MARTIRËT E LIRISË SË SHQIPËRISË

0
31

Xhemail Peci

Fragment

N’asht se themelet e nji Shqipnije shqiptare mbështeten mbi trashigimin shpirtnuer qi na lanë De Rada, tre vëllazërit Frashëri, Vaso Pasha e Çajupi, duhet të pohojmë se sot jemi tue ndërtue (o kujtojmë se diç po ndërtojmë) jashta atyre themeleve.
Ernest Koliqi

Në historinë botërore përmendet fakti kur Aleksandri i Madh kishte urdhëruar ta rrafshonin qytetin e Tebës por jo edhe shtëpinë e poetit lirik Pindarit. Napoleon Bonaparta e kishte pushtuar Gjermaninë, por ai u ndal para Johan Volfgang Goethes së madh. Homeri i heksametrave të Iliadës, qe i verbër dhe jo rrallë u fye në kohën kur kishte jetuar, Eskili-ky tragjediograf i madh grek, kishte marrë pjesë në Luftën e Termopileve por qe dënuar me ostrakizëm – përzënie nga atdheu, dhe kishte vdekur i fyer nga bashkëkombasit e tij në Siçili; Shekspiri do të bridhte me një trupë teatrore e do të vdiste i ri duke u harruar gati për një shekull! Dante Aligeri dhe Françesko Petrarka shpesh do të vuanin nga konfliktet politike të kohës, dhe se dashuritë e tyre të pafatshme do kishin edhe petkun e vlimeve të vorbullave politike që zienin në çerthujt e kohës, Miguel Servantes Saavadera-gjeniu i kryeveprës letrare Don Kishoti, do të luftonte kundër arabëve, do të zihej rob prej tyre, do të burgosej në Kalanë e Ulqinit, do të humbiste njërën dorë të cilën ia kishin prerë në luftë dhe do vdiste në skamje; Bajroni do ta braktiste Anglinë e kohës së tij e cila sipas tij i ngjante një arkivoli ngjyrë hiri duke u fundosur dita-ditës (Unë jam për Anglinë, por Anglia nuk është për mua!) dhe do të vdiste duke luftuar për lirinë e Greqisë; Onore de Balzak – Napoleon Bonaparta i letërsisë botërore, do të zhytej në borxhe të shumta, e i lodhur nga fama sa edhe nga sëmundja do të martohej vetëm buzë vdekjes; Aleksandër Sergejeviç Pushkini – poeti i madh rus, do shkëlqente në famën e tij si poet por Cari i Rusisë e çonte në deti-larg syve, do të vdiste në dyluftimin mbase të organizuar si kurthë ku medoemos poeti do të duhej të binte; Volteri do të përballej me Frederikun e Prusisë dhe se vetëm vejusha e Sirejit do t’ia shpëtonte kokën; Anton Pavloviq Çehovi do vdiste nga tuberkulozi, Nikola Vasileviq Gogoli do vetëvritej në çmendi, Tolsoi do braktisej nga gruaja e tij dhe pastaj do ta braktiste Moskën e do vente të jetonte në vetmi të plotë në Jasnaja Poljana; Dostojevski do provonte veçimin, fyerjen, internimin, sëmundjet; Sergej Jesenini do të bënte vetëvrasje, Vladimir Majakovski, Ernest Heminguej, Stefan Cvajg, Kavabata… do të bënin gjithashtu: vetëvrasje?! Ndërkaq, Lasgush Poradeci do ta shfaqte krenarinë e tij të ligjshme duke thënë se: Letërsia shqipe është ndoshta e vetmja letërsi ku asnjë poet, asnjë shkrimtar nuk ka bërë vetëvrasje! …

Panteoni i Përdhunuar

Panteoni i përdhunuar e i përçudnuar! Shqipnija u nis drejt greminës, e “bashkimi kombtar me vishtirsi i mëkambun” prej Rilindasve, “u trand ndër themele” – do të theksonte Ernest Koliqi: “Bukurija asht mërgue nga vendi ynë. E bashkë me te dy motrat e saja: Besa e Burrnija.“ Vendi, shkruante Koliqi, ishte futur „në nji robin të zezë në të cilën çdo dhuratë e Perëndis dhunohej, ku vëllau me andje të mbrapësht e gjakatare mundon trupin edhe ndrydhë shpirtin e vëllaut, ku mohimi i çdo së drejte njerëzore quhet përparim.“

Në këtë vend të quajtur Shqipëri janë bërë tmerre që do t’ua ngjethin mishtë brezave të tërë, do të pohonte shkrimtari Ismail Kadare. Republika Socialiste e Shqipërisë dhe Republika e Letrave Shqipe, përkatësisht Republika e Lirisë së Shqipërisë. Shteti i Platonit do të zbatohej në Shtetin e Republikës Socialiste të Shqipërisë, pra poetët dhe shkrimtarët, intelektualët dhe artistët me prirje dhe mendime ndryshe ideologjike, ndonëse me dhunti letrare e intelektuale të lindur, do të përjashtoheshin e do të mënjanoheshin, do të survejoheshin, do të pengoheshin, do të linçoheshin, dhe mjerisht do të burgoseshin e do të pushkatoheshin.

Thirrja e poetit romantik gjerman Hajnrih Hajne: “O mbret, pse ta dua të mirën?/ Prano një këshillë prej meje:/Nderoje Poetin e vdekur,/Po Atë të gjallin kurseje”! – nuk do të vlente. Ndaj edhe pati intelektualë të shumtë që nuk e pranuan as lirinë si lëmoshë e as dhunën si qyqarë, sepse siç do të shkruante poeti romantik gjerman Frederik Shileri: “Kush dhunën pranon si qyqar/njeriun te vetja po aq e ka vrarë.” Ajo që kishte ndodhur aty dhe atëherë, mund të përfshihet me thënien e Xhorxh Oruellit, se: “Lufta është paqe, liria është skllavëri, injoranca është forcë.” Në vështrimin e tij Letërsija në Shqipni, Ernest Koliqi shkruante se: “Shkurt: letërsija e vërtetë asht ajo që i shërben partisë dhe, tue qenë se partija mishnohet në Sekretar të Përgjithshëm dhe në Komitet Qendror, letrari i denjë për kët emën asht, pra, ai që ven në shërbim frymzimin e vet me zbukurue mendimet (lexo: interesat) e Drejtuesavet. Kurrkush madje nuk mund t’ankohet n’asht se Drejtuesat s’marrin erë nga kultura e letërsija…Nga kjo ndrydhje robnuese, rrjedh monotonija e tipizimit të vetjeve. Të gjithë bejlerët e Shqipnis u tallen me unin (urin) e popullit dhe shnderuen të gjitha gratë që u delshin para syve, të gjithë tregtarët lëshojshin bark tue u majë me gjak të vegjëlis, të gjithë borgjezët kalbeshin me vese të mbrapshta dhe jo vetëm ishin vetë të zvetnuem por edhe zvetnojshin këdo qi rrinte në shoqni të tyne. Patriot quhet partizani që vret bashkatdhetarët. Anmiku i huej harrohet (po a thue a ka anmiq të huej Shqipnija? S’kemi kohë me i dallue, sepse tepër të xanun me u gri me shoqishojnë!)…Kumbojnë hymne në përlavdim të vllavrasjes…”

Duke e kujtuar një kohë të tillë, poeti dhe përkthyesi Dhori Qiriazi në skicën e tij letrare Lutecia do të shkruante: “Kam përkthyer këto radhë të sinqerta të H. Hajnes. Këtë pohim se e ardhmja u takon komunistëve e kam bërë me një frikë të madhe në zemër dhe trishtim, medet! Ky përfundim s’ka qenë i shtirur. He me të vërtetë, vetëm me tmerrr dhe neveri mendoj për atë kohë, kur këta ikonoklastë të ngrysur do të marrin pushtetin në dorë. Me duart e tyre të ashpëra do të thyejnë pa mëshirë të gjitha statujat e mermerta të bukurisë, kaq të dashura për zemrën time. Ata do të zhdukin të gjitha trillet fantastike të artit, të cilat i kanë dashur kaq poetë. Ata do të shkatërrojnë korien time me dafina dhe do të mbjellin atje patate. Cohët me zambakë, të cilat gjithkush i ka veshur pa ndrojtje e kursim, ashtu siç nuk i kish veshur as mbreti Solomon në kulmin e lavdisë së tij, do të grisen në sy të shoqërisë, nëse nuk do të mbahet në duar avlëmendi. Trëndafilat, të fejuarit gazmorë të bilbilave, do të përbuzen, bilbilat si zogj të padobishëm do të dëbohen dhe, sa keq! Prej Librit tim të këngëve bakalli do të bëjë fishekë letre, në të cilët do të hedhë kafe dhe duhan aromatik për plakun e së ardhmes. Eh, të gjitha i parashoh dhe një brengë e pasosur më pushton, kur i mendoj. Proletariati triumfues i kërcnon për vdekje vargjet e mia dhe do të përpiqet t’i zhdukë tok me botën e vjetër romantike. Dhe megjithë këtë, ja ku ta them ndershmërisht, ky komunizëm, sado armik me shijet dhe tendencat e mia, tani më ka pushtuar shpirtin me magjinë e tij dhe unë s’kam forcë ta kundërshtojë. Dy zëra të brendshëm në gji më flasin në favur të tij, dy zëra që s’duan të heshtin kurrë, të cilët në thelb nuk janë gjë tjetër veç se dy djaj të brendshëm nën pushtetin e të cilëve kam rënë dhe që me asnjë formulë magjike nuk mund t’i dëbojë. Një nga këta zëra është zëri i logjikës. Dielli i logjikës, ka thënë Danteja…Komunizmi u vendos dhe fjalët e sinqerta e profetike të H. Hajnes u vërtetuan plotësisht. Statujat u thyen, librat u grisën…”

Ballë për Ballë:
Dhuntia dhe Dhuna.

