Stateless (Pa shtet!)

0
38

Nga Mimoza Dervishi, 9 Mars 2013

Në rrugën e hijshme të ambasadave në Uashington, DC, sheh ndërtesa me flamuj të ndryshëm, simbole të shteteve të botës, shtete të mëdhenj e të vegjël, të botës së parë dhe të të gjitha bojërave që vijnë pas, demokratike, komuniste, dhe atyre që qëndrojnë midis. Janë seli diplomatike, që në një mënyrë a tjetër kanë të shkruar në ballë vendin që përfaqësojnë.

Ajo që të bën përshtypje është, se edhe shtete të padëgjuara, të një bote të tretë, me mjaft halle e derte, janë kandisur të kenë një ambasadë të hairit në qendrën diplomatike të botës.

Shtëpia diplomatike shqiptare, (e quaj shtëpi pasi e tillë ishte) ekziston në një kryqëzim të bukur rrugësh në Dupon Circle.

Problemi im më i madh me këtë ambasadë, nuk ka pasur të bëjë me madhësinë, hijeshinë apo ngjyrën, por ka qenë dhe mbetet, mënyra si ajo funksionon, njerëzit që punësohen aty dhe në një shikim më romantik çfarë përfaqëson ambasada e dheut amë, në tokën e fëmijëve të mi.

Sigurisht nuk më duhej të lexoja letrën e ambasadorit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, për të kuptuar se ne shqiptarët nuk kemi më ambasadë. Ka kohë që, kur pyes se ku është fizikisht selia jonë diplomatike në Uashington, më thonë, diku në një pallat me qira. Me kaq, s’ma ka enda ta gjej atë pallatin me qira dhe çdo diskutim është i kotë bashkë me patetizmin e lodhshëm dhe shumëpërsëritshëm të llojit: çfarë turpi i vërtetë që kjo ambasadë s’ka pastruese apo shofer, apo lekë për të paguar qiranë.

Personalisht edhe kur ambasada kishte një shtëpi, një derë dhe një flamur aty sipër, edhe me pastruese, edhe me shofer, ndjesia që kam pasur ishte trishtuese, jam ndjerë pa shtet. Stateless! Njësoj sikur të ecësh në rrugë pa këpucë, pa taban.

Dhe kjo ndjesi godet e rrëzon përtokë çdo lloj krenarizmi, nacionalizmi apo budallallëku të kësaj fushe. Po ashtu e di që shumë shqiptarë brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë, ndjehen përditë e më shumë stateless. Në fund të fundit Shqipëria po jeton erën e Mulit të “Antenës”. Dhe me “erë”, kam parasysh fjalën epokë ose katandisje, bëni zgjidhjen vetë kush shkon më përshtat.

Shërbimi diplomatik është konsideruar nga Tirana zyrtare këto 20 vitet e fundit, si një fole qokash për far e fis dhe me pak më shumë fat, ka ndonjë vend dhe për komshiun e ministrit në katin e pestë. Në fund të fundit, shofer do punojë. Ambasadat janë parë si azile për të lënë vendin, për një të ardhme për fëmijët, si një mundësi për të emigruar butë, jo si emigrant fillimisht dhe jo ilegal. Dhe kaq është shumë, goxha shumë, po të kesh parasysh historinë shqiptare të emigracionit. Ambasadat gjithashtu ndryshojnë ngjyrën politike sa herë ndërron pushteti, dhe kjo është e natyrshme, sepse në fund të fundit në një demokraci normale, disa poste janë politike dhe disa të tjera veç teknike. Nuk më vjen mirë por nuk befasohem aspak kur socialistët që kanë ardhur në Uashington gjate këtyre 8 viteve, as janë begenisur nga ambasada, as janë ndihmuar a shoqëruar.

Më është dukur shumë qesharake, që kur jam ndodhur për një kafe me syresh të tillë, kam parë si kanë ndërruar rrugë apo janë fshehur punonjës të ambasadës, se mos padashje shiheshin me “armiqtë” duke folur. Dhe këtu po flas për kohërat kur ajo shtëpia aty në Dupon Circle merrte frymë akoma. Keq sigurisht, në verë ishte më freskët të rrije jashtë, dhe në dimër ishte më ftohtë të rrije brenda. Gjithmonë jam çuditur, sesi mund ta sjellësh mjerimin e Shqipërisë, pa ngrohje në dimër dhe pa ftohje në verë, mu në qendër të Uashingtonit. Këtu dhe të duash nuk ke mundësi të importosh mangësi të tilla! Por ja që me selinë e ambasadës tonë ia kanë arritur, e lanë të katandisej për faqe të zezë, deri sa u bë krejtësisht e pabanueshme.

