Me rastin e 69 vjetorit të Masakrës se Tivarit (1945)
Ismet Hasani
Pak si parathënie, pak si hyrje
*Një nga tragjeditë e mëdha të jetës, që të bën të dëshprohesh është dhe ajo dhëmbshuria e përzemërt ndaj nënës e babait, vëllait e motrës, ndaj fëmijve, që të kanë dashur e i ké dashur aq shumë dhe në një moment kur nuk e pret, ndodhë ndarja nga të gjithë, me të cilët nuk do të shihesh kurrë më në jetë.
*Tri gjëra janë të vështira në jetën e njeriut: të shohesh, të dëgjosh dhe të heshtesh!
*E vërteta, liria dhe viryti*, janë tri gjëra për të cilat duhet ta duam jetën! *(me virtyt nënkuptojmë vetitë, cilësitë dhe veçoritë e mira që posedon njeriu).
*Është mburrje, krenari dhe kënaqësi kur mëson se nga një vend i vogël, nga gjiri i një populli të vogël lind një njeri i cili me kohë bëhet i madh dhe i njohur dhe me veprën e tij bëhet i pavdekshëm dhe po ky njeri e bën të madh e të njohur vendin dhe popullin e vet.
…
Musë Mahmuti – Botusha
(1922 –1998)Tivar, vend i gjakatarëve,
Tivar, vend krimi…
Tivar, varri më i madh i shqiptarëve!
Tivar, vendi më i zi – Në Ma ltë Zi
I deportuat nga Prizreni, nëpër Shqipni!
I torturuat rrugës, i vratë, i rrahet…
I lat’ pa duart’, pa këmbët e pa krahët…
I ”lejonit” të kroi, ujë me pi
I gjykonit–breshër plumbash përmbi!
I lat’ pa bukë e pa ujë…
I mbytët në ujë, pa guxuar të pinë ujë!…
Ata që ju i sakatuat, e i bërët ”çyryk”* *pa aftë
Ata ”çyrykët” i ”shëruat” me nga plumb në fyt
I deportuat në Tivar me i vrá e mbyt’!
Atje… ku nuk ndihet gjëmimi as zani
Atje… ku iu humbë “nami e nishani!”
Atje… me i humbë pa shenj’ pa dokë
Atje… si lulet e livadhit i kositët për tokë
Atje… në deti, me plisa t’bardhë në kokë
Atje… të vdekur e të gjallë i futët në tokë!
Atje… kundërmon erë prej barotit
Atje… vend i mallkuar prej Zotit!
Kudo gjak, gjak shqiptari
”Lulet e njoma” u “kositen” si bari!
Nga këto lule të kuqe po rrjedh gjak
Xhelatëve e vrastarëve, s’ju dhimbsen aspak!
Atje…edhe rrezet e diellit janë përgjakura
Gjaku i”luleve të kuqe”…
…si gejzer’- deri në qiell
Depërton mbi rétë nën diell
Në Tivar, kudo…edhe çosheve të ”sokakut”* *rrugës
Pamëshirshëm ngulfatë era e gjakut!
Trupat e vrarë, ende duke u dridhur
Në Tivar fshehet një pjesë jete e hidhur!
Për Tivarin… të shkruhen fletë në histori
Të historisë s’ime dhe historisë së shokëve të mi…!
(Musë Bali Mahmuti, dëshmitar i shpëtuar nga Tivari)
*Plagët e zemrës kanë këto veçori: fshihen, por nuk mbyllen, ato dhëmbin kah të lyhen dhe janë gjithmonë gati të lëshojnë gjak, sapo të prekën, se ngelen të gjalla e të hapura brenda në zemër! Në fatkeqësi, njeriu është ai që di t’i durojë ato.
*Brengat e mëdhaja janë të heshtura.
*Nënave e baballarëve, vëllezërve e motrave shqiptare iu mbetet njëra nga detyrat më të rënda që i takon njeriut të drejtë, që të shkulin vazhdimisht nga shpirti i tyre një keqdashje që mezi zhduket.
