SHALA DHE SHOSHI DY DUAR TË NJË TRUPI

0
57

(Dërgoj për publikim Gjin Musa)

LUIGJ SHYTI

Vite më parë, tregojnë se, në një fshat të Dukagjinit vdes një njeri. Ashtu si është traditë, shkojnë shumë njerëz për ngushëllime. Pas varrimit organizohet darka për të respektuar pjesëmarrësit. Nuk e di saktësisht se ishte me qëllime serioze apo ishte një shaka, por qe përhapur fjala se Shala dhe Shoshi nuk do të ftoheshin (thirreshin), si zakonisht njeri pas tjetrit, por do të ftohej (thirrej) për tu futur brenda dhe për tu ulur në sofër dikush tjetër midis tyre.

Kjo gjë nuk ishte normale në pikëpamjen tradicionale, gjë që ruhej dhe respektohej që në kohë të hershme. Në këtë ceremoni mortore ishte i pranishëm edhe Pjetër Ҫuni, një burrë në moshë, gojëtar, i zgjuar dhe i vendosur, nga Nënmavriqi. Ky e kishte marrë vesh veprimin që mendohej të bëhej nga organizatorët. Me qetësi fton pranë vetes një burrë nga Shoshi. Edhe ky e dinte planin që ishte bërë. Pjetri i thotë mikut të vet që e thirri pranë, që kur të më ftojnë (thërrasin), si i shaljanë, për të hyrë brenda eja me mua edhe në qoftë se nuk të ftojnë (thërrasin). Ashtu vendosin dhe ashtu bëjnë. Sipas traditës ftojnë (thërrasin) dikë nga Shala dhe shkon Pjetër Ҫuni. Menjëherë pas tij shkon edhe miku i tij nga Shoshi. Kur Pjetri shkon në vendin për të larë duart sipas traditës, shtrinë vetëm njërën dorë për ta larë. Ai që po i hidhte ujin e pyet: “pse po lanë vetëm njërën dorë”. Pjetri vendosmërisht, por edhe me zë të lartë që ta dëgjonin sa më shumë njerëz, i përgjigjet: “dorën tjetër e kam këtu afër vetit” dhe i tregon mikun nga Shoshi. Nuk u diskutua më tej kjo punë. Ata zunë vendet që u takonin tradicionalisht në sofër midis bashkë krahinarëve të tyre.
E tregova shkurtimisht këtë ngjarje, siç ma kanë treguar edhe mua, jo se jam apo dua që organizimet, titujt dhe gradat e pushtuesve shekullorë të vlerësohen apo mbivlerësohen në kohën moderne, në kohën tonë. Titujt dhe gradat e së kaluarës kanë vendin që u ka dhënë koha, historia, dhe nuk mund të ndodhë ndryshe. Pushtuesit dhe pushteti i së kaluarës kanë ikur, kanë rënë. Edhe në shtetin amë të tyre nuk ka tituj dhe grada që kanë pasur para një shekulli. Koha ecën, shkenca edhe në organizimin e shoqërisë kanë bërë hapa kolosal përpara. Ajo e kaluara e dikurshme nuk mund të kthehet më. Ajo i përket historisë së shkuar.
Me ngjarjen e treguar më parë dua të dal, në mënyrën time, te një problem shoqëror, bashkëkohor, që nganjëherë shfaqet brenda komunitetit tonë, brenda Dukagjinit.
Në trajtimin e këtij problemi, nuk do gjykoj asnjeri me emra të përvetshëm, sepse mendoj se është mirë të mos gjykosh njeri. Këtu dua të ndalem në dukuri që shfaqen, e që mendoj se ja vlen të diskutohet. Në diskutime të tilla në takime shoqërore, në takime apo tavolina zyrtare, por edhe me gjerë mund dhe duhet të marrin pjesë sa më shumë njerëz, por veçanërisht ata që nuk ju mungon niveli kulturor dhe arsimor, pra intelektualët, heshtja e të cilëve bën që shoqërisë ti mungojë vizioni për të ardhmen. Është më mirë të kërkosh vlera pozitive, të gjesh tjetrin duke bërë punë të mirë dhe ta përgëzosh, se sa të kërkosh vetëm anë negative e ti përdorësh si flamur. Pozitivja edukon pozitivisht, mobilizon për më tej, ndërsa rendja pas negatives bën të kundërtën.
