HUMBËSI FITIMTAR?!

0
40

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Humbi Isa Mustafa, nuk fitoi gjë LDK-ja, por fitoi Kosova?! Refreni më karakteristik që i përshkoi zgjedhjet për pushtetin lokal të mbajtura në Republikën e Kosovës gjatë vitit që po e lëmë pas. Këto zgjedhje, do të karakterizohen për një revoltë qytetare, ku haptas u demonstrua një vullnet “kundër”, grupeve, klaneve dhe klikave të interesit, që përfaqësonin konceptet politike, që nuk duhej të lëshonin rrënjë në Kosovë. Padyshim, vulgarizmi, banditizmi dhe komunizmi pësoi më së shumti në këto zgjedhje.
Por, humbja e Prishtinës duhet ta tronditë LDK-në e cila që prej sa vitesh po sillet si “qura nëpër mjegull”. Humbësit nuk kanë arsye të sillen si fitimtar?! Pra as Isa Mustafa. Kjo nuk është demokratike, sepse të gjithë e dimë se LDK-ja është duke pësuar radhazi, pasi elektorati i saj po i refuzon, klanet dhe grupet e interesit që janë të instaluar brenda partisë.
Refreni se LDK-ja e paska rritur numrin e votave, sikur është bërë bajat, pasi edhe fshatari më i rëndomtë e di se në shkallë vendi është rritur numri i votuesve, prandaj rritja është proporcionale me numrin e popullsisë, kurse rezultati real i zgjedhjeve, ka kohë, këtë parti po e klasifikon në vendin e dytë. Nuk mund të thuhet se humbja e Isa Mustafës në Prishtinë ishte vetësakrifikim, sepse LDK-ja nuk ka pasur nevojë, e as arsye ta sakrifikoj kreun e partisë, as kryeqytetin sot dhe as Kosovën nesër. Nuk është mençuri sakrifikimi, mençuri është për të kuptuar (LDK-ja dhe vet Isa Mustafa), se pa reforma të rrënjësishme dhe pa përgjegjësi nuk fitohen zgjedhjet, dhe nuk zhvillohet demokracia. Është qesharake të flitet tani për hapjen e LDK-së, siç na u paska shpikur një mashtrim i ri?!
Isa Mustafa, e ka merituar humbjen e kryeqytetit, pasi dihet se ai nuk e ka merituar të jetë Kryetar i Prishtinës dhe as i LDK-së. Janë të rralla ato personalitete politike që janë përvijuar nga sistemi në sistem, dhe kanë pasur sukses. Deri këtu Isës i ka shkrepur mirë, por edhe tani duhet të pajtohet me kokë ulur për të ikur.
Parimisht LDK-ja, nuk e ka sakrifikuar Isa Mustafën, ai këtë sakrificë e ka bërë për interesat e veta, por jo për hatrin e partisë. LDK-ja nuk duhet të vonojë për t’u hyrë reformave, sepse çdo vonim do të reflektohet me humbjen edhe të zgjedhjeve nacionale që do të mbahen në vitin 2014.
Por shtrohet pyetja logjike, si mund të fitohen ato zgjedhje me humbësit e tanishëm, vetëm “duke u hapur?!”, por pa bërë reforma të thella e rrënjësore. E, nëse Isa Mustafa, nuk e merr përgjegjësinë e humbjes në Prishtinë, ai nuk mund t’i reformojë degët e partisë që humbën fiasko, as nuk ka mundësi t’u kërkoj llogari humbësve të tjerë, madje as Eqrem Kryeziut që humbi Prizrenin.
“Fitorja e rrejshme” e LDK-së, përkatësisht shtimi i votave, nuk duhet të manipulohet si mjet për të legjitimuar pafytyrësinë. Por, humbësit, si në çdo vend demokratik, shkojnë nga partia, bile me tërë suitën përreth shefit, sepse rasti i Prishtinës në këto zgjedhje ishte unikat, pasi Isa Mustafa ishte i vetmi shef partie që konkurronte për Kryeqytetin, prandaj humbja e tillë e obligon shefin e LDK-së, ta lëshoj partinë, ashtu siç e dorëzoi edhe kryeqytetin tek VV.
