Rama: Fund praktikave kur tatimorët silleshin si kusarë. Jo kontrolle në befasi ndaj biznesit. Tolerancë zero ndaj informalitetit

0
47

Kryeministri Edi Rama shprehu vendosmërinë e Qeverisë për të ndryshuar njëherë e mirë sjelljen e administratës tatimore ndaj bizneseve dhe qytetarëve që kanë zgjedhur si mënyrë jetese të bërit biznes apo vetëpunësimin. Në një takim me administratës tatimore, Kreu i Qeverisë theksoi se brenda 2014 duhet të ndryshojë rrënjësisht sjellja e administratës në raport me qytetarët dhe biznesin, sikundër kërkoi që ti jepet fund praktikave të vjetra që vendosnin biznesin nga më i vogli tek më i madhi përballë presionit psikologjik deri në terror.

“Qytetarët e shqipërisë kanë halle, probleme, konflikte për të cilat trokasin në dyert e shtetit, në dyert e adminsitratës. Qytetarët kanë ambicie të shprehur me votën e tyre për të gjetur një tjetër përkushtim, predispozitë dhe vullnet në momentin kur trokasin në derën e shtetit. Sigurisht jo të gjitha hallet, shqetësimet, problemet dhe pritshmëritë mund të zgjidhen menjëherë dhe shumë prej tyre duan kohën e tyre. Por ka një kërkesë që duhet të zgjidhet menjëherë, që qytetarët tanë të dëgjohen, mirëkuptohen dhe shërbehen me dinjitetin që shteti duhet të ketë në sjelljen e tij”, theksoi Rama.  Në këtë kuadër ai u shpreh se jo pa qëllim procesi i komunikimit me administratën po nis nga tatimet, e cila duhet të ndryshojë rrënjësisht sjelljen ndaj tatimpaguesve, ndaj atyre që me taksat që paguajnë garantojnë pagat e tuaja si punonjës të shtetit.  Duhet të jepet prova që administrata e shtetit shqiptar duhet të jetë model në marrëdhëniet me qytetarët dhe duhet të mbyllim një epokë e përkufizuar nga korrupsioni, dhuna psikologjike, rryshfeti, mbi ata që i japin gjak ekonomisë sonë, që i japin vendit tonë mundësinë që të rritet dhe përmirësohet”, tha Rama. Sipas tij, duhet kurajo e madhe që mbi sipërmarrësit, mbi njerëzit që hapin vendet e punës, të vendoset sundimi i arbitraritetit, korrupsionit, papërgjegjshmërisë, që në vend që të krijojë kushtet që ekonomia të zhvillohet, krijon një klimë të padurueshme që krijohet nga përfaqësuesi i shtetit si dhunues dhe përfaqësuesi i zhvillimit si skllav.

“Sipërmarrësit janë njerëzit që të gjithë ju duhet t’i shërbeni me përgjegjësi, përkushtim dhe me ndërgjeje. Duhet t’i shërbeni me respekt, në kuptimin që jo se keni përballë një njeri që ta trajtoni si skllav, por duhet ta trajtoni që të ndjehet i kënaqur edhe kur s’ka të drejtë. Nuk është sjellja ajo që përcakton të drejtën, por veprimi i drejtë. Duhet të ndërtojmë një marrëdhënie të re, në mënyrë që të mos dekurajojmë ata që nga mëngjesi në mbrëmje kanë stresin për pagesën e rrogave, planet e zhvillimit, konkurencën, që edhe pse duhet të jetë e lirë është edhe më e vështirë. Ju paguheni nga ata me të cilët keni të bëni drejtpërdrejtë, paguheni nga taksat që burojnë nga prodhimi i atyre fabrikave, kompanive, ndërrmarrjeve që ju shkoni të trokisni”, iu drejtuar Kryeministri administratës tatimore. Në këtë kuadër ai kërkoi zbatimin e Kodit , duke nisur nga veshja, sjellja apo komunikimi  në marrëdhëniet me cdo krijues të vendeve të punës, me cdo kontributor të të ardhurave.

:Figura e njeriut që bën biznes duhet të vendoset në të njëjtin piedestal që meriton, njëlloj sikundër ndodhen frymëzuesit e të rinjve dhe të rejave në fusha të tjera si sporti, kultura etj. Figurën e biznesmenit kusar, hajdut, të dyshimtë, nuk e ka krijuar vetëm ajo pjesë e komunitetit të biznesit që mendon kështu, por e ka krijuar sjellja e vetë shtetit si kusar në raport me biznesin.  Jemi një vend, që njerëzit që paguajnë më shumë taksa kanë më shumë frikë, ndjehen nën presion dhe nën terror psikologjik, për shkak se janë parë vijimësisht si krijues problemesh dhe përfitimesh të paligjshme të tyre. Kjo duhet të ndryshojë menjëherë”, theksoi Rama.

