Shkodra, natyra dhe politika

0
66

Prof. Dr. Ago Nezha, 22.01.2010

Faktorët që sollën këtë gjendje shfarosëse të gjithë pasurisë që kanë krijuar në breza banorët e zonës së Shkodrës e Lezhës janë shumë dimensionalë dhe kompleksë. Së pari, faktori determinant është pushteti politik, mbi përkatësi partiake.

Sa merr pushtetin një subjekt politik, e nis punën me fshesën për të hequr specialistët, qofshin ata të aftë, por që s’janë militantë të zellshëm të tyre.

Katër shtyllat që mbajnë në këmbë qeverinë e sotme janë: militantizmi, klientelizmi, nepotizmi dhe krahinalizmi. Meritokracia është në minoritet. Së dyti, trashëgimia kulturore, profesionale e paraardhësve në pushtet, shkelet me këmbë, injorohet, si të jetë një send pa vlerë. Së treti, ekspertët, ndihmesat që mbajnë rreth vetes qeverisësit janë adoleshentë në moshë e në mendim.

Ky trekëndësh defiçencash, është shkaktari, që me dashje apo pa dashje, prodhojnë tragjedi të paparashikueshme, të paimagjinueshme e vështirësisht të riparueshme, siç po ndodh me përmbytjet e pazakonta të këtij dyjavori.

Të marra së bashku apo veçmas, këto dukuri janë produkt i politikës së mbrapshtë të liderëve politikë. Vendi konsiderohet si pronë, ndërsa kryeministri si pronar i radhës.

Mund të jesh ministër, kryeministër, shtetar i lartë, por kjo s’do të thotë aspak se je ekspert i të gjitha fushave. Pavarësisht nga përkatësia partiake në pushtet, njerëzit e ditur, ekspertët, profesorët, elita intelektuale, janë pasuri kombëtare.

Është dashur një investim i madh, jo vetëm individual, por edhe shoqëror, nëpërmjet specializimeve jashtë shtetit, për të arritur standarde të larta profesionale.

Qeveria, bëri shou mediatik këto ditë për të mashtruar opinionin, duke marrë specialistë hidrik nga vende fqinjë (?!). Si është e mundur të injorohen, nënvleftësohen, anashkalohen projektuesit, zbatuesit dhe menaxhuesit e këtyre veprave gjigante? (në këto 20 vjet nuk ka marrë kush mundimin të fillojë qoftë edhe një të vetme). Për fat të mirë, ka disa prej shkencëtarëve projektues të këtyre veprave madhore që jetojnë dhe që do t’i kishin zili t’i kishin edhe vendet fqinjë nga thirren “shpëtimtarët”.

Emrat e tyre janë të njohur, duke filluar nga Profesor Farudin Hoxha, Emin Mysliu, Stavri Stratobërdha, inxhinier Fico, e shumë të tjerë. Ah po, fatkeqësisht nuk janë militantë të partisë, ndaj nuk na vlekan.

Tragjedia e përmbytjes s’është tragjedi partiake, por kombëtare. Për rrjedhojë, edhe përgjegjësitë për kapërcimin e situatës kritike, janë gjithëpërfshirëse. Për analogji, nëna që e ka lindur fëmijën me trashëgimi gjenetike, përjashtohet nga dadua që e ka marrë në përkujdesje kujdestarie.

Shtetarët, e marrin informacionin nga militantët që janë vendosur në krye të drejtimit të sektorëve dhe jo nga institucionet shkencore që tashmë janë shkatërruar si të panevojshme. Nuk është i panjohur fakti që shkencëtarët janë lënë të braktisur nga politika cinike bizantine.

Ata duhej të ishin këshilltarët realë të politikës së sotme, por “këshilltarët” me sa shihet, qeverisësit i mbajnë për dekor. Shumë prej tyre veç aprovojnë, pohojnë e zbatojnë ato që thonë shefat e tyre politikë.

Këshilltarët, për vetë kurorën që kanë vënë mbi kokë, duhet të udhëhiqen në veprimtarinë e tyre nga fjalët e Uilltmanit, i cili thotë: “Kundërshtoni shumë e binduni pak. Se bindja e verbër të shpie në skllavëri të plotë. Prej skllavërisë së plotë as një popull i botës nuk e fitoi dot përsëri lirinë.”

