NDAHET NGA JETA STUDIUESI DHE INTELEKTUALI MENTOR QUKU

0
100

In Memoriam

Dr. Nail Draga

Në banesën e tij në Shkodër e 31 maj 2014 në moshën 75 vjeçare, vdiq intelektuali dhe studiuesi i shquar prof. Mentor Quku, ndërsa . varrimi u be.1.06. 2014 ne varrezat e Stom Golemit në Shkoder.Në emër të miqëve dhe kolegëve fjalën e mbajti studiuesi Nexhmi Bushati ndërsa në emër të familjes Bardhyl Quku.
Mentor Quku ka lindur në Bilisht të Korçës më 20 janar 1939. U arsimua në Shkollën Pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër (1951-1954), kurse studimet e larta i kreu në Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë (1955-1957) dhe pastaj në Universitetin e Tiranës (1960-1963).

Ka punuar mësues në shkollat e Shtiqënit, Brutit dhe Kukësit (1954-1957), në shkollën e mesme “Xheladin Fishta” në Shkodër (1961-1963), në shkollën e Barbullushit (1965-1991), në shkollën e Bahçallekut (1991-1992). Pêr veprimtarinë e tij pedagogjike, didaktike e mësimore është nderuar me medaljen “Mësues i merituar”.
Si drejtor i Muzeut Historik Shkodër (1992-2000), ai ka organizuar, drejtuar dhe botuar, gjashtë seminare ndërkombëtare me titull “Shkodra në shekuj”, si dhe ka drejtuar revistën “Kumtari”.

Mentor Quku është autor i shumë artikujve dhe studimeve në fusha të ndryshme të dijes, si metodikë e mësimdhënies, pedagogji familjare, pedagogji shkollore, pedagogji sportive, tekstologji, psikologji e arteve figurative, psikologji sportive, psikologji moshore, histori, histori arti, letërsi biografike, letërsi për fëmijë, letërsi politike, histori e letërsisë për fëmijë, mitologji, folklor, frazeologji, toponomastikë. Ai ka marrë pjesë në shumë konferenca kombëtare e ndërkombëtare, ku kontributi i tij ka qenë gjithmonë i mirëpritur. Në aspektin politik ishte idhtar i të djathtës shqiptare dhe idealist i sikurse personaliteti i Mit’hat Frashërit.

Ka botuar në Studime filologjike, Studime historike, Studime pedagogjike, Kultura popullore, Buletin shkencor i Universitetit Luigj Gurakuqi Shkodër, Kumtari i Muzeut Historik Shkodër, Seminari Shkencor Ndërkombëtar Shkodra në shekuj, Nëntori, Les Lettres Albanaises, Shqipëria e Re, Ylli, Hylli i Dritës, Gjuha e Jonë, Albanica Ekskluzive, Lemba, Flaka, Illyria, Dielli, Koha Javore etj.

Tema qendrore e kërkimeve dhe e studimoreve të Mentor Qukut mbetet figura e Ndre Mjedës, për të cilën ai ka punuar 40 vjet dhe ka botuar një kolanë studimore shumëvëllimshe. Për t’u dokumentuar rreth jetës e veprës së Mjedës, ai ka shfrytëzuar arkivat e të gjitha vendeve ku Mjeda ka studiuar e punuar, ose që kanë ruajtur dokumentacion për Mjedën, si psh. Arkivi i Propaganda Fides, Arkivi i Jezuitëve Romë, fondi Peters Mahringer-Fonds (Austri), arkivat, bibliotekat dhe muzeumet e Vjenës, si edhe arkiva e bibioteka të shumta në Gjermani, Francë, Poloni, Danimarkë, Spanjë, apo kuvendet françeskane e jezuite të Bosnjes e të Kroacisë.
Botimin e plotë të kolanës studimore “Mjeda”, autori Mentor Quku e përfundoi më 2013, me rastin e kremtimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë. Kjo kolanë, e botuar nga Shtëpia Botuese “Ilar” në vitet 2004-2013, paraqitet me këto vëllime:

