Marjan Gryka: Arben Brocin e vranë me pistoletë pas shpine, ja roli i Berishës, Arbnorit dhe Topallit

0
36

Arben Broci u vra me pistoletë. Nuk u vra nga snajperat që ishin përballë turmës popullore, por pas shpine, nga ata që nuk e donin dhe ju zinte vendin në parlamentin e parë pluralist”.

Dëshmia në këtë përvjetor të 23-të të ngjarjes tragjike që tronditi Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë e trazuar të atyre viteve, vjen nga Marjan Gryka, i cili sot njihet si ish truproja e Azem Hajdarit, ose kreu i Shoqatës “Azem Hajdari”. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Marjan Gryka rrëfen se si u njoh me Arben Brocin dhe si u përfshi në lëvizjen e 2 Prillit, e cila do të përfundonte tragjikisht për fatin e 4 të rinjve, por që do t’i shërbente klanit politik të PD, udhëhequr nga Sali Berisha, Pjetër Arbnori, Jozefina Topalli etj. Në këtë intervistë, Gryka hedh akuza të forta për Sali Berishën, i cili sipas tij është i implikuar në shumë ngjarje e vrasje të mëdha, madje dhe në ato brenda radhëve të PD.

– Zoti Gryka, sot mbushen plot 23 vite nga ngjarja e 2 prillit, ku në një protestë popullore u vranë 4 të rinj. Sot e asaj dite, ende nuk dihen zyrtarisht autorët e vërtetë të asaj ngjarjeje të dhimbshme, megjithatë fillimisht le të flasim për për momentet e para kur ju u përfshitë në këtë protestë. Si i kujtoni ato ditë?

Kanë kaluar 23 vite nga data e 2 Prillit 1991, ku në qytetin tonë në Shkodër u vranë 4 vetë dhe u plagosen disa të tjerë, por deri tani kjo datë apo kjo ngjarje u komentua larg nga e vërteta e atyre ditëve që i përjetuam vetëm ne, djemtë e Shkodrës e jo politika që gënjeu për gjithë këto vite me radhë. Të tregosh për datën 2 Prill duhet që të gjithë të dinë të vërtetën se çfarë ndodhi me datën 1 Prill! Me datën 1 Prill në mëngjes, në lagjen tonë kishte mbërritur një djalë me emrin Arben Broci, të cilit unë vetëm i kisha dëgjuar emrin por kishim bërë dhe disa herë shtrëngime duarsh nëpër pallate sporti, ku ai shikonte ndeshje mundje, pasi unë isha kampion i të rinjve për mundjen klasike dhe shëtisnim në Tiranë e në të gjithë vendin. Pra, më ishte dhënë rasti ta takoja dhe djemtë e lagjes erdhën e më thanë: Të kërkon ty Marjo! U nisëm dhe në cep të lagjes sonë, e quajtur “3 Heronjtë”. E pashë me një biçikletë, i veshur fin… Mu kujtua direkt dhe pasi i dhamë dorën njëri-tjetrit, ai kërkoi të fliste në veçanti dhe me humor më tha: Nuk kemi mundje por bisedë sot. Duke qeshur, u ulëm në barin jeshil dhe ai më tha: Erdha tek ti, se ti je i shkathët dhe ju jeni familje antikomuniste, pasi burgjet komuniste i lau me gjak familja jote.

Urdhëro, fol – i thashë. Ai më tha më tej: Kam informacion se nesër çohet Tirana dhe gjithë Shqipëria për të rrëzuar komunizmin. Unë u nguta direkt dhe i thashë: Po ne, pse nuk çohemi? Arbeni ma ktheu: Ki durim Marjan, nuk është puna a çohen ata, apo a e rrëzojnë ata, por ne duam të ngrihemi për veten, për Shkodrën, për të parët tanë etj. Ai fliste dhe unë u preka shumë, se kurrë nuk më kishte folur njeri më parë ashtu. Po ndizesha i tëri… Por puna është që ne duhet të organizojmë shkollat përveç lagjeve që dihet, prandaj dua ndihmën dhe përkrahjen tuaj dhe duhet të fillojmë që tani se jemi vonë dhe duhet ta bëjmë këtë punë e ta mbarojmë ne, e jo llafazanët, më tha më tej Arbeni. Dakord,- iu ktheva unë, pra pasdite takohemi tek lulishtja në Parrucë dhe të tregojmë çfarë kemi bërë. Unë,- më tha Arbeni,- po punoj në lagjen Kiras e kudo. Dakord,- i thashë, dhe u ndamë.

