Arjan Th. Kallço
Të vërtetat janë për këtë botë sado që të jenë të vonuara apo të manipuluara. Është një mendim që gjithkush duhet ta kuptojë dhe pranojë dhe më pas nëse u beson atyre, është më shumë çështje e tij e brendshme dhe personale. Nëse këtë “të vërtetë” e rifut në qarkullim si një të vërtetë absolute, atëherë duhet të ndalemi dhe të reflektojmë gjatë për të parë kushtet dhe rrethanat e jetës së autorit, edhe të vetë Volterit në këtë rast, në kuadër të kushteve të përgjithshme të kohës kur autori jetoi.
Unë mendoj se sado që ta marrim në shqyrtim kohën, kohët ndryshojnë, por disa aspekte të shoqërisë mbeten të pandryshuara, do të gjejmë gjithmonë elementë të përbashkët karakterizues jo vetëm të shoqërisë, por edhe të individit. Bashkëveprimi i tyre në një komunitet është faktor i padiskutueshëm dhe i domosdoshëm, prandaj shumë lidhje të pazgjidhshme dhe të komplikuara kanë qënë dhe do të jenë pjesë e natyrës njerëzore. Nuk kemi pse çuditemi me një Volter oportunist në fillimet e veta, pasi të gjithë e nisin gjithçka nga fillimi, prandaj një lloj mbështetje nga “protektorët” gjithmonë u duhet. Ka oportunizëm dhe oportunizëm.
Një profesor i Oksfordit zbuloi disa letra të Volterit që nxjerrin në pah sesi ky personazh simbol i letërsisë franceze ia doli me shkathtësi të marrë një donacion prej 200 stërlinash nga familja mbretërore angleze. Zbuluesi në fjalë Nikolas Cronk, zbuloi se gjatë qëndrimit prej dy vjetësh në Angli në fillimet e karrierës, Volteri u soll si një oportunist i vërtetë, duke e bërë anglez emrin e tij Francis, lidhi miqësi me disa prej inteketualëve më të mëdhenj të mbretërisë idetë e të cilëve i përdori në shkrimet e veta. Nuk ka rast kur fillimet e jetës i nis nga maja dhe më pas nëse fati është me ty, qëndron gjithmonë në majë, për aq kohë, sa ngjarjet të precipitojnë natyrshëm drejt fundit të vet të pashmangshëm.
Por problemi shtrohet ndryshe nëse “protektorët” do të jenë gjithmonë të tillë edhe sikur të mos e meritosh ndihmën dhe mbrojtjen e tyre, e thënë më shkoqur, kur nuk di t’i hedhësh vetë hapat e tua. Atëherë kjo nuk do të quhej më një lloj oportunizmi i përkohshëm në hapat e para të rrugëtimit tënd drejt suksesit, por servilizëm i hapur në mbrojtje të ndihmës me çdo kusht, se pa të nuk mund ta arrish suksesin. Suksesin nuk ta jep kurrë një proteksionizëm sado diktatorial që të jetë, por ta jep vepra e shkruar dhe lexuesi i etur për art. Përvjetorët e njerëzve të mëdhenj, qoftë të lindjes dhe të vdekjes, na mbledhin që jo vetëm t’i kujtojmë, por edhe të mësojmë prej tyre.
Tek përkujtohej më 17 janar Skënderbeu në një emision televiziv, duhej vënë theksi se vërtet u mbyll jeta fizike e tij tek ne, por ai ka shumë gjëra që duhet t’ia thotë historisë, prandaj nuk mund të ketë kufi ndarës midis datës së lindjes dhe të vdekjes, për më tepër kur Heroi ynë kombëtar është paneuropian. Le të mendojmë sikur shtete të ndryshme të mund të japin kontributin e tyre në mbledhjen e të gjitha materialeve që lidhen me Skënderbeun dhe më pas t’i depozitojnë në një shoqatë apo muze si i yni në Krujë, vlera e historisë së tij do të ishte shumë herë më e madhe.
Këtë po synon edhe prof. Cronku që është drejtor i Fondacionit Volter, një ent që brenda 2018 synon të plotësojë një koleksion me të gjitha shkrimet e Volterit, përfshi edhe letrat. 14 letrat objekt i studimeve të fundit vijnë nga disa biblioteka të Sh.B.A-së dhe hedhin dritë mbi disa vite që Volteri kaloi në Angli pas vitit 1720. Volteri mbërriti në Angli si një poet relativisht i panjohur, me një rekomandim të vetëm të Ambasadorit britanik në Paris dhe të lidhje miqësi fisnike siç bëri, tregon se ishte një oportunist i shkëlqyer.
Miqtë e mi italianë më sollën para disa kohësh një libër të kolanës së gazetës Corriere della Sera, pak kohë më parë shkrova një artikull rreth saj, dhe bashkangjitur me të një fletëpalosje me një thënie tepër kuptimplote : poezia nuk ka nevojë për ndjekës, por për ata që e duan atë. Pra edhe autorët nuk mund të vazhdojnë të imponohen gjatë më diktatin e protektorit, por e bëjnë atë me artin e tyre të magjishëm të fjalës, sigurisht nëse janë të zotë ta gdhendin atë dhe të depërtojnë thellë në zemrat e lexuesve. Volteri besoj se me veprën e tij të madhe që na ka lënë, atë kalim të domosdoshëm përmes një oportunizmi të padëmshëm, e tregoi se më pas diti ta gjente rrugën e vet dhe të ecte i sigurtë.
Kur i ke treguar botës se veprat e tua kanë vlerë jo vetëm për kohën kur jeton, por edhe për të ardhmen, atëherë janë protektorët ata që të ndjekin pas dhe një protektor i mirë nuk del kurrë në skenë, por punon fshehurazi, “nën rrogoz”, me qëllim që të mos të të dëmtojë më ndikimin e vet të përkohshëm. Do të ishte më mirë që të diskutonim pikërisht për ata që mbeten oportunistë gjithë jetën, rrufjanët, duke kaluar oborr më oborr në kërkim të protektorit edhe kur nuk e meritojnë atë. E koha e sotme nxori tek ne këtë tendecë tepër të shpifur të rrufjanizmit dhe të puthadorizmit edhe në art.
Ndoshta dikush do të gjente shkas që ta ngrinte zërin e vet, duke pretenduar se kur ishte Volteri oportunist, atehërë është bashkëudhëtare e njerëzimit, edhe vetë ai mund të përfitojë prej tij. Rrufjanizmi i përhershëm dhe ai i përkohshëm ndahen në një moment dhe më pas nuk kanë më mundësi që të bashkohen, njëlloj si aftësia me paaftësinë. Donacioni i familjes mbretërore që shërbeu ta niste karrierën si intelektual, është një falenderim ndaj tij, sepse i dedikoi një prej poezive të tij mbretëreshës së ardhshme Karolina.
Drejtori i Fondacionit në mbyllje shprehet : Oferta i mbërriti Volterit ndoshta me kërkesë të mbretëreshës Karolinë, një mbrojtëse e arteve, gjë që konfirmoi sesa Volteri ishte integruar tek aristokracia angleze në pak kohë. Shembulli i Karolinës është një lloj apeli, jo thjesht për një poezi që ai krijoi për të, janë të shumtë shembujt për poezi të dedikuara, por për shpirtin e saj dashamirës ndaj artit. Dhe sot arti ka shumë nevojë për dashamirësi dhe mecenatë.