Republika e Letrave Shqipe
dhe
Republika Socialiste e Shqipërisë

Republika e Letrave Shqipe
Martirët e Artit dhe të Lirisë:

Atë Gjergj Fishta, autor i Lahutës së Malëcis e i Mrizit të Zanave, i ndaluar me dekret të veçantë shtetëror, eshtrat e të cilit u hodhën në lumin Dri; Atë Vinçenc Prenushi (poet lirik, vdiq në Burgun e Durrësit), Dom Ndoc Nikaj (romansier i talentuar, i burgosur në vitin 1946 kur ishte 82-vjeçar, i anatemuar), Sejfullah Malëshova (Lame Kodra)-poet i talentuar dhe intelektual i shquar, i burgosur, i lënë në vetmi e i anatemuar), Lazër Shantoja (një prej inteletualëve më eminentë të kohës, përkthyes i Faustit të Gëtes e i Vilhelm Telit të Shilerit, i arrestuar në shkurt të vitit 1945 e i torturuar mizorisht sa e luste Zotin të vdiste: gjymtyrët e tij iu prenë me sharrë dhe meqë nuk e mbanin këmbët ai qe ekzekutuar në një varr të hapur me një breshëri plumbash), Atë Anton Harapi (prift intelektual, dramaturg e orator i shquar, i dënuar me pushkatim), Dom Ndre Zadeja (poet i hollë lirik, i pushkatuar), Nikollë Gazuli (intelektual dhe albanolog, në vitin 1930 tek po vuante burgun në Gjirokastër, lirohet me ndërhyrjen e Norbert Joklit, Gergj Fishtës e Aleksandër Xhuvanit, por pushkatohet nga grupi komunist i cili e kishte rrethuar në një shpellë, dhe nuk i dihet varri), Mark Dushi (intelektual e mbledhës folklori, i arrestuar, i torturuar egërsisht dhe i ekzekutuar në moshën 46-të vjeçare); u burgosën studiuesit e përkthyesit e zellshëm të orientalistikës: Myqerem Janina, Vexhi Buharaja e Tahir Dizdari, përkthyesit Gjuljem e Mark Dema (përkthyes të talentuar të letërsisë klasike romake), Mithat Arianiti (përkthyes i veprave të albanologëve të shquar si Jokli, Hahni e Shuflaj me të tjerë, u arrestua me babain dhe të vëllanë më 1944, u internua dhe doli plak nga internimi), Nikollë Dakaj (përkthyes, poet e linguist), Pashko Gjeçi (i cili ia kushtoi përkthimit briliant të Komedisë Hyjnore-20 vjet, e që kaloi vite burgu në Burrel, Spaç, Maliq, Beden etj), Jusuf Vrioni e Fran Ilia (Shtjefën Gjeçovi i Ri)…

Me burgime të gjata, punë detyrimi dhe vuajtje mizore, u dënuan: Nikollë Mazreku, Gjon Shllaku (Nik Barcolla-prift françeskan i arrestuar dhe i pushkatuar në fillim të vitit 1946; shkroi pamfletin e njohur kundër Fulvio Kordignanos i cili e fyente kombin shqiptar), Hafiz Ibrahim Dalliu (vdiq në burg), Bernardin Palaj (prift françeskan, i likuiduar), Donat Kurti, (prift françeskan, i quajtur Hans Kristian Anderseni i shqiptarëve, vdiq në burgun e Burrelit), Viktor Volaj (prift françeskan e njohës i mirë i veprës së Gjergj Fishtës, u dënua në kampe përqëndrime), u ekzekutua Atë Dajani, u burgosën Mark Harapi e Gjon Karma; Nikollë Mazreku (linguist e historian, përkthyes i teksteve latine, u dënua me 25 vjet burg e me 12 vjet internim), Marin Sirdani (mbledhës folklori e legjendash, historian e shkrimtar, i burgosur për shumë vite, kurse legjendat e mbledhura për Skëndërbeun iu dogjën nga Sigurimi i Shtetit), Aleksandër Sirdani (vëllai i tij, i torturuar në mënyrën më brutale, trupi i tij i sakatosur e i gjymtuar u ngre zvarrë qytetit të Koplikut për të terrorizuar kundërshtarët); u ndaluan botimet e veprave dhe të shkrimeve të Selman Rizës, Justin Rrotës (intelektuali që e pat sjellur në Shqipëri kopjen e Mesharit të Gjon Buzukut), u lan në heshtje: Arshi Pipa, Namik Resuli (drejtor i Institutit për Studime Shqiptare në Romë), Ernest Koliqi, Martin Camaj, Karl Gurakuqi, Mustafa Kruja, Zef Valentini, Tajar Zavalani, Anton Logorei etj.
U ekzekutuan: Kolë Prela (mësues intelektual), Salahudin Totto (përkthyes e autor i artikujve politikë, Beqir Çela (intelektual, i akuzuar si spiun amerikan dhe i ekzekutuar më 1947), Qemal Draçini (shkrimtar i ri e tejet i talentuar, i torturuar për vdekje, vdiq në çmendi), Myzafer Pipa (intelektual e viktimë e terrorit të kuq), Manush Peshkëpia (intelektual, i dënuar nga Gjyqi Special i Tiranës dhe i ekzekutuar për shkak të “bombës në ambasadën sovjetike”); Ethem Haxhiademi (dramaturg i shquar, i burgosur), Musine Kokalari (një intelektuale e rrallë, e diplomuar për letërsi në Romë me 1942, refuzoi të punonte si mësuese nën regjimin komunist dhe përpara gjyqit ushtarak në Tiranë më 1946, mbrojti me guxim dhe me aftësi të rrallë idetë e veta politike dhe idealet kombëtare, u mbajt për shumë vite në burgun famëkeq të Burrelit dhe vdiq në vetmi), Kudret Kokoshi (intelektual vlonjat, i kishte shpëtuar kampit të Mathauzenit por përfundoi në burgun e Burrelit), Mithat Arianiti (intelektual që vuajti vite burgu në Burrel e pastaj në kampet e përqëndrimit në Kuç e Kurvelesh), Pjetër Gjini (poet satirik nga Shkodra, vuajti vite burgu në Burrel); u burgosën përkthyesit intelektualë Gjergj Bubani, Dionis Miçaço, Mitrush Kuteli, Nexhat Hakiu, u burgosën e u survejuan intelektualët e tjerë: Profesor Selman Riza, Pashko Gjeçi, Andon Frashëri, Astrit Delvina, Izet Bebëziqi, Filip Fishta, Nikollë Daka, Gjovalin Ljarja, Mustafa Greblleshi (autor i romanit të njohur Gremina e Dashurisë), Mirash Ivanaj (vdiq në burg më 1953), Koço Tasi (vdiq në Burgun e Burrelit-i dënuar për jetë), Aqile Tasi (vdiq në burgun e Burrelit) e Stavro Frashëri; Fiqri Llagami, Nebil Çika e Aleks Mavraçi-të pushkatuar në prag të çlirimit të Tiranës…

Republika Popullore-Socialiste e Shqipërisë:

Gjeneral-kolonel Enever Hoxha, i lindur në Gjirokastër me 16 tetor 1908, vdiq më 11 prill 1985. Studjoi në Francë e Belgjikë por nuk diplomoi. E udhëhoqi një shitore duhani në Tiranë, por prapa saj zhvillonte aktivitetin politik komunist ndaj edhe u dënua ‘me vdekje në mungesë’. U dekorua me Urdhërin Partizan të Jugosllavisë, me Urdhërin Jugosllav të Heroit Kombëtar, me Urdhërin Suvarov të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike. I martuar me Nexhmije Xhuglinin-Hoxhën. Me rekomandimet e Josip Broz Titos, me Dekret Shtetëror e hoqi nga plan-programet mësimore Poetin e Kombit Gjergj Fishtën, eshtrat e të cilit u hodhën në lumin Dri!

Gjeneral-lejtnajt Mehmet Shehu, i lindur në fshatin Çorush të Mallakastrës, me 10 janar 1913. Mori shkollim ushtarak në Rusi, i dekoruar me Yllin Partizan Jugosllav. Shtypi me gjak revoltën antikomuniste të vitit 1944 në Shkodër dhe ishte jashtëzakonisht aktiv e besnik në vendosjen e “pushtetit popullor”. Për shumë vite dora e djathtë e Hoxhës. Bëri “vetëvrasje” në pranverën e vitit 1981.

Ramiz Alia, lindi më 18 tetor 1925 në Shkodër në një familje të varfër, dhe vdiq më 7 tetor 2011. Udhëhoqi divizionet shqiptare në Kosovë e Jugosllavi, bashkë me Shefqet Peçin e Reis Malilen, në “ndihmë të vëllezërve jugosllavë”. I martuar me të bijën e gjuhëtarit Aleksandër Xhuvani, Semiramisën. Bëri spastrime në kulturë dhe në politikë. Pas “vetëvrasjes” së Mehemt Shehut e drejtoi Shqipërinë deri në “tranzicionin demokratik”. Ishte në krye të shtetit kur u dha urdhëri për ta varur në litar poetin Havzi Nela.

Nexhmije Xhuglini-Hoxha, e lindur në Dibër me 1921, e martuar me Enver Hoxhën në janar 1945. Aktive në lëvizjen komuniste dhe me ndikim të jashtëzakonshëm tek i shoqi. Zemërimi i saj shpesh ngjante me zemërimin e Zanfinës…Në vitet 1945-1946 merr pjesë në Kongresin e Grave Antifashiste në Beograd.

