INTERVISTA/ Mimi Kodheli: Dosja “Imami”, vetëm fillimi

0
75

TemA Online

Për herë të parë Ministria e Mbrojtjes drejtohet nga një zonjë, sektor ky që rëndom i besohet gjinisë tjetër.

Në fakt, edhe në tavolinën me 28 vende anëtare të NATO-s, ministria Mimi Kodheli është një nga 4 zonjat ministre të Mbrojtjes.

Prej 16 shtatorit të vitit 2013 kur është ulur në karrigen e ministres, Mimi Kodhelit i është dashur të ndërmarrë disa vendime të rëndësishme, dhe ai që u përfol më shumë në media ishte vendimi për të denoncuar aferat korruptive të pasardhësit të saj, Arben Imamit.

Sot ministrja Kodheli mbetet po aq e vendosur për të zbardhur çdo abuzim me paratë e taksapaguesve shqiptare, duke u shprehur për “Vizion Plus” se dosja “Imami” është vetëm fillimi.

Një nga arritjet me të cilat Shqipëria krenohet më shumë është anëtarësimi në NATO, por 4 vjet pas këtij momenti, Forcat tona të Armatosura ende janë larg standardeve të kërkuar nga Aleanca e Atlantikut të Veriut.

Viti 2014 sapo ka nisur dhe Mimi Kodheli duhet të realizoje një sërë reformash e më së pari duhet të reformojë kuadrin ligjor të Forcave të Armatosura, që ende funksionojnë me ligje të vitit 2002 apo 2004, por sfidat duket se i përshtaten ministres shqiptare të Mbrojtjes.

Zonja Kodheli, që prej vitit 2009 Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, por a ka ushtria shqiptare standardet e NATO-s?

Pyetja që ju bëni kërkon një diskutim shumë të gjatë megjithatë unë do të mundohem që pyetjes suaj shumë të drejtë t’i jap një përgjigje sa më të shkurtër dhe të kuptueshme për publikun. Ushtria shqiptare, Forcat tona të Armatosura kanë shumë për të bërë, padyshim që kane bërë shumë, kanë qenë pjesë e transformimit. Ne me ndihmën e partnereve tanë strategjike u futem në NATO në vitin 2009, por me premtimin që gjerat do të ndryshonin në mënyrë pozitive. Ka shume arritje të Forcave tona të Armatosura, një nder to janë forcat tona speciale qe kontribuojnë në Afganistan dhe në të gjitha strukturat paqeruajtëse sa herë që forcave të NATO-s iu është kërkuar kjo gjë, kontribuojnë në KFOR, kanë kontribuar në Irak, në Çad, atje ku realisht kanë qenë vendet dhe momentet më të vështira për të ruajtur paqen dhe për të sjellë demokracinë. Por kjo nuk mjafton.

Transformimi është një proces i cili duhet të kishte ndodhur dhe sot ne duhet të ishim në pozicionin e respektimit dhe përgjigjes pozitive ndaj të gjitha kërkesave te NATO-s duke filluar nga një prej batalioneve të këmbësorisë i cili duhet të ishte modernizuar në atë nivel që të mund t’i përgjigjej kërkesave te NATO-s që kanë vazhduar të jenë të njëjtat, por përgjigja shqiptare nuk ka qene e njëjte. Ushtria shqiptare ka pasur para për ta realizuar këtë gjë, edhe mundësitë, edhe njerëzit e përgatitur për ta bërë, por unë mendoj që ka munguar vullneti politik për ta kryer këtë investim le të themi të madh, e para kjo dhe e dyta paratë e destinuara për të modernizuar ushtrinë shqiptare kane shkuar në drejtime të tjera, ne funksion të pushtetit të atëhershëm apo në funksion të interesave personale që e kanë dëmtuar transformimin dhe modernizimin më të shpejtë të ushtrisë shqiptare. Më këtë dua të them që disa punë janë bërë shumë keq por ka një shtysë të madhe sot për të mundësuar realizimin e prekshëm të këtij modernizmi në të ardhmen.

