Cikël me poezi nga Teuta Sadiku

0
58


Njeri!

Udhëtar, sa të dalësh në udhëkryqin Egnatia
do takosh sirenat dhe të lashtat legjenda
ndjenjat e tua mos i vër në gjumë
ajo boshësi që jetën nuk ta mbush
është mungesa e drithërimës në dashuri,
në këtë ruzull që s’është më i yni
edhe pse jetojmë në të njëjtën botë unë e ti.

Mos iu trëmb magjive të Circit
as inatit të tërbuar të Poseidonit,
njeri,
furtuna e valës na mblodhi në këto brigje
kurbeti i zi na ngjeshi pas telave me gjëmba
pa mëshirshëm dallga na bie me kamzhig.

Po vjeshta akoma nuk dorëzohet
gjithë qenia e saj zhytet në heshtje sublim
gjallesa nuk mundet të mbyll sy,
diçka përgatitet,
shpresa nuk mbytet me një pikë lot-shi.
E çfarë në se
Ç’farë në se dua të dashuroj një grua
kur burrat s’mund të durojnë minutën, me mua
me budallallëqet e mia e quan kohën e humbur

kur me të qeshura me lot ia mbush pjatat dhe kupat.

E çfarë në se nuk më dashuron kjo që jam asnjë mashkull
as dua të jem një kukull Barbi në të tijat duar
nuk dua të më përkëdhelë ashtu si unë tenxheren kruaj
mos ti bëhet vonë kur tigani fle me pjatat në lavaman të palara.

E ç’farë në se dua të dashuroj një grua tjetërsua
një nga ato gratë e mbyllura që s’dalin as tek pragu
femër të palyer ,pa taka , jashtë mode, me nallane
një nga ato që luajnë tragjedi – komedi pa letër përpara.

E çfarë në se bie në dashuri me një të tillë grua…
Për ty Afroviti
bija ime,
jetojmë në kohën e Kaosit,
dashurinë tënde, pika më e dobët e shpirtit tim
nuk e duan më, e vjellin,
edhe po ta falësh pa asnjë interes,
quhesh viktimë e sëmundjes së shekullit.

Biri im,gëzoju mikes
shoqes së zemrës, dashurisë fisnike
pa u kapur nga mikrobi që është në qarkullim
ku ndjenjat janë daun pa emocione.

fëmijtë e mi,
nuk perëndojnë dashuritë e vërteta,
i mbyllën sytë perëndeshat e antikitetit
po Afroviti, perëndesha e dashurisë,
thonë,
po kthehet fitimtare nga ndeshja.
Festa e qenve bastardë
Sot është festa ime, miq, shoqe e shokë
festojmë ne, qentë e rrugëve,
që s’na del njeri për zot.

Sot festojmë ne qentë,
sepse na varën në qafë nga një letër të bardhë
ku shkruhej: “Mos i prekni me dorë,
janë të sëmurë,
vetëm brenda përbrenda kufirit mund të qarkullojnë.
Kujdes, si të paligjshëm që janë, mund të kafshojnë.”

Sot është festa jonë, miq
e qenve pa zot,
po ju mos e vrisni shumë mendjen,
me ç’dhurata do t’na bëni suprizë,
kush do ta sjellë turtën, me qirinjtë mbi të,
cila meze do të mbizotërojë,
sepse ata e dinë ashtu siç u shpreh një zonjë :
“Ata kanë të hanë, gjejnë,
si qenie nga vendet e botës së tretë,
nuk kanë nevojë.”

Sot festojmë ne bastardët,
sepse askush nuk mundi të bëjë për ne një gjë.
Eja miq e shokë së bashku të festojmë
me atë lejen e bardhë, që na varën si dekoratë në gjoks,
sepse ne jemi të lumtur kur jemi të lirë në botë.

Sot po ju pres në festën time miq edhe shokë
ta tundim,
sot që këtu nuk kanë të ngopur ata
kush për ne qentë pa zot do të mendojë.
Ejani,
ta djegim, në festën tonë
këtë botë.
Prill 20114

Natyrë e përvuajtur

Prilli im,
më i vështiri, një adoleshent i vërtetë
edhe pse për pjekuri e mban veten e vet
vështrim prej babadimri,
buzëqeshje mbirë sythash në njomishtet degë
ngrohtësi ngjyrash, aromë parfumi mbjellë
po ajo hëna, me zemrën e gjakosur si hesht
në qiellin det, me yjet që u derdhen lotët rrëke.
Oh, Prilli im, i gënjeshtër,
zhgënjim, ç’gjëndër, një marrëzi e vërtetë
si më vure të gjallë në dhe,
po cilat vargje me këto duar të hedh?
Prilli, im,
u plasën vezët kur u ngjyen nga gjaku i Hënës
për Pashkët që po afrohen gjithë plagë-dhimbje
nga Java e Madhe ngjirur nga vajet me ligje për Atë,
birin tënd që këtu e vite nuk po ringjallet,
prej mëkatarëve.
U prish koha,
qielli u er,
Era e re i rëzoi të gjitha petalet,
i hodhi në shesh
vetëm paparuna ka mbetur në mesfushë atje
me fustanin e kuq
e me sytë e zes që i rrotullon andej këtej
duke kërrusur e mbledhur supet e vet
pyet me kureshtje kalimtarët:

Përse bien kambanat këtë mëngjes
një fund epoke është,
apo po vjen ringjallja e vërtetë???

Teuta Sadiku
Greqi, Prill 2014