Diplomatët amerikanë në Kiev u kundpërgjigjën vetëm pak orë pas konferencës për shtyp të presidentit rus, Vladimir Putin
Ruben Avxhiu
Në një intervistë të ditës së sotme, ambasadori rus në Tiranë tha se Presidenti Vladimir Putin e kishte sqaruar më së miri arsyet e veprimeve të fundit të Rusisë në Ukrainën fqinje.
Është e vërtetë që Presidenti Putin mbajti dje një konferencë për shtyp për gazetarët ku artikuloi qendrimet ruse ndaj Ukrainës. Ai ishte madje shumë bindës në versionin e tij të përshkrimit të zhvillimeve në Kiev dhe Krime.
Po vetëm pak orë pak shpjegimeve të tij, Ambasada Amerikane botoi në përgënjeshtrim pikë për pikë të të gjitha pretendimeve dhe tezave të presidentit rus. Jo për herë të parë në këto 20 vitet e fundit, Moska është kapur duke shitur shkeljen e të drejtës ndërkombëtare si respektim të saj, agresionin si shpëtim dhe hipokrizinë cinike si moral.
Më poshtë mund të lexoni pjesët thelbësore të shkëputura nga konferenca e Putinit dhe përgjigjia amerikane për secilën prej tyre.
Putini: Duhet të kthehemi te marrëveshja e 21 shkurtit, të cilën opozita e shkeli?
E vërteta: Duke respektuar marrëveshjen parlamenti ukrainas, Rada, miratoi një projekt-ligj për të kthyer në Ukrainë Kushtetutën e vitit 2004.
Sipas kushteve të marrëveshjes, Janukoviçi duhej ta nënshkruante këtë ligj brenda 24 orëve. Pas kësaj protestuesit do të lëshonin ndërtesat qeveritare që kishin marrë pas vrasjes së dhjetëra protestuesve. Përveç kësaj demonstruesit do të ndërmerrnin edhe një numër hapash për çtensionimin e situatës.
Në vend që të nënshkruante legjislacionin e ri, Janukoviç ia mbathi nga Kievi dhe pastaj edhe nga Ulkraina. Ishte Janukoviçi dhe jo opozita që nuk përmbushi marrëveshjen e 21 shkurtit. Vetë partia e Janukoviçit e ka lënë tashmë pas atë. Ka votuar në favor të ligjit për shkarkimin e tij nga posti dhe për krijimin e një qeverie të re.
Putini tha: Qeveria e Ukrainës është e paligjshme dhe nuk përfaqëson popullin
E vërteta: Qeveria e re u aprovua nga Rada me 371 vota, një shumicë e dërrmuese e parlamentit ukrainas, me mbështetjen e të gjitha partive përveç asaj komuniste.
Edhe Partia e Rajoneve (POR), e ish-presidentit Janukoviç votoi në favor të qeverisë së re, vetëm disa ditë pasi ai braktisi vendin e tij. POR nuk ka marrë pjesë në qeverinë e re dhe ka qendruar në opozitë, por ky vendim politik nuk përjashton mbështetjen për ndryshimin e bërë. Në fakt, shumica e deputetëve të partisë së Janukoviçit kanë votuar në favor të ligjeve ndryshuese që prej ikjes së tij.
Putini tha: Rada është nën ndikimin e ekstremistëve apo terrorisëtve
E vërteta: Rada është institucioni më përfaqësues i popullit në Ukrainë dhe ligjet e fundit të ndryshimeve janë miratuar me shumicë të gjerë, përfshi edhe nga deputetët e Ukrainës lindore (rusfolësit).
Putini tha: Rrugët e Kievit janë të rrezikshme
E vërteta: Që kur forcat e sigurisë së Janukoviçit u tërhoqën 10 ditë më parë dhe u vendos qeveria e re, në Kiev është kthyer qetësia. Media ukrainase dhe ajo e huaj kanë vënë re se nuk ka ndonjë rritje në krime, nuk ka bastisje dyqanesh, apo sulme hakmarrëse ndaj kundërshtarëve politikë.
Putini tha: Ka një krizë humanitare dhe qindra mijëra po ikin nga Ukraina drejt Rusisë për të kërkuar azil.
E vërteta: Ne nuk kemi parë absolutisht asnjë provë për këtë. Por mënyra më e mirë për të siguruar që nuk do të ketë krizë është që të ndërpriten të gjitha veprimet provokuese dhe të lejohen vëzhguesit që të vëzhgojnë rajonin dhe të ulin tensionet.
Putini tha: Rusët etnikë ndjehen të kërcënuar.
E vërteta: Nuk ka asnjë lajm të konfirmuar për rusë etnikë që janë kërcënuar. Ka vetëm akuza që vijnë nga shtypi dhe televizioni shtetëror rus. Qeveria e re ukrainase ka vënë si prioritet paqen dhe ripajtimin dhe që nga dita e parë, President Turkinov refuzoi të nënshkruante një ligj që kërkonte kufizimin e përdorimit të gjuhës ruse në nivel rajonal. SHBA dhe vendet e tjera, duke përfshirë dhe BE-në e kanë duartrokitur këtë qendrim gjithëpërfshirës të qeverisë ukrainase.
Putini tha: Bazat ruse janë në rrezik.
E vërteta: Mjediset ushtarake ruse kanë qenë dhe mbeten të sigurta. Qeveria e re e Ukrainës është zotuar se do t’u përmbahet të gjitha marrëveshjeve ekzistuese, duke përfshirë edhe ato që lidhen me bazat ruse në vend.
Putini tha: Kievi po përpiqet të destabilizojë Krimean
E vërteta: Përkundrazi, ishin trupat ruse që dolën nga bazat e tyre dhe pushtuan seli politike dhe inrastrukturën në Krime.
Ndryshe nga ato, qeveria e Ukrainës ka vepruar me vetëpërmbajtje dhe ka kërkuar dialog. Qeveria në Kiev menjëherë dërgoi ish-shefin e Mbrojtjes për të çtensionuar situatën, mirëpo emisari i fundit, Petro Poroshenko nuk u lejua të hyjë në Radën e Krimesë për të bisedime qetësuese.
Putini tha: Ka pasur sulme masive kundër kishave në Ukrainën Lindore.
E vërteta: Nuk kemi parë ndonjë provë për këtë. Të gjithë udhëheqësit fetarë të Ukrainës, përfshi edhe përfaqësues të Kishës Ortodokse Ruse kanë dalë në mbështetje të qeverisë së re dhe kanë bërë thirrje për bashkim kombëtar dhe një periudhë pajtimi.
Putini tha: “Kryeministri” i Krimesë ftoi ndërhyrjen ruse.
E vërteta: E drejta ndërkombëtare nuk parashikon përdorimin e forcës me ftesë të pushtetit lokal. Sipas Kushtetutës se Ukrainës, vetëm Rada e Ukrainës mund të aprovojë praninë e trupave të huaja në territorin e vendit.
Thirrja e Sergei Aksyonovit që Presidenti Putin të sigurojë “paqen dhe qetësinë” në Krime ishte një përpjekje cinike për destabilizim.
Putini tha: Veprimat e Rusisë janë në përputhje me Traktatin e Miqësisë të vitit 1997 ndërmjet Ukrainës dhe Federatës Ruse.
E vërteta: Marrëveshja e vitit 1997 kërkon që Rusia të respektojë integritetin territorial të Ukrainës. Veprimet ushtarake të Rusisë në Ukrainë janë një shkelje e hapur e integritetit dhe sovranitetit të Ukrainës.