Lleshanaku: Librin e parë e kam lexuar me zë të lartë në oborrin e fqinjit

1
31

27/09/2014

Dhjetë libra që mund të mos kenë tronditur botën, por Luljeta Lleshanakun e kanë tronditur sigurisht. Bëhet fjalë për atë tronditjen rrëqethëse që i përshkon lexuesit e mirë. Mbilexuesit, në rastin e Luljetës, një poete brilante ‘cerebrale, por jo patetike’ për të përdorur fjalët e saj për Wislawa Szymborskën.

Cili është libri i parë që keni lexuar apo jua kanë lexuar të tjerët? Ç’mbani mend prej tij?

Me sa mbaj mend, libri i parë që kam lexuar, ka qenë një libër për fëmijë i Ramadan Pasmaçiut, dhe unë mund të kem qenë rreth gjashtë a shtatë vjeç. E lexova vetë, madje me ceremoni: i erdha rrotull oborrit të fqinjit me libër në dorë, duke lexuar me zë të lartë. Nuk e mbaj mend as titullin, por ka qenë një fabul me qen, në mos gabohem.

Kur ishit fëmijë, a ishit natyrë që ju pëlqenin leximet, apo ju detyronin prindërit?

Leximi ishte gjëja më e bukur që mbaj mend nga fëmijëria. Kjo është edhe arsyeja që kisha herë pas here rënie nga mësimet dhe nuk kapja asnjë punë me dorë në shtëpi. Kuptohet që u bë problem. M’u desh pastaj t’i fshihja librat, si të ishin letra dashurie; sa herë që pastrohej me themel shtëpia, nga rrëzat dilnin librat e mi. Madje, një libër për Maria Kyrinë, mami ma dogji në mes të oborrit; duhet ta kem shkelur keq.

Nuk e di se çfarë do të kishte ndodhur, nëse do të kisha lindur nja 20 a 30 vjet më vonë, fjala vjen, po të isha fëmijë në këtë epokë. Kështu që, në njëfarë mënyre, ndoshta ishte fat që më takoi ta kaloja fëmijërinë në atë kohë, ku libri mbetej i vetmi mjet për të përmbushur kureshtjen.

Kur keni pasur një raft të mirëfilltë librash?

Kam pasur një raft librash, të futur në mur; shumë shtëpi të stilit mesdhetar kanë rafte të tilla. Ishte mbi kokën e shtratit në dhomën e gjumit. Ai ishte rafti i dajës, dhe ne nuk guxonim të fusnim duart. Por unë nuk rrija rehat dhe mbaj mend disa botime në frëngjisht të Aleksandër Dymas, Viktor Hygoit dhe disa libra të tjerë në frëngjisht. Gjithashtu edhe Fije bari i Uitmanit dhe një libër për shpjegimin e ëndrrave, shumë i hollë, delikat dhe i vjetër. Kur u arrestua daja, hetuesit i morën disa libra dhe nuk i kthyen më. Në mes tyre ishte edhe Fije bari. Por një raft të mirëfilltë timin librash kam pasur në një dhomë konvikti në Qytetin e Studentit. Ishte i përbashkët, i imi dhe i Lazrit, kur u martuam.

A keni lexuar libra për të rritur në vitet e fëmijërisë? Ç’libra? Mbresat e tyre?

Në moshën 11-vjeçare, doli që unë kisha lexuar tashmë gjithë librat për fëmijë që ekzistonin në bibliotekën e rrethit në atë kohë. Dëshira, bibliotekarja, një zonjë shumë e mirë, pasi nuk la raft pa kërkuar, më në fund më vuri përpara disa libra për të rritur dhe më tha: Nuk ka më libra për fëmijë; këto që po të jap janë për të rritur. A je e sigurt që nuk do t’i keqkuptosh? Nuk e kuptova mirë atë pyetje. Por edhe ajo nuk e kishte të lehtë ta bënte, besoj. Sa herë që më kujtohet kjo situatë, nuk e di pse me qeshet si me skenën e Gjinos dhe Vangjelit, tek filmi “Përrallë nga e kaluara”, kur matej ta pyeste për diçka, por nuk po dinte se si. Ishte e qartë: ata ishin libra që kishin edhe histori dashurie brenda, dhe zonja kishte frikë se mos ndoshta ishin të parakohshme për mua. Unë i dhashë fjalën që nuk do “t’i keqkuptoj”, dhe i ‘përlava’. Mundet të kenë qenë libra të Emil Zola-së, ndoshta, ose së paku, Emil Zola është nga të parët romancierë që kam lexuar.

Ç’marrëdhënie keni pasur me përrallat?

Kam lexuar çdo gjë që më ka dalë përpara, pa zgjedhur. Më pëlqejnë vëllezërit Grimm. Por përrallat nuk kanë qenë të preferuarat e mia; që e vogël, kam qenë shumë e prirur drejt realizmit.

Përrallat e vetme që më kanë habitur vërtet kanë qenë disa përralla të mbledhura nga Donat Kurti dhe Marin Sirdani, të cilat u botuan në vitin 1994.

Përpara viteve ’90, a i keni njohur shkrimtarët bashkëkohorë perëndimorë? Në ç’gjuhë i keni lexuar?