– Cilët ishin hapat tuaj pas bisedës me Brocin?

Unë me shokët e mi Anton Preçi, Edmond Dedushi, Renato Pjetrani, Armando Pali, Andi Sutermani, Dorian Ceperjani shkuam direkt e takuam djemtë e shkollës “Jordan Misja” dhe aty e mori përsipër Albert Pishkashi. Më pas shkuam tek shkolla “28 Nëntori”, pra dy shkollat e mesme më të fuqishme në Shkodër dhe më të mëdha që duhej të ishin në shesh me datën 2 Prill, të nesërmen. Ndërkohë, gjatë gjithë ditës organizonim kudo djemtë e Shkodrës me sa kishim mundësi, sepse disa frikësoheshin e disave nuk ju besohej. Pasdite shkuam në takim me Arbenin dhe përpara bibliotekës kishin ardhur disa figura që donin të na flisnin. Ne nuk i njihnim fare, por aty ua mësuam dhe emrat. Ishin Pjetër Arbnori, Ali Kazazi, Ali Spahija etj. Ne jo që nuk i kuptuam, por as nuk ua vumë shumë veshin sepse e pamë se edhe Arbenit nuk i pëlqyen, biles e pyetëm: Çfarë duan këta? Ai na tha: Kemi punët tona për t’i shërbyer Shkodrës. Aty u ndamë atë natë për t’u takuar në shesh me datë 2 Prill, të nesërmen. Ndërkaq, gjatë gjithë natës së datës 1 Prill shqyem çarçafët dhe këllëfët e jastëkëve, të cilët i bëmë shirita për ti lidhur në kokë. Në to shkruhej “Liri Demokraci”

– Si nisi mëngjesi i atij 2 Prilli të vitit 1991?

U nisëm në mëngjes duke dalë nga lagjja dhe duke bërtitur. Ishim mbledhur pak djem, pothuajse 30 vetë, por rrugës po na bashkoheshin më shumë. U nisem për tek shkolla “Jordan Misja” dhe sapo mbërritëm aty, morëm informacion se nxënësit po përlesheshin me mësuesit, pasi këta të fundit nuk i linin të dilnin. Në atë moment, ne shembëm derën e shkollës në oborr dhe turma e nxënësve doli si një vullkan. Kështu, me qindra djem e vajza u nisëm drejt shkollës “28 Nëntori”. Edhe aty vullkani plasi dhe u bëmë me qindra. Të gjithë së bashku dolëm në shesh dhe e pushtuam për të parën herë në jetën tonë. Ishte një moment i fortë për ne sepse ndiheshim zot në shpinë tonë dhe nuk po mundte askush të na mbyllte gojën, gjë që na e kishin bërë për 50 vite… Zëri ynë ishte zëri i Shkodrës. Duke brohoritur “Liri Demokraci”, po prisnim të vinte Arbeni, sepse nuk dinim se si të vepronim. Për të gjithë rininë shkodrane, lider u bë Arben Broci dhe këtë nuk e luante topi sepse ai ishte organizatori kryesor.

Mirëpo në këtë moment, pasi kishin mbërritur shumë forca policie, po shtoheshin edhe të tjera dhe një polic me gramafon tha: Dua të flas me dy përfaqësues! Shkova unë me një shokun tim. Unë jam Gjek Çela, tha shefi i komisariatit, – dhe dua nga ju të mos përdoret dhunë. Ne i bëmë të ditur që nuk do të ushtronim dhunë, por se donim vetëm të drejtat dhe liritë tona. Ndërkaq, nga momenti në moment, qytetarë të Shkodrës i bashkoheshin turmës, e cila u bë e pafund në numër. Kur mbërriti dhe Arben Broci, turma shpërtheu në brohoritje dhe shumë njerëz na pyetnin se kush ishte. Teksa shihte shpërthimin e turmës, policia po frikësohej, mirëpo pas turmës, shumë zëra që nuk kishin lidhje me rininë, bërtitën: Ra Tirana, u rrëzua Tirana! Goditën me gurë, ndërsa qindra vajza në shesh po bërtisnin për qetësi. Realisht, çdo gjë po dilte jashtë kontrolli.

