Kanali i vdekjes

0
61

Nga Prof. Neki BabamustaLondër, 25 Janar 2012

Të gjitha Doktrinat fetare kanë të përbashkët paqe, harmoni dhe mirkuptim. Ideologjia marksiste nuk pajtohej me asnjë fe, duke i quajtur dogma mesjetare. Ky qëndrim për arsye se e shihte veprimtarinë e predikuesit të fesë kundërshtare kryesore ndaj një regjimi totalitar diktatorial.
Ç’tregojnë faktet historike? Predikuesit e feve në Shqipëri si Rilindas të hershëm, veprën e tyre ia kanë kushtuar kombit dhe patriotizmës, duke kundërshtuar çdo lloj pushtimi, të sulltanëve të Turqisë, të shovenistëve grek dhe serb, të Italisë fashiste, të Gjermanisë, etj.

Që nga Buzuku i hershëm, tek Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Frank Bardhi, Naim, Sami dhe Abdyl Frashëri, Ndre Mjeda, At Gjergj Fishta, Fan Noli, Hafiz Ali Korça (i dënuar dy herë me vdekje nga sundimi turk, ndërsa fëmijët iu burgosën nga diktatura), Nënë Tereza e famshme, Bab Dud Karbunara, At Zef Pëllumbi, etj, ndonëse kishin të veshur petkun fetar, ajo nuk iu bë pengesë aspak për çështjen tonë kombëtare. Ato u bënë udhërrëfyes për liri, pavarësi, për gjyhën e bukur shqipe për kombin tonë duke u afirmuar edhe si figura ndërkombëtare.

Delegatët e “Kongresit të alfabetit” – Manastir 1908
(Rreshti i tretë, nr. 2. Gjergj Fishta, nr. 3. Dom Nikollë Kaçorri, nr. 4 Dom Ndre Mjeda)

Në foto: Nënë Teresas, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi

Kalorësit e tre besimeve fetare në Shqipëri: islamizmi, katoliçizmi, feja ortodokse, përfshi edhe feja bektashiane, prej shekujsh kanë qenë në unison mendimi e veprimi për problemet kombëtare. Predikuesit e këtyre feve ishin njerëz me kulturë të gjërë: shkrimtarë, poet, përkthyes, historianë, humanistë, etj. Prandaj populli shqiptar përulet me respekt përpara këtyre shenjtorëve të Zotit sepse ishte mendja e tyre e ndritur që në plan të parë vunë shqiptarizmën dhe bashkimin. Këto intelektualë dhe patriotë shqiptarë, nuk u përkulën nga presekutimi komunist edhe pse akuzoheshin si spiunë të Vatikanit dhe si antishqiptarë. Përpara skuadrës së pushkatimit fjala e tyre e fundit ishte: “Për fe e për Atdhe”.

Me vendosjen e diktaturës komuniste në Shqipëri, (1945) filloi përndjekja e egër e të gjithë figurave fetare, duke i burgosur, vrarë, internuar dhe keqtrajtuar familjet. Kisha Katolike e Shqipërisë u cilësua si agjente e shërbimeve të të huajve, sepse iu bë pengesë zhvillimit të regjimit socialist. Dy peshkopët, imzot Gaspër Thaçi dhe imzot Viçenc Prendushi (klerik dhe poet) kundërshtuan pushtetin komunist. Imzot Prendushi u dënua me 20 vjet burgim, ndërsa Thaçi u dënua me pushkatim.

Në vitin 1946-47, në fshatin Zhabiak të Kavajës, me punën e të burgosurve, midis të cilëve kishte edhe predikues të fesë, veçanërisht priftërinj të Kishës Katolike, u hap një kanal kullues. Kanali kishte tre metra thellësi, pesë metra gjerësi dhe dhjetë kilometra gjatësi.

Gjatë vitit 1954 kam shërbyer si mësues në shkollën e fshatit Zhabiak. Kanali kalonte nga ana e mbrapme e shkollës së fshatit. Kur shikoja kanalin, më dilnin përpara syve ato kufoma të mjeruara, si në burgun e Spaçit, Burrelit, Maliqit, etj.

Fshatarët e krahinës më tregonin: kampi i të burgosurve ishte i rrethuar me tela me gjemba, me kulla vrejtuese dhe me qen. Të burgosurit i mbanin në kushte të papërshtatshme, në disa barake ku jetonin. I detryronin të punonin pa ngrënë, deri sa të rrraskapiteshin mbi 15 orë punë. Punonin zbathur nën kamzhikun e mbikqyrësve kriminelë. Rojet i detyronin të burgosurit politik, përfshi edhe priftërinjtë, që të punonin më shumë, duke i rrahur dhe keqtrajtuar. Si bëheshin kockë e lëkurë nga stërmundimi skllavëror, një pjesë e tyre vdiste në kanal. Pastaj, rojet merrnin kufomat dhe i zhduknin pa lënë gjurmë. Edhe sot nuk i dihet vendi i varrimit ose gropimit të trupave të vdekur.

Kisha Katolike, Vatikani, gjatë Luftës së Dytë Botërore u vu në mbrojtje të jetës së hebrejve kundër masakrave të Hitlerit. Papa Klementi, ishte shenjtori që shpëtoi mijëra jetë çifute prej diktaturës naziste, për të cilën iu dha urdhri për arrestim nga vetë Hitleri. Në kohën e Holokaustit nazist, Vatikani ka mbrojtur hebrenjtë, duke i larguar nga Italia, me pashaporta me identifikim tjetër, pa cilësuar që ishin hebrenj, për t’i shpëtuar përndjekjeve.

Edhe në Kavajë, ish-mësuesi patriot Mihal Lekatari (përmbarues në gjykatë), në bashkëpunim me sektretarin e gjygjit në Kavajë, Mehmet Babamusta (Dëshmor i Kombit), arritën që të shpëtonin dhjetëra e dhjetëra çifutë, duke i dërguar në vende të sigurta, me dokumenta të tjera. Si shumë familje shqiptare që u bënë strehë e të përndjekurve çifutë nga Izraeli, edhe në shtëpinë time kam pasur fatin të strehoj një familje hebreje rrobaqepës, prej katër vetësh, në fund të vitit 1943.

Me 2 nëntor 1967 Shqipëria u shpall shtet laik. Por faktikisht, feja u sulmua dhe u ndalua nga regjimi komunist për 45 vjet. Pas vitit 1945, e deri në 1967 filloi prishja e mounementeve të kulteve fetare, ku u shkatërruan qindra xhami, kisha, tyrbe, dhe u dogjën librat fetarë. Këtë asksion kriminal e drejtoi sigurimi famëkeq i shtetit, duke aktivizuar me detyrim edhe rininë për prishjen e tyre, me parrullën “kundra paragjykimeve fetare dhe besimeve fetare të së kaluarës”. Gjatë shkurtit 1967, kjo veprimtari u manifestua në një thirrje që Partia Komuniste i bënte popullit kundra vlerave të besimit fetar.

Me të drejtë populli patriot dhe liridashës i Shkodrës me 14 janar 1990, i ndjekur nga populli patriot i Kavajës, me 26 mars 1990, ishin të parët që u revoltuan kundër regjimit komunist me protesta. Në Shkodër u rrëzua busti i Stalinit, ndërsa në Kavajë shpërtheu lëvizja masive popullore kundër diktaturës komuniste, ku ra dëshmori i parë i Demokracisë, Josif Buda. Protestat u ndoqën nga studentët e Tiranës në dhjetor 1990, duke rrëzuar bustin e Enver Hoxhës, dhe më pas flakët u përhapën në të gjithë Shqipërinë.