Xhemail Peci
Konferenca e Gruas Intelektuale dhe themelimi i Degës së Fondacionit “Nermin Vlora-Falaski”, në Gjakovë
Një prelud për parlamentarizëm
Sami Frashëri: Gratë janë gjysma e njerëzimit!
Një nga mendjet më të shquara encikopedike të kulturës sonë kombëtare, e një nga ideologët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, autori i programatikës monumentale Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë?, sa bukur ka thënë, që e pastë bekimin aty ku ka rënë: Gratë janë gjysma e njerëzimit!
Koha i ka dhënë të drejtë një mendimi të tillë. Ardhmëria i ka dhënë të drejtë Samiut të Frashëllinjve. Frallëshëllinjtë, ata burra të zotë e të mençur që rendnin ta bënin Shqipërinë me hir o me pahir, ashtu siç këndoi poeti K. Petriti (në përmbledhjen e tij poetike Lulëkuqet, të botuar në Kosovë pas Pranverës së Përgjakshme të Motit të Madh 1981, nën përkujdesjen e poetit dhe profesorit Agim Vinca): Tre vëllezër Frashëri,/ sa për tre Tomorë,/ nëpër tri kontinente/ shkelin për një Vlorë!…Hoxhë Hasan Tahsini që flet me planetet,/ ç’yll kërkon të zbresë/ mbi gjithë alfabetet?!…Në një dorë mba Korçën,/ në një Dragobinë,/ çanë rrëmet rrëmujën/ të zgjojë Ilirinë… Rend e merr për flatra/ Ismail Qemalin,/ nagant ka Boletinin/ për sqep ka proverbialin…Petro Nini Fjalë Flamuri,/ e mëkoi me shqipet shkronja,/ se në gjoks të atij burri,/ rrahu flatrat veç shqiponja.
I. GJAKOVA
Selman Riza:
Flamuri ynë ka shqiponjën me dy krena.
Edhe gjuha letrare shqipe duhet të jetë prej dy kryedialekteve.
Vëllezërit Vatranë e Vëllezërit Shkodranë…
Selman Riza, ky intelektual erudit e gjuhëtar i madh, por edhe një atdhetar i kulluar, shkroi për vëllezërit vatranë e për vëllezërit shkodranë. Naim Frashërit ia fali epitetin: Flamurtar i Shqiptarizmës së Rilindur. Ndërkaq, mësuesit të tij nga Gjakova-Ibrahim Fehmiut, ia fali epitetin e apostullit mëmëdhetar, duke e falenderuar për mësimin e abecesë, por gjithsesi edhe për mësimin e “elementeve të shqiptarizmës”.
Selman Riza kishte një amanet. Ai la një porosi, që një ditë eshtrat e tij të preheshin në Kosovën e lirë. Breznitë orëmia ia plotësuan dëshirën. Ashtu siç ia plotësuan edhe Tafil Boletinit: Kur të çlirohet Kosova, ejani tek varri dhe më tregoni!…
Selman Riza lindi në Gjakovë. Aty donte edhe të kthehej. Të prehej përjetësisht në tokën që e lindi dhe e rriti: Toka bujare e gjakut.
Ramiz Kelmendi:
Vendlindja ime është Peja. Vend-dashja: Gjakova!
Ramiz Kelmendi, ky shijues bukurie e kronist i kohëve të vrullshme, shpëtimtar dashurie e dëshmitar i një jete gjithë vija dhe vrragë, i cili në veprën e tij Pejën e ka epiqendër të frymëzimeve të tij, e i cili Rugovën e ka një nga lajtmotivet e veprës së tij (“E mbi të gjitha këto, mu ashtu siç duket në të vërtetë: të josh Rugova aty sipër, me tërë atë diç të mahnitshme edhe të madhërishme që ndryn në bjeshkët e veta të larta, në atë mitin dhe misterin e vet, me ato doke e zakone…me gjithë atë dukjen ataviste të vet, me shtatin bjeshkë dhe me paraqitjen krenare, me atë natyrë të virgjër“), për Gjakovën do të shprehej gjithë pietet dhe admirim: Vendlindja ime po se po, është Peja. Po ama, vend-dashja ime është Gjakova.
Agim Vinca: Poezi shqipe. Nëno Moj!
Krijues erudit e kritk letrar, ligjërues letërsie e intelektuali që ngriti shpesh zërin e protestës në mbrojtje të të drejtave legjitime të shqiptarëve, në një nga poezitë e vëllimit të titulluar aq simbolikisht Buzëdrinas, do të lëshonte zemër-klithjen e tij: aq kuptimplote: Poezi shqipe, Nëno Moj!
Shaqir Foniqi:
Vendimet merren lart, e zbatohen poshtë!
Dy janë epietet që i shkojnë aq bukur gazetarit veteran. Njëri, si intelektual i popullit (të cilin ia dha me meritë Dr. Mazllum Baraliu), dhe tjetri: Lajmëtar i (D) Ritës.
Shaqir Foniqi është njeriu dhe poeti, i cili librin e tij për gazetarinë (Teori dhe praktikë gazetarie), e fillonte me krahasimin aq të qëlluar mes lajmëtarit tek Kanuni i Lekë Dugagjinit, dhe gazetarit:
Lajmëtari do të jetë i lirë në udhë të vet…
Ka dyzet vjet që ky Lajmëtar i D (Ritës) është vënë në shërbim të një misioni kaq fisnik sa edhe të vështirë.
Në një mëngjes të hershëm shtatori, ditë e shtunë, ai përcolli lajmin për një ftesë nga Z. Arllati, për një konferencë kushtuar Nermin Vlorës-Falaskit, dhe themelimit të degës së këtij fondacioni në Gjakovë.