1. Mjeda 1 (1866-1888): RINIA, fq. 642, 2004
2. Mjeda 2 (1888-1899): ALBANOLOGU, fq. 642, 2006
3. Mjeda 3 (1899-1912), i përbërë nga dy libra:
4. ALFABETI, fq.680, 2007
5. LIRIA, fq. 766, 2008
6. Mjeda 4 (1912-1925): IDENTITET, fq. 634, 2009
7. Mjeda 5 (1925-1937): GJUHETARI, fq. 740, Tiranë, 2010
8. Mjeda 6, i përbërë nga dy libra:
9. BIBLIOGRAFIA (e Mjedës), fq. 325, Tiranë 2012
10. BIBLIOGRAFIA (mbi Mjedën), fq. 730, Tiranë 2012
11. Mjeda 7: BASHKEKOHESIT, fq. 494, Tiranë 2005
12. Mjeda 8: ALBUM, fq. 196, Tiranë 2010
13. Mjeda 9, Përmbledhje, fq. 254, Tirane, 2013.
14. Prof . Mustaf Dervishi, fq.199, Tirane, 2013.

Ka dërguar për ribotim prozën e Mjedës e cila pritet te del këto ditë nga shtypi.
Mjedisi intelektual i qytetit të Shkodrës, si edhe mbarë komuniteti i studiuesve të letërsisë shqipe, e kanë vlerësuar dhe e çmojnë në mënyrë të veçantë kontributin e Mentor Qukut, puna e të cilit tashmë shërben si referencë e pazëvendësueshme për studimet shqiptare, e në veçanti për studimet mbi Ndre Mjedën dhe mbi veprën e tij. Këtë e dëshmon, së fundi, edhe botimi i numrit të parë të revistës studimore “Mjedologji”, e cila përmban njëzet punime mbi Ndre Mjedën nga studiues të konfirmuar të të gjitha trojeve shqiptare dhe i kushtohet mjedologut Mentor Quku.

Për kontributin e tij, Z. Mentor Quku është vlerësuar me medaljen “Mësues i Merituar” (1991) dhe “Mirënjohje e qytetit të Shkodrës” (2011). Mori titullin ” Profesor Nderi”, i Universitetit te Shkodres, 26 prill 2014.

Të gjithë ata të cilët në të ardhmen do të trajtojnë figurën shumëplaneshe të Mjedës, do t iu referohen kolanës së Mentor Qukut, që lirisht mund të quhet edhe INSTITUTI QUKU. Sepse ate çka e ka bërë M.Quku, nuk e kanë bërë institucuionet shkencore dhe akademike. Ai Mjedës dhe vehtës i ka ngritur një monument si pak kush në botën shqiptare që do të jetë i përjetshëm.
Mentor Quku ka një meritë të jashtëzakonshme në rivendosjen e bashkëpunimit shkencor dhe kulturor me shqiptarët në Mal të Zi, pas vitit 1990. Duhet veçuar sidomos qytetin e Ulqinit dhe krijuesit entuziast të bashkuar në Shoqatën e ”Art Clubit”, që ka të bëjë më kohën kur ishte drejtor i Muzeut Historik në Shkodër.Ishte i pranishëm ne sesione shkencore e përurime botimesh. Emri tij figuron si recenzent i botimeve të ndryshme nga Art Clubi. Ai gëzonte respekt të veçantë ne Ulqin, duke ndikuar në forcimin e lidhjeve kulturore ne mes Ulqinit dhe Shkodrës.

Ka bashkëpunuar me revistën LEMBA dhe gazetën KOHA JAVORE.
Me vdekjen e tij familja humbi njëriun e dashur, kolegët dhe miqet intelektualin e nderuar, ndërsa bota kulturore dhe shkencore shqiptare studiuesin e devotshëm që do të jetë model për brezat e ardhshëm.