura e korektorit letrar nëpër redaksira e gjuha shqipe masakrohet, varfërohet e shpesh herë vulgarizohet. Ka varfëri gjinish gazetareske. Të merr malli të lexosh një reportazh emocionues, një përshkrim, një fejton, një pamflet. Janë gjini që e pasurojnë gazetarinë dhe gjuhën e saj.
Shumë nga ata që shkruajnë e tjerrin llafin gjatë e gjatë derisa ia nxjerrin kokën faktit. Kjo e lodh gazetarinë. Arti i të shkruarit është arti i të shkurtuarit, ka thënë dikush. Zhorzh Simenoni, shkrimet që kapërcenin 250 fjalë, i fuste në gjininë e romanit.
Por, këto që thashë më sipër, po i quajmë dobësi të një shtypi në rritje në periudhën e demokracisë. Kuptohet, do isha i padrejtë po t’ i fusja të gjithë në një thes apo të mohoja meritat e punën e mjaft kolegëve të respektuar e të talentuar që punojnë në shtypin e mediat shqiptare. Por mendoj se vend për qilizëm ka.

PYETJE – Kohët e fundit, ke shkruar një libër poetik, ke botuar edhe ndonjë tregim
Gazetari apo letërsi artistike?
NDUE LAZRI – Profesioni im është gazetaria. Letërsinë më pëlqen ta lexoj. Mundohem t’i ndjek edhe miqtë e mi, qoftë edhe nëpërmjet internetit, por edhe të librave që botojnë. Me që ra fjala. Të falënderoj për librat që më ke dërguar. I kam lexuar me shumë kënaqësi. Do të bëja komplimente për vëllimin me tregime, në mënyrë të veçantë, por nuk është ky vendi e momenti.
Sa për librin tim me vjersha apo ndonjë tregim të botuar, le t’i quajmë sprovëza. Nuk jam e nuk bëhem as shkrimtar e as poet. Jam gazetar e dua të mbetem i tillë. Kam në përgatitje një libër publiçistik me shënime udhëtimi nga vizitat në qytete të ndryshme të Europës, si Parisi, Barcelona, San Pjetërburgu, Athina, Stambolli, Brukseli, Viena, Budapesti etj. Aty ndihem në profesionin tim e në terrenin tim.
PYETJE – Si është më lehtë, që një poet – prozator të bëjë edhe gazetari, apo të jesh gazetar mund të bësh më mirë edhe poetin dhe prozatorin? Kush kalon më lehtë tek “profesioni” i njëri – tjetrit, apo gardhet janë të dukshëm , madje me gjemba?
NDUE LAZRI – Do të thoja që nuk ka gardhe aq të prera, sidoqë “gjembat” që përmende ekzistojnë. Përvoja ka treguar që gazetarë të mirë janë bërë edhe shkrimtarë të mirë. Dritëro Agolli, Agim Shehu e të tjerë kanë qenë gazetarë shumë të mirë e janë bërë poetë të mëdhenj. Ismail Kadare ka shkruar shënime udhëtimi të mrekullueshme, por edhe artikuj me peshë.
Do të thoja që gazetaria e ndihmon krijuesin në gjetjen e fakteve e motiveve nga jeta që pastaj shkrimtari apo poeti i talentuar i përpunon në laboratorin e tij krijues e i largon nga gazetaria, duke i futur në letërsi. Ndërsa nga ana e vet poeti e shkrimtari, kur merren me gazetari, i japin asaj forcë të veçantë artistike.
PYETJE – Nuk e shihni veten përfundimisht në Shqipëri?
NDUE LAZRI – Tashmë po bëhen 20 vjet që jam larguar nga Shqipëria. E kam ndërtuar jetën diku tjetër, jam ambientuar, vajzat u rritën dhe u arsimuan atje, e madhja ka krijuar familjen e vet me një djalë të mirë bolonjez. Rrethana të reja, njohje të reja, një vend që më pëlqen dhe e dua. Nuk do kishte vend për të bërë deklarata mbi patriotizmin.