Në një mot me shi e shtuna shpaloste gjurmët e një rrugëtimi në të cilin Muza shkon në Gjakovë: Pamje të fushave të bukura e hera-herës pa fund, ca kodra që shfaqen më tej, ca kroje që rrjedhin për të shuar etjen e kalimtarëve – si një paraljmërim se më tej sikur pret në takim Drini i Zi, që në rrjedhën e tij rend për t’u takuar me tjetrin Dri…
Biseda rrjedh vetvetiu, për shiun, për natyrën e bukur, për gjurmët e gjakut, për Kroin e Mbretit, për kthesën që do të merrte rruga për në Gjakovë, një qytet në të cilin Muza shkon shpesh, një qytet të cilin do ta shihja pas shumë vitesh.
Lasgushi dhe Drini
Lagushi, ky zog i qiejve e ky këngëtar finok i thelpinjve të hollë të dashurisç, do të kujtonte: “një kritik më kritikoi njëherë, se kritikët këtë punë kanë. Tha se unë nuk e njohkam gjeografinë e Shqipërisë. Bobo, ç’më dëgjua veshët. Sepse në vjershën ‘Poradcei’ kam shkruar vargjet: “duke nisur udhëtimin mes përmes për Shqipëri, Drini plak e i përmallshëm po mburon prej Shëndnaumi…” More, i paditur, t’i thuash. Lasgushi e di gjeografinë, ti nuk e di. Ti nuk e di se gjysma e Shqipërisë është përtej dhe Drini është kufiri i përmallshëm i dy pjesëve të trojeve tona stërgjyshore. Apo s’është kështu? …”
Buzë Drinit. Buzëdrinas. Siç do të thoshte poeti Agim Vinca… Andej kah kërkonte Lasgushi mesin e gjeografisë së Shqipërisë…
Pastaj shfaqeshin kodrat me të cilat sikur rrethohet qyteti si në një mburojë të një natyre, të cilës shpesh i ka ra shorti të ishte dhe krynegritëse përgjat historisë. Çabrati dhe kalldrëmet e Çarshisë së Vjetër, ato gjurmë lashtësie që në vete ngërthejnë edhe pjesë historie. Pastaj historia shpaloset më bukur në fjalët e gazetarit dhe poetit:
Këtu është vra Mehmet Ali Pashë Maxhari…Pikërisht në shtator. Këtu ka ndodhur historia…Malësia e Gjakovës dhe zjarri i pashuar i luftës për liri e për përparim shoqëror. Suljeman Vokshi e Bajram Daklani, Sulejman Batusha e Ahmet Korenica, Bajram Curri e nëna trime Bije Vokshi, dhe sa e sa të tjerë që krenarinë e vunë mbi lumturinë…
Shaqa është një bashkudhëtar që nuk të le të mërzitesh. Ai flet për tema të shumta, për ngjarje dhe për data, për kulturën dhe për artin. Të folurit e tij ka shpesh konotacione poetike e me premisa të theksuara filozofike, dëshmi e një kulture dhe përvoje të pasur.
Nermin Vlora-Falaski – Ambasadorja e Kombit
Shfaqet dhe rishfaqet në bisedë dhe në kujtesë edhe figura intelektuale e një shqiptareje të ditur, zemra e së cilës rrahu për të mirën e atdheut dhe të kombit me të cilën kishte të drejtë të krenohej.
Më ka rastisur ta takoja Nermin Vlorën – Falaskin, në Hotel Dajti, në pranverën e vitit 1992, dhe ajo që më ka mbetur e pashlyer në mendje, janë tiparet e fytyrës së saj, dy sy gjithë dritë e shkëlqim mençurie dhe zgjuarësie, një qëndrim krenar por që gjithsesi mallëngjente bashkëbiseduesit e saj, sepse ajo mishëronte fisnikërinë dhe bujarinë, sa dhe dashurinë për Shqipërinë dhe shqiptarët, trashëguar nga plaku i urtë e burri i fortë i Vlorës trime, Ismail Qemali…
II. ELBASANI
Mithat Frashëri: Unë jam kosovar!
Ago Agaj-Kosovari nga Vlora.
Marie Shllaku: Kosovë-Gjaku im t’u bëftë dritë!
Migena Arllati-Kosovarja nga Elbasani.
Elbasan qytet i bukur, mu n’kërthizë të Shqipërisë. Ka lënë edhe Lagjen Kala, e tok më të edhe qytetin e dijes e të kluturës, qytetin që botës shqiptare, veç tjerëve i ka falur gjuhëtarët e mëdhenj: Konstantin Nelko Kristoforidhin e Aleksandër Xhuvanin.
Kleopatra Bibaj për Konstantin Kristoforidhin
Kleopatra Bibaj, e bija e Kristoforidhit, në një intervistë të vitit 1956 ka pohuar se babai i gjuhës shqipe e kishte lënë këtë porosi: “Përpara vdekjes, ai i mblodhi të gjithë të afërmit dhe miqtë besnikë dhe na porositi: Unë nuk kam as çifliqet dhe as irate, por ju lë amanet vetëm këto libra dhe këto dorëshkrime që janë të shkrueme në gjuhën shqipe; mos t’ja dorëzoni otomanëve dhe spiunëve, por t’i ruani se do të vijë koha kur Shqipëria do të përparojë dhe do të lulëzojë”…
Konstantin Anastas Nelko Kristoforidhi, duke e ditur rëndësinë e gjuhës si faktor i uniteti kombëtar, e kishte shkelur cep më cep e kënd me kënd – këmbë Shqipërinë, e madje kishte vajtur edhe tek arbëreshët e Italisë, në Kalabri, për të mbledhur fjalët shqipe si bleta mjaltin e për të hartuar një fjalor të shqipes, i vetëdijshëm se: “Vetëm në u shkroftë gjuha shqipe e të futet nëpër të gjithë librat, kam shpresë se do të na njohin për komb e vendas në dheun tonë.”
