DUKAGJINI DUHET DHE DO TË RROJË

3
36

Luigj Shyti

Ndodhi ajo që po flitej prej kohësh. Ligjërisht Dukagjinit i vunë vizën, e fshinë si nocion zyrtar, si emër, nga harta e Shqipërisë. E fshinë nga harta atë pjesë të shqiptarizmës, të atdhetarisë, të pamposhtur, të papërkulur në shekuj, u fshi nga harta ai emër i madh i asaj pjese të Shqipërisë që pranoj të jetojë midis malesh, i izoluar nga bota, me vështirësi të panumërta natyrore dhe shoqërore, sepse deshi lirinë, sepse deshi vendin, sepse deshi besimin, kulturën, traditën, historinë, sepse deshi të rriste pasardhës të lirë dhe me traditat më të mira të kohës e këto tradita tua transmetonte pasardhësve të vet. Jetoi malësori dukagjinas me shpresën se një ditë do të shikonte krahinën e tij, vendin e tij, të zhvilluar, të përparuar dhe të ecte përkrah popujve të tjerë. Shumë përpjekje u bënë gjatë historisë së këtij populli për ndarje e bashkime nga më të ndryshmet, por gjithnjë mundi të ruaj identitetin e tij të formuar gjatë shekujve.

Është e natyrshme dhe në dobi të zhvillimit që të bëhej ky riformatim i territoreve të Shqipërisë, sepse koha e kërkon, do të kenë më shumë zhvillim. Kjo reformë do të sjellë mund të sjellë më shumë përparim në të gjithë territorin, por që të arrihet një gjë e tillë duhet nga mendim përparimtar në mënyrë që të mos shikohet dikush më syrin e nënës dhe dikush më syrin e njerkës. Në kushtet që kemi parë deri tash, është vështirë që të kemi bindjen se do të ndodhë shikimi më të njëjtin sy të gjitha zonat.

Dukagjini është konfiguruar në histori dhe kulturë, në etnografi dhe marrëdhëniet shoqërore, është i spikatur në identitetin kombëtar, është një komunitet kompakt i maleve shqiptare që nuk mund të tjetërsohet. Për këtë ka dhënë prova. Ajo që nuk u arrit të bëhej në të kaluarën që nga thellësia e historisë, u bë sot në vitet e demokracisë. Kjo nuk është normale. Dukagjini ka hyrë në histori si krahinë kryengritëse kundër osmanëve, kundër serbëve dhe malazeze, kundër regjimit zogist, kundër regjimit komuniste dhe është një krahinë pararojë për demokratizimin e vendit. Kjo krahinë duhet të meritonte një vëmendje shumë më të madhe nga shteti dhe Qeveria Shqiptare.

Dukagjini me banorët e tij e kanë dashur dhe e duan reformën territoriale dhe kanë besim në tërësi te ajo, por bashkime nga më të paparat deri më sot nuk mund të japin rezultatin e dëshiruar. Dukagjini asnjëherë nuk e ka refuzuar bashkimin me Shkodrën, nuk është thënë në asnjë vend dhe në asnjë shkrim. Shoqata “Atdhetare Dukagjini”, intelektual dukagjinas, pjesëtarë të komunitetit të kësaj zonë, nëpërmes diskutimeve, ballafaqimeve, komunikimeve të drejtpërdrejta nga baza deri në qendër, peticioneve, kanë kërkuar që krahina e Dukagjinit të jenë një njësi administrative e veçantë, e cila do ti shërbente më mirë komunitetit të kësaj krahinë, do të ndiqte nga afër dhe do të zhvillonte këto zona me shumë resurse shoqërore, historike dhe natyrore.

Dukagjini nuk kishte dhe nuk ka sesi te fshihet nga harta e Shqipërisë më një të rënë të lapsit. Nuk zhduket dhe nuk do të zhduket kaq lehtë një popull, një komunitet që ka mbijetuar në shekuj midis vështirësive të jashtëzakonshme.

