Shkruan: Shaban Cakolli
Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka ishin bërthama e çështjes sonë kombëtare, nderi, dhimbja dhe krenaria shqiptare. Ata ishin burra, të cilët arritën unifikimin e mërgatës shqiptare, përpjekësit e angazhuara me tërë qenien në internacionalizimin e çështjes shqiptare në Evropë dhe botë. Trima të cilët i njohi dhe i bëri të pandashëm çështja madhore kombëtare. Asnjëherë nuk i ndau as lodhja, as veprimtaria e pashembullt, as vapa, as acari, ashtu si nuk mund i ndau as breshëria e plumbave të pushtuesit sllav.
Ata ishin themelues së Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e vendit. Ishin strategët më të stërvitur për themelimin e platformës më të qartë kombëtare. Vizioni i tyre ishte që të bashkojnë gjithë shqiptarët, pa dallim feje, krahine apo gjinie. Vizioni i tyre në të folur e shkruar gjëthnjë ka pasur parasyshë edhe opcionin e çlirimit të Kosovës nga okupatori, pa përjashtuar edhe rezistencën e armatosur, kur pushtuesi nuk do të njihëte tjetër formë. Dalja e tyre në skenë në mërgatën shqiptare pati bërë jehonë të madhe. Ata ishin guximtarë të veprimeve kombëtare, edhe pse UDB-ja sllave vepronte lirë në perendim dhe i përcillte kudo. Ata ishin edukuar në frymën jo vetëm të duan atdheun, në të cilin u lindën dhe u edukuan, por edhe të sakrifikojnë e ta mbrojnë dhe shpëtojnë ate me çmimin më të lartë (gjakun).
Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka,ishin pishtarë të lirisë së Kosovës, pa veprimtarinë e të cilëve Kosova nuk do të kishte lirinë, të cilën e gëzon sot. Ata vunë themelet e tyre në këtë drejtim, duke kundërshtuar guximshëm pushtimin serb mbi Kosovën. Një formë të ngjajshme kundërshtimi të pushtuesëve e patën nisë edhe studentet e Universitetit të Prishtinës në vitin 1981.
Gërvallajt dhe Kadri Zeka sakrifikuan çdo gjë për lirinë të cilën po e gëzojmë sot. Ata me veprimtarinë e tyre paralajmëruan Serbinë, ish-Jugosllavinë por edhe mbarë botën e civilizuar, se shqiptarët e Kosovës më kurrë nuk do të lejojnë të jetojnë nën tutellën serbo-sllave. Jusufi, Bardhoshi dhe Kadriu ishin simbole të qëndresës kombëtare, që burimin e kishin nga familje me tradita kombëtare patriotike. Organizon likuidimin e tyre në mënyrën më barbare dhe tinzare duke organizuar mbi ta atentat klasik. Janaret për shqiptarët ishin janarë të kobshëm dhe të zi, ku mbi ta dora e zezë tinëzare likuidoj shumë veprimtarë të shquar.
Kështu ndodhi edhe më 17 janar 1982 në Untergrupenbach të Gjermanisë, ku dora e zezë e pushtuesit i vrau tinëzisht Jusufin, Bardhoshin e Kadri Zekën. Duhet të thuhet se prej tyre më tepër shquhej Jusuf Gërvalla, dallohej për prirjet dhe orientimet kombëtar në të gjitha fushat. Jusuf Gërvalla ishte poet, këngëtar, publicist, veprimtar i devotshëm i çështjes kombëtare, intelektual i guximshëm e luftarak për çlirimin e Kosovës, i cili veprimtarinë e vet atdhetare e zhvilloi në ilegalitet, në Kosovë dhe emigracion.
Ishte në rrezik të arrestimit, por pasi i shpëton arrestimit, emigron në Gjermani, ku më parë jetonte dhe vepronte i vëllai Bardhi, ku e vazhdon me një intensitet edhe më të shtuar veprimtarinë e tij patriotike për çlirim e bashkim kombëtar. Në Gjermani arrin të bashkojë faktorin shqiptar të emigracionit në një front të përbashkët kundër shtypjes, burgosjes, vrasjeve e shpërnguljes së shqiptarëve nga forcat sërbo-jugosllave. Ai së bashku me Bardhoshin, Kadri Zekën e disa veprimtarë të dalluar, ishte në ballë të frontit të gjërë për sensibilitetin e opionit botëror për çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në ish-Jugosllavi e Ballkan.
Pushteti i atëhershëm serbo-jugosllav tek Jusufi e shihte nyjen kyçe të organizimeve anti-jugosllave, prandaj e vranë me Bardhoshin dhe Kadriun. Me 17 janar Kosovës iu trazua qielli, shqiptarëve iu trazuan zemrat, atë natë të zezë janari dëbora u skuq me pikat e gjakut të trimave tanë të lirisë. Agu i mëngjezit i gjeti pikat e gjakut të tyre të ngrira, por as acari as breshëritë e plumbave nuk mund i ndanë trimat.
Ata ranë në altarin e lirisë për të shënuar pavdeksinë. Shembulli i Jusuf Gërvallës, mbeti dhe mbetet i gjallë ndër intelektual të kohës moderne, si krijues dhe atdhetar i shquar për liri. Shqiptarët kishim të bënim me një armik të pacipë, i cili tinëzisht na i vriste trimat dhe nuk i linte të varroseshin në atdhe. Jusufi, Bardhoshi dhe Kadriu, ishin varrosur në Gjermani. Më kujtohen ato vite dhimbjesh, kur çdo përvjetor bënim homazhe tek varrezat e tyre. Sikur më dukej se u bënim dëm, sikur i shkilnim varrezat e tyre, e trupi i tyre nuk prehej pa i kthyer eshtrat e tyre në atdhe, për të cilin ata kishin rënë heroikisht.
Tani fatbardhësisht ata janë në tokën e tyre, janë bërë dritë, diell e shkëndijë e lirisë dhe kombit. Edhe ne mërgimtarët pas tyre jemi mundue të bëjmë veprimtarinë kombëtare, por rrugën e kishim të trasuar nga ata, shtigjet i kishim më të hapura dhe krahërorët më të mbrojtur, si rezultat i veprimtarisë së tyre. Ashtu si Jusufi, ashtu nga prirëjet për orientim kombëtar dallohet bija e tij Donika Jusuf Gërvalla, në organizimet e veprimtarisë së tyre pata marrur pjesë dhe aty shihja ringjalljen e Jusufit, nga se Donika ishte veprimtare e paepur e çështjes kombëtare, ashtu si babai i saj Jusufi, ishte e zëshme dhe zëdhënëse, e cila veprimtarinë kombëtare e zhvilloi në Gjermani dhe zëri i saj i fuqishëm, i guximshëm e intelektual, internacionalizoi çështjen shqiptare nëpër Europë.
Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka janë personalitetet më të çmuara, të cilët u flijuan për çlirimin e Kosovës. Ata janë nderi, dhimbja dhe krenaria jonë, vetëm se ata nuk duhet t’i përkujtojmë vetëm në përvjetorin e rënies, duhet të gjejmë forma më të shpeshta organizimesh për t’i përkujtuar dhe nderuar këta pishtarë të lavdisë, qoftë në Kosovë e kudo në mërgatën shqiptare.