(Elegji të P.Hysit, D.Binajt, V.Zikos, K.Taboinit e L.Xhulit; shkrime të F.Terziut, N.Selmanit, V.Capos e R.Moisiut etj.)
Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues-Tiranë
1.
Si zakonisht, në përurimin e librave, Riza Lahi ishte gjithnjë i pranishëm. Kështu ndodhin edhe para disa ditësh, kur mjediset e Ministrisë së Kulturës u bë përurimi i librit të gjakovares Drita Nikoliqit-Binaj, ardhur nga Novi Sadi i Vojvodinës.
Nga e majta: G. Mejdani, Riza Lahi, S. Zogiani e M. Gecaj (Tiranë, 14 dhjetor 2013)
Pas koktejit të rastit, shkuam në një lokal, aty përballë. Aty pimë kafe, së bashku me Xaken, Gurali Mejdanin dhe kolegun nga Prishtina, Salih Zogiani. Me atë buzëqeshjen e pandarë të fytyrës dhe humorin karakteristik, Rizai na i bëri mjaft të këndshme ato minuta, që i kaluam aty. Ndër të tjera, ai e kishte merak numrin e revistës, që do të përgatisnin, me tematikë jetën e romëve të Shqipërisë. Me shaka, ai më “lavdëroi”, që e kisha mbështetur në një mesazh të tij, në Internet, që ai emër duhej shkruar me dy “r”, pra jo me një, siç e mendojnë disa. Po kështu, shoqërisht, më porositi që të përgatisja një shkrim, sa më të mire, për numrin e ri të revistës në fjalë. U ndamë përzemërsisht dhe në mendje më ka mbetur ajo buzëqeshja e tij, që gjithnjë ia pushtonte tërë qenjen e tij.
Por ja, që jeta qenka shpesh e pabesë dhe lajmi i ndarjes së papritur përgjithnjë nga jeta, të kolegut e mikut tonë të mirë, shkrimtarit të njohur edhe për armën e aviacionit, Riza Lahi, na befasoi të gjithëve. Kur po i shkruaj këto radhë, sjell në kujtesë takimet tona të shpeshta, sidomos në vitet e fundit. Ato kanë qenë, sidomos, në përurimin e librave të ndryshëm, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, në Ministrinë e Kulturës ose në Akademinë e Shkencave. Në këto raste, kemi biseduar bashkë edhe për planet e tij të botimeve.
Kështu, Xakja më kërkoi që ta rishikoja, me kunatin tim, teknikun e aviacionit, Nikollë Zef Zhuri, në shkrim nga libri “Dinosaurët e fundit”(Tiranë, 2003), mbasi mendonte që atë ta ribotonte. Këtë porosi të tij e kryem me shumë dëshirë dhe shkrimin në fjalë ia nisa atij me e-mail, gjë për të cilën më falënderoi. Po kështu, një rast tjetër, biseduam për pilotin dëshmor Azbi Serani, me të cilin kam qenë në shkollën ushtarake dhe më tregoi se ku punonte vëllai i tij, pasi dëshiroja të shkuaja diçka për të. Më pas, përgatita një shkrim dhe ai u publikua, sidomos në disa qendra Interneti. Sigurisht, Rizait i erdhi mjaft mirë, për këtë gjë.
2.
Lajmi i dhimshëm, i trishtueshëm e i papritur, i ndarjes përgjithnjë nga familjarët dhe nga tërë ne, i shkrimtarit Riza Lahi, pushtoi disa qendra Interneti. Kështu, disa veta i shprehën ndjenjat e tyre përmes elegjive dhe shkrimeve, si dhe me anën e mesazheve të panumërt, që ata kanë publikuar.
Ja, përpara kam mjaft krijime të kolegëve dhe miqëve të Xakes. Poeti Përparim Hysi e nisë kështu elegjinë e tij:
Oh, çfarë ke ba, more Riza Lahi?!
I ke hipë avionit, je nisë për “Parajsë?!”
A ndigjon, besa, në kor asht “ahi!”
Si lumë e le lotin tim, që të rrëshqasë…
Ndërsa Drita Nikoliqi-Binaj, me elegjinë e saj, “Si do thoshte Riza Lahi”, vajton atje, në Novoi Sad të Vojvodinës:
Njeriu e ka zemrën plagë
dhe ngrysë netët duke qarë,
kur shtyn jetën diku tjetër,
tutje nga folezë e parë.
Dhe sikur një ditë papritur
të jetë e tija gjithë bota,
do kërkojë rrugën e vjetër
– për atje, ku i ka rënë koka…
Me ndjesi të trishta, poeti i njohur lirik, Vangjush Th. Ziko (Korçë), e shprehë me vargje dhimbjen e tij, për mikun Riza Lahi:
Më mbetën sytë në qiell,
avionin tënd po kërkoj,
që rrëmbeve papritur
dhe na e le bosh
aeroportin e shpirtit.