Shala, Shoshi dhe Pulti që përfshihen nën emrin e përbashkët Dukagjin, janë shumë të vjetër. Nuk po ndalemi në popullimin dhe shpopullimin e këtyre zonave në shekuj dhe mijëvjeçarë, në zbulimin dhe vërtetimin e vendbanimeve 3000 vjeçare, në kalatë që “flasin” fuqishëm edhe sot, në toponimet, legjendat, folklorin, gojëdhënat, etj.
Popullsia e sotme e Shalës, Shoshit dhe Pultit, në rreth 95 % të saj është relativisht e re.
Në historinë e ardhjes, zhvillimit dhe jetës së kësaj popullsie, nuk kemi dokumente të betejave frontale, të mëdha, gjakderdhje të shumtë, midis zonave. Kjo shërben për të vërtetuar bashkëjetesën normale për kohën, sepse po të kishte ndodhur përplasje masive dikush do t’ia kishte lëshuar tjetrit. Gojëdhënat, që natyrisht kanë vlerën e gojëdhënës, flasin për ndonjë përplasje midis ndonjë grup popullsie me ndonjë tjetër, por edhe këto janë shuar shpejt e jeta ka vazhduar rrjedhën normale të saj. Askush, normalisht, nuk mund të thotë se nuk ka pasur mos marrëveshje, grindje, hakmarrje, vrasje e gjakmarrje, si brenda zonave e fshatrave ashtu edhe midis zonave. Kështu ishte koha dhe ajo bën të vetën. Nga hulumtimet gjenealogjike që kemi mundur të bëjmë, vërehet se Shala, Shoshi dhe një pjesë e Pultit kanë prejardhje të përbashkët. Këto zona kanë të përbashkët mënyrën e jetesës, doket e zakonet, gjuhën, fenë, folklorin, legjendat, etj. kanë të përbashkët të kaluarën me të mirat dhe vështirësitë e saj, por edhe të sotmen, megjithëse janë shpërndarë në të gjitha anët e botës, por bëhen përpjekje që traditat e mira të ruhen dhe transmetohen brezave që vinë. Edhe ato grupe popullsie, relativisht të vogla, që nuk kanë lidhje gjaku me shumicën, e kanë gjetur veten në këtë mjedis, është pranuar ndër shekuj bashkëjetesa nga të dy palët, janë përfshi në gjithë jetën shoqërore, politike, organizative, luftëtare etj. pa më të voglën shmangie.
Në ecjen shekullorë të popullsisë së këtyre zonave, secili me mundësitë e tij ka formuar personalitetin e vet në shoqëri e histori, sipas punës dhe rezultateve dhe kjo është pranuar shoqërisht, ju kanë njohur cilitdo, ju ka dhënë merita e është respektuar. Kjo nuk duhet ngatërruar e barazuar me titujt e gradat orientale që shpesh tentohet që të dalin në sipërfaqe, të lëvizin dhe jetësohen.
Ne, dukagjinasit, kemi cilësi shumë të mira, kemi tradita të lashta, kemi kulturë në marrëdhënie me njëri tjetrin dhe më gjerë, i japim rrugë kuvendit, gjejmë rrugëzgjidhje, dimë të falim, etj. Por duhet të dimë e pranojmë se nuk jemi pa të meta, jo radhë edhe të rënda siç është p.sh. vrasja dhe gjakmarrja, e aq më tepër duke i veshur me vellon kanunore.
Ne jetojmë me të tjerët, jetojmë pranë tyre, aq më shumë sot që kohët moderne të sjellin pranë, në çast, çdo cep të botës. Ne kemi jetuar dhe jetojmë se ka jetuar dhe jeton Shqipëria.
