Psikopati Karaxhiç

0
108

Nga Coline Covington, RFE

Në vitin 1990, Radovan Karaxhiçi pati deklaruar: “Nuk dëshirojmë që mbi organizatën e re shtetërore të derdhet asnjë lot i vetëm i një fëmije, e lëre më i ndonjë pike të gjakut”. Nëntëmbëdhjetë vjet më vonë, “Bisha e Bosnjës” do të dalë para Tribunalit Ndërkombëtar për krimet e luftës në territoret e ish-Jugosllavisë, nën akuzat për gjenocid dhe krime lufte. Jo vetëm që u dëshmua si e gabuar deklarata për synimet paqësore të Karaxhiçit, por ai paralajmëroi edhe një ardhmëri të gënjeshtrave dhe të mashtrimeve, e cila mund të jetë vetëm vepër e një psikopati.

Themelues i Partisë Demokratike Serbe, Karaxhiç u akuzua para 14 viteve dhe u fsheh për më shumë se një dekadë. Ai u arrestua më 21 korrik të vitit 2008, në një autobus në Beograd, i fshehur prapa mjekrës dhe flokëve të gjatë. Ai shtirej si Dragan Dabiç, mjek i mjekësisë alternative.

Karaxhiçi 64 vjeçar është akuzuar për vrasjen e 8 mijë meshkujve boshnjakë në Srebrenicë, në vitin 1995, që shënon krimin më të madh në Europë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Ai gjithashtu akuzohet për organizimin e rrethimit të Sarajevës, gjatë të cilit nga predhat dhe plumbat e serbëve të Bosnjës janë vrarë mbi 10 mijë civilë. Përderisa pritet që procesi gjyqësor kundër tij të zgjatë tri vjet, Karaxhiç është i zënë me përpjekjet për të blerë kohë. Kërkesa e tij që fillimi i procesit kundër tij të shtyhet për 10 muaj, në mënyrë që ai të jetë në gjendje ta përgatisë më mirë mbrojtjen e tij, u refuzua nga trupi gjykues.

Karaxhiç u largua nga vendlindja e tij, Mali i Zi, në vitin 1960, për ta studiuar mjekësinë në Sarajevë. Aftësia e tij për të lidhur miqësi dhe për t’i joshur njerëzit, konsiderohet si njëri ndër faktorët kryesorë për karrierën e tij mjaft të bujshme. Në moshën 23 vjeçare ai u martua me Liljana Zelenin, pasuria e familjes të së cilës i ndihmoi atij që të etablohet në shoqëri.

Në vitin 1984, Karaxhiç u akuzua se kishte tjetërsuar të holla nga një spital në Beograd, për të ndërtuar një pushimore private në Pale. Ai kaloi 11 muaj në burg.

Njerëzit të cilët e kanë njohur Karaxhiçin gjatë kësaj kohe theksojnë se përvoja e tij në burg dhe pasuria e bashkëshortes së tij e kanë ndryshuar atë. Pas lirimit nga burgu, Karaxhiç mori një imazh të ri dhe filloi të shoqërohej me pjesëtarë të policisë së fshehtë dhe të nëntokës. Qëndrimet e tij politike u bënë gjithnjë e më nacionaliste. Me këtë u vendos edhe themeli për hyrjen e Karaxhiçit në politikë. Ishte autori nacionalist serb, Dobrica Qosiç, ai i cili i rekomandoi ish-kryetarit tashmë të ndjerë të Serbisë, Slobodan Milloseviçit, që ta emërojë Karaxhiçin për kryetar të Partisë Demokratike Serbe.

Në intervistën dhënë menjëherë pas emërimit të tij, Karaxhiç kishte theksuar: ”Të gjithë në Jugosllavi e dinë se unë nuk kam pasur ambicie që të bëhem udhëheqës politik. Shpresoja se pas zgjedhjeve nuk do të merresha më me politikë. Por kjo nuk ishte e mundshme. Kroatët po përgatiteshin që ta vrisnin popullin tonë. U desh të merret vendimi për të organizuar ushtrinë”.

Karaxhiç e paraqiti veten si një hero i cili u detyrua të ndërhyjë në skenë për ta parandaluar zhdukjen e nacionalistëve serbë. Por, siç e dimë tani, ky ishte një projekt i Karaxhiçit për t’i zhdukur të tjerët. Për dallim nga Hitleri, i cili nxiti spastrimet etnike si pjesë të një ideologjie tejet të zhvilluar politike, spastrimet etnike të Karaxhiçit nuk bazoheshin në parime kaq të zhvilluara, por ishin prodhim i megalomanisë së tij. Ideologjia u shfrytëzua nga Karaxhiçi për ta mbuluar atë që, në të vërtetë, ishte banditizëm.

Ajo që ishte tejet drithëruese gjatë paraqitjeve të Karaxhiçit gjatë gjithë luftës në Bosnje, ishin gënjeshtrat e tij. Në vitin 1992, në fillim të rrethimit të Sarajevës, Karaxhiç pati thënë: ”Ne nuk kemi asnjë snajperist të vetëm në Sarajevë. Vetëm myslimanët kanë snajperistë”.

Gazetarët të cilët e kanë parë Karaxhiçin në Hagë, e kanë komentuar karizmin e tij. Ai së shpejti do ta sigurojë vëmendje më të madhe të opinionit botëror. Ndoshta kjo është ajo që Karaxhiç ka synuar të arrijë me anë të akteve të tij kriminale.

Këtu mund të bëhet një paralele me paraqitjen e Hermann Goeringut në procesin e Nurembergut. Goeringu dukej se e shijonte vëmendjen e cila iu kushtua në këtë proces. Ai nuk e pranoi tmerrin e aksioneve të tij. Përkundrazi, procesi ishte një mundësi për atë që t’i mbronte të arriturat e tij.

Goering, kështu së paku dukej, nuk binte në kategorinë e “banalitetit të së keqes”, të Hannah Arendit, e keqe kjo e cila kryhet nga njerëzit e thjeshtë. Në vend të kësaj, ishim në gjendje ta shihnim një psikopat i cili nuk ishte në gjendje ta bënte dallimin mes të mirës dhe të keqes. Triumfi i tyre është që t’i bindin të tjerët se janë “normalë”.

Përvoja e Karaxhiçit në psikiatri me gjasë i ka ndihmuar që ta zhvillojë këtë personalitet dhe të pozicionohet në anën tjetër të çmendurisë.

Autorja është psikanaliste, ish-drejtoreshë e Këshillit Psikanalitik të Britanisë