Duke qëndruar tek NATO, kërkesa për një buxhet prej 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për Ministrinë e Mbrojtjes, ka vite në fakt që nuk realizohet, por nuk është realizuar as këtë vit, a ndikon negativisht kjo në transformimin e Forcave të Armatosura?

Unë ju them që ky është një target për të gjitha vendet anëtare të NATO-s, ka pak vende anëtare të NATO-s që e respektojnë këtë madje dhe e kalojnë pak dhe kjo ndoshta për arsye që kane lidhje me politikat e brendshme të këtyre vendeve, por të qenit target nuk do të thotë që t’i nuk do tentosh ta mbërrish atë. Ka ndodhur diçka, disa vite më parë Fondi i Pensioneve të Ushtarakeve iu bashkëngjit parave që shpenzoheshin për Ministrinë e Mbrojtjes me qellim që qendrës në NATO t’i tregohej qe ne po e rrisim fondin. Në fakt kjo ishte një rritje fiktive sepse Fondi i Pensioneve nuk kishte të bënte me shpenzimet e ushtrisë apo Forcave të Armatosura.

Ndaj një prej kërkesave të para, madje kërkesa e parë që sekretari i përgjithshëm Rasmusen me bëri në takimin që unë pata në tetor të vitit që sapo kaluam, ishte largimi i këtij fondi nga fondi i ushtrisë për të kuptuar ata dhe në bashke se cilat janë paratë që shpenzohen për Forcat e Armatosura. Ne këtë gjë e mundësuam, ky fond ka kaluar tek Fondi i Pensioneve ashtu siç fondet e pensioneve janë të futura në një thes, dhe ndërkohë shpenzimi prej 1.02 në raport me produktin kombëtar që sot në kemi për ushtrinë është shpenzimi real. A do të ketë një rritje? Jemi të detyruar të rrisim pak nga pak këtë fond derisa të mundësojmë mbërritjen e këtij targeti i cili është padyshim një target jo vetëm për Shqipërinë por edhe për shumicën e vendeve anëtare të NATO-s.

Ka kaluar 100 ditëshi i pare i qeverisjes  dhe kemi hyrë tashmë në 2014, cilat janë reformat qe ju do të realizoni këtë vit në Forcat e Armatosura?

Reformat janë të shumta. Ka një dokument strategjik mbi të cilin do të bazohet Dokumenti Kombëtar i Sigurisë dhe Mbrojtjes. Është një proces i lëne përgjysmë madje, as i filluar nga qeveria e mëparshme. Ne do ta ridimensionojmë këtë proces nën kryesimin e Ministrisë se Jashtme për të mundësuar një dokument strategjik afatgjatë të mbrojtjes dhe sigurisë. Kjo është njëra anë dhe tjetra pasi mbyllem ristrukturimin e Ministrisë së Mbrojtjes kemi filluar me strukturimin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura i cili është një proces po aq i rëndësishëm sa dhe ristrukturimi i Ministrisë së Mbrojtjes.

Ky proces ka filluar, do të finalizohet shumë shpejt dhe në këtë mënyrë ne kemi realizuar një nder obligimet kombëtare por edhe të NATO-s,  madje lidhur edhe me një ridimensionim të të gjithë kornizës ligjore, kornizë e cila shpesh herë e ka penguar këtë ristrukturim. Pse e them këtë? Ushtria shqiptare funksionon mbi disa ligje të vjetra të cilat vetëm janë arnuar në vite, një ligj daton në 2002 dhe një ligj në 2004 dhe me gjithë që Shqipëria në 2009 është futur në NATO, kjo nuk është reflektuar në kornizën ligjore. Kjo është një gjë që ne do të bëjmë në 2014 dhe padyshim kjo do të jetë edhe baza më e mire mbi të cilën do të mbështetet edhe ristrukturimi i Forcave tona të Armatosura.