– Ju thatë që Arben Broci shihej si lider i kësaj proteste. Kush ishin veprimet e tij në këto momente kur po tensionohej situata? Si ndodhi vrasja në shesh?

Arbeni, duke e parë këtë gjendje u hodh në turmë dhe bërtiste: Ruani qetësinë! Në këtë moment, policia shtiu në ajër shumë shpesh dhe gjendja u rëndua. Arbeni na bërtiste që ta shtynim turmën e të mos binim pre e askujt. Ai kërkonte që të mos dëmtohej askush, por ishte e pamundur sepse breshëritë e armëve e irrituan keq popullin e Shkodrës dhe protesta u kthye si në gjendje lufte. Turma nuk mbahej në këto momente. Arben Broci ishte krah për krah me ne kudo. Sa herë që turma shtinte, populli hapej. Më pas përsëri i vërsulej policisë. Arbeni doli dy herë edhe përballë policëve, të cilëve u kërkoi që të mos qëllonin. Në të njëjtën kohë, ai kthehej edhe nga turma, të cilëve u kërkonte gjithashtu që të mos qëllonin me sende. Kur pamë se turma po irritohej çdo çast e më shumë, ne të gjithë u lidhëm krah për krah bashkë me Arbenin dhe nuk i linim ata që t’u afroheshin forcave të policisë. Ata vetëm mund të bërtisnin… Breshëritë vazhdonin dhe në këto momente, kur po distancoheshim nga breshëritë e armëve, pamë që Arbeni ra në tokë. Pra, Arbenin e kishin goditur dhe në këto momente rinia nuk u mbajt më se lideri i tyre u godit! Kur ne e kapëm Arbenin për ta çuar në spital, pamë se plumbi ishte pas shpine dhe jo përballë, ku gjuante policia. Plumbi ishte i një pistolete dhe jo kallashnikovi, me të cilin qëllonte policia.

– Janë hedhur shumë hipoteza, variante e skema kryesisht nga politikanët, mbi organizimin e kësaj proteste dhe gjithë sa ndodhi në shesh më 2 Prill. Ju, si i përfshirë direkt në këtë protestë, si e komentoni këtë ngjarje. Kush e organizoi në të vërtetë protestën antikomuniste në 2 Prill të 1991?

Pas kësaj proteste, shteti dhe komunizmi në Shkodër ra… Pra, kjo lëvizje nuk ka qenë e organizuar nga PD, e as nga politikanët e saj, por nga djemtë e rinia e Shkodrës. Unë dhe shumë të tjerë u goditëm dhe u plagosëm në shesh dhe kur na çuan në spital, aty mbërriti Azem Hajdari. Ishte hera e parë që e pashë dhe me një zë të hidhëruar ju drejtua Ali Spahisë: O Ali, këta janë heronj e jo dele që ua shënon emrat në bllok! U takuam me Azemin dhe u prezantuam, por Tirana nuk kishte rënë! Pas vrasjes së Arben Brocit hyri politika direkt në lojë, duke bërë lëvizjet e saj me ne. Organizoi një gjyq gjoja për zbardhjen e vrasësve të kësaj ngjarjeje, ndërsa presidenti i asaj kohe Sali Berisha na dekoroi me nga një pllakatë “Pishtar të demokracisë”. Gjyqi i kësaj ngjarjeje ishte një tallje dhe u mbyll siç deshën vrasësit e Arben Brocit. Gjithë këto vite, politika e ka komentuar këtë ngjarje siç ka dashur ajo vetë.

– Në gjykimin tuaj, kishte njerëz të interesuar direkt për vrasjen e Arben Brocit?