S’ka dyshim, zgjedhjet për balotazh ishin befasi, pasi më shumë se udhëheqësit dështuan analistët. Të gjithë “Bossat” kanë humbur në zonat e influencës, sidomos aty ku kishte nepotizëm, vulgarizim dhe administrim të keq: LDK-ja në Prishtinë, PDK-ja në Lypjan, Mitrovicë dhe Malishevë ndërsa AAK-ja në Pejë, Gjakovë dhe Rahovec. Por, rezultati nëpër këto komuna i ka befasuar analistët dhe shefat e partive që silleshin sikurse ishin të dehur nga vetëkënaqësia.
Suksesi i LDK-së ishte imagjinar, ndërsa ai fiktiv është humbja e Kryeqytetit, kurse kryetari i partisë duhet të shkon automatikisht pasi ai vet personalisht ka qenë protagonist. Humbja e Prishtinës, katakaploi humbjen e madhe të LDK-së, dhe me këtë kryetari i saj Isa Mustafa, nuk është dashur të pres më shumë se 24 orë pa dhënë dorëheqje, por nga e kaluara e tij mësojmë se ai këtë nuk e ka bërë kurrë në jetën e tij politike, ai vetëm është transformuar nga posti në post pa i hëngër palla, prandaj as tani nuk i ha palla Isës!…
Gjatë këtyre viteve LDK-ja, nuk ishte në gjendje për t’u reformuar. Rehabilitimi i elementeve të dyshimtë dhe të atyre që kishin qëndrim kundër dr. Ibrahim Rugovës dhe vet LDK-së ishte bërë prioritet i shefit, prandaj ajo kosto tani është shumë e lartë. Partia nuk reformohet me humbës, as nuk rivitalizohet me servil të dështuar, aq më pak me nostalgjikët e një sistemi të lënë pas, siç përfaqëson vet shefi i partisë me disa përreth tij.
“Suksesi?!” i shefit të LDK-së, (nga analistët e një sistemi tashmë të harruar), është kundruar gabimisht, duke i atribuuar merita për rritje të votueseve?! Po, njëmend au u rritën votat për shkak të Isës, apo ishte arsyeja e administrimit shumë të keq të kryeqytetit në rend të parë, dhe më pas edhe gjendja e keqe ekonomike në tërë vendin. Ishin po ashtu bisedimet me Serbinë, të cilat e kanë zbehur oponentin politik, pastaj përçarjet në PDK e kanë bërë të vetën, po më shumë se këto fakte, ishin infuzionet e EULEX-it, me arrestime dhe procese spektakulare, që natyrisht rriten refuzimin qytetar për ta vazhduar agonin mbi administrimin e keq në Kosovë dhe në Prishtinë, por jo për t’i ndëshkuar “meritat e shefit të LDK-së”, pasi ato i mungonin?!…
Isa Mustafa, nuk bëri reforma, por shtirej se po bënte reforma. E, tani ai e paska ndërmend për t’u hapur?! Çfarë ironie, çfarë tallje qesharake është kjo. Rritja e votave nuk është meritë e tij, sepse u dëshmua se Isa Mustafa nuk është lider unifikues, përkundrazi, ai ia lëndoi edhe më tej palcën kurrizore kësaj partie.
Isa Mustafa ishte tejet shpërfillës edhe ndaj faktorit ndërkombëtar, sidomos ndaj qarqeve evropiane, e veçmas atyre amerikane, ku me sa duket LDK-ja është larg, tepër larg interesimit amerikan. Është kjo edhe një arsye pse vazhdimisht apelojmë për reforma rrënjësore në këtë parti.
