SOKOL DEMAKU: DHURON TRE LIBRA TË RINJ, PËR SHKOLLAT NË SHQIPËRI…

0
48

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues-Tiranë

1.
Nuk ishte i pari ky udhëtim, që bëri arsimtari, publicisti e shkrimtari Sokol Demaku, nga qyteti Boras i Suedisë, për në Shqipëri. Ai ka disa vjet që e bën këtë gjë, me “misione” aq të bukura, që lidhen me shkollën shqipe, letërsinë e kulturën tonë kombëtare. Kushtet e jetës e hodhën atë në shtetin verior skandinav, vite më parë, por ashtu si mijëra bashkatdhetarë të tjerë, me mendje e me zemër është në rojet tona amtare, në vendlindjen e tij, Kosovë, por dhe në truallin mëmë, pra në Shqipëri.

Një lexues i vëmendshëm ka vërejtur se ai ka qenë disa herë në qytetin e Durrësit, bashkë me mësues shqiptarë dhe suedezë, ndërmjet kolektivit të shkollës 9-vjeçare “Demokracia”, por dhe në shkolla tjera të atij qyteti, si dhe në të kryeqytetit tonë. Së bashku, kanë zhvilluar veprimtari të bukura dhe kanë shkëmbyer përvojat në fushën mësimore edukative. Por ai ka qenë mikpritës edhe në qytetet Boras e Goteborg të Suedisë dhe më larg, kur atje kanë shkuar mësues e nxënës, si nga shkollat tona, por dhe nga ato të Kosovës e Maqedonisë.

Gjithashtu, të paharruara kanë qenë për ne festimi, bashkë me miq nga Suedia, i 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Po kështu, mbresëlënës ishte përurimi, në Tiranë e Durrës, i librit “Thesar Kombëtar”, botim i Shoqatës së Shkrimtarëve e Artistëve Shqiptarë, në Suedi, “Papa Klementi XI-Albani”, me kryetar Hysen Ibrahimin.

2.
Tirana është bërë vend i pëlqyer për krijuesit tanë, që janë emigrantë në shtete të ndryshme të botës. Kjo jo vetëm për mundësinë më të lehtë financiare, por edhe për mbështetjen, që ata gjejnë këtu për redaktimin dhe përurimin e librave të tyre, si në poezi e prozë. Prandaj mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, të Ministrisë së Kulturës ose të Bibliotekës Kombëtare, shpesh herë gumëzhijnë nga pjesëmarrësit, që përurojnë librat e rinj të bashkatdhetarëve tanë. Ata janë me banime në shtete të ndryshme të Europës e Amerikës. Nuk do të përmend shumë emra, se lista e tyre është e gjatë. Por po kujtoj vetëm përurimin e para pak ditëve, që bëri këtu të dy librave të saj, poetja e talentuar Pranvera Gjoni, me banim në Belgjikë.

Ndërsa S.Demaku ka ardhur më parë, por dhe tani, për të dhuruar libra të tij dhe të autorëve suedezë, për shkolla të ndryshme, sidomos 9-vjeçare, si në Tiranë, Durrës e Krujë. Ja, para pak ditëve, unë e shkrimtari i njohur Viron Kona e shoqëruam atë për në Bashkinë e Fushë-Krujës, ku na priti përgjegjësi i sektorit të marrëdhënieve me publikun, Mehmet Deliu, me mikun e tij, Seit Vuçaj. Sokoli la aty një sasi të konsiderushme të tre librave, njërin ku është autor me dr. Rovena Vatën, një të vetin dhe një tjetër, që e ka përkthyer nga gjuha suedeze. Titujt e tyre janë:”Vështrim antropologjik dhe kulturor magjepës, në Veriun e largët”(R.Vata e S.Demaku), “Kujtime nga Diaspora-4”(biseda nga Sokol Demaku) dhe “Gjueti diamantësh”(Mats Venblad).

