Poezi shqipe nga Italia – nga Zef Mulaj

1
22

Zef Mulaj

MALET E FËMIJËRISË SIME

Atje larg
Deri në kupën e qiellit
Kreshpat e tyre shkojnë.
Mbi to dielli derdhet si ar.

NË KRAHËT E ERËS

Ecën si era,
Të pa fajshme pemët
I merr përpara.
Vrapon, nuk din ku shkon.
I mjafton udhën të shkeli.
Në hapat e tij
Si fijet e një mendimi
Kur humbim koshiencën…
Vrapojnë të tjerë.
Në fërkemat e tij
Me thonj grryejnë,
Kalanë e hutimit
Nisin ta ndërtojnë
E fjalët në krahët erës
I fluturojnë…

POETI

I mbeten vargjet
Si lule pa ujë e diell.
Në mendje ia ngrinë.
Në heshtje i këndonte
Ia lexonin në sy njerëzit,
Mbi ëndrrat i binte shi
Shpirti i lagur,
Burgosur në poezi.
Shikonte larg larg
Tymnajën…

KA SKADUAR KOHA

Akrepat e orës
Era i lëviz
Në horizont.
Njeriu në heshtje.
Orët flejnë.
Koha ka skaduar.
Një ditë e re do vijë.
Me shekullin
Ngarkur në shpinë
Në të vjetrin kalë.
Akrepat e orëve varë
Koha do t’i shtyjë.

EJANI TË SHKOJMË

Atje ku fryn erë
E ftohtë…
Të thyejmë të gjitha
Dritaret e kullave
Mureve të shkruajmë emra
Njerëzish…
Që përtypin me dhëmbë
Dashuritë…
Mbi kollaret e tyre
Analiza të bëjmë.
Formula kimike
Do gjejmë.
Do zbulojmë parfume
Të reja…
Për hajdutët…
E djeshëm e të sotëm…
Ejani të shkojmë
Udhëtarët e shekullit…

SY HAPUR

Sytë nuk do t’i mbyllë.
Hapur në përjetësi
Do t’i mbajë
Të shohin kohët
Se si shkojnë e vijnë.
Edhe në gjumë
Mbi krevatin
Pa dhomë
Pa tavan
Në mes të hapësirës
Pa fund
Sytë hapur
Si lypsarë
Në udhëkryqe…

EDHE DIELLIN

Edhe diellin e kanë blerë,
Dhe hënës rrezet ia kanë marrë.
Ulërima orkestrojnë planetet…
Në kërkim të diellit
Vrapojnë…
Dhe hënës ia fshehin sytë
Në natën e errët…
E pastaj stuhia nis të bjerë.
Ti shet diellin
Atë frymë të Universit
Njeriut që është pjesë
E diellit…
Ndaj ulërimat i orkestrojnë
Planetet…

NJË POEZI E NDALUAR

Ia lexova shpirtin
Në dy vargje
Mbetur në sy…
Atë ditë kur u nda
Luani me diellin
Dhe me fjalën
Me ëndrrën
Dhe dashurinë.
Atë ditë një rreze dielli
Iu bë kurorë,
U shkulën dhe yjet
E hëna u bë nuse e poetit
Përgjithmonë…

MOS HESHT…

Kur pemët era i rrëzon,
Zjarri djeg livadhet
Plot blerim.
Kur heshtin
Nga era e furtunës
Mbi kollaret e tyre
Erë kundërmon…

E PASHË ATË DITË

Fjala e urtë
E fortë si guri…
Flakë ndizej,
Bëhej e kuqe
Si flamuri.
E pashë atë ditë
Kur tokën mëmë
E preku.
Në buzëqeshje
Kishte dhembjen
Për fëmijët që
Do të lindnin…
Me cilën gjuhë do të flasin
Fëmijët që do lindin?
Të gurit apo të atomit?
Ecën kali i vjetër
Ngarkuar, ngarkuar
Me heshtjen dhe zjarrin
Në shpinën e kërrusur
Të shekullit tim.
Në ditarin tim…

MBETUR TEK JU
(Vendlindja ime)

Sa herë në rrugë dal
Ju kërkoj,
Sa herë hap dritaren
Ju mendoj.
Shikimin e nisi
Nëpër rrugë të pafundme
Mbështjellë në pikën e lotit,
E kthyer në det malli
Për gurin, arën, pemët
Për shkëmbin bukurosh
E krenar…
Më njomen sytë
Mbyll dritaren.
Sa herë buzëqesh
Mbi ty i ndez yjet.
Sa herë pi ujë
Kroni më del në ëndërr.
Në cicërimën e zogjve
Në malet bashkoj këngën.
Sa herë të mendoj
Një afsh përmallimi
Ma përshkon zemrën.

YJET KURORË
(Shkodrës)

Rrënjë lisash mbi dhe
E gurë,
Kockat e kohëve mbështjellë
Me ngjyrën e syve Tu
Të përjashtuar nga dielli
I stinëve lakuriq
Përtej horizonteve të mjegulluara.
Stuhi, stuhi,
Mbi shpirtërat e lagur
Të përgjumur në fraza narkotike
Duke derdhur fermente
Të nxehta katalitike
Në frymëmarrjet e lodhura.
Brohoritja shpon tejpërtej
Fytyra të zverdhura
Nën rrënjët e lisave
Mbi gërmadha.
O Shkodërlocja ime
Më dhemb shpirti
Sytë nuk të shohin
Ty…
E mbytur në ujë
Ti…
Nusja më e bukur
E të gjitha kohëve.
Dasmorët e Tu
Emrat i kanë nëpër Yje
Dhe yjet, përherë kurora
Do jenë mbi Ty…

1 COMMENT

  1. Te lexosh poezitë e poetit Zef Mulaj eshtë kenaqesi, ndesh ne realitetin e dites.
    Poeti di te trajtojë çdo detaj te jetes se perditsheme.
    Urime z. Malaj ne fushen e krijimtarisë.
    GJ. MUSA

Comments are closed.