Duke e ndjerë këtë që u vendos dje, janë bërë propozime konkrete që në fillim të këtij viti, sidomos nga Shoqata “Atdhetare Dukagjini”, por edhe nga persona të veçantë, janë bërë shkrime në gazeta lokale dhe qendrore, u është drejtuar letër-kërkesë të gjithë organeve shtetërore qendrore dhe Kryetarit të Opozitës në lidhje me Dukagjinin, por asnjëri prej tyre nuk e ka marrë mundimin as që të takojë pjesëtarë të komunitetit, por as që të marrin mundimin për të kthyer një përgjigje ashtu siç e mendonin ata.

Ndarja e fundit administrative, porsa i përket dukagjinit, është shumë e pastudiuar sepse:
– Nuk është menduar për Dukagjinin si emër shumë i vjetër, si familje princërore, si dinasti dhe as si territor gjeografik.
– Nuk është menduar për zhvillimin e Alpeve Shqiptare.
– Nuk është menduar për mos shpopullimin e këtyre territoreve.
– Nuk është menduar për zhvillimin e turizmit shumë të kërkuar dhe me shumë mundësi në këtë zonë.
– Nuk është menduar për ruajtjen e vlerave të pakrahasueshme historike, kulturore, etnografike të kësaj krahinë.

– Nuk është menduar për gjurmët e historisë që po “vdes” në këto male e lugina dhe që flasin për rrënjët e thella që ka ky komunitet në këtë zonë.
– Nuk është menduar për kulturën materiale dhe shpirtërore të kësaj krahinë dhe këtyre banorëve, të cilat duke u shpërndarë nga Maja e Jezercës e deri në breg të detit ka shumë vështirësi që të rruhet, e aq më pak të kultivohet e transmetohet.

Ka mendime se është vepruar keq më parë nga sistemi i kaluar në lidhje me Dukagjinin edhe në pikëpamjen administrative, veçanërisht në fillim të viteve ‘70. Po pa tjetër që është evidente një gjë e tillë, për të cilën edhe është folur edhe këto kohët e fundit, por nuk duhet menduar se një e keqe mund të rregullohet me një të keqe tjetër. Dy të këqija kur nuk bëjnë një të mirë por mbeten gjithnjë dy të këqija.

Është interesante se që kur filloi të diskutohej kjo reformë nuk u bënë të gjallë ata që nuk lanë derë pa trokitur për të mbledhur vota për vetë dhe për shokët e vet, nuk lanë telefon që të pushojë natën as ditën nuk kohë fushate për zgjedhjet politike, nuk lanë premtim për bërë individualisht dhe publikisht. Pati nga ta që morën përsipër përfaqësimin e Dukagjinit në mënyrën më të mirë, në kohën që një djalë dukagjinas e renditën në vendin e 12 nga 11 deputet të mundshëm që do të kishte Qarku i Shkodrës.

Kjo reformë nuk është politike, gjë që u pa jo një herë edhe në lidhje me komunitetin dukagjinas. Ajo është administrative, këtu nuk ka vend politika, por gjithsesi pesha kryesore bie mbi ata që qeverisin vendin dhe kanë shumicën e cilësuar në parlament.
Komuniteti dukagjinas është dhe duhet të jetë gjithnjë me ata që mendojnë, përpiqen, mbështesin dhe punojnë për këtë komunitet, me qëllim që të integrohet në jetën politike, sociale dhe ekonomike.

Nuk mungoi angazhimi edhe në këtë rast, gjë të cilën e përmendëm më lart, por ra në vesh të shurdhër. Kjo punë nuk u la për ditën e fundit veçanërisht nga Shoqatat “Atdhetare Dukagjini”. Morëm pjesë aktive në diskutimet që u organizuan në shkallë qarku. U bënë shkrime e letra, u bënë prononcime në median elektronike lokale dhe qendrore nga intelektual dukagjinas, u bënë peticione e takime, morëm pjesë në mitingje duke bllokuar edhe rrugën Shkodër-Tiranë, por nga atje lartë asnjë reagim. Por duhet thënë se mungoi lidhja midis Komunave të Dukagjinit, edhe një takim i kryetarëve të Komunave që u bë ishte shumë i vonuar, nuk pati reagim masiv brenda ligjeve demokratike.

