Nga Mero Baze
Në historinë e politikës shqiptare këto 23 vite, opozitat kanë pasur ciklin e tyre të rrugës dhe pastaj të përfshirjes në institucione. Veçmas tyre, në shkollën politike të Berishës, protesta është përdorur më shumë si një mjet politik për të nxjerrë jashtë loje kundërshtarët brenda partisë, se sa për të dëmtuar kundërshtarin politik.
Për këtë arsye, Lulzim Bashën nuk e kam marrë seriozisht si një lider, që ka nevojë për rrugën, për arsyen e vetme se atij ia kanë dhuruar pushtetin brenda partisë dhe nuk shikoj ndonjë rrezik real që dikush mund ta rivalizojë sa është Berisha gjallë. Berisha, në vitin 1997 deri në vitin 2001, iu drejtua rrugës, pasi ishte në shënjestër të ndërkombëtarëve dhe kundërshtarëve brenda partisë për ta eliminuar politikisht.
Çdo ditë media e asaj kohe kishte intervista të Genc Pollos, Genc Rulit, Tritan Shehit, Dashamir Shehit, Ferdinand Xhaferrit, Artan Hoxhës, bile dhe Enno Bozdos, të cilët kërkonin largimin e tij nga PD-ja dhe kthimin e partisë në institucione. Përkundër tyre, i ndihmuar dhe nga ngjarje dramatike, siç ishte vrasja e Azem Hajdarit, Berisha e mbajti PD në rrugë deri në vitin 2001, kur kundërshtarët i nxori jashtë partisë dhe dukej se nuk kishte më asnjë rrezik. Pas kësaj ai iu përvesh marrëveshjeve me kundërshtarët, me Fatos Nanon dhe Ilir Metën dhe deri në vitin 20o5 nuk iu drejtua më rrugës përveç tre mitingjeve në vitin 2004.
Lulzim Basha nuk më duket se ndodhet në pozita të ngjashme, por edhe përkundër kësaj, ai duket se ka zgjedhur të përsërisë ciklin opozitar të Berishës. Arsyet mund të ngjajnë me ato të Berishës, por ka natyrisht dhe arsyet e veta.
Dalja në rrugë, për të mos u marrë me të si lider i partisë, nuk më duket një arsye e plotë, pasi e vetmja kërkesë që vjen nga kundërshtarët e tij në parti është analiza e zgjedhjeve dhe jo analiza e tij si lider. Analiza e zgjedhjeve nxjerr humbës dhe fajtor kryesor Sali Berishën dhe klanin e tij, ndaj dhe shtyrja dhe mosbërja kurrë e saj, është një arsye më e besueshme që protestat në rrugë po i nxit Berisha për ta shmangur këtë moment brenda PD-së.
Një frikë tjetër e Bashës duket se është përfshirja në reformën territoriale, e cila ka padiskutim dhe impakt elektoral. Duke qëndruar jashtë reformës territoriale, Basha po përgatitet të mos njohë rezultatin e zgjedhjeve lokale, i cili do të jetë ndoshta më i thelli kundër opozitës, jo për shkak të ndarjes territoriale, por për shkak të shkrirjes de facto që po i ndodh PD-së në bazë, ndërkohë që Basha përpiqet të mbulojë disfatën me mitingje.
Por mbi të gjitha Basha e ka kuptuar se do të jetë për rrugë të gjatë në opozitë dhe po konsumon ciklin e protestave në rrugë ndoshta për gjithë mandatin e parë, me qëllim që mandatin e dytë në opozitë të bëjë rolin e opozitës përfshirëse dhe të ndryshojë kurs.
Sido që të jetë, kjo lloj opozite populiste është një favor i pamerituar për qeverisjen, e cila ende nuk ka zënë vend, dhe për shumë nga premtimet e saj, ende nuk ia ka dalë të fillojë të ndërtoj një plan për realizimin e tyre. Me një opozitë në rrugë, qeveria merr mbështetje të pamerituar nga militantët e saj dhe zbut në një mase ekstreme zemërimin e mijëra socialistëve, të cilët janë ende të papunë dhe të papërfaqësuar në pushtet. Ashtu sikundër Basha e Berisha duan të gënjejnë demokratët duke mos bërë analizën e dështimit të tyre dhe duke i ftuar në mitingje, ata po ashtu u ndezin gjakun një milion socialistëve që votuan kundër tyre, duke ua hequr nga mendja zemërimin që mund të kenë me qeverinë e tyre.
Kjo mënyrë e të bërit opozitë, sidomos stimulimi i “revoltave” me spote që kushtojnë miliona, duke bërë thirrje kundër varfërisë, me liderë të rinj miliarderë, që u kushtojnë makinat dhe shtëpitë më shumë se selia e PD-së, dhe në një kohë që “demokratët” militantë janë ende në zyrat e shtetit në punë, dhe socialistët në rrugë, është një ndihmë e pamerituar për qeverinë. Koha ka provuar se pushteti këtu dobësohet kur i hiqet alibia e “armikut” dhe kur e përball atë me dështimet e veta. Rama shkoi drejt zgjedhjeve duke miratuar ligje konsensuale, edhe pse ishin kundër interesit të tij politik, hyri në parlament, edhe pse Berisha nuk i lejoi të hapeshin kutitë e manipuluara të 2009-ës, pranoi të dorëzonte Bashkinë edhe pse ia vodhën hapur mandatin, nuk e la parlamentin edhe pse bulevardi u përgjak nga katër të vrarë prej Sali Berishës dhe Lulzim Bashës dhe i mbushi mendjen shqiptarëve se problem ishte Berisha me Bashën, jo ai.
Ky është momenti më delikat kur një opozitë e mund pushtetin, kur masa kritike kalon të drejtën në anën e saj.
Kjo që po bën Basha, duket se është diçka që e ka menduar mirë. Ai e di që e ka larg pushtetin, e di që ka Berishën nëpër këmbë, e di që ka shumë pak shanse të ndryshojë shumicën parlamentare në zgjedhjet e ardhshme dhe është nisur për rrugë të gjatë, duke ia nisur nga “rreshtorja” e PD-së për të përfunduar në krye të rreshtit, nëse ia del të mbijetojë pas tetë vitesh.
Nuk e ka menduar keq për vete dhe as për qeverinë. Të dy dalin të fituar nga kjo që po bën. Të humbur dalin vetëm ata që besojnë përrallat e 20 Shkurtit.