Në një shkrim të publikuar për te, me titull Gjuhëtari që shkeli këmbë gjithë Shqipërinë, është thënë aq bukur dhe me po aq të drejtë se: “Ai e donte gjuhën e nënës si lulja dritën e diellit. Kjo dashuri duket në veprat që na i ka lënë. Fjalori i tij, është si të thuash, një përmendore e ngritur fjalë-fjalë…Gjuha në funksion të çështjes kombëtare, ky ishte qëllimi i tij më i lartë, ideali i tij fisnik. Gjuha për të ishte mjet. Prandaj ai ishte për përdorimin e një gjuhe të kuptueshme për të gjithë banorët e Shqipërisë së mirëfilltë.”
Është thënë prandaj me të drejtë nga Rexhep Qosja në Historinë e Letërsisë Shqipe, se fjalori i Kristoforidhit është edhe një poezi, ashtu siç është thënë, fjala vjen, edhe për dramat e Henrik Ibsenit se janë një simfoni hyjnore.
Selman Riza për Aleksandër Xhuvanin
Xhuvani ishte një pedagog dhe gjuhëtar i shquar. Ai dha mësim edhe në Shën Mitër Korone e edhe në Normalen e Elabasnit, ku la gjurmë të pashlyeshme me personalitetin e tij arsimdashës. Një kujdes të veçantë ai tregoi për pastërtinë e gjuhës shqipe, çështje kjo aq aktuale edhe sot. Në një periudhë të caktuar, Xhuvani ngriti zërin duke shkruar se nëpërmjet unifikimit të gjuhës bëhet bashkimi i kombit dhe arrihet shpëtimi i tij, kurse Selman Riza në një analizë të hollë për gjuhëtarin e shquar, shkroi se: “Përmes shkrimeve të Aleksandër Xhuvanit, shijojmë më të bukurën e shkodranishtevet”.
Migena Arllati:
Shqipëria ime, Shenjtëria ime!
Fati e ka sjellur në Gjakovë e ajo është mishëruar me të. ajo ka fituar admirimin dhe respektin e qytetit ku jeton prej vitesh. Ate e shquan një botë e pasur shpirtërore, ku zë vend poezia por edhe dashuria për gjuhën shqipe, admirimi për kulturën dhe kujdesi për traditën, vetëdija për të kaluarën historike por edhe interesimi për të pritmen.
Migena Arllati flet bukur, qartë dhe rrjedhshëm. Me një ëmbëlsi zëri e me një dlirësi shpirti, ajo rrezaton dritë, dije dhe kulturë. Ajo e bën për vete auditorin dhe zgjon ndjenja të veçanta admirimi e mirëkuptimi…
Erdhi Mithat Frashëri në Kosovë, vizitoi Mitrovicën e Pejën. Gjithsesi edhe Prizrenin, qytetin ku babai i tij Abdyl Frashëri hodhi themelet e një Shqipërie të përbashkuar, me Prizrenin si kryqyetet të saj. Erdhi ahere Mithat Frashëri, u mallëngjye por edhe tha me krenarinë e ligjshme: Unë jam kosovar!
Erdhi edhe vlonjati Ago Agaj, pjesëmarrës në Lidhjen e Dytë të Prizrenit, prefekt i qytetit të Mitrovicës, e nga dashuria që kishte për Kosovën, i thanë: Kosovari nga Vlora.
Erdhi në vorbullën e ngjarjeve historike, edhe Marie Shllaku. Luftëtarja e paepur e militantja politike, vajza 23 vjeçare e ish studentja e Universitetit të Romës. U dashurua në Kosovën, ia fali jetën në lule të rinisë, e para pushkatimit sfidoi barbarët: Kosovë-gjaku im t’u bëftë dritë!
Migena Arllati dhe poema e saj e madhe, zemër-thirrja dhe zemër-klithja e saj: Shqipëria ime, Shenjtëria ime!…
III. PARLAMENTI DHE SHPIRTI I NJË KOMBI
Një parlament gjithë kulturë, nderim dhe respekt të ndërsjelltë Elena Gjika:
Akademia duhet të jetë shpirti i një kombi….
Ajo që binte në sy, ishte një organizim shembullor, një rend dhe rregull, një admirim dhe respekt reciprok. Folëset dilnin tek mikrofoni dhe flisnin me elokuencë, me zgjuarësi, me dije dhe me dashuri për gruan shqiptare, për sakrificat e saj, për qëndresën ndër shekuj, por edhe për dijen dhe kulturën e nënës shqiptare, e cila iu bë krah atdheut e i doli zot fateve të tij, si dëshmi e qartë se gruja shqiptare është dora që ka përkundur djepin e lirisë sonë. Jo rrallë salla ngritej në këmbë dhe shpërthente në duartrokitje. Një shenjë e qartë e një respekti të vetvetishëm, dëshmi e mirënjohjes së thellë dhe e konsideratës më të lartë. Të bëhet zemra mal tek sheh se si nderohet gruaja shqiptare, nënat dhe motrat. Një kulturë të cilën Gjakova e ka të veçantë. Gjithsesi, edhe momente prekëse, çaste dhembshurie e mallëngjimi, tek flitet edhe për të pagjeturit e të zhdukurit. Zemra nënash. Gjakova në luftën e fundit, u dogj e u poq. Ploja e gjamës dhe e gjakut ra aq mizorisht mbi të. Masakrat si ajo e Mejës, akuzojnë: edhe sot e edhe mot.