*
Trego mirësjellje e respekt ndaj më të vjetërve, sepse po kështu do të sjellen të tjerët edhe ndaj teje kur të plakësh! (autori)
Kam pas për synim kaherë, që në shkrimin tim mbi Masakrën e Tivarit – Tragjedinë më të madhe Shqiptare të gjarë më 1945, të akceptoj e theksoj me emër e mbiemër pjesëmarrës e dëshmitarë që i kanë shpëtuar kësaj masakre, që janë gjallë dhe të kthjellët nga mendja për të treguar mbi përjetimet e veta qysh nga pikënisja për në rrugën e pakthim, për në ”varrin e madh të shqiptarëve”, për rrugëtimin e tyre për të mos u kthyer kurrë më të gjallë…
Kam bërë përpjekje që në këtë shkrim, sa të prekshëm e të përmallshëm për shumë zemra nënash, baballarësh, vëllezërve e motrave… të përfshijë një njeri, pjesëmarrës i kësaj tragjedie, dëshmitar i gjallë deri në vitin 1998, për shumëçka të veçantë.
Ky është Musë Bali Mahmuti nga”Reka e Keqe” e Dukagjinit – fshati Botushë i Gjakovës, i cili ishte pjesëmarrës në masakrën e Tivarit të kryer ndaj shqiptarëve në mars e prill të vitit 1945, dhe si i shpëtuar i masakrës ishte dëshmitar i gjallë gjerë në vitin 1998, kur dhe u largua nga kjo botë, duke mos marrë asgjë me veti…, por duke na lënë një dëshmi, argument dhe provë materiale e burimore me vlerë kapitale, një letër-shkrim origjinal, në formë testamenti e ”amaneti”, që për herë të parë publikohet.
Musë Bali Mahmuti, mbajti më gjatë së 53 vite në zemër, shpirt e në mendje një barë të rëndë e tejet të padurueshme, të përjetuar kur ishte në hovim e rritjës së shtatit, në lulën e rinisë. Pas 53 vitesh heshtjeje – prej vitit 1945 kur ndodhi masakra në Tivar në të cilën ishte pjesëmarrës më mijëra të rinjë shqitparë e gjerë në vitin 1990 mbajti këtë barrë, paparashikueshëm të rëndë, në shtërngimin e zemrës, të shpirtit e të mendjes, duke mos e hequr asnjëherë dhe për asnjë moment të menduarit në të. Dhe, në një moment të papërceptuar kurrë më parë, vendosi që të mos hesht më, vendosi që ta largoj njëherë e për gjithmonë këtë barrë tejet të rëndë që ka rënduar mbi kokën dhe tërë trupin e tij plot 53 vite. Vendosi të flasë, vendosi të tregoj të vërtetën e madhe mbi masakrën më të madhe ndaj shqiptarëve me përmasa ballkanike, të kryer në vitin 1945 në Tivar të malit të Zi, për të cilën, përveçse tjerave, thotë se:
”…Tivari i Malit të Zi ishte ”varri më i madh në botë i hapur e i gatitur enkas për ”regrutët e rinjë shqiptarë” të deportuar me dhunë prej pikëtakimit-grumbullimit në Prizren (ku i kanë ç’armatosur) e nëpër Shqipni, tërë rrugën duke ecur në këmbë të zdeshur e të zbathur, të torturuar me metodat më barbare, të pa ngrënë e të pa pi … duke ”iu grahë” si shtazëve deri në vend-caktimin për vrasje, mbytje dhe masakrimi të tyre – në Tivar, histori e vërtetë e tij dhe e mijëra shokëve të tij, por që mbeti e pahulumtuar dhe e pa zbuluar kurrë…!”(Musë Bali Mahmuti)
E përse Musë Bali Mahmuti, me prejardhje nga Botusha e Gjakovës, ka heshtur e ka heshtur kaq shumë vite, do të kuptohet duke ndjekur me kujdes dhe vëmendje të përqendruar fillim e fund rrëfimin tejet rrënqethës te këtij pjesëmarrësi e dëshmitari të shpëtuar nga kjo masakër.
Por që në fillim po i vendosim vetëm dy fjali të theksuara nga Musë Bali Mahmuti, e të lëna si testament e ”amanet”- porosi.