PYETJE – Çfarë mendimi keni për intervistat apo bisedat që tash bëhen jo në sy, por nëpërmjet internetit?
NDUE LAZRI – E shikoj thjeshtë si një përshtatje me teknologjinë e re, e cila duhet vlerësuar dhe shfrytëzuar. I japin ritëm intervistës. Një kërkesë e kohës. Tashmë bëhen edhe konferenca në distancë nëpërmjet teknikave internetike, si skype etj. Madje edhe ndërhyrje kirurgjikale në distancë të komanduara nga një kontinent në tjetrin. Janë avantazhet e teknologjive të reja.
Kuptohet, e gjitha kjo zhvishet nga emocionet e takimit të drejtpërdrejtë e të shikimit sy ndër sy midis intervistuesit dhe të intervistuarit.
PYETJE – “Kush ka vajza, botën ka”. Këngë e bukur apo jo? E këndon Irma Libohova.
Mes tre femrash, i përkedhelur, apo i përkushtuar?
NDUE LAZRI – Është pa dyshim këngë e bukur ajo e Irmës dhe thotë një të vërtetë. Pavarësisht se koncepti i dikurshëm mirditor i jepte preferencë djalit si trashëgimtar, nuk kam patur komplekse dhe vajzat kanë qenë e mbeten gëzim i përhershëm në shtëpi.
E përdorin edhe italianët: “beato tra le donne” (I përkëdhelur mes femrash). Por mendoj se di të jem edhe i kujdesshëm e i përkushtuar ndaj tyre…Por për këtë nuk më takon mua të flas…
PYETJE – Nuk e kam provuar dhimbjen e ikjes nga vendi, nga profesioni.
Pjesa më e madhe e gazetarëve, kur kanë emigruar, janë detyruar të bëjnë një punë për të jetuar së pari, dhe gazetarinë e kanë ushtruar në kohë të lirë. Kështu edhe ju.
Të grish ideja të merresh veç me gazetari? Të pengon puna e përditshme të bësh gazetarin?
NDUE LAZRI – Unë e kam provuar atë dhimbje për të cilën fole. Nuk ka qenë e lehtë. Por ishte një zgjedhje e bërë me koshiencë. Për të cilën nuk jam penduar. Më ka munguar profesioni për shumë vite. Pastaj, për fat të mirë erdhi epoka e internetit. U krijuan lidhjet si me magji, me miqtë, me kolegët e hershëm, me redaksitë, me shtëpitë botuese. Bashkëpunoj rregullisht me disa gazeta në Shqipëri, Greqi, Amerikë, kemi Lidhjen e Gazetarëve Shqiptarë në diasporë ku publikojmë materiale e shkëmbejmë mendime mes kolegësh. Pra, edhe pse në Itali bëj punë tjetër, kur kthehem në shtëpi pranë kompiuterit ndihem plotësisht në profesion.
Puna e përditshme më ka ndihmuar të njoh shumë mirë Italinë, nga jugu në veri. Është pa diskutim ndër vendet më të bukura në botë, ku një gazetar apo dashamirës i artit e kulturës ka çdo ditë e në çdo hap ku shkel, mundësinë të zbulojë e shikojë gjëra të reja. Kjo jep shumë edhe në aspektin profesional.
PYETJE – Ndihesh mirditor, shkodran, pogradecar, Italian, shqiptar, apo pak nga të gjitha?
NDUE LAZRI – Mirditor, pa asnjë hezitim. E dua vendlindjen time dhe krenohem me faktin e të qënit mirditor.
Por, pse ta mohoj? Jam edhe qytetar i Republikës italiane dhe më jep jo pak kënaqësi ky identitet i ri.
PYETJE – Beson në Zot apo në Dashuri?