Ne në Shkodër krijuam Shoqatën “2 Prilli” me kryetar një djalë fisnik dhe i djathtë, Brahim Bilalin dhe në vitet më pas, politika e PD se dhe vrasësit e Arben Brocit e kthyen këtë ngjarje në një përkujtimore të thjeshtë. Çdo vit mbanin fjalime dy njerëz që nuk kishin asnjë lidhje me këtë datë; “Dizenjatorja” Jozi dhe Pjetër Arbnori, i cili u bë me shpejtësi kryetar Parlamenti! Pra, kujt i duhej Arbeni i vrarë? Sepse kudo më pas flitej se po të ishte gjallë, do ishte kryetar Parlamenti! Kush është vrasësi i Arben Brocit, më mirë se kushdo e deklaron me emër vrasësin e Arbenit, dosja “Penicilina”. Arbeni nuk u vra as me snajper siç gënjen politika e as nga policia, por u vra pas shpine nga ata që nuk e donin dhe ju zinte vendin në Parlamentin e parë pluralist. Edhe pse rrodhën kështu ngjarjet, familja ka kërkuar që vrasësit të dalin përpara drejtësisë. I kam respektuar gjithmonë vitet e burgut tët ndjerit Arbnori, por derisa ishte gjallë i jemi kundërvënë për vendimet që ka marrë për demokracinë dhe Shkodrën. Sapo hipi në karrige u bë thjesht një vegël e Berishës. Ndërsa ardhjen e Ramiz Alisë tek shtëpia e Arbenit u munduan ta komentonin për ta përlyer figurën e Arbenit.

Si një ortak i vjetër i Saliut në firmën “Shqiponja”, Pjetër Arbnori e të tjerë krijuan Fondacionin “Azem Hajdari” me urdhër të Saliut për të goditur Shoqatën “Azem Hajdar”. Por ashtu si e nisën edhe përfunduan, me turp! Dolën duke mbledhur lekë në emër të Azemit, sikur ishte vrarë një biznesmen e jo një lider. Kjo ishte lëvizja e Saliut për të ulur figurën e Azemit! Ne i kujtonim atij se çfarë tha ikona e katolicizmit shqiptar, Dom Simon Jubani, i cili bëri 30 vite burg. Kur doli në Tv Rozafa, ai pati thënë: Pjeter Arbnorit i kanë rënë dhëmbët nga mosha, ndërsa mua më ranë kur mi thyen duke më rrahur se më spiunoi Pjetri, pasi unë në burgje predikoja fenë, ndërsa Pjetri bënte përkthime ruse! Pra, pasi eliminuan Arben Brocin, ishin më të lirë dhe më të fortë ndaj urdhëruesit e vrasjes u vunë në krye të shtetit, ndërsa vrasësit u bënë pronarë biznesesh në Shkodër. Pra gjithë këto vite vetëm zhgënjime dhe tradhti për të gjithë rininë e djathtë shqiptare, por sidomos shkodrane.

– Pra, ju po thoni se vrasësit e 2 Prillit ishin dhe janë ende në politikë?

Edhe dekoratat që na i dhanë, i kemi hedhur të bindur se ata që na dekoruan janë organizatorët dhe vrasësit e Arben Brocit, Besnik Cekës, Bujar Bishanakut dhe Kryeziut. Edhe sot, vrasësit e këtyre 4 djemve janë në krah të Jozefinës, pasi Pjetri nuk është më!… Dhe e them me përgjegjësi të plotë se vrasësit e 2 Prillit në Shkodër janë po vrasësit e 21 janarit. Është e njëjta dorë me të njëjtët aktorë dhe me të njëjtin skenar krimi. Edhe ekspertiza e bërë për Arben Brocin dhe 3 të tjerë doli se vrau policia! Edhe ekspertiza e 21 Janarit doli se vrau Garda. Pra, vetëm viktima, pa vrasës e pa autor, ku vetëm një politikë kriminale mund ti këtë për vete dhe karrierën e saj. Shihni sot kush vazhdon të kurojë politikën, një doktor i kthyer në pacient, një diktator që mbajti PD peng për 20 vite, duke vrarë dhe eliminuar kundërshtarët, duke tradhtuar gjakun tonë e të gjithë të djathtës shqiptare. Kanë shkatërruar çdo gjë, vetëm për karrigen e tyre familjare. Nuk dijne të ndalen por vazhdojnë të vrasin…

Zoti Gryka, kush po vret?

