Falna Migjen!

0
48

Mira Kazhani

Sot është ditëlindja jote, Migjen. Ti që sot e kësaj dite frymëzon shqiptarët e tu, politikanët, të dashuruarit, të varfërit, madje edhe ata që nuk kanë patur kohë të të lexojnë një poezi deri në fund, edhe ata, dy vargje prej teje i kanë në shpirt. Je shpesh me vargjet e tua në disa gjëra te reja, quhen Facebook, Twitter e kësisoj shpikjesh të zellshme te disa djemve të rinj që bëjnë teknologji siç bëje ti, atëherë, poezi.

Ashtu u kujtova edhe unë për ty sot. Në facebook u ndërmenda për ty. Një mik (friends i thonë tani) kish publikuar një poezi për Buzët e kuqe të dashurisë. Ishte herët mëngjes, Millosh për atë drithërimë zemre, që gjysmën time ma nxueri edhe mue nga vendi. Më vonë u kujtova që dimë kaq pak për ty.

Ne që glorifikojmë idhujt tanë pa krena, ne që vazhdojmë të jetojmë mes tyre si të harlisun. Emri yt rrjedh ende në miq të thjeshtë e me gjasë të varfër, dhe ty të gjej si gjithmonë, aty në thepat e adoleshencës time. Të kam dashur shumë , edhe pse nuk të kuptoja mirë dikur se ç’doje me më thanë. Tani që u rrita mjaftushëm më të ndigju, diçka më ka harlis kujtimet, diçka që vjen nga sëmundjet e shekullit të ri (atij pas të riut tënd).

E di, para disa ditësh në një kafe luksoze (është një vend në Tiranë që s’do të kish pëlqyer, por që jam e sigurt që do i kishe thurur vargje me ironi e mëni)një koleg gazetar më rrëfeu se ishte i biri i Lulit të Vocërr. E pata zili, Migjen. Ç’nuk do kisha dhënë që të kisha të afërme me ty, edhe një mizë nga ato që rrinin në oborrin tënd. Rashë në trishtim sot, poeti im, sepse po të isha kujtuar që dje do kisha shkruar dy rreshta për ditëlindjen tënde, në gazetën ku punoj. Po ç’ti bësh, kanë ardhur kohë të këqija. Ajo Shqipëria që andrrove ti, është një bulëz djerse e cila sheh çdo ditë tek i shemben idhujt e vjetër e të rinj bashkë, në bukuri ceremoniale.

Harruam ditëlindjen tënde. Dhe pikërisht ne, ne që nuk lëmë ditëlindje e dasmë pa paralajmëruar javë e muaj përpara. Po të rrëfej se vetëm për ditëlindjen e një udhëheqësi, u shkrue 1 muaj rresht në fletoret e shtypit. Dasma e një tjetër udhëheqësi (ky madje bir i shekullit të ri) shkoi në çdo strehë shqiptare, deri në sofrën e fundit, deri në mikun e fundit. Për të mos folur mandej për do ballo luksoze që i bënë shqiptarët me recitue për vite rresht: O si nuk kemi një grusht të fortë ti bij malit që s’bëzan”. Bëheshin gara, Migjen, kush vishej ma mirë, e kush i bënte karshillëk të dobtit në këtë vend. Dhe po të informoj se të dobtët janë ende shumicë.

Duhet të na falësh Migjen se këtë fundjavë kemi qenë tepër të ngarkuar me debatin e rëndësisë së gjoksit tek femrat. Do replika që i morën mendtë bijve të shekullit të ri. E merr me mend vetë, sesa të ngarkuar me punët e shtetit kanë qenë këta bij në fundjavë?! Gazetarët, kanë qenë deri në fyt me punë të mëdha. Në shtëpitë e lajmit, është e lodhshme me pa qartë, se pastaj ti vetë ke thënë, se vuhet thellë. E kush po don me vujt në këto kohë i dashur Migjen!

Ndoshta prej faktit se na të bijtë e shekullit të ri nuk jemi aq të ri. Ne, që kalbsinat e vjetra i bajme shenjti! Por ani, mos u tut se ka ende vend për ty. Gjithcka të thashë më lart është një çerek Shqypnie, siç edhe të paralajmërova, pjesa e madhe e zemrës së saj është një poemë mjerimi. Të varfërit janë po ata ftyra, të zbehta e sy të jeshilta. Shqyptarë të pafatë, zemërshkymë, të coptuem dhe të dalun bese.

NËN FLAMUJT E MELANKOLISË

Në vendin tonë kudo valojnë
flamujt e një melankolie të trishtueshme… …
dhe askush s’mund të thotë
se këtu rron një popull që ndërton diçka të re.
Aty këtu në hijet e flamujve
mund të shifet një mund,
një përpjekje e madhe përmbi vdekje
për të pjellë diçka të madhe,
për të qitë në dritë një xhind!
Por, (o ironi)
Nga ajo përpjekje lind vetëm një mi.
Dhe kështu kjo komedi
na plas dellin e gazit,
nsa prej marazit pëlcasim.
Në pragun e çdo banese
ku ka ndoj shenj jetese
valon nga një flamur melankolie të trishtueshme.

Në FOTO: Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni), Lazër Radi dhe Hajdar Delvina në vitin 1936