Gjeneral-major Shefqet Peçi, i lindur më 1906 në fshatin Picar të Kurveleshit. Kishte të mbaruar shkollën fillore dhe ate të artilerisë në Tiranë. U priu brigadave partizane në ndihmë “të vëllezërve jugosllavë”.

Gjeneral-major Haxhi Lleshi, i lindur më 1913 në Rëshen të Dibrës, me shkollim të ulët. Tejet aktiv në vendosjen dhe forcimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë, ku edhe udhëtonte shpesh. Që nga viti 1953 ishte President i Presidiumit të Ansamblesë Popullore të Shqipërisë.

Gjeneral-major Hysni Kapo, i lindur në fshatin Tërbaç të Vlorës, me 1915. I martuar me Vito Kondin, e motra e Alqi Kondit. I njohur si “Besniku i Partisë”, ai kreu funksione të larta politike dhe ushtarake. Në vitin 1945 ishte anëtar i Gjyqit Special kundër “kriminelëve të luftës dhe armiqve të popullit”. Në vitet 1945-47 ishte Ministër-në Jugosllavi (korrik ’45 – shkurt ‘47). Me 15 gusht 1955 emërohet President i Shoqatës së Miqësisë Shqiptaro-Ruse.

Gjeneral-major Tuk Jakova, i lindur me 26 prill 1914 në Shkodër. I dekoruar me Yllin Partizan të Jugosllavisë. Në vitet 1947 – ‘48 ishte Ministër në Jugosllavi. Zëvendësoi Koçi Xoxen, pas ekzekutimit të tij. I ekzekutuar “për gabime të rënda ndaj Partisë”.

Gjeneral-lejtnajt Beqir Balluku, i lindur në Tiranë në vitin 1917. Teneqexhi e i njohur si dembel. Në vitin 1945 ishte anëtar i Gjyqit Special për të dënuar “kriminelët e luftës dhe armiqtë e popullit”.

Gjeneral-major Bedri Spahiu, i lindur në Gjirokastër me 1906, kishte shkollim të mesëm dhe ushtarak. I dekoruar me Yllin Partizan të Jugosllavisë. Me 1945 u emërua Prokuror i Gjyqit Special për të dënuar “kriminelët e luftës dhe armiqtë e popullit”. Ai “vizitoi” shpesh Rusinë dhe Jugosllavinë. Në maj-qershor 1949, ishte Prokuror Shteti në Gjyqin kundër Koçi Xoxes dhe të tjerëve.

Gjeneral-major Kadri Hazbiu, i lindur më 1920, në fshatin Mavrovë të Vlorës, ku kishte mbaruar edhe shkollën e lartë tregtare. Bëri shkollimin ushtarak në Moskë. Kreu detyra të shërbimit sekret shtetëror dhe ushtarak.

Siri Çarçani, i lindur në vitin 1918 në Fushë-Bardhë të Kurveleshit. Bujk me profesion, e informator për dajën e vet Daut Çarçani (prefekt i Gjirokastrës nën pushtimin italian). Në vitet 1945-50 shërbeu si Prokuror Ushtarak kundër nacionalistëve dhe komunistëve, shumica e të cilëve u ekzekutuan. Me 12 qershor 1951, emërohet Prokuror i Përgjithshëm i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.

Abdyl Këllezi, i lindur në vitin 1919 në Tiranë. Me shkollim të mesëm e shkollimin ushtarak të mesëm – në Romë. Në vitet 1949-53 ishte në krye të delegacioneve në Rusi, Rumani, Bullgari dhe Europën Lindore.

Bilbil Klosi, i lindur në vitin 1919 në Mallakstër. I martuar në vitin 1945 me Jolanda Xhuvanin, e bija e Aleksandër Xhuvanit. Prokuror aktiv e famëkeq.

Spiro Koleka, i lindur me 8 korrik 1908 në Himarë. Aktiv dhe besnik në Komitetin Qendror dhe në Politbyronë famëkeqe. I dekoruar me Yllin Partizan të Jugosllavisë.

Rita Marko, i lindur në Korçë me 1920, me shkollim të mesëm. Në funksione të larta ushtarake dhe partiake.

Manush Myftiu, i lindur në vitin 1919 në Vlorë, komesar politik e anëtar i Komitetit Qendror, me merita për forcimin e miqësisë shqiptaro-ruse dhe në funksione të shumta politike e ministrore.

Kiço Ngjela, i lindur në Shepër të Gjirokastrës, në vitin 1920. Me shkollim të mesëm e pastaj vijoi studimet në Romë. Ministër i Financave.
Gogo Nushi, i lindur me 15 dhjetor 1913 në Vuno të Himarës. Me shkollim të mesëm. Tepër aktiv në Sekretariatin e Partisë së Punës së Shqipërisë

Josif Pashko, i lindur në vitin 1916 në fshatin Vodicë të Ersekës. Kishte të kryer Normalen e Elbasanit-me 1938. Ishte officer i sigurisë dhe pastaj me 26 mars 1946 emërohet Prokuror i Përgjithshëm i Shtetit.

Pilo Persiteri, i lindur në Korçë me 1909, teneqexhi e bashkëpunëtor i ngushtë i Enver Hoxhës që në Korçë, ku vepronte bashkë me Koçi Xoxen.

Mihal Prifti, i lindur me 25 shtator 1918 në fshatin Gjatë të Gjirokastrës, Minsitër në Rusi e pastaj ambasador në Moskë.

Fiqerete Sanxhaktari-Shehu, e lindur në Berat në vitin 1920, e martuar me Mehmet Shehun në vitin 1945. Ndoqi mësimet në Institutin Pedagogjik të Vajzave në Tiranë, por nuk e mbaroi.

Liri Belishova, e lindur në fshatin Belishovë të Skraparit më 1923. E martuar me Nako Spiron në vitin 1945, po nuk e përdori mbiemrin e tij. Nako Spio „bëri vetëvrasje“ në vitin 1947. Me 12 korrik të vitit 1954 emërohet Sekretare e Sekretariatit të Partisë.

