Çfarë më shqetëson tek skandali i “sms”-ve në studio

0
35

Nga Mero Baze

Ka një vëmendje të shtuar ndaj atij që mund të quhet skandal i komunikimit me sms nga studiot e TV në shtëpitë e politikanëve, duke komanduar në një farë mënyre si kukulla televizive ata që dalin në emër të autoritetit publik. Ka shumë komente, shpesh fyese, pas publikimit të sms-ve të gjithë familjes Berisha, duke filluar nga gjyshi, dhëndri, vajza, djali, mbesa e deri tek sms e Fatos Nanos për Artur Zhejin.

Natyrisht që nuk është diçka e këndshme ajo që ka ndodhur për ata, të cilët presin sms në emision dhe ndikohen prej tyre. Por ju siguroj se personat në fjalë mund t’ia dalin të bëjnë debat dhe pa ato sms. Është një mungesë e fortë etike komunikimi si telefon i prishur i Nanos dhe Berishës me Saimir Tahirin përmes tyre, por deri këtu.

Ajo që më duket shumë e mjerueshme në këtë histori janë dy ish- kryeministrat.

Përfytyroni Familjen Berisha, të mbledhur të gjithë para televizorit, gjyshi i ulur në kolltukun kryesor, vajza, djali dhe dhëndri rrotull, mbesat para, dhe shikojnë si një ndeshje futbolli debatin e Saimir Tahirit me katër gazetarë. Përfytyroni gjyshin që i nis sms pas çdo batute, duke i thënë bravo, jepi, forca, urime… Pastaj dhëndri që kërkon të japë mendje dhe i rekomandon çfarë të thotë. Pastaj djali që kërkon t’i mbushë mendjen se duhet t’i presë fjalën Saimirit kur përmend Gërdecin. Pastaj mbesat që duan dhe ato të dërgojnë një sms për ngjyrën e kravatës.

E gjithë kjo skenë kolektive e Familjes, duke parë se si do të dalë Saimir Tahiri në debat, është në të vërtetë skena ku ka përfunduar Familja e plotpushtetshme në Shqipëri. Të gjithë ata që i mendojnë se janë të fortë, se kanë miliarda dhe nuk pyesin për asgjë, se janë në krye të PD reale dhe as që pyesin për pasojat e ndëshkimit, në fakt bëjnë mirë t’i përfytyrojnë kështu siç janë: Një tufë mjeranësh, që shpresojnë se po mundën Saimir Tahirin, shpëtuan.

Përfytyroni atë që ka pasur ministër Flamur Nokën, përfytyroni atë tjetrin me çantën e zezë të gjobave, që ka filluar të kthejë këstet e paratë e gjobave të fundit, përfytyroni atë zonjën që kërkonte tre milionë euro për një firmë të babait, përfytyroni burrin e saj, që i merrte gjobë çdo koncesioni të huaj duke i bërë “studimin” e mjedisit, se si janë katandisur të shpresojnë rikthimin, po qe se mundin Saimir Tahirin.

Përfytyroni pak dhe atë ish- kryeministrin tjetër, që nuk i dhemb koka për asgjë, që ka 9 vjet që jeton me Vjenës dhe Tiranës dhe ka shqetësim dhe ai Saimir Tahirin.

Përfytyroni dy ish- kryeministra, që tani, pasi kanë qeverisur secili nga tetë vjet, mund të ishin njerëz të qetë, në punë të tyre, të rrisnin nipër e mbesa, apo fëmijët e tyre, pa u angazhuar shumë në atë që ndodh, të cilët janë të tensionuar dhe shqetësuar sikur të jenë persona në kërkim.

Përfytyroni një ish- kryeministër që ka vrarë katër qytetarë, një djalë të tij, që ka varrosur 26 vetë, një familje që paguhej qindra- mijëra euro në muaj, që janë aq të tensionuar dhe në stres me veten, sa shpëtimin e gjejnë tek ndonjë batutë kundër Saimir Tahirit.

Përfytyroni një ish- kryeministër socialist, një njeri që ka bërë plot gjëra për këtë vend, që ka bërë privatizime të suksesshme dhe i ka dhënë vendit një dimension tolerance, që tani rri para televizorit dhe shan me fjalë të pista ministrat që nuk e dëgjojnë, por që atë e stresokan më shumë se hallet që ka pas vetes kur ishte kryeministër.

Ky është lajmi i vërtet në këtë histori të shëmtuar sms-sh. Është fakti që ata që na kanë qeverisur, ata që kanë qenë kryeministra në këtë vend, janë aq të stresuar nga Ministri i Brendshëm sa thua janë në kërkim dhe mund t’i kapin nga çasti në çast. Janë me aq shumë lekë dhe ngjajnë kaq të varfër. Janë me aq shumë roje dhe ngjajnë kaq shumë të trembur. Janë me aq shumë histori pushteti dhe ngjajnë si njerëz rruge. Janë me aq shumë njerëz rrotull tyre dhe ngjanë aq të vetmuar. Janë aq shumë pretendentë sërish për pushtet dhe ngjajnë aq të stresuar se u duket pengesë Saimir Tahiri. As ata që vënë tritol, nuk besoj se janë katandisur kështu.