Për “miqtë” e Fullanit dhe “armiqtë” e Guvernatorit

0
39

Nga Mero Baze

Pas mbledhjes së dytë të Këshillit Mbikëqyrës kemi dhe shansin të bëjmë një bilanc të betejës së opinionit publik me Guvernatorin Fullani. Përfundimi i parë është kundër nesh, kundër meje, kundër miqve të mi gazetarë, që u angazhuan në këtë betejë, kundër qytetarëve që kërkuan largimin e tij dhe atyre politikanëve që nuk u pajtuan me këtë situatë.

Deri tani ne kemi një ndarje të qartë të armiqve të Guvernatorit, që në tërësi hyjnë tek opionioni publik, dhe po ashtu një listë të shkurtër të miqve të vërtetë të Fullanit (emrin s’po ia përmend se e ka të paqartë dhe vetë si quhet). Por mes mbështetësve të tij publik dhe kritikëve të tij publik, dominon një shumicë e heshtur, e cila e ka braktisur Fullanin, duke mos i dalë zot qokave të tij.

Miku i tij më i madh deri tani është Sali Berisha. Ai ka dalë publikisht i qartë, i vendosur, dhe i angazhuar ta mbrojë deri në fund. Ka shkuar dhe më tej duke angazhuar familjen, mbesat, dhëndrin, djalin e çfarë ka, për të mbrojtur dhe familjen e Guvernatorit, duke bërë me këtë rast një analogji me sulmet që i janë bërë familjes së tij, që plaçkiti këtë vend. Aq tutje ka shkuar, sa as Lulzim Basha s’ka guxuar të thotë një fjalë kundër skandalit, duke u vetëshpallur lideri opozitar më i tredhur në botë.

Një mik i vërtetë i Fullanit u tregua ambasadori Arvizu. Kanë qenë miq prej kohësh dhe i ka dalë në krah sa herë që media e ka prekur zotin Fullani.

Sot ai ishte formalisht korrekt në atë çfarë tha me zë, para Bankës së Shqipërisë, por është nga rastet e pakta kur ka më shumë rëndësi figura se sa zëri. Ai ishte aty në vendin e gabuar, duke marrë përsipër një zemërim të pamerituar të qytetarëve, si atëherë kur i tha Berishës ‘burrë shteti’ pasi vrau katër vetë.

Por miqtë dhe armiqtë e hapur të Fullanit duhen respektuar. E kanë zgjedhur të jenë ashtu.

Më të këqinj se ata, janë miqtë e heshtur të Fullanit. Ata nuk po e mbrojnë, por nuk po flasin kundër tij. Po heshtin mediat që e kishin sponsor të tyre dhe gaztor oborri, siç po heshtin deputetët që kanë votuar nga e majta dhe e djathta pro tij. Po heshtin ata që u ka marrë në punë fëmijët, mbesat, kunatat, dhëndurët dhe vëllezërit. Kjo tregon se askush nuk e ka pasur mik për personalitetin e tij, por për qokat e tij. Ai është sot më i vetmuar se kurrë, pasi të gjithë kanë në mendje Fullanin e vërtetë.

Guvernatori Fullani është sot një njeri në nevojë. Ai ka kundër opinionin publik, nuk ka mbështetjen politike të qeverisë, ka marrë sinjale të qarta për largim nga koalicioni PS- LSI, pavarësisht se ka një kudjes të mos shkelet në fushë të minuar, në një institucion ku dreqi e di se çfarë ka ndodhur me paratë tona.

Por pas mbledhjes së sotme të Këshillit, ekziston një pozicion i vështirë për t’u mirëkuptuar nga sot e tutje. Ai është pozicioni i Ermelinda Meksit. Kjo zonjë u bë popullore, kur u citua nga media se ka kërkuar dorhëqjen e Fullanit. Në fakt në atë mbledhje nuk u arrit të bëhej ndonjë betejë e tillë, për shkak se zonja Meksi ka vetëm një votë, por ne ia quajtëm këtë betejë, pasi në këtë rast vlen dhe dëshira.

