ARDIAN VEHBIU E diel, 09 Mars 2014
Në këtë moment, i vetmi gjest i urtë do të ishte që politikanëve në Kosovë t’u propozohej një moratorium, në lidhje me debatet publike për Skënderbeun, pro dhe kundra – në mos për gjë tjetër, të paktën për hir të kombit dhe flamurit!
Ia behu edhe dita kur Skënderbeu të sulmohet nga pikëpamja thjesht kombëtariste.
Për këtë rekord i detyrohemi një deputeti të PD-së në Kosovë, Amir Ahmeti, i cili qenka shprehur tani së fundi se “Skënderbeu nuk duhet të quhet hero kombëtar, pasi ka masakruar shqiptarët me besim mysliman”, deklaratë që ka një farë relevance politike, thjesht për shkak të burimit se nga vjen.
Pa çka se nuk do të ishte keq, për politikën në Kosovë dhe për shëndetin e komunikimit publik në trevat mbarëkombëtare, sikur z. Ahmeti të mos kishte asnjë mendim për Nënë Terezën dhe Skënderbeun; ose të paktën asnjë mendim të denjë për t’u artikuluar në publik.
Deputeti në fjalë ka lexuar vepra të historisë dhe ka ndjekur debatet e fundit në media, ku ka mësuar, mes të tjerash se “Kuvendi [i Lezhës] ishte në bazë fetare dhe jo në bazë kombëtare, sepse në mesjetën e hershme kombet nuk kishin lindur ende dhe nuk kishte kurrfarë rëndësie se çfarë gjuhe flisje, kur vihej interesi fetar para.” Ky relativizim kohor i konceptit të kombit e ka një farë merite, sikurse edhe është vënë në dukje prej kohësh.
Ka lexuar edhe që “Skënderbeu me t’u kthyer në Krujë, muslimanëve shqiptar iu dha të zgjidhnin në mes krishterimit ose vdekjes, shumica e tyre refuzuan të braktisnin besimin islam dhe i masakroi pa mëshirë.” Dakord edhe me këtë, mund të ketë ndodhur sikurse e përcjell zotëria.
Nga këto dy premisa, z. Ahmeti nxjerr përfundimin e çuditshëm se “Si përfundim, përderisa Skënderbeu derdhi gjak shqiptari për motive fetare unë nuk mund ta quaj hero kombëtar.”
Pse them të çuditshëm? Sepse po të pranojmë se në mesjetë nuk ekzistonte kombi, atëherë rrjedh se Skënderbeu nuk mund ta dinte se, duke vrarë myslimanët në Krujë, po vriste bashkëkombës të tij!
Ja pse jo të gjithë mund të merren me histori dhe të interpretojnë një ngjarje të 500 vjetëve më parë, si të ishte fjala për një incident të tanishëm në një xhami në Gollokamje.
Z. Ahmeti nuk është i vetëm, në interpretimin post-modern, që ia bën Skënderbeut.
Gjithnjë në Express, lexoj se këshilltari kryesor i Ramush Haradinajt, Avni Arifi, e ka shpjeguar se “Skënderbeu vërtet ka vrarë në Krujë, por ka vrarë veç tradhtarë, të cilët nuk kanë as komb as fe… dhe se përkatësia etnike nuk është alibi për tradhtinë.”
Në këtë moment, i vetmi gjest i urtë do të ishte që politikanëve në Kosovë t’u propozohej një moratorium, në lidhje me debatet publike për Skënderbeun, pro dhe kundra – në mos për gjë tjetër, të paktën për hir të kombit dhe flamurit!
(Marrë nga peizazhe.com)
[…] http://www.fjala.info/skenderbeu-qe-vret/ […]
Comments are closed.