Sali Berisha me grupet e tij kriminale në PD nuk e përmbajtën veten as para Sokol Olldashit, duke ju kujtuar të gjithëve se Arben dhe Azem nuk mund të bëhet askush, se kur i vramë ata, për të tjerë nuk pyesim. Ky njeri, për 8 vite në pushtet nuk pati kurajo të hapë dosjen e 2 Prillit sepse është vetë i përlyer në të me suitën e tij. Ky njeri, në 8 vite qeverisje nuk pati kurajon të rihapë dosjen e Azem Hajdarit sepse është vetë i implikuar bashkë me suitën e tij, nuk ka sot kurajo të tregojë ku janë eshtrat e Remzi Hoxhës, por krenohet me famëkeqin Gazidede, Visho Lika etj. Ky njeri me partinë e tij “Shqiponja”, bëri një kasaphanë tek e Djathta. Sot fatmirësisht janë dy të Djathta sepse më në fund Saliu e kuptoi se Partia e Azemit nuk është partia e tij. Sot, shtëpia e oficerëve është llogorja e Kontrollit të Lartë të Shtetit, e Shish, e Presidencës, Prokurorisë. Kjo është sot PD familjare, sepse për këtë punoi për 20 vite. Po mundohet të bëjë Lulin një Vladimir Kliçkov, por nuk e bën dot sepse ai ka goditur gjithmonë pas shpine.

– Nëse do ta kishit përballë Sali Berishën, çfarë do t’i thonit sot?

Sali Aga, ti nuk ke boksuar kurrë përballë! Dhe tani përveç kësaj, mosha bën të veten dhe ti merresh me shpifje kundër Shoqatës “Azem Hajdari” dhe krerëve të saj, duke na ngatërruar me veten dhe me fëmijët e tu. Çfarëdo që ti të bësh, nuk do ja dalësh, sepse Arbeni dhe Azemi janë gjallë. Po qe se kërcënimet e tua i ha e Majta, ne po të rithemi se ti duhet të shkosh në Hagë për qindra akuza të ngritura kundër teje, sepse në Shqipëri Drejtësia është peng dhe prokurorët qajnë hallin se sa kat do ndërtojnë vilat e jo të hapin dosjet dhe të bëjnë drejtësi. Dua të ta freskoj pak kujtesën, duke të thënë se në Greqi ka 1 milion shqiptarë dhe se dega e PD këtu ka 18 vite që është krijuar, mirëpo ju nuk keni shkelur asnjë ditë të vetme këtu gjithë këto vite, sepse edhe kur e shitni detin, e bëni në dosje dhe e dërgoni të firmosur! Pse keni frike të shkelni në Greqi të paktën për partinë tuaj se çamët i ke shitur me kohë?!

-Pas 8 vitesh qeverisje nga Berisha, shqiptarët vendosën që t’ia jepnin votën Edi Ramës. Ç’mendim keni për qeverinë e re të majtë? A shpresoni se ky mandat do t’i shërbejë qeverisë por dhe shqiptarëve për të arritur një tjetër Shqipëri?

Sot është e qartë se Shqipëria nuk mund të eci dhe as të bëhet kurrë, sa të jetë kjo kaskë e vjetër komuniste. Shqiptarët pritën shumë nga Edi Rama por zhgënjimi erdhi shpejt sepse shtetin e ka Berisha. Të gjithë donin drejtësi dhe nuk e votuan Ramën për ti dërguar letra Bashës e as për të kthyer 21 Janarin në një përkujtimore si 2 Prillin, e Bashën që e quajti vrasës ta këtë udhëtar për zhvillim! E votuan të zbardhte ngjarjet në Gërdec ku po rriten fëmijë me duar e këmbë të këputura nga vrasësit, që sot janë në krye të politikës. Rama duhet ta distancojë veten nga veset e Saliut dhe të zbardhë vrasjen e deputetit Xhindi! Është e habitshme dhe qesharake që Balla, Braçe e shumë deputetë të mazhorancës vazhdojnë të akuzojnë Saliun sikur të jenë në opozitë. Atehere, këta deputetë përfaqësojnë Ramën, apo jo?! Para pak muajsh i kërkuan shkrirjen e komunave të krimit dhe të drogës, po ashtu edhe disa bashki. Po e shohim se po e vë në zbatim, por kjo është të kapësh veshin përsëmbrapshti zotëri! Shqiptarët duan drejtësi dhe drejtësia fillon tek politika e politikanët, të cilët sot zotërojnë pasuri marramendëse, ndërsa populli nuk ka bukë të hajë!

Bisedoi Anila Dodaj
Dërgoi për publikim, Gjin Musa