E mira do ishte, që diskutimi rreth shërbimit diplomatik mos merrte shkas dhe më tej të kufizohej thjesht me faktin: në ka pastruese apo jo, por çfarë shërbimi është ky shërbim dhe si duhet të ishte. Shqiptarët paguajnë taksa dhe besoj duhet tu dhëmbë që shërbimet tona diplomatike janë thjesht fasada kur mbahen me bukë ca njerëz. Kështu nga një këndvështrim populist, më mirë këto shërbime mos ekzistonin fare. Dhe nuk ma do mendja që dikush që merr bukën me listë, kur lexon një lajm të tillë të keqkatandisjes së një selie të ambasadës, do ti bënte shumë përshtypje, apo do ja qante hallin atyre që punojnë aty. Po nuk është këtu fjala. Çështja është që ne duhet të përfaqësohemi denjësisht, nëse jemi të tillë. E pra, nuk jemi. Ne duhet të tregojmë që kemi shtet, nëse kemi. E pra, nuk e kemi. Letra e ambasadorit thjesht sa na konfirmoi një të vërtetë që e dinim, thjesht shtoi një rresht në listën e gjatë pse sot jemi pa shtet.

Një mendje ma thotë, që sikur ambasada të kishte kërkuar ndihmë nga emigrantët e këtushëm, me siguri do t’i kishte mbledhur ca fonde të mjaftueshme për të rikonstruktuar godinën aktuale. Pa korrupsion. Por nga ana tjetër mendoj që pavarësisht se, emigrantët kudo qofshin, e shohin selinë e ambasadës së tyre, sikur shohin një copë toke të atdheut, e njëjta dashuri nuk ekziston nga krahu tjetër. Nuk është një marrëdhënie e ndërsjellët. Ambasada nuk u ka shërbyer për asgjë emigrantëve. Di që organizohet një festë për pavarësinë njëherë në vit, nuk di kush ftohet, nuk di kush shkon dhe vetëm kaq.

Di gjithashtu që dikur, kur Fatos Nano ende kryeministër erdhi për vizitë, gjithë stafi u angazhua si të akomodonte bashkëshorten e tij, të gjithë të shqetësuar dhe të frikësuar, se ku do ulej ajo, a do t’i pëlqente vendi që do t’i caktonin nëpër takimet e të shoqit, kush do ta shoqëronte nëpër butikë e të tjera idiotësira të këtij niveli. Jo diplomatik sigurisht. Nuk kam shumë informacion se ç’bëjnë e si tronditen kur vjen kryeministri aktual, se që kur erdhi në pushtet PD, unë kalova automatikisht në krahun armik. Se kur arrijnë të bartin mungesën e kushteve minimale të jetesës nga Shqipëria në Uashington, e imagjinoni sa e lehtë është mbartja e mentalitetit militant.

Kam pasur vetëm një rast marsin e shkuar, të jem në të njëjtën tryezë diskutimi mbi Shqipërinë, mes shumë të tjerëve edhe me një përfaqësues të ambasadës, në Institutin Demokratik Amerikan. Nuk ia mbaj mend emrin, vetëm pasi foli mora vesh që vinte nga ambasada. Por mbaj mend që u diskutuan zgjedhjet, dhe në mes të fjalëve të qëruara me kujdes nga të gjithë të pranishmit, unë thashë atë që mendoja, që Berisha do t’i vjedhë sërish zgjedhjet, dhe i bëra pyetjen Edi Ramës se si do t’i mbronte ato. Përfaqësuesi i ambasadës u ndje tepër i fyer nga komenti im dhe bëri dhe ai të vetin. Mu bë qejfi, që kishim përfaqësues të shtetit dhe që ambasada merrte akoma frymë me qira. Të tjerat, ato çfarë tha e çfarë u mundua të justifikonte, s’kishin pikë rëndësie, madje më erdhi keq, që i ra atij barra, aq e pambajtshme të mbronte një njeri, që vret dhe vjedh. Po kjo është çështje tjetër. Shpresoj që ai i ziu, të paktën të ketë marrë rrogën këto kohë dhe mos ndjehet si dikush që përfaqëson një shtet pa shtet.

Në fund të fundit, ne të gjithë duam të kemi një ambasadë për të qenë, por nga jashtë dhe brenda. Diskutimi i sapohapur për të cilin kane reaguar dhe disa ish- diplomatë, përqendrohet vetëm në pamjen e jashtme të ambasadës dhe kur shkon brenda, shkon deri tek pastrimi i banjave. Nuk është kjo çështja.