Nga Mero Baze, 12 Nëntor 2011
Moda më e re e kohëve të fundit u bënë gjyqet ndaj atyre që ngrenë zërin. Një sërë figurash të pushtetit apo njerëz të rrethit mafioz të Familjes në pushtet, tashmë nuk po veprojnë më me rrahje, kërcënime, djegie makinash apo shantazhe familjare, por me gjoba marramendëse në gjykatat që mezi presin t’i shërbejnë pushtetit, për t’i lënë të qetë në biznesin e tyre me drejtësinë. Fëmijët e Sali Berishës kanë hapur së fundmi gjyq ndaj një deputeti të guximshëm socialist, por para tyre një deputete e PD-së, një zyrtar i lartë i policisë, i akuzuar si sekser i botës së krimit me pushtetin nga kabllogramet e SHBA, po ashtu kanë paditur deputetë të opozitës për fjalimet e tyre në Kuvend.
Por nuk janë vetëm enturazhi politik i Familjes që po përdor këtë armë të re të nënshtrimit të shoqërisë ndaj Pushtetit. Rezart Taçi, i cili sipas Sali Berishës ka qenë trafikanti më i madh i naftës në Ballkan, (Vizion Plus- Qershor 2005), ka paditur një numër të madh gazetarësh për çdo fjalë që ata thonë kundër tij publikisht. Në gjyq me të është Andi Bushati dhe Arjan Çani, Mimoza Dervishi, duke ja gjetur adresen deri ne SHBA, dhe në një gjyq pa fund jam unë, për shkak të kërkesës ë tij për t’i paguar 100 mijë euro, pasi i kam cenuar figurën morale. Për ata që mendojnë se e ngatërrojnë, bëhet fjalë për njeriun që ka ardhur në kafenenë ku unë rrija me dy kolegë të mi gazetarë, ka qëlluar mbi mua, pastaj ka turrur mbi mua badigardët e tij, dhe është larguar pa u dorëzuar në polici. Sali Berisha dhe gruaja e tij e mbrojtën tre ditë nga policia pa e arrestuar, edhe pse u shpall në kërkim, dhe vetëm kur Gjykata mori vendim për arrestimin e tij, u vetëdorëzua. Gjyqtari i çështjes, një produkt i fëlliqur i sistemit të drejtësisë së Sali Berishës, dëgjoi mua si viktimë që më qëlloi Rezart Taçi, dëgjoi dy kolegët e mi si dëshmitarë që më qëlloi Rezart Taçi, lexoi raportin e policisë në vendngjarje që qëlloi Rezart Taçi, dhe e hodhi poshtë akuzën pasi një person ende i panjohur për mua dhe Gjykatën paskësh zgjatur kokën tek dera, paskësh parë ngjarjen dhe i paskësh treguar kamerierit të nesërmen që nuk më qëlloi Rezart Taçi. Dhe pse rreth dy mijë artikuj në gjithë botën kanë shkruar të vërtetën, dhe pse Departamenti Amerikan i Shtetit, OSBE, Bashkimi Evropian dhe dhjetëra organizata prestigjioze shtypi dënuan ngjarjen, gjyqtari Petrit Çomo, djali i Maqo Çomos dhe Liri Belishovës, i dalë nga kurset gjashtëmujore, “dënoi” viktimën, duke shpallur të pafajshëm Rezart Taçin. Dhe tani ky person më ka paditur mua, pra viktimën e dhunës së tij, duke kërkuar 100 mijë euro dëmshpërblim. Po ashtu ka paditur dhe padit çdo njeri që flet ndonjë gjysmë fjalë kundër tij, duke përshirë ditët e fundit dhe një deputet tjetër të opozitës. Ky imponim i tij i dhunshëm mbi drejtësinë natyrisht ka bazë fuqinë e tij të përkohshme financiare dhe faktin që mban në vend të parë të makinës fotografitë me Liri Berishën, dhe gjithë politikanët që paguan duke zgjatur kokën pas tyre të bëjë ndonjë foto. Ka marrë me qera një ekran televiziv, duke e kthyer dhe atë në një mensë popullore qokash për këdo që do të jetë rehat me pushtetin dhe vazhdon të shantazhojë këdo që thotë të vërteta ndaj tij. Bie në Tiranë Real-in që të dalë në fotografi me Bamir Topin, bie Gorbaçovin të dalë në fotografi me Berishën, bie Sheri Blerin të dalë në fotografi më Lirinë dhe nga ana tjetër legjendat për evazionin e tij fiskal bëhen të mahnitshme.