E pra, Musë Bali Mahmutit sa ishte në jetë, në moshën 68 vjeçare i tha këto fjalë që mund të konsiderohen të famshme, ngase peshojnë rëndë:
E para, (1) ”Një nga tragjeditë e mëdha të jetës, që të bën të dëshprohesh është dhe ajo dhëmbshuria e përzemërt ndaj nënës e babait, vëllait e motrës, ndaj fëmijve e familjës e ndaj shokëve, që të kanë dashur e i ké dashur aq shumë dhe në një moment të papritur, ndodhë ndarja nga të gjithë, me të cilët nuk do të shihesh kurrë më në jetë! O burra e ju djemtë e ri, merrmni vesh çka po ju them se kjo është e Tmerrshme për mendjen e njeriut, të atij njeriu që posedon ndjenja shpirtërore!” dhe fjalia tjetër e tij:
E dyta, (2) ”Nënave e baballarëve, vëllezërve e motrave shqiptare iu mbetet njëra nga detyrat më të rënda që i takon njeriut të drejtë, që të largojnë vazhdimisht nga zemra, nga shpirti dhe nga mendja e tyre një keqdashje që mezi zhduket!…Burra! Dhe ju që tek jeni më të rinjë, mbani në mend se edhe kjo, si ajo e para, pëshon shumë e rëndë!”
(Musë Bali Mahmuti, më 2 nëndor 1990)
Opinioni i autorit
Në qoftë se ndaj një njeriu të caktuar nuk ke tregua respekt të veçantë e në vazhdimësi edhe mirësjellje të shtuar, sepse nuk e ké njohur thellësisht veprën e tij madhore sa ka qenë gjallë, atëherë këtij njeriu bëri nderim për së vdekuri, duke bërë një vepër të mirë për te! Po ashtu, bër përpjekje të qëllimta që të qetësosh e rehabilitosh më të afërmit e tij, atëherë, me këtë, edhe për të vdekurin ké bërë një shërbim! (autori)
Kisha për synim e qëllim të sinqertë dhe bëra përpjekje që kur të bëj shkrimin mbi Masakrën e Tivarit të akceptoj me emër e mbiemër pjesëmarrës e dëshmitarë të gjallë të kësaj masakre, të cilët janë ende në jetë e me mendje të kthjellët, edhepse mosha e tyre tash i kalon të 90-tat. Por vitet kalonin dhe , e hetova se të tillët janë të rrallë apo nuk janë më në jetë. Duke menduar gjatë, se a ka kush të më tregojë se ku, në cilin vend, në cillën shtëpi, në cilën kullë do e gjejë ndonjënin nga ta dhe se a do ta gjejë fare (!?), m’u kujtua kjo ndodhi:
Shkon njoni e po thirrë në derë t’aborrit të ni shpie:
– O i zoti i shpisë!? Del nji grua plakë dhe po dvetë:
– A mos thirri dikush n’derë, a jo!?
– Po, po unë thirra! I përgjigjet ky dhe e dvetë plakën:
– A janë burrat n’kullë, a âsht na’joni pej burrave kah shpia?
– Jo,vallahi, jo me lokën, n’i lypsh’ burrat, burrat janë mas’ shpije! I tha plaka.
Duel ky e po kqyr mas’ shpie, po nuk pau asnji burrë e asnji njeri të gjallë, e u kthye e po thirrë apet të dera, duel apet ajo plaka e ky po ja ban plakës:
– Oj loke, unë kqyra mas shpije po nuk pashë kërko’, nuk pashë asnjo pej burrave, veç do vorre t’moçme ishin mas’ shpije!?
– O djali jam, tjerë burra nuk ka n’këtë shpi, se q’ata burra si janë kon’ n’këtë shpi’ t’tanë janë të ’dekun e nër vorre , e për q’ata t’thashë si n’i lypsh burrat, burra s’kanë met’ mâ, e q’ata burra si janë konë, janë mas’ shpije – nër vorre!
– O ditën e mirë, oj halloke e bafsh shumë hajr q’i m’kallxove e ma angllatise mirë punën e burrave e tash e mora vesh se ku tek janë e ku po mujsha me i gjetë taman burrat!
*
Jo pa qëllim e theksova këtë ndodhi, ngase e ka domethënien e vet. Pra, qëllimin e pata se ku ta gjëja një burrë të moçëm shqiptar,pjesëmarrës dhe dëshmitar të gjallë të masakres se Tivarit të vitit 1945. Mendoja se kjo është thuaja se e pamundur, apo do të bëhet por me vështirësi, sepse ata që në vitin 1945 kanë qenë të 20-22 vjeçare, tash janë të moshës mbi 90-të vjeçare. E ku mund ta gjëjë ndonjë prej tyre me mendje të kthjellët?!