Diskutimet sjellin zhvillim dhe kanë vlera pozitive, veçanërisht kur bëhen përpjekje për të qenë të arsyeshme, me sa më shumë fakte, ose të paktën sa më afër tyre, dhe, që mendoj se ka shumë rëndësi, që ato të jenë me frymë dashamirësie, pa smirë, ego negative, ngarkesa emocionale, fyese, uljesh e humbje të vërtetës me qëllime dashakeqe. Kur bëhen veprime të tilla direkt ose indirekt cenojnë bashkëjetesën, lindin inate, grindje, ka përbaltosje, por duhet kuptuar se kush gjuan me baltë humb tokë mbi të cilën kemi nevojë të mbështetemi fort e gjithmonë.
Shikohen raste që grumbullojmë pranë vetes aq shumë merita sa nuk lejojnë që të shikohet më larg. Ky grumbullim ka edhe një të keqe tjetër. Nga “pesha” e këtij grumbullimi mund të formohet një gropë që rrezikohemi të biem vetë brenda. Asnjëra nga këto që mund të ndodhin nuk janë pozitive. Është e nevojshme që t’i ruhemi këtij fenomeni i cili nuk na qet në anë. Dukagjini dhe dukagjinasit, kudo që ndodhen, janë aq të mëdhenj sa nuk lind nevoja për zmadhime dhe zbukurime. Atyre u mjaftojnë meritat që kanë. Duke u mbështetur në të dhënë gjysmake, në të pa vërteta, dhe këto duke u përsëritur gjatë, do të vijë koha që edhe vete personit që i përdorë do ti duken të vërteta. Kjo jo vetëm nuk është e mirë, por është me pasoja në histori dhe shoqëri.
Po bëhen emisione televizive, po shkruhet e thuhet për bëma e ngjarje interesante, po bëhen përpjekje për hulumtime luftërash, organizime shoqërore, emra e figura e për ti trajtuar e publikuar. Në parim jam dakord dhe duhet të vazhdohet, por mendoj se në këtë drejtim të qëndrojmë me këmbë në tokë, të jemi sa më afër realitetit, të jemi të besueshëm. Është shumë e vështirë të trajtosh një problem historik vetëm mbi bazën e gojëdhënës dhe, aq më tepër, të këmbëngulet se është e vërtetë. Kjo, gojëdhëna, është e fundit në rendin e dokumentimit të një ngjarje apo fenomeni, veçanërisht kur nuk je dëshmitar okular, pra, nuk e ke parë me sy. Flitet për luftëra e përpjekje të përgjakshme, por nuk dalin organizatorët, drejtuesit, komandantët, pasi dihet se çdo veprim i tillë ka një prijës, drejtues, komandant, se përndryshe nuk është e organizuar, por bjeri kush të mundet kujt të mundet. Në çdo betejë prijësit, komandantët janë mbajtur mend, bile më shumë së luftëtarët e zakonshëm edhe pse këta të fundit mund të jenë vrarë në ato përpjekje. Për komandantin janë thurë edhe këngë e deri legjenda. Mos publikimi i tyre tregon mungesë njohjeje të këtyre problemeve.
Në jetën tokësore askush nuk është mirë të mendojë se “unë jam e vërteta”. Duhet respektuar ai që shkon nga e drejta, që i afrohet më shumë. Dëshira për të mos pranuar mendimin ndryshe nuk është e mirë. Ka ardhur ajo kohë ( dhe është bërë shumë mirë) që duhet të respektohet mendimi ndryshe. Jo gjithçka është vetëm bardh e zi, nuk është më “ose me mua ose kundër meje”. Nuk është mirë që ish nxënësin tonë ta mendojmë e trajtojmë gjithmonë si të vogël, të ndrojtur, gjithmonë vetëm nxënës. Duhet ta kemi parasysh se vërtetë dikur e kemi pasur nxënës, por edhe nuk duhet harruar se atëherë i kemi thënë që të mësojnë se janë për një kohë më të gjatë se ne. Sot njerëzit kanë dalë nga rreshti, nuk janë më “ushtarë të bindur”, nuk janë më punëtor apo vartës nga mendimet e “shefit”, kryetarit, komandantit, eprorit. Në kohën e sotme ka pak njerëz, që marrin mendimin e “shefit” në se 2+2, bëjnë katër apo pesë, dhe, sa më pak duhet të ketë të tillë.