Harresa si Mallkim dhe Kujtesa si Bekim

Në të njëjtën mënyrë siç po ‘harrohen’ e mjerisht po anatemohen dhe injorohen tani, qenë harruar dhe mjerisht qenë anatemuar dikur edhe Faik Konica, Gjergj Fishta, Mithat Frashëri, Bernardin Palaj, Mitrush Kuteli (i cili ishte shpallur Armik i Popullit, kurse Kapter Skënderi e kishte futur të gjallë në dhe – pra në vorr për së gjalli, poetin i cili kishte përmbledhur gjithë lavdinë dhe gjithë historinë në vargjet e tij lapidare: “Se jem këtu kur s’kish njeri,/kur s’kish kufi/as fqinjëri/as shkja të zi./ Se jam këtu kur Mal i Zi/Ish Iliri;/Kur nga një det në tjetrin det/Isha zot vet!”; shkrimtarin i cili kishte pohuar se “Shpirtin nuk ia shes shejtanit”, njeriun i cili në qershorin e vitit 1965 ishte zotuar: “Do të përpiqem t’i bëjë të flasin varret e lashta ilire, gurët e kështjellave tona të moçme”, përkthyesin i cili thoshte se “nuk përkthej unë, përkthen kultura ime”, atdhetarin i cili i shkruante të shoqes së vet Efterpi-së se i dridhej dora për të shkruar të vërtetën e hidhur: “Terreni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarpërinjtë. Të vrasin shokët, se u bën hije. Dhe se kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi”) por edhe Ernest Koliqi, Mustafa Merlika-Kruja, Arshi Pipa, Martin Camaj, Krist Maloki (një krijues që punoi në heshtje dhe mbeti në heshtje edhe pse la studime tejet interesante për Naimin e Lasgushin-studime që e shfaqnin horizontin e tij të shumanshëm dituror), Qerim Panariti, Nexhat Peshkëpia, Prend Doçi, Dom Ndoc Nikaj, Qemal Draqini, Gaspër Benusi, Pashk Bardhi, Namik Delvina, Pal Dodaj, Lazër Shantoja (u ekzekutua nga regjimi diktatorial), Atë Anton Harapi (i pushkatuar), Ndre Zadeja-Poeti i Ëmbëlsisë (i pushkatuar), Vinçenc Prenushi (i pushkatuar), Ethem Haxhiademi (një ndër dramaturgët më të shquar-i persekutuar), Kudret Kokoshi (i persekutuar nga diktatura), Ismet Toto (u ekzekutua nga regjimi komunist), Manush Peshkëpia (u ekzekutua), Namik Mehqemja (u pushkatua nga regjimi komunist), Marin Sirdani, Karl Gurakuqi, Astrit Delvina (i biri i patriotit Namik Delvina-një disident i mirëfilltë që bëri jetë jashtëzakonisht të mundimshme për dyzet vjet e i privuar nga liria); Trifon Xhaxhika-poeti tjetër disident i pushkatuar në moshën 31 vjeçare (me 24 dhjetor 1963, e të cilit nuk i dihet as ku i ka eshtrat e as ku e ka varrin, vëllain e të cilit Ylli Xhaxhikën e kishin arrestuar vetëm dy orë para pushkatimit të Trifonit); Zef Valentini, Stavro Th. Frashëri (një intelektual i mirëfilltë e me kulturë jashtëzakonsiht të gjërë, i cili tok me Ernest Kolqin konsiderohen si krijuesit e prozës/novelës moderne në letërsinë shqipe), Bilal Xhaferi, Minush Jero, Gjergj Komnino, Petro Marko, Kolë Jakova, Fazli Greiçevci, Murteza Nura, Adem Demaçi, Xhemil Doda, Teki Dervishi, Anton Xanoni, Pashko Gjeçi, Viktor Volaj, Stefan Shundi, Zef Harapi, Zef Pëllumbi, Anton Frashëri, Mehdi Frashëri (të cilit mezi ia patën gjetë një copë varr në varrezat angleze të Romës), bashkëvuajtësit e idealeve demokratike Lazër Radi e Tafë Përvizi, Mikel Koliqi-i vëllai i Ernest Kolqit (njeriu fisnik i cili mbahej në burg ndonëse ishte në moshën 84 vjeçare; kur e dënuan për herë të dytë atij ia dhanë 38 vjet burg komunizmi, e i cili bashkë me Ndre Zadenë e themeluan melodramën shqipe-Zadeja shkroi melodramat Rozafa, Rrethimi i Shkodrës dhe Ruba e kuqe), Mumtaz Kokalari-i pushkatuar më 12 Nëntor 1944, pa varr; Daniel Gjeçaj (i njohur edhe me pseudonimet Pal Duka e Pal Duka Gjini, një njohës i denjë i jetës dhe veprës së Fishtës, e të cilit iu desht të jetonte në vuajtje e fshehurazi), Luigj Thaçi, Shime Deshpali, Binard Bilota, Nikolla Ivanaj, Kostaq Cipo, Anton Logorcei, Branko Merxhani, Namik Resuli, Nexhat Peshkëpia, Skënder Luarasi, Zekeria Rexha, Selman Riza (për të cilin është thënë se për gjuhën frënge e pyesnin edhe vetë profesorët francezë, e për të cilin studiuesi Seit Mancaku do shprehej me pietet se ai ishte “filologu i lindur nga natyra”, ndërsa kritiku Adriatik Kalulli do shprehej për te se “kishte një seriozitet tronditës”); Gjergj Qiriazi, Vinçenc Stratikoi, Nikollë Filja; u harruan intelektualët dhe veprimtarët si Dr. Rexhep Krasniqi (autor i veprës së njohur Kongresi i Berlinit dhe Verilindja e Shqipërisë), Ahmet Gashi, Luan Gashi, Bedri Pejani dhe Bedri Gjina; u likuidua në mënyrën më misterioze mu në ditën e kremtimit të Krishtlindjeve poeti dhe patrioti Pjetër Budi-madje duke kaluar lumin Dri, dhe se trupi i tij qe zhdukur sipas urdhërave të atyre që kishin fshehur dorën e krimit në dhjetorin e vitit 1622; u likuidua poeti dhe atdhetari Pjetër Bogdani (i doktoruar dy herë në Romë-për teologji e në filozofi) dhe se trupi i tij iu hodh qenve për ta shqyer; u helmuan a u likuiduan-pas shpine, me pabesi o me thikë, me petulla të helmuara ose nëpërmjet hafijeve nga Porta e Lartë o nga Patriarkana Greke (fjala vjen, Sterjo Spasse në romanin e tij Zgjimi shkruante se “Porta në Stamboll dhe Mitropoliti i Gjirokastrës-Anthinisi si një mashë e fortë e hirësisë së tij Filotheut, e kishin shpallur veprimin e Koto Hoxhit dhe të Jani Vretos si herezi dhe i kishin mallkuar botërisht nëpër kisha; kishin shpallur se çdo orthodoks ishte grek dhe se nxënësi i klasës së tretë të Gjimnazit të Korçës ‘Themistokli Gjermanos’ përjashtohej nga tërë gjimnazet e Epirit, të Rumelisë e të Elladës si armik i betuar i helenizmit e i orthodoksisë”, kurse Nikolla Naum Naço, thoshin se ia kishte numëruar mu në ballë një konsulli grek në Misir sepse kishte guxuar t’ia shante vatanin”); u eliminuan mendjendriturit e kombit e klerikët patriotë, si: Pjetër Bogdani (kufomën e tij ua ndanë qenve) e Pjetër Budi (u mbyt në Dri, aty ku serbët do të vrisnin shekuj më vonë me 6 plumba Shtjefën Konstantin-Gjeçovin), Naum Panajot Bredhi-Veqilharxhi, Pandeli Sotiri, Jani Vellarai, Theodor Haxhi Filipi (Dhaskal Todri), Anastas Kullorioti, Jani Vreto, Koto Hoxhi, Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani, Vangjel Koça (Nirvana), Spiro Kosturi, Vasil Gjergji, Babë Dudë Karbunara, Visarion Xhuvani, Irine Banushi; u likuiduan pabesisht politikani ideolog Mithat Frashëri e poeti patriot Bilal Xhaferi; Vasil D. Alarupi (i doktoruar për shkencat politike dhe gazetari në Univesritetin e Sorbonës), Astrit Delvina (vdekur burgjeve shqiptare), Aristridh Kola (i likuiduar nga shërbimet sekrete greke), Fazli Grejçevci (ai më parë kishte pranuar të vdiste sesa të tradhtonte shokët e tij, ndaj në vend të dëshmive për Adem Demaçin dhe shokët e tjerë, heshti dhe buzëqeshi), Shaban Shala–Prometheu politik dhe poeti prometheistik (i likuiduar në burg nga Moma Çanoviqi me anën të një tablete të helmuar-një ditë para se të lirohej nga burgu), Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Enver Hadri (nëpërmes atentateve); u pushkatuan klerikët: Vinçenc Prenushi, Frano Gjini, dom Lazër Shantoja, dom Ndre Zadeja, dom Aleksandër Sirdani, Atë Bernardin Palaj, Atë Gjon Shllaku (doktoruar në Sorbonë), jezuitët Giovanni Fausti, Daniel Dajani e Mark Çuni; iu pre gjuha e u masakrua profesori arbëresh Paskuale Baffa, u vra me atentat nga dora e zezë serbe Shtjefën Konstantin Gjeçovi-intelektuali i cili kishte shkruar më se 10,000 faqe; u vra me atentat Luigj Gurakuqi, u pushkatua në pragun e shtëpisë poeti dhe profesori Latif Berisha (ai sikur e kishte parandjerë një vdekje të tillë, sepse aq shpesh në ligjëratat e tij për letërsinë e Rilindjes Kombëtare, e recitonte dy-vargëshin e famshëm të poetit arbëresh: Doemos, do të vdesim,/ në mos rënçim në pragun e shtëpive tona!), u burgos Sejfullah Malishova-Lame Kodra (i cili qe betuar se nuk do të fliste me aske si i burgosur, vetëm për të mbetur gjallë-si një kufomë e vdekur); Ferdinand Laholllit-15 ditë para se të lindte i përgaditej strehimi në kampe internime për 30-të vjet-për shkak të babait të arratisur!); u vetëvra duke u hedhur nga shkëmbi, poeti Viktor Qurku, i quajtur “Esenini shqiptar”- shkoi në fshatin e lindjes Çorraj të Sarandës dhe u hodh nga një shkëmb; Faik Ballanca vrau veten në shtëpinë e tij me psitoletë/revole; u pushkatuan poetët Genci Leka e Vilson Blloshmi, u var në litar poeti Havzi Nela (poeti i cili e kishte parandier një fund të tillë tragjik nga një krim makabër: “Kur të pyesni ‘ku e ka vorrin?/Kur të kërkoni me më gjetë/Thoni: Ai e urreu mizorin’/Thoni: Dheu s’ka me e tretë/ Thoni: Ai e deshi jetën/Jeta n’vuajtje e dërmoi/Thoni se ka mbrojtë të drejtën/Grusht tiranësh nuk duroi/Thoni: Dritë ai kërkoi/E vetë dritë nuk pa me sy/Thoni: për njerëzinë këndoi/E për vete mbajti zi/ Kur të vijë të çel pranvera/Kur bilbili nis me këndue/Mbi varr tem me gur e ferra/Një tufë lule me ma lshue.” (poezia Kur të vdes).