Esat Bicurri: E kujtoj atë takim…
Kujtohen emra dhe zemra bashkë. Një nga të shumtët, një zë nga më të veçantët, një njeri dhe këngëtar që e deshti aq shumë qytetin e vet, që këndoi për të dhe që e përjetësoi dashurinë e tij, jo vetëm për Gjakovën. Ai sikur e kishte parandier një përjetësi të tillë, një ndarje por edhe një dhembje tragjike: E kujtoj atë takim! … Esat Bicurri dhe kënga si kronikë kohe. Edhe më shumë: Kronikat e gjakut tënd Shqipëri. Gjakova dhe gjaku i derdhur lum. Gjarprinjtë që përdrodhën trupin e zi si nata.
Tinëzisht. Mizorisht. Barbarisht! …
Teuta Sahatqija –
Deputetja e fjalës së matur dhe e zërit të arsyes
Pa dyshim se deputetja Teuta Sahatqija do ta ketë ndjerë veten edhe të privilegjuar. Të privilegjuar, sepse ajo dhe shumë të tjerë, do të kenë menduar se sa mirë do të ishte që edhe parlamentarët në Prishtinë të kishin më shumë mirëkuptim të ndërsjelltë, veçmas për ta tejkaluar “ngërçin politik”.
Gjithsesi, edhe parlamentarët shqiptarë në Shkup…
Margarita Xhepa dhe zëri i saj një margaritar i rrallë
Është një zë që dhembjen e kthen në forcë: Margarita Xhepa. Një emër që e kemi aq fort për zemër. Margarita me zërin e saj si një margaritar i rrallë. Margarita e poemave të cilat fillojnë me obelisqet e bardha kryevargjeve të poetëve tanë: O malet e Shqipërisë! O Moj Shqypni! O Flamur Gjak!…
Me atë zërin e saj tek buron që thellë zemrës së saj të madhe prej një artisteje të papërsëritshme e të merituar, Margarita e bëri sallën për vete. Margarita e ngriti sallën në këmbë. Margarita ngjalli emocione mallëngjimi e krenarie. Tek recitonte një nga poezitë më të bukura të studiuesit të përkushtuar Nasho Jorgaqi, ajo dëshmonte hiret e gjuhës sonë, hiret e gjuhës zonjë. Të asaj gjuhe të cilës Ndre Mjeda i thuri kurora lavdie duke i thënë se është një Diell pa hije, të asaj gjuhe të cilës Naimi i tha Gjuhë Perëndie, të asaj gjuhe në të cilën poeti i pushkëve të bardha, shqiptari i madh e shkodrani i mençur Pashko Vasa, Shqipërisë i tha: Zonjë e Randë, o Zonja Nanë; të asaj gjuhe të cilës Lasgush Poradeci nga thelpinjtë e tij të hollë lirik, i falte margaritarët e rrallë të poezisë së tij: O Diell i llaftarisur që ndrinë si pika lot. Gjithsesi, të asaj gjuhe të cilës Ernest Koliqi i këndoi: O gjuhë e folur tre mijë pranvera!
Margarita Xhepa i dha një shkëlqim të ri gjuhës shqipe. Ajo deklamoi vargje gjithë pasion e elokuencë, vargje në të cilat ngritet lart dashuria për njeriun. Ajo preku zemrat e zgjoi ndjenjat, dhe se në shkëlqimin e syve të saj shihej qartë një zjarr i pashuar atdhedashurie.
Zonja Zenepe Luka dhe zotësia e gruas shqiptare
I afrohet mikrofonit një zonjë fisnike, një grua bujare, e veshur me kostume të gjelbërta prej pranvere. Fjala e saj buron prerj shpirtit. Fjala është kreshta e bardhë e ligjërimit të saj, e në yllësinë e fjalës shqipe ajo shpalos lentat e ylberit. Ajo flet me peshën e fjalës e me një seriozitet që në vete përmban përkushtimin në punë dhe një mision që në vete ka ardhmërinë. Mision të clin koha me rrjedhën e ngjarjeve ia ka vënë mbi supe, asaj dhe simotrave të saj.
Zonja Zenepe Luka flet gjithë respekt dhe seriozitet. Fjala e saj zgjon vëmendje e fton për bashkëpunim, kërkon punë dhe kurajo, premton shpresë.
Demokrate në bindje, në fjalime e në veprime, ajo e hedhë në propozim zgjedhjen e kryetares së degës së Fondacionit “Nermin Vlora-Falaski”, për qytetin e Gjakovës.
Pas pak çastesh, në sallë hyjnë disa veta dhe pasi zënë vend, e merr fjalën e bija e akademikut të ndjerë, Besim Bokshit. Në mënyrë demokratike dhe unanime, për kryetare ato kanë zgjedhur: Migena Arllatin.
Shpërthejnë duartrokitjet dhe urimet nga zemra për punë të mbarë dhe suksese të reja.
Edhe një ogur i bardhë:
Migena. Kosovarja nga Elbasani!
Vitore Stefa
Vitore Stefa-Leka, e njohur si Nënë Tereza e Triestes, e merr fjalën dhe flet gjithë dashuri e respekt, me një dlirësi shpirti e me një çiltërsi zemre. Ajo e thotë hapur se nuk ka kufij mes nesh, se tej Kosove në Çamëri, Shqipëria është Një dhe e pandarë. Ashtu si zemrat tona.
