Shtëpia e poetit At Gjergj Fishta, e rrënuar, e harruar

1
85

At. Gjergj Fishta

Nuk është hera e parë që shkruhet për shtëpinë e rrënuar të fëmijërisë së At Gjergj Fishtës. Vlera dhe rëndësia e këtyre shtëpive të rindërtuara është gjithashtu një ështje e diskutueshme. Mirëpo është gjithashtu fakt se qysh në vitin 2011, është premtuar nga ministria e Kulturës rindërtimi i kësaj shtëpie dhe nuk është bërë.
“Shqiptarja” që rikthen vëmendjen në këtë temë ka qenë rregullisht kritike ndaj qeverisë Berisha dhe mbetet për t’u parë nëse qeveria Rama do të bëjë ndonjë gjë tani, por në këtë rast ka gjetur arsye për sulmin e saj ndaj ish-ministrit Bumçi

Shkruan Admirina Peçi:
Kjo shtëpi është tani në prag rrënimi të plotë. Pa dyer e dritare, me fragmente muresh të rënë e të plasaritur, me çati të shkatërruar… Në fshatin e vogël Fishtë në Zadrimë të Lezhës, na thonë se aty nuk mbërrin dora e shtetit, e “njimend, asht fat qi kulla e Fishtës rri ende n’kambë”.
Kulla dykatëshe ofron në pamjen e saj ballore një imazh të mjerueshëm. Një derë e kalbur ku duken ende gjurmët e bojës së shpërlarë, një e gjelbër e vakët e shuar, në krah të saj pllakati që na njofton se pikërisht kjo është shtëpia ku lindi At Gjergj Fishta, poeti që shkroi të famshmen “Lahutë të malcisë”.

Pak më përtej në dritaren me hekura është tendosur një flamur kuq e zi dhe ai i dalë boje. Ndërsa një e çarë e frikshme e murit, që ngjitet deri në katin e dytë të kullës jep alarmin sos. Mbase ky fragment muri rrëzohet brenda vitit. S’do të jetë asgjë më shumë, veçse një lajm i zakonshëm në rradhën e gjatë të lajmeve për shkatërrime në trashëgiminë tonë kulturore.
Pas tij do të bjerë një fragment tjetër muri, e mandej një tjetër e një tjetër…Derisa asnjë gjurmë të mos mbetet edhe nga kjo shtëpi ku lindi një prej mendjeve më të ndritura shqiptare. Siç nuk ekziston më asnjë gjurmë nga shtëpia e dikurshme e Luigj Gurakuqit, krejtësisht e masakruar dhe tjetërsuar, edhe pse shumë debate janë zhvilluar rreth rrënimit të saj, e shumë projekte janë hartuar për ta kthyer në identitet.
Sipas gazetës “Shqiptarja” drejtori i drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Tiranë Arbër Kadia, kishte njoftuar se projekti për restaurimin e kësaj shtëpie është gati dhe do të kushtojë mbi njëzet e pesë mijë euro.

“Do të jenë ndërhyrje që do të konsolidojnë më së miri strukturën e godinës, por duhet thënë se nuk janë përfundimtare. Për asnjë monument kulture nuk ka ndërhyrje përfundimtare. Njëherë restaurohet çatia, herë tjetër parmakët apo kasat e dyerve”, ka thënë Kadia para dy viteve.
Ndërsa, sipas gazetares, deklaratën e parë publike për ndërhyrje në këtë monument e dha ish-ministri i kulturës Aldo Bumçi në një ekspozitë në Muzeun Kombëtar mbajtur me rastin e 140 vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës.

Në atë deklaratë të tetorit 2011 Bumçi tha se “shtëpia e Atë Gjergj Fishtës, në fshatin Fishtë, në Zadrimë të Lezhës, do të rikonstruktohet dhe do të shndërrohet në një muze bashkëkohor në lartësinë e këtij personaliteti të kulturës kombëtare”.
Atëhere pse ende sot këto pamje? A u ridrejtuan diku tjetër këto fonde? Ku shkuan dhe pse?
Sigurisht Gjergj Fishta nuk ka nevojë që t’ia rindërtojnë shtëpinë e fëminisë që të mbetet i gjallë në kujtesë. Edhe eshtrat ia humbën që të shuhej nga historian ë kohën e komunizmit. Po janë disa figura që janë aq përfaqësuese të një populli, kulture e tradite me të cilën nuk fiton dot kurrë. Më shumë se kush e kanë mësuar këtë të majtët, që tani të betohen në emër të tij.

Buxhetet e kulturës shqiptare janë të kufizuara. Arka e shtetit shqiptar ka pasur historikisht shumë vrima. Nuk është në nderin e qeverisë Berisha që nuk e mbajti këtë premtim. Çështja mbase do të kishte më pak rëndësi, sikur të mos e kishin premtuar publikisht restaurimin.
Por vëmendja tani është në qeverinë Rama. Kanë kaluar më shumë se 6 muaj që kur Berisha humbi në zgjedhje ndërsa po fillon muaji i gjashtë i qeverisjes së re. Dalëngadalë, bilanci i asaj se çfarë nuk është bërë do të zëvendësohet me atë se çfarë po bëhet. (r.a. Illyria)

E transmetuar në prill 2013:

1 COMMENT

  1. Pershendetje autores te shkrimit. Gjendja e shtepise te Gjergj Fishtes, tregon, ne rradhe te pare, qendrimin qe ka mbajte ky shtet ndaj Gjergj Fishtes, ketij monumenti kulture e atdhetarie te pazevendesueshem. Eshte dukuria e antikultures, e antiatdhetarizmit açik. Nese Gjergj Fishta do ishte gjalle e do votonte, sigurisht, jo njezetmijë, por dyqindmij euro do ishin hedhur. Mos u merzit, Pater Gjergj Fishta! A e “mban mendt” Berishen, kur u ngjit per here te pare ne podium, gojen e tij-bukur tek fliste. Po ja them une dy fjale, si me qene ti: Dikur, ajo goje mbush me “gure sedefit”, tash i kane mbete dy gure qenefit. Me mire qe ndodhi keshtu. Ka kush te kujton e mendon per ty.

Comments are closed.