Ballë për Ballë: Poet dhe Mbret

Mjerisht, ish-Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu e pat dekoruar me Urdhërin “Naim Frashëri i Artë” Fehmi Abdiun, gjykatësin e fundit në Europën Lindore që kishte dënuar me varje në litar poetin disident të regjimit të fundit dikatorial në Europë, madje poetin i cili kishte jetuar në varfëri të tejskajshme e kishin varur mu në mes të Kukësit me 10 gusht 1998, pas mesnate në ora 02 të mëngjesit duke e lënë ashtu të ekspozuar! Zot, çfarë paradoksi?! Është dekoruar me Urdhërin “Naim Frashëri i Artë”-ai që e ka dënuar me varje në litar poetin i cili doemos se ka qenë i frymëzuar sa nga urdhërat e ndërgjegjës kombëtare të Pashko Vasës, njëlloj edhe nga urdhëri frymëzues i Naim Frashërit; poetin dhe njeriun i cili klithte: “Ne do të ndalim prej këndej dhe e ndiej se do të dalim. Shpejt gjithçka do të marrë fund. Por ne do të mbyllim shumë gjëra dhe do të sillemi si njerëz, se ndryshe nuk ndërtohet Shqipëria. Gjaku me gjak nuk lahet se pastaj bëhet një pellg i dytë gjaku që s’e lan dot të parin”; u mbajt në burgjet e diktaturës dragonike Osman Kazazi-dyzet vjet burg (“Ju falenderoj shumë që për 30 vjet radhazi në burg, me sjelljen brutale dhe antinjerëzore, nuk më keni dhënë asnjë rast për t’u penduar për kundërvënien pushtetit tuaj stalinist dhe sadist. Përndryshe, pendimi pas vuajtjes së gjatë do të ishte i tmerrshëm.” Kështu do t’i shkruante Lala-Osman Kazazi vetë Enver Hoxhës, i cili me të lexuar letrën ia shtoi edhe 15-të vjet burg). U burgosën: shkrimtari dhe përkthyesi Hafiz Ali Korça, shkrimtari Pjetër Arbnori (i dënuar me vdekje për shkak të përpjekjeve për të themeluar një parti social-demokratike, e që më vonë bëri 28-të vjet burg në Burgun e Burrelit); u burgos poeti Visar Zhiti, shkrimtari Kasem Trebeshina (i cili e quante Lidhjen e Shkrimtarëve të atëhershme të Shqipërisë, si “Urdhër i murgjërve mesjetarë”, kurse albanologu Robert Elsie do ta quante Republikën Socialiste të Shqipërisë një “Spital Psikiatrik” duke thënë se “letërsia shqipe ma kujton kryqëzimin e Krishtit”-thënie kjo si një remenishencë e drejtpërdrejtë e mendimit të shprehur nga Merxhani tek Demokratia më 8 dhjetor 1928, kur duke cituar Gëten: “Jemi dishpeuj të një brezi që mundohet të dalë nga errësira në dritë”, e ngriste zërin e revoltës: “Jemi bijtë e një race apatike, të painteresuar… Shqipëria, brënda në qarkun e qytetërimit evropian, është vendi, i cili është si një spital popullor i sëmundjeve psykollogjike. Dhe as nonjë shqipëtar, bir i këtij vëndi, nuk u gjend, të paktën gjer sot, që të sakrifikojë një pjesë të vogël të punës së tij mendore dhe të hedhë një sy mbi realitetin t’onë të hidhur”); Lazër Radi kaloi 46-të vjet nëpër burgjet e kampeve dhe të internimeve… u burgosën e u anatemuan, u përbuzën e u nënçmuan atdhetarët e veprimtarët si Simon Jubani, Drita Kosturi, Viktor Martini, shkrimtarët e shquar si Petro Marko e Arshi Pipa, bëri dhjetë vjet burg poeti disident Agim Shehu-i cili në vend të penës bëri punë kazme; u burgos Vasfi Samim Visoka-autori i librit Shqipërija e Vërtetë-Nëna Kosovë (Tiranë, 1943), u burgosën përfaqësuesit e shquar të Federatës Vatra: Kolë Rodhja, Kristo Kirka, Koço Kosta, Kolë Tromara, Andon Frashëri, kolonel Aqif Përmeti (i cili me kërkesën e Sylejman Delvinës drejtuar Federatës Panshqiptare Vatra, kishte shkuar në krye të vullnetarëve të Gardës Civile në Shqipëri, për të ndihmuar Qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjes. Ai u pushkatua nga komunistët në Tiranë në vitin 1945) dhe Ali Kuçi; u pushkatua Bahri Omari, u hodh në qelitë e Burrelit Aqile Tasti (për tetë vite kishte qenë në ballë të Vatrës e editor i gazetës Dielli, e për vdekjen e të cilit Arshi Pipa pat klithur: Vdiq Flamurtar i Moçëm, ashtu siç pat klithur dikur Eçrem Çabej për Bajo Topullin: Ti, o i rrëzuari lis, si ata lisa që ngriten ndër malet tona!/Bajo, lamtumirë! O shpirt i pavdekshëm, bekona! Lamtumirë!): u la në harresë e në varfëri të thellë shkrimtai dhe kritiku i shquar Mitrush Kuteli (Poeti i Poemthit Kosovar dhe Poemthit për Shën Naumin), u burgos e u harrua poeti i prirjeve të rralla artistike e i vargut të hollë lirik Gjergj Komnino, u burgosën e u anatemuan përkthyesit e titajve botërorë: Gjon Shllaku (për të cilin dramaturgu Fadil Kraja në fjalën e mbajtur me rastin e 80-të vjetorit të lindjes së përkthyesit të madh, do të shkruante: “përkthyesi i pashoq i 50-të kryeveprave botërore…Tek kujton jetën e Gjon Shllakut ndjenë dhimbje, por edhe krenari njëherësh. Sa e egër dhe sa mizore është treguar jeta me të. Aa shumë i ka dhënë Shqipërisë ky njeri kolos dhe sa pak mori prej saj. Kur ishte 22 vjeç student në vitin e tretë në Fakultetin Teologjik e arrestuan, nën akuzën si anëtar i organizatës “Bashkimi Shqiptar” dhe dënohet me 101 vjet burgim! Provon të gjithë kampet fatkeqe të Shqipërisë komuniste. Është djersa dhe puna e tij në betonin e fushës së aviacionit në Rinas, tek Ura Vajgurore, në tharje kënetash, në miniera, në thyerje gurësh. Kur ishte në burgun e Burrelit, natën, nën dritën e zbehtë të llampës së kapanonit, mësonte anglishten, gjermanishten, spanishten, dhe greqishten e re. Dhe aty në burg përkthente nga të gjitha këto gjuhë. Kur del nga burgu ky poliglot, zotërues tashmë i 18-të gjuhëve të huaja me një vandak përkthimesh, në dhomën e tij birucë ku banonte me prindërit, do të provojë kalvarin e punës poshtëruese edhe në kooperativën e artizanatit në Zukth”); përkthyesi tjetër Pashko Gjeçi-u arresua në Durrës ku edhe punonte e u dënua me pesë vjet burg “për agjitacion dhe propagandë”-përkthyesi i Homerit, i Komedisë Hyjnore të Dante Aligerit, e í veprave të Shekspirit, Gëtes e Rasinit; Vexhi Buahraja (Agim Xh. Dëshnica me të drejtë e ka cituar Lasgush Poradecin: “Për mua dy janë të mëdhenj në fushën e përkthimeve nga gjuha perse, i madhi Noli në Amerikë dhe i madhi Buharaja këtu”) e Isuf Vrioni; pasi kishin dhënë shpirt iu gjetën troshat e bukës nëpër xhepa Jeronim De Radës, Hasan Prishtinës, Luigj Gurakuqit, Mitrush Kutelit; u la të jetonte në varfërinë e pamerituar poeti i madh lirik-Lasgush Poradeci (poeti i cili për 25 vjet mezi bleu vetëm dy palë rroba, dhe i cili i kishte kënduar me aq patos shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë: Bien telat venë e vinë,/ po na tundin Shqipërinë,/Toskërinë, Gegërinë,/në çdo vend, në çdo krahinë,/që në Shkodër në Janinë,/Që në Vlorë e në Prishtinë/O popo ç’fitoi lirinë; poeti që i kishte kënduar aq përmallshëm Drinit Plak: “Duke nisur udhëtimin mes-përmes në Shqipëri,/Drini plak e i përmallshëm po mburon prej Shëndnaumit”; poeti që me dy vargje lapidare e kishte përjetësuar dhe nderuar Poetin e Himnit Kombëtar-Asdrenin:“Burrë i artë e i veçuar/ shqipëtar me shpirt të qëruar/vjershëror i vjershëruar”); u la të jetonte e të krijonte në kushte mjerimi përkthyesi vigan Gjon Shllaku-i cili e shtyente jetën mes librave e me një makinë shkrimi të vjetëruar; u la të vdiste në një azil pleqësh shkrimtari dhe dramaturgu Kolë Jakova; u përbuz përkthyesi i shquar Vedat Kokona (për të cilin një amabasador francez në Shqipëri qe shprehur me aq fisnikëri se e dinte gjuhën frënge më mirë se ai, dhe i cili (ashtu si Kolë Jakova) nuk deshti që t’i vente në varrim asnjëri nga “shkrimtarët”, dhe për të cilën Dhimitër Shuteriqi do shprehej se ai ishte “njeriu fisnik që na blatoi të bukurën”), u burgos e u përbuz padrejtësisht intelektuali erudit Isuf Luzaj (nga Kanina e Shqipërisë)-i shkolluar në Universitetin e Sorbonës, i doktoruar në letërsi dhe filozofi, folës i tetë gjuhëve botërore, ligjërues në Argjentinë dhe në Amerikë, i dekoruar nga Parlamenti i Argjentinës si dhe nga Presidenti i Amerikës Ronald Regan; iu desht të kalonte nëpër qelitë e burgjeve poeti i talentuar Frederik Rreshpja; Arshi Pipës iu desht ta shkruante veprën e tij Libri i Burgut në letra cigaresh e me laps plumbi (intelektuali premtues që shprehte qartë botëkuptimet e tij filozofike se natyra është mbretëria e ndjeshmërisë, se aty ku mbaron zotërimi i veprimit, atje fillon fuqia e krijimit, dhe se jeta është shpesh një parim më përfshirës sesa arsyeja), e dhuna me varfërinë ra edhe përmbi familjen si të tërë (fjala vjen familja e shkrimtarit Petro Marko, një familje prej katër artistësh: Petro, Safo, Jamarbër dhe Arianita) e jo më mirë kaluan as familjet e Mitrush Kutelit dhe të Lasgush Poradecit; u burgos e u dënua intelektuali Sami Repishti, poeti Bilal Xhaferi e shkrimtari Agim Musta, u survejuan intelektualët si Selman Riza e Zekeria Rexha, shkrimtarët: Sylejman Krasniqi, Agim Gjakova, Adem Istrefi, Xhevahir Spahiu, Agim Spahiu… u krijuan dosja të veçanta për të mbikqyrur artistët, poetët, shkrimtarët, intelektualët, disidentët; u pushkatua Sebiha Kasimati e u burgos dhe u torturua, u injorua e u linçua Sevasti Qiriazi, e Motra e Parashqevi Qiriazit, e bija e atdhetarit Gjerasim Qiriazit (“Sevasti Qiriazi dhe Kristo Dako-i shoqi në Amerikë formuan Partinë Kombëtare Shqiptare, kryetare e së cilës ishte Sevastia. Qëllimi i kësaj partie ishte t’i mbronte të drejtat e Shqipërisë në forumet ndërkombëtare. Ajo shkroi “Memorandumin mbi të drejtat, shpresat dhe aspiratat e shqiptarëve” më 12 tetor dhe ua dërgoi Fuqive të Mëdha, në prag të Konferencës së Paqes në Paris…Sevastia vdiq më 1949, pasi e patën nxjerrë nga shtëpia dhe pati përjetuar dhunimin e kufomës së të shoqit, patriotit të madh Kristo Dakos, burgosjen e djemve të saj, Aleksandrit dhe kirurgut të njohur Gjergjit, i cili duke mos mundur t’i durojë torturat e hetuesisë, vari veten në qelitë e burgut. Ajo vdiq me 1949, e ngushtuar në shpirt që nuk ia dhanë kufomën e tij ta varroste me duart e veta dhe zemërplasur, duke parë gremisjen e atdheut të saj të dashur, për të cilin pat punuar gjithë jetën. Arkivolin e saj, të varrosur mbi një karrocë, e përcollën vetëm njerëzit e familjes: dy nuset e djemve, mbesa e vogël Viktoria, dhe kuzhinierja e Instituit Kyrias”-Anton Çefa, Tema, 14 mars 2008); u la në varfëri rrënqethëse e në mjerim intelektualja e shquar dhe vigane e kombit shqiptar Musine Kokalari, për të cilën albanolgu suedez Ullmar Qvick ka shkruar me aq pietet: “Musine Kokalari ëndërronte Suedinë, mjedisin e bukur dhe të qetë ku jetoi dhe veproi Selma Lagerlof, por mundësia e saj për ta parë vendlindjen tonë u shkatërrua nga tragjedia e saj personale, që ishte dhe tragjedia e vendlindjes së saj. Ajo motër e Gjergj Elez Alisë, siç e quan Eglantina Mandia, nuk erdhi kurrë në Vermlandë”; u harrua dhe u anatemua padrejtësisht Klotilda Shantoja, e mbesa e don Lazër Shantos (të cilin komunistët e kishin pushkatuar pa gjyq), dhe ia kishin burgosur babanë dhe vëllanë, ndërsa familjen ia kishin internuar. Zëri i saj ishte magjik, një zë i mrekullueshëm sa herë që lozte veprat e Shopenit a të Shubertit; u vra me plumb pas koke Ramize Gjebrea sipas arsyetimit se “bënte dashuri me komandantin e brigadës Zaho Koka, ndërsa ishte e fejuara e Nako Spiros…”