Po them se, kur ia kam nisë për herë të parë të shkruaj për
Masakren e Tivarit (2006), si frymëzim, si inspirim dhe si pikënisje për shkrimin e parë dhe thuerjen e një poeme mbi Masakren e Tivarit, më ka shërbye një intërvistë e Azem Hajdini-Xâni e dhënë si mysafir i ftuar në ”Radio-Kosova” në Prishtinë (2006), ku moderator i emisionit ishte Mentor Mripa. Nga këtu mësova shumë të dhëna me të vërtetat mbi masakrën e Tivarit dhe për vetë pjesëmarrësin dhe dëshmitrain e gjallë të asaj masakre, Azem Hajdini – Xâni*.
______________________________________________________________________
*Azem Hajdini – Xani, këtë njeri të mirë e kisha mikun tim qysh të para shumë viteve, kur jemi takuar e njohtuar në Shkollën Ekonomike pranë Gjimnazit ”Silvira Tomazini” në Mitrovicë më 1968-tën, ku na kishin angazhuar si profesorë: Azemi i lëndës ”Drejtësi” – pasi kishte të mbaruar Fakultetin Juridik, e unë i lëndëve ekonomike dhe, qysh atëherë më ka pasë lënë pështypje të thella si njeri, si intelektual, si njohës i thellë i lëndëve Juridike, si burrë i fjalës… njeri më një përvojë jetësore, ama kurrë pa e folë as një të vetëmën fjalë në lidhje me masakren e Tivarit, e as që lënte përhtypjen e një pjesëmarrësi dhe dëshmitari të gjallë të asaj tragjedie shqiptare, sepse ishte tejet i vetëdijshëm për ”kohën dhe regjimin e egër serbo-komunist” dhe për pasojat që do i pësonte, jo vetëm ai, po të dyshohej së ishte pjesëmarrës në Tivar, se lëre më të fliste ndonjë fjalë, apo të lënte ndonjë përshtypje për diçka të tillë apo të ngjashme…Eh, vakt o vakt! Çfarë peshe të një të keqeje të rëndë kanë bartë mbi vete këta njerëz, kanë heshtur me vite e vite një të vërtetë të hidhur, me të vetmin qëllim që mos të pësojnë keq, jo aq për vetën, por më shumë për familjet e tyre…Sa u ka rënduar në zemër, shpirt e mendje kjo e keqe e tmerrshme?!
*
Tek pas plot 38 vitesh nga koha kur u njohem me Azem Xanin (1968-2006), përmes ”Radio-Kosovës, mësova se Azem Hajdini – Xani nga Krusheci i Drenicës paska qenë njëni ndër të shumtët pjesëmarrës dhe dëshmitarë të shpëtuar gjallë të masakrës së Tivarit, për të cilën nuk ka guxuar të flas mbi 53 vite, ka heshtur e ka heshtur që prej vitit 1945 gjër në vitin 1998…kur krejt atë që kishte mbajtur në zemër, shpirt e mendje mbi një gjysmë shekulli, përnjëherë e ”shpalosi edhe përmes valëve të ”radio-kosovës” dhe shumë ”të panjohura i bëri publike” dhe vazhdoj e i bëri publike: …bile edhe duke shkruar libra e libra, duke shkruar materiale të Simpoziumeve shkencore, duke iu drejtuar organeve më të larta të Shtetit të Jugosllavisë dhe të KSAK- Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës… (mbi këtë do shkruaj në pjesët vijuese të këtij shkrimi, vetëm të theksoj se Azem Hajdini Xâni ishte i lindur në vitin 1924 në fshtin Krushec të Drenicës, ishte pjesëmarrës i masakarës së Tviarit më 1945; mbasi shpëtoi i gjallë e i pa çmendur psiqikisht, me vuajtje të mëdha e me kanosje rreziqesh iu kthye i gjallë familjës e vendlindjes, gjeti forcë dhe u rehabilitua, krijoj familje, u shkollua gjerë në shkallën Jurist i Diplomuar, punoi në punë dhe detyra me përgjegjësi e autorizime të veçanta në Skënderaj, Mitrovicë e Prishtinë…