Drejtësia shqiptare, tërësisht e fokusuar tek politika dhe qokat ndaj saj, shikon fotografitë e tij dhe vazhdon punën duke dënuar gazetarët dhe deputetët që guxojnë të ngrejë zërin ndaj kapjes së shtetit nga ky njeri. Me këtë kriter Sali Berishës, që e ka akuzuar si trafikanti më i madh i naftës në Ballkan, nuk do t’i mjaftonin paret që kanë bërë fëmijët për t’i paguar gjobat që mund të merrte sikur drejtësia të ishte e keqkatandisur siç është tani.
Kësaj mode së fundmi po i ngjiten dhe deputetë si Kastriot Islami, i cili ka njoftuar se do të padisë Sokol Ballin se është tallur me emrin e tij. Me një inkurajim kriminal nga drejtësia, që mezi pret fletëthirrje për deputetë opozitarë apo gazetarë kritikë, shoqëria shqiptare po futet nën thundrën e një dhune të re mizore, që është dhuna financiare e pushtetit përmes gjykatave të korruptuara. Të njëjtat gjykata dhe gjykatës nuk e dënojnë Sali Berishën kur shan me libër shtëpie deputetët dhe gazetarët, kur bën akuza monstruoze personale deri dhe çfarë bëjnë në krevat kundërshtarët e tij. Ato mbyllen ose me procedurë, ose me mungesë të bazës ligjore. Kështu u mbyllën paditë e ngritura ndaj tij nga botuesit Dulaku e Kokëdhima si dhe nga nëna e liderit të opozitës, Aneta Rama.
Por problemi nuk është se kemi një pushtet, i cili ka korruptuar drejtësinë. Problemi është më i rëndë se kaq. Ne kemi një infrastrukturë të tërë të drejtësisë, e cila përgjon orekset e politikës për një gjah të tillë dhe rri gati. Fatkeqësisht këta gjyqtarë dhe kjo infrastrukturë mafioze e gjyqësorit nuk është as e majtë as e djathtë, por thjesht mafioze. Për mua ishte një gjë shumë fyese propozimi dhe shfaqja e emrit të Dhori Sollakut në listën e Asamblesë së Partisë Socialiste në opozitë. Ajo parti po masakrohet nga drejtësia dhe gjykata, ajo parti po futet në krizë identiteti nga fakti se bashkëpunëtorët më të afërt të Dhori Sollakut po mbyllin si sekserë çështjet më të nxehta të krimit të lidhur me politikën siç është çështja Basha apo çështja Mediu, dhe ky kokoroc gjen ato orët pasive të Edi Ramës, ku nuk ka nerva të dëgjojë për “të vjetër” dhe “të rinj”, dhe hap dyert dhe për ata që po e çojnë PS drejt fitores, dhe për ata që e kanë çuar një herë drejt humbjes.