Fitorja e LDK-së në Pejë, Ferizaj dhe Gjilan, sikurse fitorja e VV në Prishtinë dhe e AKR-së në Gjakovë e Mitrovicë, më shumë janë rezultat i revoltës qytetare për të ndëshkuar burokracinë dhe veprimet që kanë stagnuar zhvillimin dhe proceset në Komuna dhe përgjithësisht në Kosovë, se sa strategji e partive të tyre, e aq më pak meritë e shefave, sepse puna e shefave dhe e shefit të LDK-së, u pa në Prishtinë.
Isa Mustafa nuk duhet të sillet si “padishahu”, ai më nuk mund të tallet, injoroj, mohoj, përjashtoj e mallkoj qytetarët e Prishtinës, përkundrazi ata e mallkuan Isën, që padyshim mallkimi iu kthye bumerang vet atij. Madje ai, i harroi edhe Degët e LDK-së në Diasporë?! Ndoshta i ka arsyet, pasi atyre vet Isa duhet t’ua kthej “huan popullore” që ua ka marrë dikur. Janë këto edhe disa arsye shtesë, pse themi se Isa Mustafa duhet të shkoj, bile sa më parë, sepse edhe LDK-ja duhet të mësoj nga prishtinasit.
Ai, pa hezitim duhet të shkon. Por, pas tij nuk duhet t’i ushqej ambiciet e veta për një rikthim eventual, Fatmir Sejdiu, i cili po ashtu ka dështuar më parë. Revanshizmi si veprim i pengon reformat dhe i stagnon proceset në përgjithësi.
Gjithsesi LDK-ja, duhet të kthehet nga personalitetet tradicionale të cilët do të lidhin të kaluarën historike të partisë siç është Jusuf Buxhovi ose ta zëmë edhe prof. dr. Zejnullah Rrahmani, a ndonjë tjetër i këtij rangu, por të kihet parasysh të mos janë pjesë e klaneve brendapartiake, as e pisllëqeve të të tjera që mund t’ua kenë zbehur autoritetin. Kjo parti duhet të unifikohet si duhet, nëse dëshiron ta udhëheq nesër Kosovën.
Nëse gjërat shikohen më në thellësi, Isa Mustafa nuk ishte strateg, sepse s’ka qenë kurrë i tillë. Mund të dyshohet se ishte në funksion të misionit për ta larguar LDK-në, nga koncepti demokratik, për ta futur në moçalin e hamendjes, e dyshimeve, ku në këtë plan nuk përjashtohet mundësia se humbja në Prishtinë ishte e qëllimshme?!
Isa Mustafa e ka humbur kryeqytetin, jo vetëm si kandidat për Prishtinën, e as si kryetar i ndonjë Dege të LDK-së në Prishtinë, por ndëshkimi iu bë Isa Mustafës si kryetar i LDK-së, prandaj llogaritet si një alarm, një kambanë, një tabelë për rrugën qorre që ky “strateg” ia ka parapërcaktuar partisë dhe vetvetes!
Rezultati përfundimtar i këtyre zgjedhjeve e detyron atë të ik. Isa, nuk duhet ta mashtroj vetveten, as LDK-në, ashtu siç pat mashtruar për vite të tëra Diasporën, veçmas Degët e kësaj partie në Perëndim. Humbja në Prishtinë e detyron atë të kthehet nga vetvetja, të bëjë korrigjimet e mundshme, sepse në demokraci dështimi në zgjedhje detyrimisht e ndëshkon me humbjen e postit edhe në parti.
Isa Mustafa, nëse nuk dëshiron të bëhet kampion i së keqes, veçmas nëse nuk dëshiron të bart mbi supe përgjegjësinë e shkatërrimit, ashtu siç e bartë përgjegjësin e 3% në Diasporë, duhet te ketë kuraje që të shkon nga LDK-ja, ashtu siç po shkon edhe ky vit kalendarik!
Urojmë që lutja të përkoj me realitetin, kurse Isa Mustafa të shkoj si i fundmi “shef” me sindromën e “humbësit fitimtarë”?!…

(Autori është njohës i mirë i zhvillimeve politike në LDK)
Shkrimi është botuar sot në numrin festiv të gazetës “KOSOVA SOT”, 30.12.2012.