Historia shkruhet për atë çfarë ka ndodhur e jo për çfarë dëshirojmë të kishte ndodhur. Konkluzione bëhen gjithmonë dhe secili ka të drejtën dhe mënyrën e tij, por konkluzionet janë të qëndrueshme pasi janë analizuar disa fakte e ngjarje, janë bërë krahasime e diskutime.
Po shikohen dhe shfaqen nganjëherë prirje që ne, pjesëtarët e komunitetit dukagjinas, të kemi dëshirën që të integrohemi brenda për brenda vetvetes. Kjo ngjason, skematikisht, me një “rreth”, i cili përfaqëson shtrirjen e komunitetit tonë, e ku shigjetat e kahes së integrimit drejtohen nga brenda tij. Ky drejtim ruan traditat, kulturën dhe historinë tonë të mirë, pa çka se ruan edhe element negativë të kohës, të trashëguara. Kjo, mendoj, ka edhe një të metë tjetër, se na pengon, na mbyll disi sytë, që të shikojmë çfarë ka dhe çfarë bëhet rreth e rrotull, jashtë, si është jeta përtej “rrethit” tonë.
Mendoj se kjo mund të shikohet dhe preket në dëshirën për ti bërë analiza njeri tjetrit, kritika për çfarëdo, cikërrima, bubërrime, shikimi i qimes në syrin e shokut, mikut, tjetrit, e ndoshta jo traun në syrin tonë, ulje e qëllimshme e bashkëpunëtorit, mikut, kojshisë, zonës me qëllim për të dalë vetë, familja, fshati, zona, etj. më në kodër, për tu dukë më shumë. Të ngjason me fenomenin e prerjes së një peme për të lëshuar të shikohet një tjetër. Sidomos në kohën e sotme është fituar e drejta e qytetarisë që secili të thotë: “unë jam i mirë”, “unë jam më i miri”, “si unë s’ka”, etj. por nuk është e udhës të ulësh, denigrosh, shmangesh vëllain, kojshinë, apo zonën me të cilën nuk të ndan vetëm një vijë lapsi.
Nuk mund të ngrihet një person, fshat apo zonë duke ulur të tjerët. Ai le të shpallë meritat e veta por mohimi i të tjerëve nuk na ndihmon. Ne jetojmë se jetojnë të tjerët.
Komuniteti ynë ka më shumë nevojë që kahja e integrimit të drejtohet nga jashtë atij “rrethit” që përmendëm më parë, të shikohet çfarë ka dhe çfarë bëhet rrotull. Këtu kemi nevojë për integrim, diskutim, analiza dhe të gjenden mënyrat më te mira të përshtatjes e bashkëjetesës duke marrë eksperiencë e kulturë dhe po kështu duke dhënë eksperiencë e kulturë.