Të qeshurën tënde na le
dhe ëndrrën e fluturimit…
Po, sikur e vazhdon këtë mendim, poeti Luan Xhuli, që nga Athina:
Flamur i shpirtit tënd të zjarrtë,
që të shpuri në qiell,
do të të zbresë prapë
në aeroportin e zemrës,
që na e le të zbrazët.
Ndërsa poetja tjetër, në Tiranë, Venka Capo shprehet me fjalë dëshpëruese:
“Ah, sa dhimbje mora! Kurrë s’e besoj, që miku im, Riza Lahi, sot nuk është mes nesh! Në një takim, që kaluam bashkë, sa njeri i këndshëm ishte, paqësor, i dashur dhe i respektuar. Sa do më mungojnë bisedat e shakatë, që bënim, poezitë që i tregonim njëri-tjetrit, për të na venë “notën” ai. I paharruar, miku im i shtrenjtë!”.
Krjuesi i njohur Kolec Traboini, i ndodhur këto ditë larg Shqipërisë, shkroi shumë vargje, në poezinë e tij me titull, “Si mund të iket kështu? (Fjalë pikëlluese për një mik)” Nga ato, po shkëpusim vetëm dy strofa:
Si mund të iket krejt kështu?
Më pyesin miqtë në Prishtinë
e Shkodër-locja e përlotur,
që sot ka humbë djalin e mirë.Si mund të iket krejt kështu?
Pyesin të gjithë, në këtë Vit të Ri,
nuk shtyhet festa pa buzëqeshje,
buzëqeshjen që na e sillje ti!…
Dhimbjen e mallin e pashuar për kolegun e mikun e dashur dhe të paharruar, Riza Lahi e ka shprehur edhe Fatmir Terziu, në Faqen e Internetit “Fjala e Lirë”-Londër, që ai drejton. Ndër të tjera, që në fillim të shkrimit të tij, janë këto radhë:
“Miku i disa krijuesve, poeti dhe publicisti Riza Lahi është ndarë nga jeta. Dhe, kështu, njeriu që rendi pas penës vite e vite me radhë, por edhe pas yjeve si një pilot i hershëm shqiptar, sot ka një udhë, memorjeve tona… Leximi i “vetes”, nën vargun e Lahit, është një simbolikë reale. E thjeshtë, e kuptueshme, … një shportë për brezat…, ishte gjuha e Riza Lahit. E, kështu, do të mbahet mend ai, miku i pavdekshëm…”.
Me trishtim të ligjshëm shprehet edhe arsimtari, poeti e shkrimtari çam, Namik Selmani. Në një shkrim të gjatë, që ai ka publikuar, me zemër të plagosur i thotë edhe këto fjalë: “Joo! Nuk e besoj, vërtetë, se u nda nga jeta miku ynë, shkrimtari, studiuesi, gazetari e skenaristi Riza Lahi. Thuajeni sa të doni! Si të doooooni! Vendosni çdo fjalë të shqipes, të anglishtes, të frëngjishtes diku në nekrologjitë internetike, diku në shtyllat e bulevardeve, në ndonjë kronikë televizive, aty nga fundi i lajmeve! Po, ai është mes nesh. Mjafton që të hapim një libër, një kronikë takimi dhe do ta kemi atë: sa të menduar, sa të mençur, sa gojëtar, sa hokatar. Ishte vetëvetja jonë më e mire…”.
Ndërsa, në mbyllje të këtij shkrimi, mbushur me dhimbje e mall për këtë koleg e mik tonin të veçantë, po rishkruaj fjalët e dala nga zemra, që atje përtej Oqeanit Atllantik, nga Nju Jorku. Janë nga Raimonda Moisiu, kryetare e Shoqatës së Shkrimarëve Shqiptaro-Amerikanë të Diaspporës: “Tronditet Bota e Letrave Shqipe, Tronditet Bota e Publicistikes Shqiptare, Tronditet krejt Bota Shqiptare, ne Trojet e saj: Ndahet krejt papritur nga jeta: Shkrimtari, poeti publicisti, perkthyesi i shquar, Kryemiku im, miku i tërë shqiptarëve në trojet etnike, në Diasporë, Kosovë e Çameri, Altruisti, i miri dhe i mrekullueshmi, i qeshuri e gazmori, punëtori dhe i palodhuri, aviatori që u bë shkrimtar i mbi 35 librave, Riza Lahi. Dhimbje e thellë, dëshpërim i pakufi për këtë gjëmë, për këtë pikëllim kaq të rëndë, që ai na la, në pragun e Vitit të Ri!”
Të paharruara qofshin kujtimi dhe vepra, që la pas, kolegu dhe miku ynë i dashur, Riza Lahi (janar 1950 – dhjetor 2013) dhe ngushllime të sinqerta, për familjarët dhe gjithë të njohurit e shumtë të tij!
Tiranë, 2 janar 2014