Gruaja e tij, një gjyqtare që ka dhëne vendime tërësisht korruptive dhe tendencioze, ka së paku dy raste të qarta të abuzimit të saj me detyrën kundër lirisë së medies. Rasti i parë është ndaj meje dhe gazetës Tema, gjoba e bashkuar ndaj të cilave shkon 300 milionë lek të vjetra. Ne ia kemi fituar gjyqin në shkallë të parë, ku ajo pretendonte se i kishim shkaktuar tumor në mitër nga shqetësimet që i kanë sjellë artikujt tanë lidhur me dyshimet e bazuara që kemi për moszbardhjen e çështjes së vrasjes së shoferit të saj, edhe pse burri i saj ishte Prokuror i Përgjithshëm. Zyra e tij shpalli një pistë të dyshimtë lidhur me të ashtuquajturën “Hakmarrje për Drejtësi”, njësoj siç i shpikte Berisha, dhe kur erdhi puna tek ekstradimi, dërgoi qëllimisht dokumente të gabuara në Interpol në Bruksel që të mos ballafaqohej kurrë me të “akuzuarin” prej tij. Çështja nuk u zbardh kurrë, dhe të vetmit njerëz të dënuar për ata vrasje tani jemi unë dhe gazeta Tema që kemi kërkuar të zbardhet vrasja. Ne e fituam gjyqin në shkallë të parë duke dalë të pafajshëm edhe për shkak të faktit grotesk se nëse tumori në mitër shkaktohet nga shkrimet e mia, unë jam gati të paguaj gjobat se mund të bëhem milioner nga patenta mjekësore që paska zbuluar gjykatësja. Unë dola i pafajshëm. Por Zengjineja ka bërë një gjyq të fshehur në Apel, pa na njoftuar, duke ia dhënë çështjen një tresheje gjyqtarësh, që së fundmi janë bërë të famshëm se kanë liruar një trafikant droge turk, që akuzohet për gjysmë toni kokainë, duke përdorur si imunitet faktin “që kanë dënuar Mero Bazen” me urdhër nga lart. Nuk mjafton që e bënë fshehur çështjen dhe e çuan në Përmbarim, por dhe kur ne e çuam në Gjykatë të Lartë, kjo Gjykatë theu të gjitha rekordet, duke e gjykuar atë po fshehurazi brenda disa muajsh, po ashtu pa njoftuar. Ndërsa unë kërkoja online të gjeja përmes emrit tim ditën e gjykimit, emri nuk shfaqej kurrë. Unë e mësova se gjyqi ishte bërë muaj më pas, kur konstatova se online emri im qëllimisht ishte shkruar jo Mero, por Mvro, me qëllim që të mos shfaqej dhe unë të mos njoftohesha. Dhe bëhet fjalë për rreth 300 mijë dollarë, aq sa është paga ime e gjithë jetës, pra një burg i përjetshëm për Familjen Sollaku, që bie ndesh dhe me vendimet e Kolegjit të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, ku gjobat ndaj gazetarëve nuk duhet të shërbejnë për të pasuruar paditësin.
Me të njëjtin cinizëm dhe gjakftohtësi korruptive veproi kjo gjyqtare dhe ndaj një gjyqi që Top Channel kishte me qeverinë shqiptare për çështjen e një kontrate emfiteoze tek ekspozita ‘Shqipëria Sot’, të cilës ia kanë vënë syrin ndërtues të Familjes Berisha. Edhe pse burri i Zengjines, tashmë “Anëtar i Komitetit Qendror të PSSH” hante e pinte nëpër dreka me drejtues të TOP-it, gruaja e tij votoi me qetësi pro Sali Berishës duke marrë kështu kartabjankë për të qenë e lirë të bëjë çfarë të dojë me gjyqe të tjera që i lejojnë asaj luksin të bëjë jo vetëm operacione plastike për të mirën e pamjes së saj, por dhe operacione politike për të qenë e sigurt nga të dy krahët e politikës.
Dëshpërimi që unë dhe kolegët e mi gazetarë kemi sot nuk ka të bëjë me programin e Edi Ramës për taksat, apo idetë e marra të Saliut për superfuqi energjike, por me faktin se ne që ngremë zërin, po paguajmë një çmim të rëndë të mbijetesës sonë fizike nga drejtësia e kapur nga mafia politike. Dhjetëra gjyqtarë të tipit “Zengjine”, “Çomo”, “Fullani”, “Gjini apo Gjoni”, “Ndreca apo Sashenka”, ndjehen të qetë kur shikojnë që dhe e ardhmja e tyre është e sigurt nga depërtimi të njëjtave klane mafioze në të dy anët. Ky është një sinjal i keq dhe i gabuar sidomos nga opozita.