Pata fatin dhe e shfrytëzova rastin që m’u pat dhënë, kur, nga Suedia, ku kisha emigruar jo me deshirë, por i detyruar, dhe pas disa vitesh pritjeje për Lejeqëndrim, fitova të drejtën e shkova për pushime në Kosovë dhe u takova me bacën Azem në ”Platonë e Hotelit Grand Prishtina” në Prishtinë, pikërisht më 26 shtator të vitit 2006, me ç’rast u muarrem ngryk si miq të vjetër, të pa parë shumë vite. Aty, duke pirë kafénë e mëngjesit i këmbyen disa letra: ai më dha një shkrim-material të përgatitur më 25 qershor 2005 nga Instituti Albanologjik – Dega e Historisë në Prishtinë -Simpoziumi shkencor -”Ripushtimi Jugsllav i Kosovës, Nëntor 1944 – Korrik 1945” nga i cili shihej fjala e tij: ”Si e përjetova Masakrën e Tivarit – Varri më i Madh i Shqiptarëve i pazbuluar deri më sot”, për të cilin material e falenderova përzemërsisht; ndërkaq unë ia dhashë ”Poemën Masakra e Tivarit”, për të cilën më tha (të nesërmen më 27 shtator 2006) se i ka pëlqyer tejet mase, se është shumë i gëzuar sepse është e para poemë e punim që ka shkruar dikush për të; që i dhurohet nga një mik-mergimtar nga Suedia dhe se poemën do t’ia bashkangjet librit të tij të radhës për botim…!
Azem Hajdini, vdiq në Prishtinë, më 26 nëntor 2010, në moshën 86 vjeçare.
(Më tepër në pjesët në vijim).
*
Dhe, duke u mbështetur në intërvistën e Azem Xanit të dhënë në ”radio-kosovë” u frymëzova dhe u inspirova të shkruaj vetë për Masakrën e Tivarit dhe krijova ”Poemë mbi Masakrën e Tivarit”, të cilën e publikuan disa webfaqe e portale interneti si, tribunashqiptare.net, kosova.albemigrant.com,revistadrini, zemrashqiptare.net,etj. dhe mora shumë komente e opinione…Duke filluar që nga viti 2006, për çdo vit kam publikuar ”Poemën” në çdo përvjetor, në muajin mars-prill të çdo viti.
Përveçse ”Poemës për masakren…”, kam thur edhe dy ”Poema” kushtuar Azem Xanit me titull: ”I vdekuri – i gjallë” dhe ”Vepra e mirë”. Të gjitha ia kam dhënë Azem Xanit në takimin me të në ”Plato të Hotel Grand-it” në Prishtinë, më 26 shtator të vitit 2006 dhe me at rast baca Azem m’u falenderue tejet mase dhe më tha se këto krijime të mia, do ia bashkangjes librit të radhës që do ta dorëzojë për botim. Në përshëndetje me të, ia shpreha këto fjalë:
”Baca Azem e kreve detyrën,
ia lé popullit veprën më të mirën!”
…
Azem Xani m’u falënderua përzemërsisht dhe u ndamë për mos t’u parë kurrë më, sepse unë udhëtova për në Suedi e bacës Azem iu kishte keqësuar shëndeti, dhe pas një kohe kur dëgjova, udhëtova në Prishtinë dhe vendosa të shkojë e ta vizitojë, e kisha numërin e telefonit të shtëpisë dhe më parë e thirra, u lajmërua zonja e tij dhe kur e pyeta më tregoi se ”- Azemi është shumë i sëmurë por me vetëdije dhe disa nga shokët e miqt
I përmend dhe i thërret se nuk i ka harruar, por nuk po ka forcë që të gjithë t’i pranojë në vizitë, e për ty po e pyesë e kur ta di emrin ndoshta të pranon me e pa!?”
E dëgjova se ia dha telefonin dhe i tha me gojë: ”Azem, po të kërkon Ismet Hasani nga Suedia…?” Kur e muarr telefonin Azemi, i tregova se kush jam dhe se kam ardhë në Prishtinë dhe deshiroj ta shoh?” E Azemi ma bani: ”Oooo Ismet, shumë smutë jam, por që mundësh eja të shihemi – ti e e din adresën e banesës time?”
E kuptova se iu kishte shterrur zëri dhe memzi fliste, por u ndjeva i privilegjuar që po më pranon në vizitë. Pasi ishte mbrëmja, thashë në vete: ”…mos të shkoj tash natën, shkoj nesër…!”dhe po ia baj:
”Baca Azem, Shyqyr që paske bâ mâ mirë, se natë është e nesër do të vijë?”
