“Me Behgjet Pacollin në veprën e jashtëzakonshme të ndërtuar nga kompania e tij në Kazakistan, Teatri i Operas & Baletit”.
Është ky postimi në rrjetin social Facebook që Kryeministri Edi Rama e shoqëron edhe me foton përkatëse në lidhje me vizitën e zhvilluar në Kazakistan me ftesë të Presidentit kazak. Në ditën e parë të vizitës, Kreu i Qeverisë, i shoqëruar edhe nga zv.Kryeministri Niko Peleshi dhe në prani të zv. Kryeministrit të Kosovës Behgjet Pacolli u takua me homologun e tij Karim Massimov si dhe presidentin Nursultan Nazarbayev.
“Një nga projektet e mëdha të diskutuara, edhe nga Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Peleshi dhe zv.Kryeministri i Kosovës, Pacolli ishte mundësia e zhvillimit dhe investimit në një sistem hekurudhor modern, që mundëson lidhjen mes porteve shqiptare dhe rrjetit hekurudhor evropian dhe aziatik”, thuhet në njoftimin e dhënë për mediat.
Zv. Kryeministri Pacolli ka dhënë garanci për realizimin e një projekti të rëndësishëm kombëtar. Realizimi i një projekti hekurudhor është cilësuar një element i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës. Sipas propozimit hekurudha, që lidh rrjetin europian dhe Azinë duke kaluar nga Kosova, do të përfundojë në portin e Shëngjinit në Shqipëri. Kazakistani kërkon rikthimin e primatit të Rrugës së vjetër të Mëndafshit që lidh Azinë me Europën dhe ka projekte për këtë korridor të rëndësishëm botëror që kalon gjithashtu nga Ballkani Jugperëndimor, dhe nga Shqipëria dhe Kosova. Kjo do të realizojë një rritje të shkëmbimit ekonomik mes vendeve shqiptare drejt Bashkimit Evropian.
Jashtë temës së diskutimit nuk kanë mbetur as investimet në fushën e turizmit, energjisë por dhe të infrastrukturës e transportit. Pjesë e rëndësishmë e bisedimeve ka qenë dhe mbi investimet në fushën e naftës dhe të gazit.