Ne, dukagjinasit s’kemi ç’t’i tregojmë njëri tjetrit sepse e njohim mirë njëri tjetrin, sepse kemi qenë dhe kemi jetuar ngjitur me territor, kemi qenë bashkë në punë e luftë, në dasmë e mort në këngë e legjenda kemi të njëjtën veshje e fjalor, kemi afërsi gjaku, kemi miqësi e kumbari ndër shekuj, kemi të njëjtat doke e zakone, kemi të njëjtin organizim tradicional. Personalisht, jam përpjekur për hulumtimin e gjurmëve etnografike, kulturën materiale e shpirtërore dhe mënyrën e jetesës në territorin e Dukagjinit dhe nuk kam mundur të gjej ndryshime për tu shënuar. Nuk mund të bashkohem me ato mendime që traditën tonë në shekuj, qoftë ky edhe Kanunin, ta fyejnë, ta përdhosin, ta quajnë si diçka pa vlera. Kjo nuk na bën nder ne as gjithë vendit. Me kësi mendimesh e veprimesh fyejmë veten tonë, të parët tonë, kulturën dhe historinë tonë. Për ato ka shkruar historia. Ato kanë pasur kohën dhe vendin e tyre, që, ne nuk mund ti ndryshojmë, por nuk është mirë as të tentojmë një gjë të tillë. Traditat tona dhe bashke me to edhe Kanuni, e kanë vendin që u ka dhënë historia. Mua më dhimbsen shumë kur i akuzojnë, i keqpërdorin e i keqinterpretojnë. Çdo gjë ka kohën dhe lulëzimin e vet dhe nuk ka se si të jenë ndryshe. Koha ecën, e reja ka të ardhmen. Sot është koha e librit, kompjuterit, fluturimeve kozmike, e këto nuk mund të vizatohen në hirin e vatrës, të bëhen me hamendje, të matën me pëllëmbë apo me pash. E kaluara ka mbetur pas. Ajo duhet të vendoset në muze dhe të ruhet me shumë kujdes, në biblioteka, apo në tavolina studiuesish, që tu tregojmë brezave nga kemi ardhur e ata të dinë ku të shkojnë, sepse po nuk dite nga vjen nuk di ku shkon dhe çfarë kërkon.
Ne kemi nevojë për të gjetur pika të përbashkëta që na lidhin, na afrojë, të cilat i kemi me shumicë. Nuk kërkoj që të mbulohen të metat, por ka mënyra e mënyra për ti vënë në dukje e korrigjuar. Tjetër është një diskutim, bashkëbisedim, qortim, etj. kokë më kokë bashkërisht, shoqërisht, dashamirësisht, e tjetër është të shkruash në gazeta, libra apo të bëhen emisione televizive ku duken pasaktësi e të pavërteta, që behën nga mosnjohja, apo edhe të qëllimshme. Dhe këto nuk janë të ndaluara, por nuk është mirë, aq më tepër se këto mbeten dhe bëhen objekt bisede gjatë, ngjallin shqetësime, ftohje, nxitin ndarje, largime, reagime, etj. Shikohen jo pak raste që edhe brenda për brenda komunitetit tone intelektual që gjatë diskutimeve shoqërore apo edhe zyrtare folësit përsëritin thuajse të gjitha ato çfarë thotë parafolësi ndoshta i paraqet edhe si propozime të tija pa marrë mundimin më të vogël për ti thënë parafolësi se fole mirë, ose jam dakord me mendimet e tua, të paktën sa për respekt shoqëror.
Është e vërtetë se për Dukagjinin nuk është shkruar sa duhet, sepse kushtet, koha dhe interesat të tilla kanë qenë, por nuk duhet të themi se vetëm ne, brezi i sotëm po shkruajmë histori. Nuk duhet të harrojmë se gjatë shekullit te XIX dhe në vazhdim ka dhe jo aq pak shkrime. Po përmend disa si J.V.Hahn, A. Baldaçi, E. Durham, F. Nopça, R. Lane, I. Montaneli, M. Shuflai, At Z. Valentini, Zh. K. Flaverian, D. Pazzi, B. Palaj, Rr. Gurashi, K. Libardi, Padre C. Cani, At D. Gjeçaj etj. pa folur për dokumentet arkivore që nuk e dimë numrin e tyre, një pjesë, veçanërisht për gjysmën e parë të shekullit XX janë publikuar në një vëllim të veçantë. Këto dokumente e botime kanë cekë pjesën më të madhe të historisë e kulturës së Dukagjinit, sidomos ato pikantet, të veçantat, të rëndësishmet nga afër apo nga larg, janë pasqyruar, e këto mund të përdorën si referenca. Prandaj tendenca ose vrapimi për të shkruar vetëm mbi bazën e gojëdhënave të trashëguara pa u konsultuar me shkrimet e kohës vështirë se mbijetojmë.
Poeti i rilindjes Risto Siliqi shkruante me dëshirë të zjarrtë për Mehmet Shpendin. Ai e njihte sepse ishin bashkëkohës, dinte bëmat e tij. Poeti e gjen trimin në Qafën e Agrit ku thyhet ushtria turke (dhe nuk është mirë të largohet në kohën tonë, pas një shekulli, me një fjalë goje, nga fronti, dhe të vendoset diku tjetër), e ka parë në Deçiç, e ka parë sa herë ka pas nevojë vendi me pushkë për faqe i gatuar për pritë.
