Duhet bërë kujdes me ca gjëra që janë të panegociueshme

0
45

Mustafa Nano, 19 Mars 2014

Po e zhvilloj ca më tepër tezën që hodha e mbrojta në shënimin tim me titullin “Ka një problem me elitën ‘myslimane’ shqiptare”. Diçka të tillë e bëra dhe në programin ‘Opinion’ të TV Klanit, të hënën në mbrëmje, por argumenti është kaq kompleks sa, çfarëdo e sado që të thuash, ti prapëseprapë do jesh i përndjekur nga ideja se s’ke thënë atë që duhet. Riformuloj: Myslimanët vetë, sidomos ata që e përfaqësojnë këtë bashkësi në mënyrë institucionale a në mënyra të tjera, duhet të jenë të parët që duhet të kujdesen për imazhin e tyre faqe botës.

Është e sigurtë se imazhi i keq për ta e ka burimin edhe te plot paragjykime, apo animozitete, që ekzistojnë tek pjesa tjetër e shoqërisë, sidomos tek mass-media, te pjesa jo fetare e shoqërisë, tek elita intelektuale që në disa raste gjurmonë me qejf e me pahir mospërputhje e kontraste mes vizionit të vet për botën e vizionit të tyre fetar, etj, etj, por po kaq e sigurtë është se përgjegjësitë për këtë imazh duhen kërkuar më së pari tek vetë myslimanët. Këta të fundit, të shumtën e kohës bëjnë pak, ose asgjë, për t’u distancuar nga – e për t’i dënuar – qarqet radikale e ekstremiste të tyre. Përveç kësaj, ata duhet të na bëjnë njëherë e mirë të qarta qëndrimet e tyre lidhur me një numër gjërash, përballë të cilave nuk duhet e nuk mund të ndahemi; përndryshe, këtë komb që është themeluar qysh në origjinë si një unitet të krishterësh e myslimanësh, e këtë shtet që kemi rënë dakord të ngrihet e të mbahet mbi themele të lirisë, të demokracisë, të ligjeve civile e të të drejtave të njeriut, mund t’i marrë lumi.

Ne lipset të nënshkruajmë një kontratë mes nesh në këtë mes. Të gjithë ne duhet të biem dakord mbi ca gjëra të panegociueshme. Ne që nuk jemi besimtarë, apo – për t’mos i ikur argumentit – që nuk jemi myslimanë, duhet të pajtohemi me faktin që myslimanët janë një pjesë e rëndësishme e kësaj shoqërie, që pa ta nuk ka e nuk mund të ketë një komb shqiptar, që ata duhet të jenë të lirë e të papenguar ta ushtrojnë e praktikojnë besimin e tyre e që të gjitha llogaritë e projektet tona për të ardhshmen duhen bërë me ta e për ta. Këto, e ndonjë gjë tjetër që ka lidhje me të drejtat e tyre, janë të panegociueshme. Përsëris: Të panegociueshme.

Por në këmbim, ata duhet të na japin prova se e dinë mirë që ky komb është dhe i të tjerëve, të krishterë, laikë a ateistë qofshin, duhet të na japin prova se këtë vend e këtë komb e duan po aq sa ne të tjerët, duhet të na japin prova se interesi kombëtar është një gjë që nuk mund të negociohet, dhe po njësoj të panegociueshme duhet të jenë, në radhë të parë prej nevojës për të mbajtur në drejtëpeshim e harmoni këtë shoqëri me strukturë shumëfetare, shteti laik, shteti ligjor, demokracia liberale.

Ne flasim për tolerancën e harmoninë mes feve këtu te ne, por kjo tolerancë e demonstruar deri më sot ka ardhur, jo nga ndonjë disponim yni etik apo përsosje e jona shpirtërore (veç ndonjë qyfyrexhí mund t’i mbahet këtij pretendimi), por – kaq e thjeshtë është gjëja – prej vetëdijës se pikërisht kjo tolerancë është një conditio sine qua non e ekzistencës së kombit shqiptar, prej vetëdijës se me identitetet fetare të sho-shoqit nuk mund të luhet. Këtë vetëdije duhet ta mbajmë gjithë kohën gjallë. Kuptohet, nëse biem dakord se ky komb meriton të ketë të ardhshme.