Nuk ka sesi të mos më kujtohet një rast, kur duke festuar 28 Nëntorin, me të drejtë është shprehur: “Është nder i madh, që Zoti na ka bërë të lindim shqiptarë. Ne krenohemi me racën tonë-me traditat, me zakonet dhe njerëzit e pastërt. Kombi ynë është një ndër 12-të kombet më të vjetra të Europës.”
Irini Qirjako. Të ka Lule Shqipëria!
Vallë, ku ka kënduar Irini dhe salla nuk është ngritur në këmbë? Dhe kudo që ka thënë se do ia marri këngës, të gjithë e kemi ditur se cila do të jetë kënga: Te Rrapi në Mashkullorë…
Kënga për levendët e lirisë së Shqipërisë. Kënga për trimat që merrnin gjak në vetull. O leri djemtë e mi të shkojnë,/se të skuq, të bëj me bojë,/ mua Çerçiz Topull më thonë!
Çerçiz Topulli. Një nga shtyllat vertebrale për lirinë e mëmëdheut. I vrarë me pabesi nga shovenistët malazezë, së bashku me atdhetarin Mustafa Çullin, në Shtoj.
Lumi Buna u la me gjakun e dy atdhetarëve të kulluar, të cilët Shqipërinë dhe lirinë e saj e deshtën përmbi çdo gjë.
Çerçiz Topulli e Muço Çulli: U ka lule Shqipëria! …
Irini Qirako. Kështu ka kënduar ajo edhe kur erdhi për herë të parë në Kosovë. Kështu do të këndojë gjithmonë. Si në Gjakovë: Ti zemrat me zjarr e me dëshirë na i mbushe, ku të këndoftë zemra-shpresa u shtoftë, e ku të shkeltë këmba, mbifshin lule…
Irini Qirako. Të këndoftë gjithmonë zemra!
Irini Qirako. Të ka lule Shqipëria!
IV. KOSOVA-FIRMAMENTI I PËRGJAKUR
I SHQIPTARËVE NDËR SHEKUJ
Akif Pejani
Mehmet Akif Ersoy (1873-1936), poet i njohur edhe si Mehmet Akif Pejani, autor i Himnit Kombëtar të Turqisë, i cili e kishte vizituar shpesh Pejën e tij të dashur, dhe i cili kishte ligjëruar letërsinë turke në Universitetin e Kajros në Egjipt, për Kosovën do të shkruante: Kudo që po ndodhem para syve po më del një fushë e përgjakur…/A je ti, apo përfytyrimi yt? Kosovë e papërkrahur! / Ku është shkaku me mijëra herë i pushtimit tënd?
Aleksandër Stavri Drenova-Asdreni
Në një nga vjershat më të bukura shkruar ndonjëherë për Kosovën, Poeti i Himnit Kombëtar, nga thellësitë e zemrës së tij thuri buqeta vargjesh duke e thënë profecinë e tij, të cilës koha ka për t’i dhënë të drejtën që ajo u ajpe shpesh poetëve-ndonëse me vonesë: Kosovë, o lulja e bukur e triminis’/ Kosovë, o lulja e bukur e Shqypnis’…
Agim Gjakova
Kalendari yt matet me vitet e burgimit të bijve e e bijave që ua dhe. Ku fillon? Sa mijë vjet dalin?..Kah ta kanë hapur shtegun që të mbetesh gjallë, e cilat shtigje t’i kanë mbyllur që të ecësh gjithmonë gjunjas e e përgjunjur! – do të shkruante poeti Agim Gjakova në shkrimin e tij Kosova ime, e vogël, e varfër dhe e pasur.
Agim Spahiu
E poeti nga Kukësi-Agim Spahiu (i quajtur Poeti i Dy Drinave), do të shprehte dhembjen dhe mallin e tij për Kosovën në këtë mënyrë: Kosova është dridhja ime, loti im, shpresa ime, gjaku im që vlon, qëndresa ime, mëngjesi im…Prej kohësh çka ndodh përtej Pikëllimës, më trandë shpirtërisht këndej: përditë më vrasin, më fyejnë, më poshtërojnë, më dhunojnë, më djegin, më plaçkisin, më qorrojnë…Dhe përditë e më fort shpresoj, shpresoj, shpresoj…në Qëndresën tonë, në papërkulshmërinë tonë, në karakterin tonë, në virtytet tona, që aq mrekullisht i lartësoi Kosova…
Antonio Belushi
Poeti arbëresh Antonio Belushi, në shtator të vitit 2004, gjatë vizitës së tij në Kosovë, do të shprehej me ndjenjën e krenarisë së tij të ligjshme: „Kosovën e kam në zemër, ajo më bëri burrë, më dha ndjenja të forta.“
Moikom Zeqo
Emri i Kosovës pikon gjak, është shkruar vetëm me gjak të pafajshëm në fund të mijëvjeçarit të dytë si pak emra dhe popujsh të botës. Vetëkuptohet se shekulli i XX-të është shekulli i tragjedive kolosale, i marrëzive të pafundme dhe i kasaphaneve rrënçethëse. Por rasti i Kosovës i tejkalon tërë fantazitë nekrofilike, është një motiv uluritës deri në kulm të qiellit, është jo thjesht një tragjedi, por një mitër e përgjakur tragjedish, është një pafundësi gjakderdhjesh, që për fat të keq duken sikur nuk do të kenë fund – shkruante Moikom Zeqo për luftën e Kosovës, në shkrimin E vërteta mbi krimin në Kosovë.
