Ja si do të jetë Vlora me projektin e ri

0
54

Zbardhen disa detaje të reja të projektit fitues të shëtitores në Vlorë. Projekti i studios belge XDGA, të përfaqësuar nga arkitekti Xaveer de Geyter, ka lënë mbresa të veçanta.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Vlorës, Arben Breshani, thotë për ATSH se, projekti i shëtitores (“Lungomares”), një nismë e qeverisë shqiptare, do të krijojë një hapësirë të gjerë zhvillimi dhe transformimi për qytetin dhe më gjerë.

“Është një projekt që ofron mundësi të tjera shumë më të mëdha për Vlorën dhe që, njëkohësisht vë në efiçensë të plotë investimet e kryera në fushën e ndërtimit në zonën bregdetare, duke i futur ato në rrjedhën e modernizimit dhe parametrave bashkëkohorë”, thekson Breshani.

Ridimensionimi i kësaj pjese të bregdetit, sipas një konceptimi modern, integrimi në të edhe i portit të qytetit, i shndërruar në një mjedis kryesisht në funksion të turizmit, ashtu siç është edhe pritshmëria e këtij objekti në muajt dhe vitet në vazhdim, do të krijojë një raport efektiv dhe një vizion zhvillimor për Vlorën, ashtu sikundër do të ofrojë edhe një pamje të re të ballinës së qytetit nga hapësira detare.

Por jo vetëm kaq. Ky projekt do t’i japë një nxitje të fortë zhvillimit të biznesit në Vlorë. “Komuniteti i biznesit është tepër i interesuar dhe e ka mirëpritur këtë projekt që do t’i japë një frymëmarrje të re perspektivës së zhvillimit të Vlorës”, shprehet Breshani.

Arkitekti, Piro Stefa thotë se me konkretizimin e projektit fitues bregdeti i Vlorës merr një zhvillim të ri. “Është një rikonceptim modern i kësaj hapësire bregdetare,që do të krijojë një impuls të ri zhvillimi për Vlorën”, shprehet ai.

Nga ana tjetër, piktori Edi Kojani, shprehet se ndërtimi i shëtitores do t’i japë një pamje të re estetike ballinës së qytetit të Vlorës, në raport me detin.

“Do të mundësohet një raport tjetër, mes bukurisë natyrore të Vlorës, ndërtimeve ekzistuese, ndonëse paksa të çrregullta dhe vetë kësaj hapësire të të krijuar pas prishjes së ndërtimeve, ku do projektohet shëtitorja”, thekson Kojani.

Konkursi ndërkombëtar për zhvillimin e bregdetit të Vlorës u shpall në 28 nëntor të vitit të kaluar, në një takim të zhvilluar në sallën e Teatrit “Petro Marko” të qytetit, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.

Ky projekt, që është investimi më i madh në historinë e Vlorës, nuk do të mbetet i veçuar, por do të alternohet edhe me projekte të tjerë komplementarë, që do të shtrihen përgjatë bregdetit të detit Jon.

/albeu.com/ – 26/02/2014