Kemi një detyrim bazuar në dokumentin strategjik që forcat e Armatosura nga 10 mijë në fund të vitit 2015 të numërohen 8.500. Kjo do të jetë pjese e ristrukturimit të përgjithshëm dhe mendojmë që në këtë mënyrë Ushtria Shqiptare do të jetë pak me e vogël në numër, por shumë me profesioniste, shumë më e përgatitur dhe shume më e strukturuar në mënyrë që t’i përgjigjemi kërkesave të vendit, kërkesave kushtetuese dhe kërkesave të NATO-s sa më mirë.

Ka pasur në fakt nga ana juaj një kallëzim për paraardhësin, z. Imami. Është mbyllur me kaq apo siç është thënë në media grupe të tjera auditimi po shqyrtojnë të gjitha çështjet që të paktën edhe PS-ja kur ka qenë në opozitë por edhe media i ka denoncuar, prona, emërime, karburant?

Është e drejtë ajo që thoni. E keni denoncuar ju, ashtu siç e kemi denoncuar ne në opozitë. Unë nuk kam bërë asgjë më tepër sesa bazuar në atë çka ligji më ngarkon të mundësoj transparencën për publikun, të mënyrës se si janë harxhuar paratë e shqiptarëve, paratë e taksapaguesve. Është ne detyrimin tim ligjor, por edhe në moralin tim politik dhe të forcës që unë përfaqësoj, që këtë premtim që ne i dhamë publikut shqiptar, që do të bënim transparencë dhe do të luftoni korrupsionin ta çojmë në vend. Është as më shumë as më pak, ky detyrim. Sigurisht që Ministria e Mbrojtjes nuk është e vetmja që ka hyrë në këtë proces.

Uroj që i gjithë ky premtim madhor që ne i bëmë publikut shqiptar të mund të realizohet atje ku ka abuzime, aty ku është punuar mirë puna do të vazhdojë. Por puna nuk ndalon me kaq. Ky ka qenë vetëm fillimi edhe është vetëm fillimi. Detyrimi që auditimi i brendshëm ka apo inspektimi brenda ministrisë sonë ka për të bërë transparente këtë gjë është një detyrim që rrjedh nga ligji dhe do të vazhdojë të mbetet i tillë deri sa të zbardhen të gjitha aferat dhe abuzimet që janë bërë në këtë ministri dhe në ministritë e tjera.

A ka afat se kur do të mbarojë procesi i auditimit?

Procesi i auditimit është një proces që nuk mbaron asnjëherë. Është një proces që duhet të jetë i tillë sepse prandaj funksionon. Këtu ka shumë agjenci apo ndërmarrje në varësi të ministrisë së mbrojtjes të cilat nuk janë audituar prej katër pesë vitesh. Në detyrimin ligjor është që këto duhet të auditoheshin çdo vit. Kanë kaluar kohë pa audit, ose janë bërë sikur janë audituar, shpesh herë ka ardhur Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë një skanim të situatës dhe është mjaftuar me kaq. Nuk e di nëse kjo është bërë duke abuzuar me pushtetin apo është bërë nga padija. Kjo sot nuk ka më asnjë rëndësi, e rëndësishme është që pikat të vihen mbi “i” dhe ky proces të vazhdojë deri në fund. Duhet të vazhdojë edhe mbasi unë të largohem nga ky institucion, sepse prandaj ekziston si aktivitet qoftë auditimi, qoftë inspektimi.

Në fakt ju drejtoni një prej ministrive më të rëndësishme të qeverisë. A është e vështirë?

Të them të drejtën është një ministri e ngarkuar me punë, qoftë në volum, qoftë për shkak të përgjegjësive. Ministria e mbrojtjes, forcat e armatosura kanë detyrime kushtetuese. Dhe e thënë kaq thjeshtë, në fakt nuk është kaq e thjeshtë sepse  po flasim për ministrinë që siguron mbrojtjen e qytetarëve, flasim për sigurinë e rajonit dhe kjo është një përgjegjësi e madhe. Dhe nga kjo përgjegjësi padyshim rrjedh edhe ngarkesa. Por mendoj se është më e bukur puna kur ka sfida më të mëdha. Dhe shpresoj dhe besoj se ky është rasti im.