Robert Elsie
Me një admirim të veçantë dhe në mënyrë tepër fisnike do të shprehte shpresat e tij edhe albanologu Robert Elsie: „Nuk dua më shumë sesa ta shoh Kosovën e lirë, pas kaq shumë viteve të tmerrit.“
Vasfi Visoka
Vasfi Samim Visoka në librin e tij Shqipërija e Vërtetë-Nëna Kosovë, se: „Bukurija e Kosovës është bukurija e së drejtës. Zëri i Kosovës është zëri i historisë dhe se shkëlqimi i saj është drita e së vërtetës.“
Xhevahir Spahiu:
Kosovarja
Në poezinë e tij kushtuar kosovares, me titullin Kosovarja, Xhevahir Spahiu e ka shpalosur gjithë qenien e saj përballë grilave të pushtuesve: “Në hyrje të shekullit njëzetë,/ Nxorën në bankë të akuzës,/ Një malësore të thjeshtë./ Ajo, pas hekurave të burgut kishte pyetur;/ – Përse?/Ata i thanë:/ – Sepse./ Ajo në gjyq:/ – Përse?/Ata:/ – Një herë ke thënë se./ Sy të habitur/ Në sallën e tymtë/ – Përse? Ua them unë/ Tha ajo më në fund/ Dhe zbuloi veshjen e varfër të saj/ Sikur të zbulonte një thesar: / Jeleku i kuq,/ Xhubleta e zezë!/ – Ja, për këto më dënoni,/ Ju të një toke tjetër!/ Në sallë u shpalos/ Trupi i saj./ Një flamur kuq e zi/ Dhe zemra në flamur,/ Si shqiponjë lëvizi.”(Poezia Kosovarja, vëllimi poetik “Zgjimi i thellësive”)…
K. Petriti. Lulëkuqet:
Çelë e buron dritë, gjiri i grirë me thika…
Poeti tjetër Koçi Petriti, në një nga poemat e tij do të përjetësonte qëndresën epike të nënës shqiptare: Rron tek partizanja nëna e dymbëdhjetës/siç jeton dhe shpata brenda bajonetës…Çelë e buron dritë,/ gjiri i grirë me thika…
Ja pra që kishte të drejtë Sami Frashëri: Gratë janë gjysma e njerëzimit. Edhe Napoleon Bonaparta: Në prehër të nënave, lindin kombet!
Atdheu është një emër me zemër në atentate, prandaj: Atdheu fillon tek zemra e nënës, dhe se dashuria për atdheun është ushtria më e fortë e një kombi. Prandaj, nënën e do kaq shumë edhe Perëndia…
Sërish shkrimtari Ramiz Kelmendi dhe një nga porositë e tij të mëdha: Sepse atdheu është nëna jonë, është mëmëdheu, e nëna, mëma…nëna gjithmonë mbetet nënë…Nëna gjithmonë dëshirohet… Nëna, edhe me të meta, edhe shumë e mirë e jo përherë e mire, gjithmonë duhet dashur.
Nëna.
Shqipëria:
Një emër ku mblidhen shekujt. Një zemër ku zgjohen ardhmëritë…
Iliada e Homerit dhe Andromaka.
Eposi i Kreshnikëve. Ajkuna e Omerit.
Nekibe Kelmendi dhe Nysrete Kumanova
Fishta në një nga shkrimet duke përshkruar ndarjen e Hektorit nga Andromaka, shprehej se vështirë mund të kishte lexuar ndokund ndonjë pjesë më të arrirë artistikisht në literaturën botërore. Dhe kishte të drejtë. Por ja që Iliada nuk ka një ndarje me përmasa kaq të dhimbshme si këto të kohëve tona. Ndarje si në eposin e kreshnikëve, ku Ajkuna del dhe kërkon Omerin: Amanet. o zogjtë e malit, / amanet o rrezja e diellit/ n’lug t’shullanit: A e ke pa?!…
Ja që as eposi i kreshnikëve nuk ka një ndarje përmasash masive si në kohët tona, si e nënave që me lot në faqe e me duart në gji, kujtojnë bijtë e tyre, shpresojnë fëmijët e tyre. Në këngë e në vajtim u drodhën fustanellat (Bajroni). Ndarje si ajo e një zemre nëne me emrin Nekibe Kelmendi. Edhe Nysrete Kumanova, e sa e sa të tjera…dhe thënia e Xhon Miltonit se krimi nuk fillon vetëm aty ku derdhet gjaku, por aty ku vritet arsyeja.
Ne e kemi fituar luftën. Ju duhet ta fitoni paqen. Falni por mos harroni. Kështu porosiste Gjeniu i Paqes – Bill Klintoni, e ata që e vranë aq shpesh arsyen, shumë më shumë dëshirë kanë të na vrasin kujtesën, prandaj Gjon Buzuku ka shkruar: Harresa është: Mallkim! Kujtesa është: Bekim! Unë e mallkoj atë që ty të harron! Unë e beko atë që ty të kujton!
V. KUR MUZA SHKON NË GJAKOVË
Kur Muza shkon në Gjakovë prapa lë gjurmët e saj. Me atë ecjen e saj të hirshme e me hapin e menduar që ngjanë aq shumë – herë me tik-takun e zemrës së saj e herë me tik-takun e orës, ajo sikur shtron fletë trëndafilash, mbështjellur me vargun lirik të Naim Frashërit: Vashë nazemadhe e me të ecur të hirshëm!…
I dalin përpara dhe e presin me lule, me puthje e me buzëqeshje. Me qerpikë të syve ia shtrojnë rrugën, e me gjak të zemrës ia thonë dashurinë!