Djelmnia e Shalës është një organizëm i ri unikal në tokë të Shqipërisë. Ajo mblodhi rreth vetës djem të vendosur për të mirën e krahinës dhe vendit. Ajo ka hyrë në histori bashkë me prijësin e saj Mehmet Shpendi. Ajo është e pashoqe për kohën në të cilën veproj. Ky organizëm i ri, me pikëpamje të reja por dhe me mosha të reja e tregoi veten si brenda Shalës dhe jashtë saj me ndikimin, arsyen, fjalën dhe forcën e saj. Ajo bëri përmirësime edhe në ligjin e kohës – Kanunin.
Po thuren këngë, kompozohen e regjistrohen, që është vështirë tu mbahet mend edhe vetë titulli, dhe i dëgjojmë, ndoshta, vetëm kur i kërkojnë vetë autorët ose familjarët e tyre. E qëndrueshme, e fuqishme, e vlerësuar është ajo punë, ai heroizëm, ai akt, ajo këngë, ajo vepër që i reziston kohës. Ka mbi dy shekuj që këndohet kënga e shtatë Shaljaneve të cilët u besatuan me njëri tjetrin për të dhënë edhe jetën në mbrojtje të të drejtave të tyre. Ka mbi dy shekuj që këndohet kënga e Pal Gjokës e Marash Tucit për vetëmohimin e tyre. Këto janë element që tregojnë besën e mbajtjen e fjalës së dhënë. Edhe kënga, folklori, ndihmojnë në vërtetimin e fakteve historike. Në çdo kohë, në çdo luftë apo përpjekje shoku, bashkëluftëtari nuk e ka lënë shokun e tij të plagosur të bien në dorën e kundërshtarëve bile jo rrallë edhe të vdekur. Në çdo kohë, në çdo luftë apo përpjekje shoku, bashkëluftëtari, është përpjekur që të mos e lënë shokun e tij të plagosur të bien në dorën e kundërshtarëve bile jo rrallë edhe të vdekur. Kjo në malet tonë ka qenë si një gurë prove. Në lidhje me besën profesor Shaban Sinani thotë “ Besa është një kategori historike, që u shfaq te shqiptarët në një kohë kur lindi vetëdija e tejkalimit të kufijve të zotërimeve familjare patronimike”.
Ne e duam Dukagjinin, por nuk jemi vetëm ne që shkruajmë Dukagjini, ai është i madh në kohë e hapësirë, ne jemi vetëm një pjesë e tij dhe aspak më tepër, që me gjithë punën që bëjmë nuk bëjmë vetëm detyrën, dhe atë në qoftë se e bëjmë mirë. Vërtetë ne e kemi pranuar Dukagjinin por kjo nuk është e gjitha. E rëndësishme është që të na pranojë Dukagjini ne. Është shumë e nevojshme për ta parë shokun, mikun, bashkëbiseduesin sy në sy, kur takohemi apo flasim, jo të shikojmë këpucët e njëri tjetrit. Sytë janë dritaret e shpirtit dhe shmangia e tyre fsheh diçka.
Malësorët e Shalës, Shoshit dhe Pultit kanë vepruar në shekuj si një trup i vetëm sa herë ka qenë e nevojshme, sa herë është lëshuar kushtrimi. Asnjë i jashtëm nuk ka mundur ti ndajë e aq më pak ti vejë kundër njëri tjetrit këto zona. Përpjekje të paarsyeshme për ti ndarë për ti vënë përballë njëra tjetrës, për të ndryshuar krahun e peshores artificialisht e për gjëra anësore nuk i shërbejnë çështjes dhe nuk kanë gjasa të kenë rezultat as në të ardhmen.
