Monografia “SFIDË PËR DEMOKRACINË“, kryesisht merret me shqyrtimin e veprimtarisë së Degës së LDK-së në Zvicër dhe raportin e atyre forcave karshi zhvillimeve politike e shoqërore në Kosovë, rajon dhe më gjerë. Ky trajtim, përveç që kap një periudhë të caktuar kohore, ka për synim parësor t’i argumentojë disa gjëra, disa çështje të atyre zhvillimeve politike, duke i argumentuar ato procese me dokumente dhe materiale të kohës, për të nxjerrë në pah dhe për t’i pasqyruar si duhet veprimet e asaj kohe për të cilën po flasim, parë në raport me zhvillimet rajonale dhe të ndryshimeve gjeostrategjike që ndodhnin në aspektin global.
Kjo monografi është sajuar si një lloj “Ditari politik”, ku parim themelor është ana faktike e atyre lëvizjeve dhe zhvillimeve politike e shoqërore, gjithmonë bazuar në dokumentet e shumta të cilat kryetari i Degës së LDK-së në Zvicër, Hajdar Sadrija, i ka ruajtur me kujdes.
Fillimisht, të gjitha zhvillimet e asaj kohe janë parë e trajtuar sipas optikës dhe prizmit të tij, e pastaj ato zhvillime politike, (duke u bazuar në anën faktike), janë parë edhe nga një prizëm e mendje tjetër.
Natyrisht pasi protagonisti i librit ka qenë gjallë, unë si autor nuk është dashur të hulumtojë arkivat për t’i gjetur materialet, procesverbalet dhe dokumentet e shumta, ato i kam marrë të gatshme, sikurse edhe një pjesë të referateve, raporteve të punës dhe fjalimeve të ndryshme, që janë përfshirë në këtë monografi, më shumë për shkak të aspektit argumentues se sa në planin veprues duke e plotësuar mendimin, dhe në anën tjetër i kanë konkretizuar disa veprime ku e kanë sforcuar më tej lëndën e prezantuar në këtë libër.
Gjithsesi, si materiale të asaj kohe, vijnë në këtë libër në mënyrë origjinale në planin faktik (faksimile të shumta), të cilat kanë mundur të pësojnë ndonjë ndërhyrje të lehtë në aspektin gjuhësor, pra vetëm të karakterit profesional.
Por, nga lënda në shqyrtim e cila është trajtuar me kujdes, dalin në pah të paktën dy elemente, që i kanë karakterizuar ato zhvillime politike e shoqërore, mjaft antagoniste si mendim, dhe diametralishttë kundërta në aspektin e veprimit për ta realizuar Pavarësinë e Kosovës:
1. Respektimi i hierarkisë që e ka kultivuar Lidhja Demokratike e Kosovës, përkatësisht raportet: <Qendër – Degë>.
2. Abuzimi i kësaj vlere themelore që e ka praktikuar Qeveria e Kosovës në ekzil, përkatësisht raporti: .
Përmes këtyre antagonizmave, shpjegohen më mirë zhvillimet politike të asaj kohe dhe duke u marrë me shqyrtimet e atyre fërkimeve politike në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës në ekzil dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës do të zbërthehen dy rivalitete, të cilat i kanë përfaqësuar dy koncepte politike mjaft dalluese në mes vete.
A. Dr. Ibrahim Rugova përfaqësonte, vlerën intelektuale. Ai, durimin dhe respektimin i kishte mjete të demokracisë, parametra këta për të ndërtuar hierarkinë institucionale , kurse përmes institucioneve paralele kultivonte rezistencën paqësore, mjet i së cilës ishte durimi. Demokracia, sipas Rugovës ishte kusht për t’u integruar në strukturat Euro – Atlantike. Kosovën e shihte shtet të Pavarur dhe Neutral, i cili do të qëndronte, vetëm në miqësi të përhershme me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian, dhe natyrisht, edhe në fqinjësi të mirë me Shqipërinë dhe Serbinë si dhe vendet e Rajonit.
B. Ndërsa antagonizmi i veprimit të dr. Bujar Bukoshit, ka qenë e kundërta e këtyre parametrave që i theksuam më lart. Kryeministri i Republikës së Kosovës në ekzil, dr. Bujar Bukoshi, nuk e ka respektuar hierarkinë . Ai, nuk ka arritur të përfaqësojë e kultivojë demokracinë. Servilizmin dhe nënshtrimin ndaj “Institucionit” e ka realizuar përmes konflikteve dhe përçarjes. Ai kurrë nuk është shkëputur nga fobia e skllavërimit, kurse miti serb mbi Kosovën i ka ndenjur si “Kryqi mbi Vampirin”, prandaj rrugën e vetme të Kosovës drejt SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian e ka konceptuar duke futur në veprim: Arkaizmin si princip, servilizmin si parim, dhe provincializmin si veprim. Elemente këto që bien ndesh me postulatin e demokracisë që e kultivonte Evropa dhe Amerika, dhe që e aplikonte në kushtet e pushtimit të një aparteidi klasik, edhe lideri historik i Kosovës dr. Ibrahim Rugova.