NDUE LAZRI – Në shkrimet e shenjta thuhet: Zoti është dashuri. Nëqoftëse e marrim ekuacionin të barazvlershëm atëheherë: Dashuria është Zot. Besoj në Dashurinë.
PYETJE – Unë mendoj, që një gazetar, të shkruajë, të zhbirojë, zbulojë dhe publikojë duhet të jetë pak mosbesues në ato çka sheh dhe vrojton.
Ç’ lidhje ke me sinqeritetin?
NDUE LAZRI – I re pak nga Kina për të dalë tek sinqeriteti…
Ajo që the lidhur me mosbesimin ka një të vërtetë. Nuk është çështje skeptiçizmi, por profesionalizmi. Në teorinë e gazetarisë na mësonin që një fakt duhej ta verifikonim në dy – tre burime të ndryshme për t’ u bindur në vërtetësinë e tij. Ky është seriozitet profesional.
Gazetarë të mëdhenj kanë rrëzuar qeveri e presidentë me forcën e fjalës dhe padiskutueshmërinë e fakteve të publikuara.
Përsa i përket sinqeritetit…Jam i sinqertë nga natyra e mbase ndonjëherë më shumë se duhet. Kjo, ngaqë i dua njerëzit dhe besoj lehtë, jo nga mendjelehtësia, por nga dashamirësia. Megjithatë nuk pendohem.
PYETJE – E mendon vdekjen ndonjëherë?
NDUE LAZRI – Mendoj se është diçka e natyrshme me kalimin e moshës. Sa je i ri, të duket vetja i pavdekshëm e vdekja si një fenomen që ka të bëjë me këdo tjetër, por jo me ty. Pastaj, kur i kalon të pesëdhjetat mendimi për të mëson një shteg tinzar e vjen here pas here pa të pyetur.
E kam menduar për herë të parë para 17 vjetësh kur bëra një aksident me makinë në Rimini. Nuk u tremba, çuditërisht. Mbase ngaqë nuk pata kohë, sepse ndodhi aq papritur. Nga që puna ime është e tillë që bëj çdo ditë 200 – 300 km me makinë, që nga ai çast i them vetes: kujdes në rrugë, se çdo ditë që del, mund të jetë e fundit…

PYETJE – Kush mund të bëhet gazetar?
NDUE LAZRI – Nuk besoj se më takon mua të jap definicione për këtë.
-Ja, për shembull ti, ke profesionin farmaciste, je poete dhe prozatore, por nga mënyra se si i ke ndërtuar pyetjet, tregon se ke stofë për gazetare.
PYETJE – Që të zhvillosh një intervistë ose bisedë me një person mendon se duhet ta njohësh deri diku jetën e tij?
NDUE LAZRI – Është kërkesë themelore. Nëse e njeh jetën e personit që interviston, atëherë je ti që e drejton me kompetencë intervistën, e fut në kanalet që dëshiron, i zbulon lexuesit ato anë të jetës së personazhit që do ti, madje duke e befasuar edhe vetë personazhin. Nëse është një intervistë me tendenca negative, atëherë di edhe t’ i ngresh “gracka” personazhit që të vjelësh atë çka do ti. Në të kundërt intervista
bëhet si e përgjumur dhe intervistuesi mbetet i varuar nga ajo çfarë do të thotë me vullnetin e tij i intervistuari.
PYETJE – Cilat kanë qenë ndër momentet e veçanta, ose pikante që mbani mend nga karriera juaj gazetareske në Shqipëri?
NDUE LAZRI – Mund të jenë shumë, por po përpiqem të sjell ndërmend ndonjë.
Kam patur emocione të veçanta kur kam bërë intervistat e para në gjuhën italiane, me ish ambasadorin Italian në shqipëri, Torquato Cardilli dhe regjisorin e njohur Italian Gianni Amelio kur realizoi në vitin 1990 filmin “L’ America” për ikjet masive të refugjatëve shqiptarë në Itali…
Kurse nga vendi… Isha ende student në degën e gazetarisë kur gazeta “Zëri i rinisë” më ngarkoi të bëja një shkrim për këngëtaren Zeliha Sina, që sapo kishte kënduar këngën për Vojo Kushin dhe që kishte për kohën një sukses të madh. Aty kam provuar emocionet e para në profesion, pavarësisht se kisha botuar në gazeta që gjatë viteve të gjimnazit.