Kaq shumë ata duan vetëm një emër, një emër me të cilin mishërohet e gjithë historia e së djeshmes, e së sotmes dhe e së nesërmes sonë.
Emër i një shpendi të shenjtë, për të cilin poeti dhe profesori martir Latif Berisha, e parandjeu përjetësinë: Ne nuk duam asgjë më shumë sesa fluturimin e lirë të shqipeve në gjakun tonë!…
Një emër dhe një zemër të cilës Muza i falet dhe i përfalet aq shumë! Një emër të cilin ajo e mba aq thellë në zemër: Ngado shkon e ngado vete, Muza e merr gjithmonë me vete!…
Kur Muza shkon në Gjakovë, ajo frymëzon. Kur merr një ditë me diell, në gjurmët e saj ajo e bartë të vërtetën e epikës legjendare: Rënka Diell!
E për stoli, ajo ka dyvargëshin e Pjetër Bogdanit: Veshur me Diell, mbathur me Hënë!
Kur Muza shkon në Gjakovë, ajo stoliset me vargun e De Radës: Ka duvak, qiellin me yje!
Muza dhe thjeshtësia e një Shpirti Engjëllor:
“SI E ZBRITUR PREJ HYJNISH!”
Është thënë me të drejtë nga një bashkëkohanik i princit tragjik të lirikës shqipe – Zef Serembes: Të mahnitshme janë kujtimet e Shqipërisë! Përpara shfaqen kalldrëmet e gurta të Gjakovës, e në kalldrëmet e kujtimeve më bie ndërmend epiteti më i bukur që Jeronim de Rada ia fali Elena Gjikës: Mirësia engjëllore e zemrës suaj! Pastaj, edhe ajo qëndisma si vetëtimë prej mëndafshi prej penës së Ramiz Kelmendit, tek shkroi për jetën e shkrimtarëve shqiptarë.
Më konkretisht: për Vaso Pashë Shkodranin. Ramizi shkroi se në jetën e poetit që klithi O Moj Shqypni, Berta Lerish hyri: SI E ZBRITUR PREJ HYJNISH! …
Në Gjakovë bie shi. E pikat shiut bien mbi xhama. Në kalldrëmet e gurta të rrugicave të lashta, pikat e shiut flasin me zërin e Muzës. Zëri që në vete fsheh ca pika kristali, ca kroje galdimi. Gjuha e shiut është më e thjeshta por edhe më e lashta që ka njohur ndonjëherë guri. Zëri i Muzës flet me një gjuhë shiu, e fjala shpalos lenta ylberi. Është butësia dhe bardhësia, është thjeshtësia dhe përjetësia e një shpirti engjëllor, të cilit Zoti ia ka falur bekimin e tij të shenjtë. Gjithsesi edhe zërit, sepse zëri me ato flatrat e tij si himne të zjarrta përcëllon lutjet drejt Infinitit të Lartë: Zotit vetë.
Nuk është pra rastësi që përpara Portave të Parajsës, Zoti njeh dhe pranon: Lutjen. Lutjet përmes Zërit, sepse heshtja flet për hir të Parajsës e engjëjt ulin fletët e tyre përpara tingëllimave që universin e bëjnë më të lumtur, sepse çka ka në emër, Muza ka edhe në zemër: Mëshirë!
Është çmendur zëri i dhimbjes! Si lulet zemrën e si shiu shpirtin! Muza i falet dhe i përfalet kështu, Mëshirës Hyjnore:
Fluturat shtrydhin lotët e nënat shtojnë lutjet. Gjithmonë përpara Portave të Parajsës. Lotët si shi. Gjak nga gjaku ynë, sy nga sytë tanë, mish nga mishi ynë. Të pagjeturit dhe të zhdukurit. Zemra nënash që luten pafundësisht. Që besojnë përjetësisht se pikat e shiut nuk janë gjë tjetër veçse lotët e qiellit nëpër të cilët engjëjt, zbresin dhe ngjiten drejt Parajsës dhe Paqes së Përjetshme.
VI. NJË EMËR ME ZEMËR DIELLI
E për ogur të bardhë, si vetë emri i saj (Emër me Zemër Dielli) në horizont, Muza shpalos një përshëndetje që flet me gjurmë lashtësie të një bote arbëreshe e gjithë shkëlqim Ilirie:
Oremire! (Mirupafshim!)
Muza flet gjithë modesti dhe gjithë ëmbëlsi, sepse ajo e di se ka hyrë nën urdhërat e bekimit hyjnor, që kur ka hyrë edhe gjuha shqipe:
Tre mijë pranvera më parë!
Në zemër ajo ndrynë të vërtetat e mëdha. Në sy ajo fsheh Kopshtet e Parajsës. Në thellësitë e shtresave të shpirtit të saj engjëllor gjithë thjeshtësi dhe bardhësi, ajo sikur e paralajmëron zgjimin e një agimi të ri, mbi të cilin ka kohë që ka rënë një shami e bardhë, dëshmia më e mirë se mermeri më monumental i perëndive ilire nuk fle.
Nuk është pra rastësi pse lidhja e saj me gjuhën shqipe është e dyfishtë.
Shqiponja. Shqipja dhe Infiniti i Lartë.
Më tej universi si lule e re, sepse nëna natyrë nuk rritë lule të zeza. Lule ka lloj-lloj ngjyrash, por jo të zeza…
Pastaj mbishkrimi: Bota ka shpirt!
Edhe lulet kanë shpirt. Edhe pikat e shiut që bien përmbi gurë. Në ritmin e tyre që ngjanë me një valc vienez, pikat e shiut që bien si një ligjërim i hollë lirik ndër shekuj, në kalldrëmet e kujtesës: shpresojnë se gurët kanë shpirt!