Kur të arrijmë këto parametra, mund të themi se kemi hapur portat e demokracisë, që nuk ngjajnë me portat e hidrocentraleve që përmbysin popullatën e pafajshme.

Po të kthejmë kokën mbrapa, jo si nostalgjikë, por si kritikë, do kujtojmë pyjet e bukur të Lurës, Pukës e Tropojës, plantacionet me agrume e ullinj të Lukovës, Ksamilës e Jonufrës, vreshtat e Shtojit në Shkodër apo të fiqve në Osnovë të Beratit, të mollëve në Korçë, etj., që jo vetëm siguronin prodhime bio, por njëkohësisht ishin rregullatorë të ekuilibrave ekologjik.

Në këto 20 vjet, barbaria shkatërroi gjithçka. Veprat ujitëse ishin në efiçencë të plotë. Kanalizimet, sistemimet, e mobilimet e tokës ishin të pakrahasueshme me gjendjen e sotme. Mjafton t’ju kujtoj Shkodranëve se në vjeshtën e vitit 1984, Ministria e Bujqësisë organizoi garat e Hipizmit dhe gjatë një nate, brenda 6 orëve kanë rënë 302mm shi, intensitet jo i zakontë që të moshuarit e identifikonin me 60 vjet më parë. Dhe ç’ndodhi? Në gjithë zonën e Shkodrës ishte përmbytur një parcelë prej 10 ha, në Dajç, në nivelin 2 cm. Situata hidrike është e monitorueshme.

Siç tregon një ish-drejtor i bujqësisë së Fierit, kur ngrihej niveli i ujit të lumit Vjosa në Përmet, funksiononte një sistem zinxhir informimi, ku njoftohej Tepelena, Vlora e Fieri. Në përgjigje të situatës ishin në funksion të plotë shimatësit, ujëmatësit, që paralajmëronin për t’i dalë përpara çdo të papriture dhe ishin në gatishmëri të plotë hidrovorët. Ata konsideroheshin objekte të sigurisë së veçantë.

Sot mungon ky seriozitet. Drejtimi kryhet sipas instinkteve. Institucionet shkencore, si Instituti Hidrogjeologjik, Instituti i Sinoptikës, Meteorologjisë, Bonifikimit dhe Instituti i Tokave, që vepronin në unitet në nivele shkencore, e majta i grumbulloi në një institut qendror, ndërsa e djathta kur erdhi në pushtet, i shkatërroi.

Situata e dhimbshme që po përjetojmë, ka precipituar si asnjëherë tjetër në ekstremet e nxjerrjes jashtë funksionit të gjithë resurseve natyrore. Toka është shkatërruar fizikisht dhe kimikisht. Baticat e detit në Lezhë, kanë bërë që toka të kripëzohet e të dalë jashtë funksionit prodhues.

Toka si mjet kryesor i prodhimit, në radhë të parë s’është më e banueshme, e punueshme, por e rikoperushme për aktivitet me gjallesa që plotësojnë vazhdimësinë e jetesës së komunitetit të dëmtuar.

Një pjesë e konsiderueshme e shtëpive do dalin jashtë përdorimit, mbasi rëra, gëlqerja, e balta të ngopura nga ujët, nën influencën e faktorëve natyror do thërrmohen. Sëmundjet bronkiale janë prezent kryesisht te pleqtë dhe fëmijët. Tronditja psikologjike e banorëve të fshatrave që kanë humbur pasurinë, do krijojë një krizë shpirtërore.

Deklarimet e disa politikanëve, duke e quajtur “fatkeqësi të suksesshme”, është një anomali psiqike. Është për të ardhur keq që kryeparlamentaria Topalli, merr rreth vetes disa banorë për të lançuar disa deklarime banale, se falënderojnë Partinë Demokratike dhe Qeverinë, që janë gjendur pranë në këto ditë të vështira.

Shkodranët, se kanë pasur në ndërgjegje servilizmin politik edhe në sistemin totalitar që ishin nën trysni, e jo më sot në demokraci. Ata kanë qenë ithtarë të demokracisë, po kurrë të partisë. Ku ka pësim, nxirret mësim. Demokracia në Shqipëri do funksionojë, kur të kuptohet përgjegjësia. Presim dhe shpresojmë.