Po kjo gazetë, me rastin e një përvjetori të Kongresit të Helmësit, më dërgoi të bëja një intervistë me një veterane pjesëmarrëse në atë kongres. Delegatja ishte Nefo Myftiu, bashkëshortja e ish-kryeministrit, Manush Myftiy. Ajo në atë kohë ishte drejtoreshë e ndërmarrjes artistike “Migjeni” në Tiranë. Unë nuk e dija që redaktorët e gazetës kishin refuzuar të shkonin ta intervistonin, (këtë e mësova më vonë), sepse ajo njihej si një njeri shumë i rreptë, e vështirë në komunikim e që mund të nxirrte telashe. Kryeredaktorja, Luçie Doçi, më thirri dhe ma ngarkoi atë detyrë e unë e mora natyrshëm si çdo shkrim tjetër. Me sa duket, veteranja, meqë iu duka ende gazetar në vezë më priti me dashamirësi, më ofroi kafe në zyrën e saj, më krijoi atmosferë dhe iu përgjigj me buzëqeshje pyetjeve të mia. Pas dy ditësh, kur doli gazeta, ajo mori në telefon kryeredaktoren, duke bërë përgëzime për shkrimin dhe për autorin. Padyshim ishte një sodisfaksion në aspektin profesional.
Kurse një rast tjetër ka nota komike. Po intervistoja kryetarin e kooperativës bujqësore të tipit të lartë të Dajçit në Shkodër për rendimentet në kulturën e orizit. Po bisedonim në mensën e kooperativës. Ishte kohë dreke. Përballë kisha një tip që po hante një pilaf që nxirrte avull të ngrohtë. Pikërisht në atë moment unë i drejtohem kryetarit me pyetjen:-Sa kuintalë pilaf keni marrë për hektar? (doja ta pyesja sa kuintalë oriz). Për fat të mirë ai e mori si batutë dhe tha: Po t’ i shtojmë edhe ujin bëhen shumë… Kurse un isha skuqur i tëri…
PYETJE – Çdo të thotë të jesh nga Mirdita?
NDUE LAZRI – Do të thotë shumë. Është një zonë ku jo rrallë edhe të vegjëlit janë në gjendje të maten me të moshuarit në urti. Më ka mbetur një mendje një moment nga një dasëm, kur unë isha në moshën 10 vjeç. Kisha shkuar në këmbë të tim eti e për këtë më radhitën ndër burra. Kur hymë në odën e burrave, ai që na printe përshëndeti: – Si ini (jeni) burra? Ata që ishin në odë u ngritën në këmbë dhe u përgjigjën: -Burrat po vijnë…
Delikatesë që do e kishte zili çdo formulë protokollare salloneve mondane.
PYETJE – Për ç’arsye do ktheheshit përfundimisht në Shqipëri?
NDUE LAZRI – Deri tani nuk kam ndonjë arsye bindëse. Mendoj se jam mirë në Itali.
PYETJE – Cili ishte mendimi i parë, kur hipe në avion dhe more rrugëtimin drejt Tiranës?
NDUE LAZRI – Që ishte hera e parë që vija në vendin tim si qytetar i huaj.
PYETJE – Çfarë do të rëndojnë më shumë në kthim…
Dhuratat… apo kujtimet?
NDUE LAZRI – Për dhuratat nuk kam menduar akoma, megjithëse do ketë.
Kujtimet, pa dyshim. Të shumta dhe të bukura.
Ndër to dhe kjo intervistë.
Faleminderit.
Bisedoi,
Drita Lushi,tetor 2014