Nga Ylber Vokshi-Ylli*
I mirëseardhur ishte njoftimi i datës 19 janar se në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është aprovuar vendimi i Komitetit Ndërministror për ta shpallur fitues konsorciumin Bechtel&Enka për ndërtimin e autostradës Morinë – Prishtinë – Merdare. Të gjithë ata që e dinë rëndësinë e saj, pa marrë parasysh koston e madhe të saj, e kanë pranuar këtë lajm.
Por ka disa çështje teknike që duhen sqaruar para fillimit të punimeve, gjegjësisht nënshkrimit të kontratës me ekzekutuesin kryesor të punimeve.
Pas vitit 1999 kjo shoqëri kishte kohë të hulumtonte, të analizonte të planifikonte me baza shkencore trasenë e rrugës, duke angazhuar dhe paguar të gjithë ekspertët e fushave që trajtojnë këtë problematikë, e jo të kemi dilema se nga duhet të kalojë kjo rrugë, sot kur është zgjedhur ekzekutuesi.
Janë shpenzuar miliona të shumta nga buxheti i Kosovës në vitet e pas luftës vetëm për projektimin e kësaj rruge, por rezultoi se ato projekte kishin mangësi të mëdha (gjeo-mekanike).
Iu nevojitën qeverisë aktuale gati dy vite të kompletohet projekti, e sot dilet me propozime të reja për devijimin e trasesë së autostradës. Ndoshta propozimi i ri është më i leverdishëm nga aspekti ekonomik, ka shumë arsye hapësinore konstruktive përse duhet të pësojë ndryshime traseja e rrugës, por të gjitha këto do të duhej të parashiheshin me kohë para shpalljes së fituesit. Kjo do të rrisë koston e investimit, pasi me improvizime nuk bëhen këto investime kapitale për çdo shtet, e lëre më për shtetin më të varfër në Evropë, Kosovën.
E kam obligim moral qytetar të theksoj rëndësinë e angazhimit të ekspertëve të planifikimit hapësinor, të cilëve as që iu është lejuar të shohin projektin e mëparshëm (viti 2005), pasi rrugët kanë ndikime të mëdha në hapësirë dhe janë ndotësit më të mëdhenj të mjedisit. Ekspertiza e tyre do të ishte kryesore në këto çështje, posaçërisht caktimi përfundimtar i trasesë së autostradës. Të gjitha këto elemente do të duhej të ishin të inkorporuara në propozimin për Planin Hapësinor të Kosovës 2010-2020, ende të paaprovuar, e që duhet të jetë në pajtim edhe me planet e komunave që do të ndikonin në funksionalizimin e tërësisë territoriale të një shteti të ri siç është Kosova.
Arsyetimet hapësinore të bëra këtyre ditëve nga ana e MTPT janë të pa qëndrueshme, ndoshta ashtu kanë informuar ekspertët e tyre, por jo edhe ekspertët e planifikimit hapësinor. Publikisht ministri deklaron se traseja e re do të jetë e favorshme edhe për Gjakovën. Si mundet të ketë leverdi popullata e Gjakovës të hyjë në autostradë te nyja e Orllatit, kur e ka hyrjen në autostradë shumë ma afër (Prizrenin). Është krejt çështje tjetër atraktiviteti turistik i udhëtimeve, me vizura magjepse në Ballkanin e nëpërkëmbur, që ofron në të ardhmen për popullatën e Rrafshit të Dukagjinit dhe të tërë Kosovës rruga e liqenit artificial të Fierzës me trajekt deri në det.
Nuk bënë të ndryshohet traseja e rrugës sipas arsyetimeve formale të ndonjë grupacioni apo konsorciumi pa pasur arsye të fortë teknike dhe ekonomike (fizibiliteti). Kjo kërkon një punë të mundimshme teknike, e cila kërkon kohë në përpilimin e projektit të ri, përndryshe kjo shoqëri do të ketë dëme të mëdha në aspektin ekonomik dhe social.
Kishte shumë dilema se si do të realizohet ky projekt madhor për të gjithë ne. Rëndësia e saj, duke filluar nga aspekti gjeostrategjik e gjer te ai kryesori ekonomik dhe mbarë kombëtar, është e tepërt për tu diskutuar, pasi të gjitha analizat nga aspekti i planifikimit hapësinor tregojnë një gjë të tillë. Të gjithë indikatorët hapësinor tregojnë një qasje konstruktive për ndërtimin e kësaj rruge shumë të rëndësishme për Kosovën dhe për Evropën Juglindore në tërësi pa marr parasysh “prishjen e dhimbshme” të disa monopoleve të huaja greko-sllave.
A duhet punuar sipas sistemit “projekto-ndërto”, rasti i Shqipërisë, i cili ende nuk është përfunduar dhe i kushtoi shumë shtrenjtë shtetit shqiptar, por rrethanat e brendshme atje ishin tmerrësisht ndryshe, të pakrahasueshme me rrethanat e sotme në Kosovë. Është e pamundur, shumë vështirë të caktohet kostoja përderisa nuk dihet tërë projekti dhe terreni kah duhet të kalojë rruga. Eksperienca e shumicës së shteteve të ndryshme në botë (edhe në kontinentin e Afrikës), vërteton se së pari duhet të përpilohet projekti se nga duhet të kalojë rruga, ndikimet pozitive dhe negative të ndërtimit në të gjitha fushat e jetës, sa do të kushtojë me tolerancën e lejueshme ligjore, burimet e financimit, për të mos lejuar manipulimet e ndryshme shumë të dëmshme.
Ky është një problem kronik me të cilin ballafaqohet e tërë shoqëria kosovare. Kjo mënyrë e veprimeve tona, bazuar ekskluzivisht në interesat partiake lokale dhe personale, duke izoluar ekspertët e panumërt në Kosovë, do t’i hakmerret kësaj shoqërie në të ardhmen. Mos lejoni që të manipulohet i tërë një popull me veprime të ulëta me të cilët do ta pësojë e tërë shoqëria kosovare. Për të gjitha çështjet kryesore duhet transparenca të duhur nga ana e vendimmarrësve në qeverinë tonë, që nga kontraktimi i punëve deri në përfundimin e tyre pas 36 muajve.
Politizimi i projektit nuk na duhet sic po tentojnë disa parti politike, duhet shikuar vetë eksperiencat e shteteve të rajonit e më gjërë gjatë shekullit të kaluar për të gjykuar drejt. Le të anashkalohen interesat e grupeve të caktuara të interesit. Të shikohet së pari interesi ekonomik e pastaj ai integrues, duke mos harruar qëllimet e mirëfillta gjeopolitike mbarëkombëtare pasi jemi të vonuar shumë në të dy anët e kufirit në të gjitha fushat e jetës.
* Ish zyrtar i lartë në MMPH të Kosovës në Departamentin e Planifikimit Hapësinor (udhëheqës i Divizionit të Hulumtimeve-Planifikimi Qendror)