Unë dhe kolegët e mi gazetarë, por dhe shumë deputetë kurajozë opozitarë, nga ata që Saliu ëndërron tu bëjë “fytyrën si këpuca”, kemi betejën tonë me pushtetin dhe atë e zhvillojmë me mjetet tona. Ne me fjalën e shkruar, deputetët me fjalën e folur. Por kjo betejë sot është e kërcënuar pikërisht nga kjo sindromë e lidhjes së politikës me mafien në drejtësi, dhe unë nuk gjej dot një shembull më të shkëlqyer se Dhori Sollaku, kujtimi i vetëm i hershëm që kam për të në fillim të viteve ‘90-të kur firmoste gjyqtarë dhe dyshtetësi në emër të Berishës si këshilltar juridik, është se kur fuste dorën për kafe, nga xhepat e tij dilnin të gjitha llojet e monedhave të Evropës dhe SHBA.
***
Duke shkruar këto rreshta për këtë problem madhor të shqiptarëve askush nuk duhet të mendojë këtë si një hall timin personal apo kolegëve të mi. Nuk i konsideroj fare halle përballjet me sollakët, taçët dhe “kuçët e maçët” e sistemit korruptiv që konsolidoi Sali Berisha në këtë vend, pasi e gjeti gati nga pushteti i mëparshëm socialist. Unë jam në opozitë për vendimet e mia personale dhe jo për vendimet e opozitës politike. Unë dhe kolegët e mi gazetarë kritikë, ku shquan Top Channel, nuk jemi në opozitë se Zengjinia është mërzitur nga kirurgjia e fundit plastike apo se Gjinit nuk i kanë mbirë flokët siç i priste. Nuk jemi as pse kemi humbur ndonjë shans për të qenë me Berishën, pasi atë fat e kemi shkelmuar me qejf pa u penduar kurrë. Ne jemi në opozitë “se jemi frikacakë” për të qenë të lidhur me krimet e pushtetit siç nuk janë të tillë shumë kolegë tanët gazetarë konformistë, të cilët shtojnë miliardat ndërsa unë me disa të tjerë shtojmë milionat e gjobave dhe provojmë dhunën fizike dhe financiare të pushtetit të padrejtë mbi shpinë. Por askush të mos mendojë se jemi aq budallenj dhe të verbër sa të heshtim për marrëveshjen e heshtur të mafies politike me drejtësinë dhe të këmbejmë çdo 8 vjet studiot ligjore seksere me zyrtarët e drejtësisë. Unë e di që Berisha është gati dhe më akuzon çdo ditë se unë jam një gazetar shërbëtor i Bamir Topit apo Edi Ramës, por po të ishte e vërtetë kjo, unë nuk do të dënohesha nga pushteti i drejtësisë që drejton Bamir Topi dhe nga “anëtarët e Komitetit Qendror” të Edi Ramës. Kjo nyje gordiane duhet të këputet për të ngjallur shpresë, pasi kjo mafie në drejtësi nuk ka parti, por thjesht partnerë. Dhe ata i gjen edhe tek Berisha, edhe tek Topi, edhe tek Rama.
Dhe diçka të fundit. Askush të mos mendojë se dekurajohemi nga këto gjyqe pa fund, gjoba pa fund dhe përpjekje pa fund për të kapur pushtetin e ri nga mafia e vjetër. Problemi real për mua ka qenë nëse dikush më gjobiste 20 mijë euro dhe nuk kisha me se t’i paguaja. Tani nëse mbledh gjobat e sollakëve, taçëve “Kuçëve e maçëve” të Berishës, ato shkojnë aq shumë sa më japin qetësinë e duhur të luftoj pasi s’kam ç’të humbas. Është koha të mendohen mirë ata që kanë çfarë të humbasin.