Taulant F. Selmani
Të lodhur nga gjendja e jonë shpirtërore, të qënurit të pambrojtur, të dërrmuar nga situatat e krijuara nga vet ne, inferiorë ndaj atyre që vet i pozicionuam për të na udhëhequr, pa fije turpi, mëshire e durimi, e të mallkuar nga rrota e historisë… Ky është përshkrimi më real që mund t’u bëhet shqiptarëve, duke parë zhvillimet tona politike, ekonomike e sociale. Është e frikshme të mendojmë solidaritetin, barazinë e tolerancën, duke e ditur që neve na duken si absurde dhe të paarritshme!
Është për të na ardhur keq fakti që nocionin e demokracisë e kemi ngatërruar me atë të “lirisë së shfrenuar”; të drejtën e të shprehurit e kemi ngatërruar me atë “fol sa të duash dhe çfarë të duash”, “shaj dhe ofendo”; të drejtën e lëvizjes e kemi ngatërruar me atë “shko ku të duash dhe bëjë çka ta do qejfi”, “futu dhe në shtëpi të huaja, vjedh e përdhuno’” E, derisa vet dëshirojmë ta bëjmë shtetin tonë, jemi përsëri ata që sillemi si në anarki e nuk e respektojmë ligjin! Por, kështu nuk bëhet shteti!
Shkelin Kushtetutën që e bënë dhe e votuan; prishin imazhin që me shekuj e ndërtuam dhe u munduam ta mbajmë; çrrënjosën rezistencën e shqiptareve dhe po ju përulen sllavëve; rrihen ndërmjet vete dhe sllavi u hyn në mes për t’i ndarë! Akuzojnë njëri-tjetrin, shajnë e ofendojnë deri në atë pikë sa që përdhosin moralin tonë, prekin e ndërhyjnë edhe në familje, nëna e motra. Kjo të ngrin gjakun, sa që shumë herë të vjen turp të prezantohesh si shqiptar.
E kënaqem duke mbrojtur vendin tonë dhe na ka mbetur vetëm Iraku a Siria që t’i dalim zotë! Shqiptari si shqiptar, qoftë duke iu përmbajtur kanunit, ashtu edhe librave të shenjtë fetarë, nuk vranë të pafajshmit e civilët, nuk gjuan pas shpine dhe nuk bën luftë të padrejtë. Aq më pak të pres koka fëmijësh a civilësh, aq më pak të mbushet dinamit e të hyjë në mes të të pafajshmëve e të bëj terror. Nëse shqiptarët janë myslimanë, nuk do të thotë që na sjellin kulturat e traditat arabe në mesin tonë!
Kemi shumë fakte që na tregojnë se si shqiptarët myslimanë a të krishterë venin Shqipërinë para fesë, shqiptarin para turkut a romakut! Sa mirë thoshte Bajroni për shqiptarët dhe tolerancën e tyre ndërfetare, por fatkeqësisht kjo po zbehët dalëngadalë dhe po na fut urrejtje ndër vete.
Sikurse në luftë, që të gjithë u bënë bashkë, pa shikuar interesa tjera, pos kombit e Atdheut, njëjtë duhet të bëhemi edhe tash, duke lënë anash inatet, duke kultivuar vlerat tona që i kishim dikur, duke mos i lënë ëndrrat tona të pluhurosën dhe duke na bashkuar ideali i vetëm për atdhe, për bërjen e tij dhe për t’u futur në konkurrencë me vendet tjera. Nëse me të vërtetë e duam Atdheun dhe vendin tonë ashtu siç shprehemi, pse nuk e pasqyrojmë në vepra, duke ndihmuar secili në lëmin e vet?! A duhet të aktivizohemi si popull, apo të presim që Zoti të na ndihmojë?!
Nëse ne nuk i ndihmojmë vetës, ose nëse as mundimin më të vogël nuk e marrim, vështirë që të ketë ndryshime pozitive. Mos të harrojmë që ndryshimi fillon nga ne, andaj të fillojmë qysh sot, t’i përvishemi punës, e ta bëjmë më të mirën për atdheun tonë të lavdishëm!