Mbretëria e Zërit dhe Mbretëria e Zotit
Gjithsesi. Edhe Muza! Sepse edhe Muza e di se Zoti është Poeti më i Përsosur.
Në bekimin e tij të shenjtë Zoti krijoi natyrën si kryevepër që qëndron përmbi artin. Pastaj qiellit dhe detit ia fali ngjyrën blu. Të kaltërtën e syve të Muzës ua fali. Jo rastësisht! …
Natyra është arti i Perëndisë e arti është lajmëtar i paqes.
Natyra dhe arti. Në mes Mbretëria e Lirisë. Lulet, Lutjet dhe Lotët. Shpirti dhe Infiniti i Lartë: Zoti vetë. Më tej zëri i zemrës:
Ku mbaron Mbretëria e Zërit, aty fillon Mbretëria e Zotit!
Muza e di se Zoti më së shumti i sheh zemrat, prandaj arti i tingujve të saj, të cilët si himne hyjnore i dalin nga zëri i zemrës, e shton dashurinë ndaj Zotit, dhe e amshon paqen e përjetshme tok me shembëllimin e lumturisë.
Me buzëqeshjen e saj të hirshme dhe hera-herës enigmatike si vetë buzëqeshja e Mona Lizës, Muza në tingëllimat magjepëse të zërit të saj e shpalos një botë krenare por edhe mallëngjyese. Përmasat e një bote të tillë në vetvete kanë edhe sfondet epiko-lirike, si në mitet dhe legjendat, nga lashtësia e të cilave flet një bukuri hyjnore e gjithë hire.
Në zërin e saj magjik shpaloset forca e gjakut të kombit, i cili në sfondin e një pëlhure ka vënë një shqipe të shenjtë, për të cilën ranë fli brezni të tëra shqiptarësh.
Zëri i kësaj Muze që vie me një zë ëmbëlsie, shpalos shekujt letrarë, shfleton vite e rrëfen mote lavdie dhe krenarie të ligjshme.
Një zë si i Muzës nuk mund të ketë zemër tjetër veç asaj që shëmbëllen aq shumë me Parajsën, madje në përmasat e atilla sa zemra i bëhet: Pasqyrë e Parajsës.
Tingëllimat e këtij zëri që rrjedh në bukurinë dhe në bardhësinë e tij si 53 Krojet e Velçës – ku thuhet se rrinin hyjnitë ilire të ujit, nuk kanë sesi të mos ngjallin kujtime përlavdie; tingëllima që u ngjajnë poemave të shkruara nga kryepoetët e kombit prej gjirit të së cilit dolën fatosat e Sulit dhe kryeheronjtë e Prekazit.
Frederik Mistral për “Këngët e Milosaos” dhe Alan Boske për poezitë e shkrimtarit Ismail Kadare
Një dritë e ëmbël përshkon sfondin prej mermeri ku bie jehona e këtij zëri të lindur si një nga lirikë e hollë, si vetë Lira e Orfeut. Si lirikat e latuara të De Radës, të cilit shkrimtari francez Frederik Mistral (fitues i Çmimit Nobel për Letërsi më 1904) i shkruante më 16 maj 1885:
“Krijimet tuaja janë plot hijeshi, freski e qetësi ungjillore. Çfarë tabloje plot shije! Që ka parfumin e idileve biblike dhe lëngun jetësor të gjuhëve të virgjëra. Ju përgëzoj, zotëri, që i keni përkushtuar muzën tuaj, dashurinë tuaj dhe jetën tuaj kultit të gjuhës suaj amëtare, lavdërimit të vendit tuaj dhe të racës suaj.
Nëse gjuhët e mëdha zyrtare u japin më shumë lexues shkrimtarëve të tyre, gjuhët natyrale përmbajnë në vetvete burimet e poezisë së vërtetë.
Qofshi pra i lumtur që jeni përzgjedhë për të hartuar psalmet e Shqipërisë suaj të ëmbël. Poezitë tuaja të kulluara e të përshpirtshme janë monumente të atdheut tuaj.”
Gati dy shekuj më vonë, si në një rastësi mitesh dhe legjendash që del nga honet e shekujve veshur me mjergulla, një shkrimtar dhe kritik tjetër francez – Alan Boske, duke shkruar për veprën poetike të shkrimtarit Ismail Kadare, do të shprehte mendimin e tij se: Një shqiptar përmban gjithë Shqipërinë, dhe se: Shpirti i Shqipërisë gjendet në poezitë e saj; pra ashtu siç është thënë edhe për Naim Frashërin: Naimi është Shqipëria dhe se pa Naimin nuk ka Shqipëri…
Harta e Atdheut merr formën e: Një Zemre! …
Po ky shpirt i Shqipërisë që shpaloset shekujve me gjithë madhështinë e forcës së tij epike dhe lirike, jo më pak është edhe tek Muza, tek zëri i saj dhe tek zemra e saj. Edhe tek sytë e saj: dy sy si dy diej të vegjël, si dy Porta të Parajsës, si Kopshtet e Planeteve.
Sytë si dy margaritarë të klasit të parë! Sfondi i syve në vete ka qiellin e atdheut, kurse harta e atdheut merr formën e një zemre!…
E në një mot me shi, gjithë mall e dashuri, Muza i shkruan kronikat e tua si çezmat e gjakut tënd, si yjet e qiellit tënd, si agimet e tua të trëndafilta, si muzgjet e tua të portokallta:
Shqipëri…