Vuajtjet e pamerituara të gjithë këtyre njerëzve që e donin atdheun dhe kombin, përparimin dhe mirëqenien e tij, më kujtojnë thënien e Jeronim De Radës se qeveria italiane e shikonte me sy të keq, e izolonte dhe e mënjanonte: “Shumë nëpunës të qeverisë nuk më shohin me sy të mirë, edhe pse jam shumë i drejtë në shpirt.” E ndoshta “ngushëllimi” më i drejtë për të gjithë ata është dy-vargëshi i poetit Xhevahir Spahiu: “Një popull i vrarë do të ishte më fatzi,/ Po qe se nuk vriteshin poetët e tij!’ (poezia Urdhëri i Poetit, nga libri “Rreziku”).

Një kataklizmë të tillë e ka përmbledhur aq bukur poeti Agim Spahiu: “Mbas epopesë së përgjakshme të Lidhjes së Prizrenit dhe përpjekjeve të titanike të mëvonshme të qindra e mijëra atdhetarëve për ruajtjen e kombit shqiptar, mbi etninë tonë ra nata e errët e gjymtimit, mortit, gjakut, lotit, nata e errët e sakatimit, degradimit, përdhosjes, heshtjes, degdisjes, shpërnguljes, nata e errët e izolimit, zhbërjes, veçimit, pagojësisë e pikëllimit…Medet një zezonë e gjatë delirante e paparaparë as nga vetë Zoti! Po si çdo gjë, edhe nata, sado e gjatë, e ka fundin e saj…as hyrje as dalje, kryemënjanë, vetullavrenjtur, gojëhapur, shpirt-pikëlluar, dasëm pa të afërt, mort pa të afërt, jetë pa të afërt, gëzim i pa gëzuar, vdekja e pa ngushëlluar dhe vetmi, vetmi, vetmi e çmenduri…Dhe Zoti e di se kur do të ndreqet ç’është humneruar këtu.” Një mbresë të veçantë i ka lënë Agim Spahiut edhe poeti dhe shkrimtari tjetër i burgosur dhe i persekutuar Petro Marko, takimin me të cilin ai e kujtonte me admirim të veçantë: “Edhe Petroja ishte i pikëlluar, tepër i pikëlluar, sa Lasgush Poradeci, diçka më shumë. Më pyeti për titullin e librit që kisha në shtyp. Është koha të duhemi, i thashë. Më vështroi gjatë, u mendua e tha: Ju në Lumë kani një mal me emrin Pikëllimë. Prapa Pikëllimës është Kosova. Gjykoje vetë, por kur të shkruash një libër tjetër me poezi, a në t’u dhashtë rasti ta botosh poezinë e zgjedhur, titulloje Njeriu mbi Pikëllimë. I dhashë fjalën se do t’ia plotësoja dëshirën, aq më tepër mua më pëlqente, se poezia ime ishte e strukturuar në këtë titull. U bëmë miq dhe sa herë shkoja në Tiranë e takoja Petron në Klubin e Gazetarëve a në Arbëria. Kam dëgjuar mrekullira nga goja e Petro Markos, që ishte një Arkiv i gjallë, e ndoshta më i pikëlluari ndër shqiptarët këtu, në Shqipëri. Ditën e vdekjes së Petros u ndodha në Tiranë. Atë natë, në vetminë time, me kujtimet për Petro Markon, vendosa ta bëj gati shpejt librin me poezi të zgjedhura dhe ta titulloj Njeriu mbi Pikëllimë. I kisha dhënë fjalën. Dhe duke e mbajtur do të nderoja Petro Markon e dashur.”

E mbret dhe poet, siç ka shkruar Pashko Vasa, janë dy gjëra të papajtueshme. Firdusi e ka sfiduar mbretin e Gëte-ja e ka sfiduar Napoleonin. Sipas kujtimeve të diplomatit francez Talejran, Napoleoni e kishte lutur Gëten të shkruante për te: Cilit prej sundimtarëve do t’ia kushtoni veprën e ardhshme? Të gjithë shkrimtarët francezë e kanë bërë këtë gjë. E Gëte qe përgjigjur në mënyrë proverbiale: Që kur kam filluar të shkruaj, unë nuk e kam pasur zakon të bëjë të tilla veprime, që të mos kisha përse të pendohem më vonë! Edhe kur Napoleoni insistonte, Gëte nuk tundej dot: Mirëpo, ju nuk mund të më jepni dëshmi se ata s’janë penduar pastaj!
Perandori dhe poeti, shpata dhe pena, fjala dhe plumbi janë ndeshur shpesh gjatë historisë. Fjala vjen, Frederiku i II-të i Prusisë thoshte se Volteri-poeti ishte si një portokalle e shtrydhur për të, por megjithatë nuk arrinte ta bënte një mendje si të Volterit-as për vete e as madje ta shtrydhte, pranndaj edhe Volteri e sfidonte skajshmërisht. Cari i Rusisë e çonte Pushkinin „në det për t’u freskuar’“ se donte ta kishte sa më larg sysh, e ostrakizmi do të merrte forma nga më të ndryshmet, në vende dhe në kohë të ndryshme…

Më Shumë Dritë!

Ndërkaq, Republika e Letrave u ndry nga Republika e Hekurave, pjesa më e mirë e saj mbahej në burg! Habi e përzier me ankth, çudi e përzier me vaj e me qeshje, me intriga e me kurthe, me linçe dhe me akuza, buzëqeshje tinzare prej tiranësh dehur me gjak si një cakërrim gotash në dolli: Çmendi!

Shihni, kjo është Gjermania juaj! As e gjallë e as e vdekur! Pa ndjenja e vetëdije të trupit të vet. Një objekt talljejeje për botën! Kështu do t’i akuzonte Gothold Eprahaim Lesingu ata që Gjermaninë e kohës së tij e kishin bërë rrënojë. E me popullin ndodhte ajo që jo rrallë ndodhë me individin: Derisa të arrijë mëshira apo ndihma, atij i mbeten vetëm eshtrat.

Nuk ishte rastësi pse një gjeni si Gëte në moshën e tij 83-të vjeçare ikte nga kjo botë duke thirrur: Dritë, më shumë Dritë! E Naimi po ashtu lëshonte thirrjen: Dhe dritë e diturisë përpara do t’na shpjerë!

Ç’është liria? – pyeste Niçe në veprën e tij Perëndimi i Idhujve, dhe përgjigjej: “Të kesh vullnetin e përgjegjësisë për vete. Të ruash distancën që të ndanë nga tjetri…Njeriu i lirë është një luftëtar”, dhe se liria shpesh lidhet edhe me artin: “Thelbësore te dehja është ndjenja e forcës së rritur shpirtërore, Nën ndikmin e kësaj ndjenje, i braktis gjërat, i detyron ato të pranojnë ty, i dhunon ato dhe ky process quhet idealizëm. Njeriu në këtë gjendje i shndërron gjërat derisa ato të reflektojnë fuqinë e tij, derisa ato të bëhen pasyqrime të përsosmërisë së tij. Ky shndërrim i detyruar deri në përsosmëri është arti” dhe se “perëndimi i idhujve – është njëlloj paqeje e shpirtit…Jeta merr fund aty ku Mbretëria e Zotit fillon.”