– Ani Ismet, qysh të duesh veç mos shko për në Suedi pa u pa se nuk e di se a do të shifemi mâ?!” më tha dhe u përshëndetëm.
Azem Xani nuk është më në jetë, por unë shpesh e kujtoj dhe së pakut njëherë në vit, në çdo përvjetor të Masakrës se Tivarit, për çdo mars e prill të vitit e publikoj shkrimin enkas për Masakren e Tivarit, duke ia bashkangjitur ”Poemën e madhe” për Masakrën e Tivarit dhe dy ”Poema më të vogla” kushtuar bacës Azem.
*
Në atë kohë, jo vetëm prej Azem Xanit, por prej askuj, prej asnjë njeriut të gjallë atëherë nuk flitej e përflitej për Tivarin, çfarë nënkupton se kjo ngjarje, sikurse shumë të tjera të bëra në dëm të shqiptarëve u konsieronin ”tema tapu” apo të ”paprekshme”, më mirë të them ”tema të ndaluara”, ngjarje të ndaluara”, sikurse ishin edhe shumë të tjera, si libra të ndaluara etj. etj., që sipas mendimit tim ka qenë gabim i madh e trashanik i atij sistemi, i atij regjimi sundues e diskriminues ndaj shqiptarëvenë veçanti, nga se ata vetë kanë heshtur para një të vërtete dhe me diktaturen e tyre kanë fshehur të vërtetën e përkrahur gënjeshtrën, çfarë nënkupton se:”Diktatorët i bëjnë monopol të gjitha kompetencat, por duke qenë se një njeri i vetëm nuk mund të zotërojë kaq shumë njohuri sa duhen për të gjitha problemet, ata në shumë raste vendosin me injorancë, duke shkaktuar më tepër dëm se dobi!”
Në anën tjetër: ”Është krim i vërtetë të ndiqet e të burgoset njeriu pse çfaq mendimet e tija, veçanërisht mbi një ngjarje të madhe e tejet tragjike për popullin e vet shqiptarë apo për problemet e ndryshme politike…e të shkaktuara shqiptarëve nga një popull tjetër, vetëm pse ky popull ka forcën ushtarake e policore…aq të amdhe se edhe urrejtjen…!”
Po theksoj edhe këtë: ”Në diktaturë të gjitha veprimtaritë politike a shoqërore ia nënshtrojnë çastit imediat dhe nuk e kanë për turp të pështyjnë ose të lëpijnë atë që vet e kanë pështyrë pak më parë!”
Por dihet fare mirë se, ”…historia nuk njeh ndonjë rast që zhvillimi të ketë ardhur nga dhuna dhe frika, përkundrazi, atje ku ka liri, ai vjen në mënyrë të pashmangshme!”
Prandaj, të them sheshazi dhe hapur se: “Vetëm liria i jep gjallëri e kuptim jetës; vetëm me të shpërthejnë të gjitha aftësitë e forcat pozitive që e çojnë shoqërinë njerëzore drejt majave më të larta të artit, shkencës, të së drejtës dhe përparimit të mendimit njerëzor!”
Aty ku s’ka liri, zemra dhe shpirti i njeriut vyshken e thahën si bima pa ujë.
*
Musë Bali Mahmuti – pjesëmarrës i Masakrës së Tivarit
Për të pasuruar shkrimin edhe me dokumete, fakte e prova të tjera historike, mendoja edhe për pjesëmarrës e dëshmitar të tjerë të kësaj masakre, veçanërisht për ata që i kanë shpetuar masakres, po të tjerët ku janë, ku t’i gjejë?! E dija se janë numër shumë i vogël që janë të gjallë, sepse secili prej tyre tash duhet ta ketë moshën mbi 90-të vjeçare…! Andaj shumë kohë edhe bredha…!
Njeriu nuk i ka në kujtesë të gjitha ato që i mëson gjatë jetës, bile në moshën e pleqnisë, fillon edhe të harrojë dhe thuhet se njëna ndër shenjat e para të pleqnisë, është harresa, pra të mos mbajturit në mend, bile kjo më përket pikërisht mua, se tani kam arritë në moshën shtatëdhjetë pa një!
