POEMË KUJTIMESH NËNËS FATË

0
25

Ajet Shala

Nëna ime, vetëm ti më mësove
Të prek lumturinë
Më mësove që të hedh hapat
E të flas vetëm shqip
Më dhe bujarinë e më kalite
Me përkushtim
Më mësove që të mbjell dashuri
Për njerëzinë.
E u bëre mbretëreshë e botës
E ëndrrave të mia
Kudo e kurdo nga mendja
Ti s’më ikën kurrë
Në fjalën tënde
Nxorri fidanë ngrohtësia
E mbete si një engjëll
Që më rri sup më sup kah mot.
Po mbush çerek shekulli, o nënë,
Në mërgimin e largët
Jam kaq larg në Alpe
Pasi kalon pas shtatë bjeshkësh
E kujtimi yt më vjen si zjarri
I ngrohtë i vatrës
Si ngushullim për zemrën
Me plagën e freskët.
Më vjen këtu, larg, si dallandyshe
Që nuk ka kthim
Mes kujtimit të një dimri
Kur zgjoheshe me fener
Atëherë kur nata sterrane
S’kishte as dhe një rreze dritë
Ti ndërroje dhomën
Për të na ngrohur përherë.
E na ndaje bukën e ëmbël
Nga furra e nxehtë
Me shijen që askund s’e kam gjetur
Në jetë akoma
Me shtizat punoje çorapet
E trikon e leshtë
Të bukrat, të ngrohtat
Që s’i kam gjetur te bota.
Në rrugën që e bëja
Në kthimin nga shkolla
Ku më priste një zile
Një mall, një lotë fëmije
Ishe ti që mbushje jetën
Me fjalët e ngrohta
Që më mbushje faqet
E ballin me përqafime.
Mbi flokët e tua
Viheshin me dhjetra kurora lavdie
O, sa gaz që pate
Kur të lindi vajza Fatmirja
Gatuaje për bujqit
Që bënin prashitje ndër ara
Bëje bukën e ëmbël
E na jepje me urimet më të dlira.
Thurje me durim me duar
Qilima sexhade, o nënë Fata
Për vashat e Drenicës
Bëre vek e bëra shpata
O qëndisatare mjeshtërore
Me duar të arta
Me ato duar u veshën motrat
E dashura Hasmija e Dada.
E unë erdha nga kurbeti
Të të përqafoj, o nënë, me mall
E mbaj mend si u gëzove
E zotit iu lute disa herë
Atëherë Arbëri, fëmija im i parë
Që vetëm nëntë muajsh ishte
Ti e veshe bukur
Dhe me gaz e fute në rreth.
Në mëngjes më thirre
E më fute kokën në prehër
E më pe me aq përmallim
Për të fundit herë
Ish çasti i fundit
Që gjithmonë ëndërroje e doje
T’u plotësua dëshira
Që mua më mbeti në mendje ç`do her