Ata që e kishin sfiduar dhunën dhe padrejtësinë e krimit e kishin paguar me kocka dhe lëkurë, por ata nuk ishin frikësuar. Qëndrimi i tyre ma përkujton fjalimin dinjitoz të shkrimtarit amerikan Uilliam Fokner-it, i cili me rastin e marrjes së Çmimit Nobel për Letërsi, në Solemnitetin e Nobelit në Bashkinë e Qytetit në Stokholm, më 10 dhjetor 1950, në mes të tjerash pat thënë: “Unë refuzoj të pranoj fundin e njeriut…Unë refuzoj ta pranoj këtë, unë besoj se njeriu jo vetëm se do të qëndrojë: ai do të fitojë! Ai është i pavdekshëm, jo ngaqë vetëm ai në mesin e qenieve të gjalla ka një zë të pashterrshëm, por ngaqë ai ka shpirt, një shpirt të aftë për mëshirë, flijim dhe qëndresë. Detyrë e poetit, e shkrimtarit, është që të shkruajë për këto gjëra. Është privilegj i tij që t’i ndihmojë njeriut të qëndrojë duke ia tundur zemrën, duke ia rikujtuar atij guximin dhe nderin, shpresën dhe krenarinë, dhembjen dhe mëshirën, që kanë qenë lavdi e tij në të kaluarën. Zëri i poetit nuk duhet të jetë vetëm regjistrim i njeriut, ai mund të jetë një nga mbështetëset, shtyllat që i ndihmojnë atij të qëndroj. Dhe t’ia dalë. Zëri i fundit është ai i poetit.”

Poeti i ëmbëlsisë – Ndre Zadeja në eseun e tij Ideali Kombëtar, do të shkruante se po të mos kishim heronjtë dhe dëshmorët do të vlente thirrja e njohur “rrezikzi kush lind shqiptar! Por kemi heronj e kemi dëshmorë. Të parët i mbaron i huaji, të dytët i harron i veti?!”… E po kështu do shkruante edhe Gjekë Gjonlekaj në shkrimin e tij “Pse u harrruan martirët e Grudës dhe Zef Miliqi (Tema, 18 prill 2008): “Heronjtë vriten dy herë. Atëherë kur vriten dhe atëherë kur harrohen. Por sot e kësaj dite nderohen më shumë ata që shkaktuan tragjedi, se ata që e përjetuan!”

Heronjtë e pushkës dhe heronjtë e penës…

Duke shkruar për Naim Frashërin, Zoi Xoxa më 1925, vinte në pah: “Nuk nderohet një Patriot i vërtetë, që s’ka kursyer veten për një ide të shenjtë, duke i thurur për një minutë një sërë kurorash, por duke vazhduar me durim dhe me talent qëllimin që Ai ushqen në vete.” Ndërsa Faik Konica, tek u shkruante arbëreshëve të Zarës, në shtator të vitit 1901, shprehej: “Jemi i lëvdohemi cë jeni Shcipëtare nga ghkau e nga zemra si Schipëtare, ne nohim për detyeyre te shentme te duhemi te gjithe sa jemi Shqipetare, te jemi te bashkuar e te japim mish e shpirt per te shelbuar gjakun ton, – ghuen tone. Ghuha shcipe ështe thesari (hazineja) jone, se ghuha ështe me i pari shenim ci rrëfen kombesine…”

Asnjëra nga këto dy thirrje mjerisht nuk u repektua sa duhet dhe as si duhet, sepse ata që nuk dijnë të nderojnë të vdekurit, nuk dinë të nderojnë as të gjallët. Pra, letërsia shqipe nuk u ndal vetëm kur vdiq poeti i madh i kombit shqiptar Gjergj Fishta, siç ka shkruar “heretiku” Kasem Trebeshina. Por, edhe pyetja se ku u fshehën eshtrat e Poetit të Kombit, e për të cilat dyshohet se janë hedhur në Dri, (në lumin ku Lasgushi e kërkonte mesin e Shqipërisë natyrale) tingëllon akoma e më e trishtueshme.

Në shkrimin e tij Eklipsi ase të Zanunit e Dritës së Poezis Fishtjane, Ernest Koliqi i ka thurur një himn të rrallë poetit kombëtar, të anatemuar sa egërsisht po aq edhe padrejtësisht, ndaj edhe ia vlenë ta japim në tërësinë e tij:

“Besoj se pak poetën në botë pësuan fatin paradoksal të Gjergj Fishtës. Za i pashoq i mbarë një kombi, interpret gjenial i shpirtit të tij, i mohohet vepra dhe i shlyhet emni nga letërsija, shi prej atij kombit të cilit i a qiti në pah fisnikin e i a skaliti në vargje të pavdekëshme tiparet. Dihet që ky përdhunim historik u krye zyrtarisht, n’emën të kombit, nga nji pakicë që shkruen e resitë, vendosë e leçitë pa lejue shumicën me çelë gojën aty ku shtrin sundimin e vet. Këtë e dijnë, por prapë se prapë kjo përndjekje morale kundra Kangatarit qi ndëgjoi të rrahmet e zemrës së Shqipnis dhe mati mbi to rrokjet kumbore të poemit të vet, na shtje në kujdes të madh kur mendojmë rritjen e breznive të reja dhe na terratisë pamjen e një ardhmenije të denjë për Rilindasit qi na dhuruen nji atdhe. Sepse mos t’a gënjejmë veten me retorikë mburrjesh të shprazta. N’asht se themelet e nji Shqipnije shqiptare mbështeten mbi trashigimin shpirtnuer qi na lanë De Rada, tre vëllazërit Frashëri, Vaso Pasha e Çajupi, duhet të pohojmë se sot jemi tue ndërtue (o kujtojmë se diç po ndërtojmë) jashta atyre themeleve. Eklipsi ase të zanunit e dritës së poezis fishtjane nuk sjell tjetër veç se muzgun e vlerave fisnore (e këtu fjala fis nuk përdoret në vështrim organizimesh shoqnore primitive por si tanësi e nji gjindje të nji barku qi përbajnë nji komb, nji nacion). Vorrëmihësat e lavdis së Fishtës ndoshta padashtë shkaktojn zguljen e popullit shqiptar nga rrajët jetike. Duen të vorrosin Shqipnin e përtrime mbi humus shekullor të dokeve stërjyshore për t’a zevendesue nji Shqipni të ndërtueme (mjerisht me shum flijime të paarsye) hallagrep e merremerr mbi parime qi s’kanë të bajnë kurrkund me qytetni të vërtetë evropiane, e vetmja, qi i përshtatet vetive t’ona ethnike. Synimet e Skandërbegut dhe të Rilindasve po shkelen. E vërteton ostracizmi i Fishtës nga radhët e poetënve kombtarë. Poeti i pafati ynë, qi nuk bani tjetër gjatë stinës së vet njerëzore veç me i ndiell Shqipnis fate të lume. Na, në botë të lirë ku nuk pengohet me mjete të dhunëshme kulti i shqiptarizmit të njimendët, e kemi për detyrë përkujtimin e auktorit të Lahutës së Malcis. Mirë se qofshin të ardhura kremtimet të çdo lloji, por mos të lehet mbas dore mënyra e denjë për të nderue Poetin qi bani të nderueshëm gjakun shqiptar. Ajo mënyrë nuk asht tjetër veçse leximi i veprave të tija ku vlojnë idhnimet e gëzimet t’ona historike, ku vizatohet me vija vezullore typi i amshuem i Shqiptarit, ku tregohet rruga qi duhet ndjekun për t’u radhitë ndershmënisht përbrij kombeve të përparueme.”

Duke qenë edhe vet poet, e madje duke qenë i anatemuar si Fishta, por edhe i dënuar me ostrakizëm, Ernest Koliqi e ka përjetur jashtëzakonisht rëndë mungesën zyrtare të Gjergj Fishtës në Republikën e Letrave Shqipe. Ernest Koliqi ia heqë pluhurin dhe mallkimin Monumentit të Pavdekshëm të Frymëzimit më të Pafajshëm për Një Shqipëri Kombëtare-Gjergj Fishtës, ndaj në shkrimin-ese Fishta Asht i Gjallë Mes Nesh, ai ia rishpalosur Obeliskun e Poetit Kombëtar:

“E na u ngri gjaku kur nji përpjekje e papritun i a shljeu n’atdhe emnin nga fletët e letërsis kombtare e deshi t’ia mbyllte në heshtje të dhunëshme veprën qi ndezi në zemrat t’ona dëshirin e nji Shqipnije së lirë mbi themele të dokeve stërgjyshore.

Kush dënon Fishtën, don t’asgjasojë frymën e Lidhjes Shqiptare të Prizerenit; mohon iden qenësore të rilindjes shqiptare. Kush don me ia vorrue veprën në humnerë të harresës, kapërdin faktorët historikë e gjeografikë qi përbajnë arsyen qenjeje së nji Shqipnije shqiptare.

Përpjekja me cenue madhënin e Poetit Kombtar, na bani me dyshue mbi fate të kombit…

Ata qi paten fatin m’e njoftë, e shofin gjithënji me shtat të madhnueshëm mbështjellë në zhgun fretnuer, i ndrejtë n’ecje të kadalëshme. Në fytyrën e ndritëshme pasqyrohej burrnija e fisit dhe njiherit mirsija e madhe, humanisti i pamasë i shpirtit.

Kur siellte syt vezullorë me të shikue, ti e ndiejshe shikimin depërtues kah kërkonte mbrendin ma të msheftë ku struket palci i njeriut si të donte me hetue në fund të shpirtit vlerët t’ande si Shqiptar.

Kur t’a drejtonte fjalën, ti kishe përshtypjen se në za të Tij dridhej mysteri muzikuer i jehonave e i frymëmarrjes së malevet e të pyjevet t’atdheut. Kah flitte të dukej po ndëgjon krojet e kullueta të moçëme të gjuhës s’onë tue rrjedhë nga ajo gojë qi dinte me reshë urimet ma t’ambla mbi Nanën Shqipni dhe me lëshue namët ma të rrebta mbi anmiq të saj.