U përdor rrjeti social për të nxitur mendimin dhe kërkesën ku morën pjesë shumë persona, por pjesëmarrja në tubime për të paraqitur kërkesa ishte jo e mundshme për të bërë që të dëgjohet zëri ynë. Nuk ndryshohen projektet apo ligjet me disa veta qoftë edhe me bllokimin e rrugëve automobilistike. Madje, duke mos pasur besim në vetvete, apo duke mos pasur bindjen në mbështetjen e komunitetit, pati raste që u “thirrën” për mbështetje edhe strukturat e vjetra fisnore, gjë që nuk është normale për kohët moderne. Ne i respektojmë sinqerisht këto organizime për vendin që u ka dhënë historia.

Në ditën e fundit pati zëra që e përmenden Dukagjinin, por jo se u dhimbej ai, por për të kërkuar dhe gjetur mbështetje e justifikuar fjalët e tyre. Ku ishin deri tash këta “dashamirës” të Dukagjinit dhe dukagjinasve, që “qanin” për Dukagjinin në kohë fushatash, që vetëm sot nxorën nga gurmazi i tyre pjesë fjalësh apo fjalish për këtë zonë që meritonte dhe meriton më shumë. Ishte vonë, tepër vonë, ishte si të vendosësh nga arnë të zi me pe të bardhë. Nuk është alternativë vetëm të jesh kundër diçkaje, qoftë kjo edhe reforma territoriale, por as të bësh të diturin në ditët e fundit kur ka marrë formë gjithçka. Trimëria pas lufte dhe urtia pas kuvendit nuk vlejnë – thotë populli.

Dukagjini, ky emër i madh në histori, i shfaqur në vitin 695, pra rreth 13 shekuj më parë, pas Krishtit, duhet të rrojë sepse është përfaqësues i thellë në histori, i njohur në të gjitha kontinentet, i dashuruar dhe i bërë pjesë e jetës dhe trupit të banorëve që e ruajtën dhe e trashëguan në shekuj, duhet të rrojë sepse brenda këtij emri gjëmon historia, kultura, besimi dhe organizimi shembullor për kohën.

Besojmë se banorët dukagjinas, me vitalitetin që i karakterizon, do të ruajnë traditat e mira të këtij emri, në ndërgjegjen e tyre, në fjalën e tyre, në sjelljen e tyre. Unë besoj se secili pjesëtar i këtij komuniteti do të jenë krenar që është Dukagjinas, dhe këtë do tua transmetojnë brezave të ardhshëm.

Pas kësaj që ndodhi, vetëm kështu mund dhe duhet të ruhet emri Dukagjin dhe dukagjinas. Intelektualët dukagjinas, ashtu si edhe deri tash, duhet të ngulmojnë në vlerat e territorit, të banorëve dhe gjithë trashëgimisë shumë të madhe të pashtershme dhe të pa përsëritshme të kësaj zone. Të gjithë duhet të ndjehemi krenar që jemi dukagjinas, dhe kemi këtë emër që na bën nder gjithmonë.

Flamurtare pararojë e njohjes, ruajtjes dhe transmetimit të këtyre vlerave, prej 11 vjetësh dhe në vazhdim është dhe do të jetë Shoqata “Atdhetare Dukagjini”. Ajo me programin e saj, me vizionin e saj, me veprimtarët e saj gjithnjë aktiv dhe veprimtarët pranë saj, ka bërë të mundur njohjen, vlerësimin dhe propagandimin e vlerave njerëzore, historike dhe natyrore të Dukagjinit.

Shoqata “Atdhetare Dukagjini” ka punuar me këmbëngulje gati heroike për Dukagjinin. Mund të thuhet pa ndrojtje se ajo ka bërë më të mirën e mundshme, atë që nuk e ka bërë askush për njohjen dhe popullaritetin e vlerave më të mira të Dukagjinit.