Ajo e mori përsipër faktin që është luftëtare kundër tij dhe kërkon dorëheqjen e tij. Sot kjo histori u rimbyll nga Këshilli. Ai as që pranoi të diskutohej fare kjo gjë. Nëse ky Këshill nuk do të shkarkohet apo pezullohet nga qeveria dhe Kuvendi në shtator, ndoshta Fullani nuk do ikë kurrë nga ajo karrige. Këshilli sërish nuk e ka regjistruar mbledhjen e bërë, sërish ne nuk dimë nëse u përlot Civici apo ulëriti Kulja, nëse foli Milo apo heshti Golemi. Dimë vetëm që Fullani mbijetoi pa u shqyrtuar fare kërkesa për shkarkim.

Tani zonja Meksi nuk mund të jetë edhe heroinë e luftës kundër Fullanit, edhe pjesë e një institucioni që mban në detyrë Fullanin. Ajo duhet të shkëputet nga lista e miqve dhe armiqëve të paqartë të Guvernatorit.

Zonja Meksi duhet të zgjedhë të rrijë në atë Këshill dhe të ikë bashkë me ta kur t’u vijë dita, ose të ikë tani për t’u treguar se ajo nuk mund të paguhet prej tyre për të justifikuar garniturën ligjore të pushtetit të Fullanit.

Këshilli Mbikëqyrës nuk është parlament, nuk përfaqëson vullnete politike dhe as nuk e ka për detyrë të votohet në bazë dëshirash. Ai është institucion administrativ, përzgjidhet nga ligji dhe duhet të bëjnë detyrën si mbikëqyrës të ligjit. Nëse zonja Meksi është e bindur se anëtarët e tjerë të Këshillit po bëhen badigardë të Fullanit për ta mbrojtur atë nga shkelja e ligjit, duhet të mos rrijë më në një tavolinë me ta. Herët a vonë politika do të ndërhyjë dhe do të marrë një vendim kundër tyre. Atëhere do të jetë vonë për t’u ndarë nga tufa.

Nuk them se duhet të bëhet heroinë anti- Fullan, mund të dhe të rrijë bashkë me të tjerët, por nëse ka kuptim ndonjë gjest heroik në atë institucion, është të largohesh kur beteja jote kërkon të përdorë si garniturë. Siç ndodh rëndom me fatin e heronjve, ata nuk mund të jenë edhe heronj, edhe të gjallë për ta lexuar emrin e tyre në pllakën e lapidarit. Ngjashëm, zonja Meksi nuk mund të jetë edhe heroinë kundër tij, edhe pjesë e një instrumenti që po e mban atë në pushtet, pasi do të dukej si një heroizëm me pagesë.

Nëse nuk largohet, është mirë dhe të mos ia zbukurojë fitoren Fullanit duke vazhduar të flasë pas mbledhjeve kundër tij. Ajo nuk është në luftë politike me të. Është një betejë për institucionin, i cili ose e ka shkelur ligjin, ose nuk e ka shkelur.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë është vendi më i paguar në shtetin shqiptar, me një diferencë të madhe nga piramida e shtetit shqiptar dhe në një kontrast të thellë mes shpërblimit financiar dhe angazhimeve që kanë. Drejtuesit dhe anëtarët e Këshillit marrin paga plus bonuse afërsisht 120 mijë dollarë në vit, kredi me 0.5 përqind interes për tridhjetë vjet, dhe kanë marr si të tilla rreth 1 milion euro gjatë vitit 2013. Gjithsej vetëm Këshilli na ka shpenzuar vitin që shkoi 2.6 milionë euro. Këto janë të shkruara në vetë raportin e Bankës në faqen 154-155. Ajo çka është vlerësuar kaq shumë, kur është vendosur të paguhen, është fatura e përgjegjësisë që ata kanë për Bankën e Shqipërisë. Siç po e shikojmë të gjithë, kemi të bëjmë me një Këshill të papërgjegjshëm, që nuk ka merituar paratë tona, besimin tonë dhe nuk ka zbatuar as detyrën e tij si mbikëqyrës i Bankës. Aty brenda mund të rrish, por jo si luftëtar. Nuk njoh një rast të ngjashëm që të paguhesh si luftëtar nga kundërshtari yt.