Robert Papa: Një doktor mbyti Arben Brocin në spital, vrasjet e 2 Prillit pazar mes Sali Berishës, Ramiz Alisë dhe agjenturës serbe

0
60

Vrasjet e 2 Prillit 1991 ishin produkt dhe pasojë e pazareve të Ramiz Alisë, Sali Berishës dhe agjenturave serbe, ndërsa martiri i demokracisë, Arben Broci, i cili u vra me armët e forcave të sigurisë, u mbyt në spital me urdhër, ku disa mjekë i hoqën tubat e oksigjenit. Kështu e lexon ngjarjen e 2 Prillit publicisti i njohur Robert Papa, i cili sjell për herë të parë detaje nga vrasjet e fundit të regjimit komunist. Papa, për herë të parë hedh dyshime se Arben Broci mbërriti i gjallë në spital, madje edhe mund të kishte shpëtuar, por një mjek ose një grup mjekësh i ndërprenë ndihmën. “2 Prilli mbetet enigmatik. Thuhet se Broci mbërrit i gjallë në spital dhe aty disa (ose një doktor) ndërhyri duke i hequr tubat dhe duke mos i dhënë ndihmën.

Kujt i duhej i vdekur Broci? Kush përfitoi pas vdekjes së tij? Më 2 prill Këshilli Presidencial ka qenë në mbledhje. Duhet zbardhur çfarë është vendosur aty. Pse plumbat nuk ishin nga plumbat e policisë? A kanë gisht agjenturat serbe? A pati një spostim të Brocit? Protestuesit ishin me kurriz nga Komiteti i Partisë kur u hap zjarr? Pse një plumb ishte nga anash? Një enigme që nuk e kam zgjidhur dot. Pati shume thashethemnaja: Sikur vrasjet i deshte PD-ja, sikur Brocin e hoqën nga drejtimi. Nuk dua t’i besoj se ishte fillimi dhe në PD dhe nuk kishte aq “mjeshtëri” vrasjesh, sikundër ishin mjeshtërit e PPSH-se. Por a kishte pak nga ish PPSH-ja te PD-ja? Kishte”, ka deklaruar Papa.

Roli i Berishës dhe Ramiz Alisë

Publicisti Papa ka komentuar gjithashtu edhe rolin e Sali Berishës dhe të Ramiz Alisë në ngjarjen e 2 Prillit. Alia kishte kërcënuar që ta nxirrte jashtë ligji PD kur u hodh busti dhe arriti pazarin me Berishën më 20 Shkurt. Kujt i duhej 2 Prilli, masakra e përgjakshme? Çfarë pakti kishte mes Berishës dhe Alisë? Enigma vazhdon, por Shkodra mban mend se si dogji Komitetin e Partisë, duke kujtuar se PPSH-ja do zhdukej nga skena politike, por gabuan sepse PPSH-ja kishte “të përzgjedhurit” e saj në drejtimin e PD, që do luante lojën e Alisë deri në fund. Kulmi do arrinte me koalicionin me Metën, pjesën më të kuqe të ish-PPSH-së. Jo vonë, PD do hyjë në koalicion me PS. (A nuk e ndërruan Kushtetutën bashkë? A e dini se kush e shoqëroi Ramiz Alinë në shtëpinë e martirëve? Ishte Dritëro Agolli. Ai duhet të flasë se jo më kot e morri Alia me vete”, ka deklaruar Papa.

Përgjegjësit

Robert Papa ka komentuar edhe përgjegjësit dhe farsën gjyqësore për vrasjet e 2 Prillit. “Masakra e Shkodrës është e rëndë! Ende nuk janë dënuar përgjegjësit, ekzekutuesit dhe nuk u bë analiza e saktë e plumbave vrasëse. Është krim politik, por pa vrasës të dënuar. PD nuk e kontrolloi dot popullin të dilte para Komitetit të Partisë për të protestuar. Djegia e Komitetit të Partisë ishte diçka që duhej të kishte ndodhur në Tiranë. Sipas një analize të CIA, në një përmbysje me dhune në Shqipëri, mendohej të vriteshin 300 vetë nga Byroja, Komitetit Qendror dhe veglat e tyre, por kjo nuk ndodhi, pasi pazaret e Berishës me Alinë më 20 shkurt në zyrën e Alisë kur rrezohej busti, garantuan kalimin paqësor. Shkodra ishte një shembull së kriminelet mund të vriteshin dhe përmbysja të bëhej me revolucion”, tha Papa.