Qeveria e Republikës së Kosovës në ekzil, e udhëhequr nga dr. Bujar Bukoshi, (duke mos i përjashtuar as ministrat tjerë që kanë qenë të involvuar në këto procese, dhe disa sish që kanë abstenuar në momentet historike), kanë zhvilluar një luftë të paprincipe kundër dr. Ibrahim Rugovës në veçanti dhe kundër LDK-së në përgjithësi.
Viktimat e para të këtyre fërkimeve, në Degën e LDK-së në Zvicër, do të jenë mr. Shaip Latifi, themeluesi dhe kryetari i parë i Degës së LDK-së në Zvicër, si dhe ing. Nazmi Peci, nënkryetar i Degës së LDK-së dhe kryetar i Fondit Humanitar Gjithëkombëtar, më saktë kryetar i parë i Komisionit për Realizimin e Trepërqindëshit.
Nëse tani i shohim gjërat në retrospektivë, do të vijmë në përfundim, se sikur organizimi politik i LDK-së të ishte në nivelin e duhur, sot për Kosovën dhe politikën e saj, mr. Shaip Latifi, Ing. Nazmi Peci, Hafiz Gagica dhe Hajdar Sadrija, do të ishin personalitete politike të respektuara, e sigurisht edhe të suksesshëm. Jo vetëm këta katër veta që i përmendëm, të cilët i pat rrokur rrufeja e atyre fërkimeve në relacionin “Qeveri – Parti”, por në Diasporën shqiptare qoftë në Evropë apo në Amerikë, ka pasur dhe ka me dhjetëra intelektualë e veprimtarë të tjerë që kanë rënë pre e po këtyre konflikteve.
Dr. Bujar Bukoshi, gjatë tërë asaj kohe nuk e ka ndalur avazin e tij kundër LDK-së dhe kundër dr. Ibrahim Rugovës, jo vetëm në aspektin financiar, (duke ia rrudhur fondet), por duke e sabotuar edhe në plane të tjera, qoftë përmes Komisioneve për Realizimin e Trepërqindëshit, qoftë nëpërmes Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë LAPSH “Naim Frashëri”, qoftë përmes gazetave “Rilindja” dhe “Bota sot”, (kjo e fundit në kohën e Agmi Malës), pastaj përmes TVSH-së, e madje edhe deri tek Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës, të cilat duke u thirrur, në një lloj pavarësie politike, vazhdimisht kanë anashkaluar veprimtarinë politike e organizative të LDK-së, ndonëse siç dihet i vetmi asociacion politik e organizativ që grumbullonte mjete materiale për Qeverinë, që i ndihmonte shkollat shqipe në Diasporë dhe institucionet paralele në Kosovë, ishin anëtarët dhe veprimtarët e LDK-së.
I theksova këto gjëra, për ta orientuar lexuesin në disa segmente, në të cilat ka qenë i involvuar Hajdar Sadrija. Ai, do të mbetet ndër veprimtarët e paktë që me guxim e kulturë i ka sfiduar këto prapështi. Prandaj, qëndrimi dhe guximi i tij janë një “Sfidë e vërtetë për demokracinë!…”
Ai, i ka ruajtur me kujdes dokumentet e materialet, si dhe letrat e shumta, në disa raste i ka shënuar si fletë ditari kujtimet e tij, dhe me to po krijon një pjesë të VETVETES që do t’i shërbejë së ardhmes dhe historisë së Kosovës.
Ndërsa me rastin e përfundimit të kësaj monografie, (kësaj vepre monumentale për të), në shenjë falënderimi e respekti për autorin e monografisë, Hajdar Sadrija, ia dhuron arkivin e tij personal, me ç’rast, shumica e atyre materialeve janë të cituara në fusnota ose janë përfshirë në shtojcën “Bibliografi” e cila gjendet në fund të pjesës së dytë të kësaj monografie.
Natyrisht, e falënderoj!
Zvicër, vjeshtë 2013.
Autori
[…] http://www.fjala.info/sfide-per-demokracine-liber-historik-nga-shefqet-dibrani/ […]
Comments are closed.