Është bërë e modës në kohën e sotme, të flitet më përemrin në njëjës “unë”, ose “e imja”, apo “i imi” dhe po vjen duke u ulur përdorimi i përemrit në shumës,“ne”. Kjo po formësohet edhe në komunitetin tonë dukagjinas, duke bërë përpjekje për personalizime edhe të paqena, që vetëm dëmtojnë marrëdhëniet dhe bashkëjetesën.
Veprimtaria e Shoqatës “Atdhetare Dukagjini” është vërtetë shumë e madhe. Me punën edhe gazetën e saj “Dukagjini” ka zbuluar e publikuar vlerat dhe virtytet e malësorëve tonë në shekuj. Këtë veprimtari e vazhdon edhe aktualisht, por mendoj se ne redaktorët e kush merret me këtë punë, të kërkojmë më shumë për rritjen e cilësisë, pasqyrimin sa më mirë të veprimtarive, korrekte dhe të pasur. Nuk është e udhës të pasqyrohet një veprimtari serioze shkencore, në atë mënyrë që fjala hyrëse të zërë 202 rreshta në gazetë dhe 7 referues me tema serioze dhe të përgatitura me përkushtim, të zënë të gjithë së bashku 62 rreshta. Llogarinë ta bëjnë gjithsecili vetë. Kjo nuk flet për vlerësime serioze dhe normale të bashkëpunëtorëve, shokëve por edhe audiencës që dëgjon apo lexon. Shikohen jo radhë botime që vështirë të dallohen nëse janë poezi, bejte apo çfarë janë. Këto ja ulin vlerat gazetës dhe shoqatës. Është thënë edhe herë të tjera se gazeta “Dukagjini” nuk është e pavarur, as private dhe nuk mund të personalizohet. Shoqata dhe gazeta kanë një program të përcaktuar.
Dëgjohen nga një herë ankime midis shokësh të natyrës si “… shokët nuk po mundohen të më kuptojnë…” ose “… mbushen me dhjetëra faqe gazete e libri për traditat e të parëve tonë, dhe deri sa arrijmë në atë pikë që të gënjejmë vetveten…”, “…jam lodhur për të bindur …”, etj. Në qoftë se nuk kuptohemi duhet të bëhemi më të kuptueshëm, kur dihen gënjeshtrat duhen zbuluar dhe korrigjuar konkretisht duke shpjeguar edhe arsyen, e nëse njerëzit nuk binden duhet të bëhemi më të bindshëm dhe të krijojmë besimin reciprok.
I vura këtë titull, këtij shkrimi, i nisur nga një ngjarje e disa viteve më parë, por kurrë dhe në asnjë rast nuk kam dashur, nuk dua dhe nuk do të dua, të vë kufij ndarës, gardhiqe apo perde ndarëse ndërmjet Shalës, Shoshit, Pultit apo në tërësi Dukagjinit. Por mendoj dhe bëj thirrje që të gjithë duhet ta kemi parasysh këtë. Edhe në mos qofshim të gjithë më prejardhje të përbashkët, duke jetuar me shekuj ngjitur me njëri tjetrin, kemi lidhur miqësi, kumbari e probatini të gjithanshme dhe jemi njëjtësuar pothuajse totalisht. Këto t’ua tregojmë brezit të ri dhe atyre që vinë.
Jeta ka shumë vështirësi, kërkon punë, iniciativë, këmbëngulje, dhe vizion për tu jetuar. Është lehtë të qëndrosh në vend, të mos lodhesh, të mos interesohesh për vete, për komunitetin tënd dhe për vendin. Kujtoj këtu fjalët e një poeti rus i cili thotë se nuk është vështirë për të vdekur, vështirë është për të jetuar.
Ne duhet të kërkojmë dhe gjejmë sa më shumë lidhje me njëri tjetrin, pika që bashkojnë. Ne jemi pak për tu shtyrë, për të bërë përpjekje për të zhvleftësuar njëri tjetrin, për tu ndarë nga njëri tjetri për të dëmtuar sado pak njëri tjetrin, siç thonë mësimet shenjte “me mendime, me fjalë e me vepra”
Të bashkuar do të ndjehemi më mirë, do të jemi më të mirë.