Sot më shumë se asnjëherë më parë duhet punuar rreth vlerave të kësaj krahine që shpata e politikës e goditi në mënyrë të pamëshirshme. Historikisht ka ndodhur që në raste ndarjesh dhe bashkimesh, komuniteti ka shtrënguar lidhëzat, ka afruar pikat e bashkimit, për të mos u tretur si kripa në ujë, për të mos humbur pa shenjë. Është domosdoshmëri njohja e këtyre lidhëzave, pikave të bashkimit. Nga pikat më të forta, më të mundshme për tu bashkuar, aktualisht është Shoqata “Atdhetare Dukagjini”. Pranë kësaj shoqate, punës dhe gazetës së saj do të jenë një vend bashkimi, një pikë referimi, pa dallim bindjesh politike.

E përsëritim me forcë se partia më e madhe, më e mirë, me e dashur, për Shoqatën “Atdhetare Dukagjini”, për kryesinë dhe anëtarët saj, është Dukagjini. Kjo nuk ka asnjë mëdyshje për ne. Kjo mendojmë se duhet të jenë edhe për të gjitha ata që e mendojnë veten dukagjinas, e duan dhe do të duan Dukagjinin më gjithë kulturën e mirë të tij. Komuniteti dukagjinas, Shoqata “Atdhetare Dukagjini” me të gjitha forcat dhe mundësitë, ka punuar dhe do të punojnë për integrimin në gjithë jetën e vendit, prandaj duhet të jemi sa më ta bashkuar, të jemi shumë gjithëpërfshirës, të largojmë sa më shumë përemrin “unë” që është shumë i rrezikshëm, dhe të pranojmë gjithnjë e më shumë përemrin “ne”, të punojmë më shumë me njëri tjetrin dhe për njëri tjetrin, ta dëgjojmë njëri tjetrin dhe të pranojmë mendimin ndryshe e ti largohemi imponimit me çdo kusht dhe me të gjitha mënyrat.

Në qoftë se duam të zhvillohemi, të përparojmë, të integrohemi në kohën që jetojmë dhe të përgatitemi për të ardhmen, të ruajmë etninë, historinë dhe kulturën materiale dhe shpirtërore duhet punuar fort. Këto për Shoqatën “Atdhetare Dukagjini” kanë qenë dhe janë në plan të parë, janë prioritet i prioriteteve. Në qoftë se, në rrethanat e reja që u krijuan, nuk mblidhemi, koha do na ndëshkojë rëndë, brezat e ardhshëm do na dënojnë dhe edhe për së vdekuri do tu jemi borxh. Të bëjmë detyrën ne sot, që brezat e ardhshëm të jenë kryelartë për të kaluarën e tyre.

Luigj SHYTI
Shkodër, 01.8.2014

Dërgoi për botim: Gjin Musa

3 COMMENTS

  1. Te pershendes Profesor Luigji! Nje analize e perkryer e kohes kur “globalizmi hypi ne malet tona’ dhunshem dhe perlau jo vetem Dukagjinin,por dhe Nikaj-Merturin. U deshen shekuj te fshihen nga harta,ndoshta fale burrave prijes te moteve te shkuara.E tashme pinjollet e atyre burrave po kruajne sahanat e politikes se qelbur te koheve moderne.E ka mete ne kete kohe te zevendesohet edhe fjala burre.Ne anet tona kur ndodhte ndonje gja e keqe pyesnin:-” ku jane burrat ” e tashme asht e lehte me thane:- Jane te vorret e atyne fiseve qe per 2014 vjet s’mujti kush me i shkele. Te respektoj mendjen dhe shqetesimin kumare e fort dashamir i familjes Vatnikaj.

  2. Luigj jam shum dakord me artikullin tuaj,Dukagjini ka qen eshte dhe duhet te mbetet,dhe per kete duhet perpjekja e te gjith dukagjinasve, duhet sakrifica e te gjithve,deri ne protesta te forta,as kush nuk mund dhe nuk duhet ta harroj kete emer.po nuk kontribuam te gjith nuk ka vler,te paret tan kan luftu per dinjitetin e dukagjininit, te njejten gje duhet te bejme na dhe brezat qe vijn

Comments are closed.