Lamtumirë armë, dhe Plaku dhe deti të Heminguejit, veprat e Markezit, të cilat u botuan vonë të vitet ’80, dhe të tjera, të cilat nuk më vijnë në mend. Por mbaj mend, që im shoq Lazri, i cili kishte mundësi të përdorte pavijonin rezervë të Bibliotekës Kombëtare, përktheu nga rusishtja disa poezi të poetit amerikan Robert Bly bashkë me Metamorfozën e Kafkës. Dhe…në ‘89 më ra në dorë një përmbledhje me poezi e Karl Sandberg, i cili, çuditërisht më tërhoqi shumë atë kohë, ndoshta pse ishte poezi amerikane, diçka krejt ndryshe, ku gjërat më të rëndomta, i gjen të konvertuara në poezi. Vetë amerikanët përdorin një epitet interesant mbi këtë lloj poezie; e quajnë “muskulore”. Ky konkluzion do të përforcohej vite më vonë, kur të njihja nga afër poetët e Shkollës së New York-ut, kryesisht Frank O’Harën.

Ju ndodh të rilexoni? Nëse po, çfarë?

Jo shpesh, por po. Kryesisht prozë dhe pa dyshim BIBLËN. Nëse ka ndonjë libër të cilin do ta merrja pa hezitim në udhëtim, pa dyshim do të ishte Bibla.

Nuk besoj se ka ndonjë libër tjetër, leximi i të cilit nuk përfundon kurrë. Edhe sikur ta mësosh përmendësh.

A ka ndonjë libër që e mbani gjithmonë afër, për ta shfletuar gjithmonë?

Janë disa libra, të cilët i mbaj gjithmonë në një vend të dukshëm, që t’i gjej kollaj sa herë të kem nevojë të rimarr veten, të tillë si: tregimet e Çehovit, poezitë e Yehuda Amichait, Hard Labour e Cesare Paveses, dhe një përmbledhje e poezive të Seamus Heaney-t, të cilin gjithashtu kurrë nuk arrij ta kuptoj deri në fund. Këtu qëndron ndoshta, edhe magjia e tij.

Bëni shënime në faqet e librave?

Ah, më kujtuat një rast: një kushëriri im, Feriti, “i çmendur” pas operave dhe librave, kishte disa libra të vjetër, që nuk munda t’i gjej tjetërkund. Më kujtohet, se kur erdha për pushime në verë në Tiranë, (sapo kisha mbaruar klasën e tetë), gjeta në raftin e tij Ana Kareninën. Dhe ai u bë keq, kur, rastësisht gjeti tri fletë të shkëputura nga libri. Unë i thashë që nuk qe faji im, sepse fletët kishin qenë jo të lidhura mirë. Por hajde e mbushi mendjen, sepse ai ishte maniak pas tyre dhe ata libra të cilët ishin lexuar disa herë, ishin sikur sapo kishin dalë nga shtypshkronja.

Në të vërtetë, për një tip impulsiv si puna ime, ishte problem të merrja libra hua, sepse nuk mund të rrija pa lënë ndonjë shenjë. Ndoshta kjo është njëra nga arsyet që blej edhe libra të përdorur në Amazon. Një pjesë e tyre kanë shënime dhe komente, dhe kjo më pëlqen. Librat e përdorur më krijojnë një lloj ngrohtësie, atmosfere.

Në ditët e sotme, a lexoni ende letërsi artistike? Çfarë? Ku informoheni për titujt e rinj? Lexoni përkthime apo në origjinal?

Duke qenë se kohën e kam shumë të rezervuar, më duhet të jem shumë selektive mbi letërsinë artistike. Lexoj kryesisht në anglisht. Sidomos poezia, kur është e mundur, krijon tjetër magji kur lexohet në gjuhët origjinale. Një nga librat e fundit vërtet magjepsës është Pedro Paramo i Juan Rulfos, të cilin e kam lexuar në një gjuhë të dytë, në anglisht, pavarësisht se është përkthyer edhe në shqip.

Sot është e lehtë të marrësh një informacion për titujt e rinj, mjafton të kërkosh në faqet e recensioneve të New York Times ose të The Guardian. Dhe mund ta porosisësh menjëherë librin. Kështu kam lexuar edhe Tomas Transtromerin, edhe Eduardo Bolanon, të cilin meqë ra fjala, e kam një nga autorët e preferuar.

Ajo që mungon relativisht në shtypin tonë kulturor është pikërisht prezantimi i librave të rinj. Nuk them që nuk shkruhet për librat, por shkruhet në mënyrën e gabuar, me një gjuhë të frikshme akademike, e cila në vend që ta tundojë lexuesin që të shkojë e ta blejë atë libër, përkundrazi, e mban larg nga libraritë. Çështja është e thjeshtë: informo mbi përmbajtjen e librit, temat dhe deri diku për historinë e karaktereve. Pak më e vështirë është servirja e poezisë në të njëjtën mënyrë, por jo e pamundur. Duke punuar në programin ORKIDEA, unë jam ndeshur me këtë problem: si të tërheqim vëmendjen drejt librit? Mos të harrojmë se mediat, ndryshe nga konferencat, i drejtohen një audience shumë më të gjerë, dhe duhet të gjesh gjuhën e duhur, të komunikosh me të.

1 COMMENT

Comments are closed.