Ata që nuk e njoftën, i a përfytyrojnë vetvetes në trajtën e nji vigani të ngrejtun si sogje e përhershme mbi kufiijt e atdheut…

Fishta na mësoi me dashtë Shqipnin si nuse shpirti…

Ai na e armatisi shpirtin me krenin e emnit shqiptar…

Na e kanë përshkrue Fishtën si njeri zemërgur qi nuk ndien vuejtjet e popullit. Na e kanë quejt shkarth të huejsh e zbatues i urdhnave të këtyne në dam të Shqipnis. Krijuesin e ndjenjave atdhetare, e kanë zhigatë me vulën e mohimit t’atdheut.

Qaje, Zot, të keqen! Do disa sqimahorë t’anmiqvet të përhershëm të rodit shqiptar ngrehem me paditë Viganin e Shqiptarizmit. Ani kush!? Tue arrijtë kulmin e paturpsis, Dalzotsin e Mlasorvet, e kanë da me gisht si anmik të popullit…

Anmik i popullit, Poeti qi me vargje kaq prekëse, i a qan hallin shtresës ma të mjerë popullore? Pa ndjenja shoqnore. Poeti qi naltsoi e përlavdoi botën e Malsorvet, d.m.th. të gjindes ma të vobekët e të lanun mbas dore qi ka Shqipnija?

Po këta kapulaj, gjoja miq të popullit, qi sot ngrehen gjyqtarë mbi Fishtën (shkurtabiqa dalë nga terri përpara Prometheut qi i dhuroi flakën e atdhetarizmit Shqiptarvet) shka ban kur nji fat i mbrapësht dhe fitorja në Ballkan e armiqvet gojdhanorë të Shqipnis i vuni në gjendje me luejtë me jetë e nderë të bashkatdhetarvet?

Fishta ndër zhele të Malsorvet pau kindat e nji flamuri të grisun ndër përleshje për mproje t’atdheut. Ato zhele, lecka e rrecka, na i paraqiti të puthuna nga dielli i lavdis. N’ato zhele Malësorët e mbarë Shqipnis mbështjellin patentat e njimendta të fisnikis s’onë, të njerzis bujare të gjakut arbnuer. Na i tregoi e përshkroi Malësorët e Çun Mulës e t’Ali Pashë Gucis si rod katallajsh qi çudisin rruzullin me trimni tue ba dekën si me le në mproje të tokës e të traditave shejte shqiptare.

Po t’i lamë ata mendelafitun të ngujuem në mohim e në mëni. Ky asht ferri i tyne.

Shkëlqimi i poezisë fishtjane nuk mbulohet me shoshen e gjysmakvet trashanik të cilvet Perëndija u ka mohur dritën e arsyes dhe shijen artistike.

Në nji zemër ku vlon nji gjak i kulluet shqiptar, rreth edhe poezija e Fishtes. Poeti qi bani me lulzue mrekullisht vegimin e Shqipnis shqiptare në shpirtënt t’onë, asht i gjallë midis nesh dhe me za qi nuk njef mort na ngushllon, na nxitë e na tregon cakun ku duhet t’arrijmë.”

O kohëra, o çudira!

Në një refleksion të tij me rastin e pranimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës me 1995, dr. Engjëll Sedaj në shkrimin Fryt i Përpjekjeve Shekullore e ka kundruar drejt trajektoren shqiptare, duke theksuar mes të tjerash se: “Naim Frashëri këndon se dielli lind atje nga perëndon duke lënë porosinë e madhe të pajtimit dhe të shqiptarisë për ata që kishin pësuar nga ideologjia e pushtuesit aziatik. Ky pushtues do të jetë i detyruar në kohën e Kemal Ataturkut të madh edhe vetë t’i kthehet perëndimit për ta pranuar abecenë latine dhe mënyrën e jetesës ‘alla franga’. Sidoqoftë, kjo ishte një lëvizje e madhe kulturore edhe ndër shqiptarë, të cilën lëvizje midis dy luftave, më së tepërmi do ta vazhdoj dhe do ta avansojë poeti kombëtar Gjergj Fishta. Pas vdekjes së tij, këtë lëvizje të veprimtarisë në sferën e jetës shpirtërore, do ta pengojnë ato fuqi fusharake dhe anticivilizuese të realizmit socialist, të politizuar skajshmërisht me motive të egocentrizmit primitiv. Këtë periudhë të largimit nga shoqëria e lirë dhe demokratike e perëndimit do ta karakterizojë ‘shkenca e urrejtjes’, gënjeshtrat dhe premiset boshe, frika dhe faji, sepse siç thotë Ismail Kadare, ‘Formulën të gjithë njerëzit janë mëkatarë përpara Zotit, diktatura e ka modifikuar duke e zëvëndësuar emrin e Zotit me ate të Partisë.’ Ky shkrimtar i madh shqiptar në librin e tij Nga një dhjetor në tjetrin, që e ka shkruar në një shtet të Europës Perëndimore (Francë), thotë se ‘kombi shqiptar ka nevojë për një jetë të re, për një periudhë lartësimi, pendese e purifikimi shpirtëror.’ Në këtë purifikim integrimi kulturor me Europën perëndimore mund të jetë i dobishëm.”

E kultura shqiptare, nuk u ndal vetëm kur ranë kokat!

Mjerisht, ajo u ndal (kur siç paraljmëronte Vangjel Koça në shkrimin e tij Oshëtima në botën e librave, të shkruar me 1935, shkrimtarët do të quheshin sipas një përcaktimi të goditur të Stalinit – “inxhinierët e shpirtit”!? – ndaj edhe sipas këtij parimi ata pas mbarimit të luftës edhe do ta “ndërtonin njeriun-e ri”) e edhe po ndalet hera-herës, ndaj mjerisht, mjerisht-historia po na përsëritet!?

Prandaj, pa letërsinë shqipe vështirë se do të kishte Shqipëri, dhe se rrjedhimisht pa letërsinë shqipe-nuk ka dhe nuk mund të ketë Shqipëri, sepse përderisa gjuha është shpirti i një kombi, apo siç thonë poetët se gjuha është gjaku i fjalës, letërsia është vetëdija më e artikuluar, kurse mënyra më e mirë për ta mposhtur një trup është ose t’ia heqësh kokën-vetëdijen pra, ose t’ia dënosh ate me burg, me pushkatim ose me ostrakizëm-me mëgrim, apo edhe me harresë të përhershme, siç kanë bërë armqitë e lirisë kombëtare dhe njerëzore, veçmas në të kaluarën.

Le të paramendojmë për një çast të vetëm, sikur Ernest Koliqi-Ministër i Arsimit, të kishte urdhëruar mësuesit shqiptarë të mos dërgoheshin në Kosovë, sikur Sotir Peci-Ministër i Arsimit në Qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës, të kishte urdhëruar mbylljen qoftë edhe të një shkolle të vetme shqipe, sikur italianët t’ia shembnin përmendoren e lartë 37-të metra-Princit të Gjuhës Italiane: Dante Aligerit!

E megjihatë, ka ndodhur!

Princit të Gjuhës Shqipe, që aq shumë punoi e shkroi për atdheun, për kombin dhe për flamurin, ia mbyllën tempullin e tij!

Po. Mjerisht ka ndodhur: Një Ministër tjetër i Arsimit në Kosovë, pas pranverës së përgjakshme të motit të madh 1981, i pat hequr Naim Frashërin dhe Andon Zako Çajupin, bashkë me disa vjersha të Ismail Kadaresë nga librat e leximit dhe nga planprogramet mësimore! Dhe t’ia heqësh Shqipërisë Naim Frashërin, don të thotë t’ia heqësh shkronjat shqipe-gjuhës shqipe.

O tempora, o mores! O kohëra, o çudira: Kur topat e Dërgut Pashës bënin plojë mbi Kosovë, gjysma e gardës së sulltanit ishin shqiptarë! Sipas pohimeve të shkrimtarit Besnik Mustafaj, në të gjithë Komitetin Qendror-vetën një ishte me shkollën e lartë! Kur e pushkatuan poetin Vinçenc Prenushi, ai ishte me një këmbë në dhe e me një nën dhe, e megjithatë e pushkatuan! Lasgush Poradeci i ka thënë shkrimtarit Ismail Kadare, se: Kur e dënuam me 80-të vjet burg Vinçenc Prenushin, ai i kishte 76 vjet! Kur i pushkatuan poetët Genci Leka dhe Vilson Blloshmi, dhe kur e varën në litar poetin Havzi Nela, dekretet për të pushkatuar poetët, u shkruan: në gjuhën shqipe!

Sikur ta dinin hartuesit e Kongresit të Alfabetit, se një ditë shteti shqiptar do të pushkatonte poetët e tij, (Lorka u pat thënë atyre që ia drejtuan tytat para se ta pushkatonin: Mos qëlloni, sepse nuk qëllohet përmbi poetët!) duke shkruar dekretet e pushkatimit me Alfabetin e Kongresit të Manastirit! Vallë, a nuk e meritonte një poet me emrin Genci, që është edhe emri por edhe tradita më fisnike e trashëgimisë ilire në përtëritjen e emrit të njërit prej udhëhqësve më të shquar të shtetit ilir, a nuk meritonte të falej?! Në Zvicër edhe sot e kësaj dite e mbjellin, e kultivojnë dhe e ruajnë një lule që quhet sipas mbrerit ilir-Gentit, e në Shqipëri pushkatohej poeti i cili jo vetëm se e kishte emrin e mbretit ilir, jo vetëm pse e kishte emrin si një lule, por edhe zemrën e kishte të tillë.

Shpirt poeti…