Qëndron një parim jetësor që kur nuk i kujtohet njeriut një gjë, duhet të veproj sikur me rastin kur i humbë diçka e nuk mund ta gjejë, duhet për një kohë të pushoj së kërkuari, të merret krejt me tjetër gjë, e pastaj shumë më lehtë e gjen, disi si ”me i dalë vet para syve ai send që i ka humbur”, apo të ajo që e mendon, pas pak do t’i bie ndërmend.
Edhe unë ashtu veprova: pasi nuk më kujtohej ndonjëni nga pjesëmarrësit dhe dëshmitarët e gjallë të Masakrës se Tivarit, fillova t’i shfletoj disa shënime nga ”Ditari i jetës s’ime” dhe ja,” eureka – e gjeta” të shënuar në ”Ditar”:” … së gjatë një bisede të para disa vitesh me nipin tim Afrim Mahmutin në Prishtinë, lidhur me masakrën e Tivarit, ky më ka tregua së disponon me një letër-shkrim të babait të tij, Musës, që ai kishte qenë pjesëmarrës në masakren e Tivarit (1945) dhe se e ka lënë me shkrim atë ngjarje rrënqethëse…!”
E dija se babai i Afrimit, Musë Bali Mahmuti, kishte vdekë që në vitin 1998 në Prishtinë ku jetonte me familjen e tij, se e kanë varrosë në vendlindje në fshatin Botushë, se kështu ka lënë ai vetë ”me gojë” që ta varrosin në vendlinje dhe ”amanetin duhet çuar në vend m’u në kohën kur në Rrafshin e Dukagjinit dhe regjionin ”Reka e Keqe”, në Botushë e Koshare, në Junik e Kallavaj dhe të gjitha ato fushë-beteja, zhvilloheshin luftëra të ashpëra midis ushtrisë dhe policisë serbo-çetnike dhe UÇK’së dhe m’u për këto rrethana e gjendjeje lufte, numër i madh miqesh e shokësh qoftë nga Prishtina, Peja, Prizreni, e Gjakova… dhe nga ”Reka e Keqe” nuk kanë mundur të marrin pjesë në varrimin e as në të pamen e Musë Bali Mahmutit në fshatin e tij të lindjës në Botushë, në mars të vitit 1998…, ndër të cilët jam edhe unë vet që, edhe pse kam shkuar deri në Pejë, me qëllim që të vazhdoj rrugën për në Junik e nga aty për në Botushë, për të marrë pjesë në varrimin dhe në të pamen (ngushëllimet) për këtë mik të madh dhe njeri të mirë, e duke mos e patur parasysh gjendjen faktike nga pasojat e luftës se bërë në këtë anë të Rrafshit të Dukagjinit e që vëreheshin nëpër çdo vend për të dyja anët e rrugës Pejë – Deçan: shtëpia të kallura nga forcat policore serbo-çetnike e fshatra të boshatisura…kështu që nuk mora guximin të zbres as në Deçan e as në Rostovicë për të shkuar në Junik e prej aty për në Botushë, sepse ishte edhe porosia e disa grave të moshuara në autobus që mos të rrezikoj e të nisem andaj – së në autobus nuk vëreheshin as djem të ri e as burra (sigurisht të angazhuar e bashkangjitur me forcat e UÇK’ës në luftë kundër forcave policore e çetnike të Serbisë), kështu që vazhdova rrugëtimin me autobus për në Gjakovë, rrugëtimin më të tmerrshëm në jetën time, ngase kudo, përgjatë dy anëve të rrugës Deçan-Gjakovë vëreheshin shtëpi të kallura, fshatra të boshatisura e fusha të mbetura shkret (më përjashtim të fshatit Plançor* i banuar 100% me shqiptarë katolikë, ku nuk shifej se ishte kallë apo dëmtuar ndonjë shtëpi!?). Me të mbërritur në Gjakovë, duke vërejtur ”situatën e rëndë”,vetëm sa iu lajmërova me telefon motrës, Gjylëshahes dhe prej aty me autobus vazhdova drejt e për në Prishtinë dhe gjatë tërë këtij rrugëtimi i ngërthyer nga frika dhe trishtimi të shkaktuara nga krejt ajo që pashë gjatë rrugës, nga vandalizmi i paparë ndonjëherë, i shkaktuar nga forcat serbo-policoro-çetnike të Serbisë…
*
Përfundoj pjesa (4)