Sipas tij, sfidat e administrimit tatimor në Shqipëri janë të mëdha.  Rama theksoi se këto sfida nuk mund të fitohen brenda ditës apo një viti, por ajo që duhet të fitojmë brenda 1 viti është ajo e sjelljes së administratës tatimore me tatimfiguesit.  “I kërkuam kompanive të paguajnë 15 % nga 10 % të tatimit të fitimit, por në të njëjtën kohë jemi të vetëdijshëm se përkundër rritjes së kontributit të tyre duhet të rrisim shërbimet ndaj tyre. “Kemi ulur taksat për 97 % të atyre që jetojnë me rroga, sikundër kemi rritur taksat për ata që kanë aktivitete ekonomike. Kemi marrë përsipër të ulim taksën e korrupsionit, arbitraritetit, kohës dhe t’i bëjmë të papërfillshme ato. Paraja reale që ka dalë nga xhepi i tyre gjatë një viti nuk ka qenë ajo që futej në xhepin e shtetit 10 %, porn ë bazë të studimeve dhe sondazheve që ne kemi bërë përpara se të shkruanim programin, na rezulton me një mesatare 22 %, ku diferenca perj 12 % ishte korrupsioni dhe rryshfeti.  Pra diferenca mes 15 % zyrtar dhe 22 % jozyrtar ne do ta bëjmë zero”, tha Rama.

Në vijim, Kryeministri i kërkoi punonjësve të administratës tatimore që të mos guxojnë të trokasin në derën e një biznesi apo dyqani duke përdorur kulturën e vjetër, atë të gjobvënësit apo kusarit. “Kjo mënyrë sjelljeje duhet të marrë fund dhe ajo që duhet të mbizotërojë është fryma e bashkëpunimit, mirëkuptimit. Nuk ka gjë më të turpshme dhe të fajshme sesa të prekësh të ardhurat legjitime të një dyqani apo furre buke, biznesi  shërbimi ku njerëz si ne, familjarë tanë, nxjerrin fitimet e tyre me mundime të mëdha. Dhe ti shtosh këtyre mundimeve edhe mundimin e fytyrës së degraduar të një agjenti tatimor është kriminale. Nuk do të tolerojmë asnjë sjellje dhe nuk do të falim askënd që nuk do të kontribuojë dhe nuk do të respektojë sjelljen europiane të shtetit”, theksoi Rama.

Gjithashtu ai kërkoi nga administrata tatimore që të respektojë në mënyrë rigoroze etikën përsa i takon procedurave dhe shkresave në raport me qytetarët, në mënyrë që edhe raporti mes shtetit dhe kompanive të jetë sa më etik dhe i përgjegjshëm. “Është koha të reduktojmë vizitat fiskale, trokitjet orë e pa orë në dyert e biznesit, vizitat rast e pa rast që shqetësojnë dhe c’fokusojnë biznesin nga puna e vet. Duhet të ketë racionalizim të kontrolleve dhe duhet të jetë i njohur paraprakisht nga cdo biznes që kontrollohet, duhet të lajmërohet cdo pronar, pasi duhet ti jepet fund befasive të pakuptimta”, tha Rama. Një tjetër pikë për të cilën Rama kërkoi angazhimin e administratës tatimore ishte korrektësia e kontrollit dhe zbatimi gërmë për gërmë i ligjeve, në mënyrë që edhe ankesat e bizneseve të vijnë në ulje. “Ju nuk keni detyrë të shtoni numrin e ankimeve apo apelimeve, por duhet ti ulni në minimum duke qenë të drejtë dhe të qartë. Asnjë kompromis në dëm të interesit të shtetit, por njëkohësisht asnjë cënim të paligjshëm apo dëmtim të interesit të biznesit”, tha ai.

Si bjektiva kryesore për administratën tatimore, Kryeministri përmendi mos krijimin e pagesave të prapambetura, menaxhimin e sukseshsëm të rimbursimit të TVSH dhe bërjen e rimbursimit të plotë brenda 60 ditëve për të mbyllur njëherë e mirë një epokë që ka sjellë që rimbursimi i TVSH ka shkuar atje nuk s’mban më për biznesin. “Iluzioni se duke mos rimbursuar TVSH se medemek shteti të ketë më shumë para, e ka rrënuar ekonominë private, si dhe ekonominë kombëtare gjithashtu. Kush pengon një biznes, ka penguar rritjen e ekonominë kombëtare”, tha Rama.

Gjithashtu Kryeministri kërkoi tolerancë zero ndaj bizneseve që operojnë në atë që quhet zona gri apo duke mos respektuar asnjë ligj të shtetit. “Ne na duhet me cdo cmim të zgjerojmë bazën e tatimpaguesve. Të ndryshojmë profilin e punës nga një punë që fokusohet tek ata që paguajnë për ti vënë pas murit, tek një punë për të nxjerrë në dritë bizneset që operojnë jashtë kufijve të ligjit dhe që jetojnë në zonën gri të ekonomisë”, tha ai.  Kreu i Qeverisë paralajmëroi administratën tatimore që për cdo ankesë të biznesit që do të provohet se është ushtruar presion apo janë përdorur metoda kontrolli në kundërshtim me ligjin, personi përgjegjës nuk do të ketë më vend në administratë dhe do të përballet me ligjin.