Përmes këtyre librave, nxënësit e mësuesit, por dhe prindërit, mund të njihen më nga afër me jetën e popullit mik të atij vendi të largët skandinav, me arsimin e kulturën, por dhe në përgjithësi me mjedisin, historinë e kulturën e tij të lashtë. Në një koktej të organizuar për miqtë, recitoi edhe rapsodi i njohur popullor, Halim Laçi.

Bashkë me këta libra, që sillte Sokol Demaku, ne u ndodhëm edhe në mjediset e shkollës 9-vjeçare “Gjergj Fishta”, me drejtor Faik Maqellarën dhe ndihmëse të tij, Violeta Totën e Lina Gjocin. Më parë, ai kishte dhuruar aty librin për fëmijë të autorit Lars Vestman, “Djali e Tigri” dhe tani do të dëgjonim mendime të lexuesve të vegjël për të. Por kësaj here “diskutimet” e tyre nxënësit i kishin përgatitur në formën e një shfaqjeje të bukur, me recitime e valle popullore, përgatitur nga mësueset Gjinovefa Gega e Dëshira Haklaj. Me atë rast, ata i përshëndetën edhe këngëtari i njohur Haxhi Maqellara, me banim në Nju Jork dhe drejtoresha e një shkolle, në Vushtri të Kosovës, Dije Mëniqi-Fazliu, e cila e ka vizituar Suedinë. Dashamirësi përjetuam pak çaste ndërmjet nxënësve të klasës me mësuese të gjuhë-letërsisë, Sonila Toprakun.

Organizim mjaft të bukur na bënë, kur shkuam me librat e mësipërm si dhuratë, edhe në shkollën jopublike 9-vjeçare “Sarina-2002”, ku është administrator Liman Hoxha e drejtor didaktik, Qazim Karaj. Pasi i morën librat, me nënshkrimin e S.Demakut, nxënësit e falënderuan atë përzemërsisht dhe premtuan që përmes tyre do të njihen më mirë me jetën e bashkëmoshtarëve sudezë, por dhe të mësuesve e prindërve të tyre, në Veriun e Largët.

Gjatë vizitave në kryeqytetin tonë, miku nga Suedia, Sokol Demaku shkëmbeu mendime dhe bisedoi përzemërsisht edhe me disa kolegë e miq të fushës së botimeve, arsimit e shtypit. Ndër ta, ishin edhe Sejdo Harka, Vjollca Spaho e Andon Andoni, Jaho Margjeka e Kozeta Hoxha, prof. Zyhdi Dervishi, Avdyl Buçpapaj e Ibrahim Hajdarmatj, Eduard Vathi e Bujar Koroshi etj.

3.
Tanimë, kolegu e miku ynë Sokol Demaku është kthyer në qytetin Boras të Suedisë. Atje ai është mësimdhënës në shkollën”Fjordinskolan”, me drejtor Per Ketissen. Aty vijojnë mësimet shumë fëmijë, të cilët flasin 32 gjuhë në familjet e tyre. Ndërmjet tyre, ka edhe disa nxënës shqiptarë, të cilëve ai u tregon me kënaësi për bukuritë e vendlindjes, por dhe për udhëtimet e tij në Shqipëri e Kosovë. Ndërsa, pas punës së tij kryesore, flet për këtë gjë edhe në radion e TV lokal, në gjuhën shqipe dhe shkruan në revistën “Dituria”, të cilën ai e boton në gjuhën tonë amtare, në atë qytet suedez.

Por, me siguri, nesër ai do të botojë libra të tjerë dhe me ta do të udhëtojë përsëri në trojet shqiptare, për t’ua dhuruar lexuesve tanë të vegjël. Prandaj, natyrshëm, atë e përgëzojmë dhe e falënderojmë përzemërsisht, për këtë punë me vlera të shumta, si atdhetare, por dhe arsimore e kulturore!

(Fotot nga: M.Gecaj)
Tiranë, 5 nëntor 2014