Nga Eduard Zaloshnja, 25 Janar 2012
Në mbrëmjen e 21 janarit 2011, Berisha deklaroi me siguri të plotë se të vrarët e asaj pasdite ishin qëlluar nga afër me armë të kalibrit të vogël, jo në dispozicion forcave të policisë apo të gardës. Madje ai i përsëriti dy herë këto fjalë, duke tundur dhe gishtin. Kjo ishte vija e parë e mbrojtjes, e cila iu shkërmoq vetëm pas disa orësh, kur gazetari investigativ Artan Hoxha (jo analisti proqeveritar Artan Hoxha) demonstroi me video në News 24 se të paktën njëri nga të vrarët ishte qëlluar nga një gardist.
Në ditët që pasuan, Berisha foli me siguri të plotë për një puç me horra e lavire bulevardi, me opozitarë e gazetarë, të cilit kishin pajisur demonstruesit me çadra-pushkë, stilolapsa-pistoletë e thika me helm. Për të kopsitur këtë skenar, ai ngriti dhe një komision parlamentar që gjoja do të hetonte puçistët. Kjo ishte vija e dytë e mbrojtjes, e cila iu rrëzua më vonë, kur SHBA dhe BE deklaruan se hetimi duhet kryer vetëm nga Prokuroria, me ndihmën e drejtpërdrejtë të FBI-së.
Dhe kur raporti i FBI-së erdhi, Berisha kaloi në vijën e tretë të mbrojtjes: “Gardistët kanë vetëm armë zjarri për t’u përgjigjur, kur sulmohen me gurë e me drunj” – tha ai në një intervistë me Alfred Pezën në Vizion Plus. Dhe dje Jozefina Topalli, në një debat me Gramoz Ruçin rreth imunitetit të tre deputetëve socialistë, i mëshoi kësaj mbrojtjeje, duke thënë se Kryeministria u sulmua për 5 orë rresht.
Por kjo mbrojtje ka një pikë shumë të dobët – katër të vrarët dhe gjashtë të plagosurit me armë zjarri nuk po sulmonin Kryeministrinë kur u qëlluan nga armët e gardistëve…
*respublica.al