Lije Broci, nëna e Arben Brocit

Kam njohur atë që vrau djalin tim. E kam njohur ashtu si rastësisht, personin që ka shtënë mbi djalin tim. Kur dolën nga takimi, Beni më tregoi se Ramiz Alia i kishte kapur lehtë flokët. Ishte si veprimet e Enver Hoxhës, që u rrihte shpatullat atyre që donte t’i eliminonte. Beni e kishte kuptuar këtë fakt dhe e ruajtën rastin në 2 prill. Edhe sikur të më shtrojnë me ar të gjithë Shqipërinë nga Vermoshi në Konispol, nuk e fal gjakun e tim biri. Ramizi më pyeti, nëse e dinte njeri tjetër, faktin që ajo që gjendej në takim. I thashë, se kam biseduar me doktorin, (Berishën) dhe se kanë ardhur me mua të paktën 2 mijë shkodranë. I thashë Ramizit, se dhe një fije floku po të më preket, do të bëhet nami në Tiranë. Kur dola prej takimit dhe shkova në Shkodër, nuk kam folur me askënd deri sa mbërrita në shtëpi. Kërkoj hapjen e dosjes së atij krimi, nuk më japin këtë të drejtë.

Topalli akuzoi Ramën dhe Ruçin për vrasjet e 2 Prillit

Qoftë edhe dje në një hartim të tij, ai që bën çdo ditë ciu-ciu në Tuitter-in e tij, fliste për të përndjekurit, ashtu siç fliste Nexhmije Hoxha 10 ditë më përpara. Kjo të bën që të mendosh se ato sa herë bëjnë Refresh në fakt kthehen 20 vite më përpara. Gramoz Ruci thotë se nuk jam Gramoz Ruci, ai Ministër i Brendshëm që vrau katër djem 20 vite më përpara. Edvin Rama thotë se nuk jam djali i Kristaq Ramës i fundit që firmosi për vrasjen e një poeti. Femi Avdiu thotë se nuk jam ai që firmosi me dorën e tij vrasjen e Avzi Nelës. Janë data të cilat kanë bërë kthesa në historinë tonë.

Ja çfarë tha Berisha

“Sot ne jemi mbledhur në 20 vjetorin e flijimit të martirëve të Shkodrës, martirëve të 2 prillit, për t’u përulur me nderimin më të madh para veprës dhe sakrificës së tyre sublime, për të shprehur ndaj tyre mirënjohjen tonë më të thellë, për të shprehur ndaj familjeve të tyre falënderimet tona më të përzemërta. Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka mbyllën sytë dhe u ndanë nga ne 2i vjet më parë, në një betejë barbare të regjimit stalinist të bllokmenëve, të cilët zgjodhën Shkodrën, gjakun e të rinjve të saj për të festuar zgjedhjet e dhunuara. Klika Alia-Ruçi mendoi se më 31 mars kaloi rubikonin dhe se do mund të vazhdonte së bashku me Sllobodanin në Beograd, të shtypnin qytetarët shqiptarë.

Ish kryehetuesi i regjimit komunist Qemal Lame

Policia ishte ekzekutorja e urdhrit. Autorët e dhënies së urdhrit për këtë masakër nuk ishin në Shkodër. Hetuesia duhej të ndeshej me pushtetin e autorëve, që kishin drejtimin e shtetit dhe vendosnin direkt për fatin e hetuesve. Detyra për hetimin ishte shumë e vështirë dhe përbënte provën dhe sfidën më të madhe të drejtësisë ndaj krimit të organizuar shtetëror të realizuar brutalisht dhe publikisht. Kërkohej të vepronim me zgjuarsi dhe të gjitha mundësitë për zbatimin e ligjit dhe realizimin e drejtësisë në emër të popullit. Isha i vendosur të realizoja detyrën. Kisha besim në mbështetjen e hetuesve. Vendosa dhe urdhërova fillimin e çështjes penale për ngjarjen 2 prill 1991. Kërkova në telefon kryetarin e hetuesisë së rrethit. Nuk mund të lidhesha, pasi nuk ishte në zyrë. Porosita radistin që ta lajmëronte për të më marrë në telefon. Ministria e Punëve të Brendshme nuk na dha të dhëna sipas ligjit dhe sipas kërkesës sime direkte. I vetmi informacion në hetuesi mbetej njoftimi në televizion si për gjithë opinionin publik. Qëndrimi i përbashkët i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Këshillit Presidencial. /Adriatik Doçi