Rama: 2014-a do jetë viti i Rilindjes. Prioritet, rivendosja e rendit dhe reforma në drejtësi

0
41

Kryeministri Edi Rama doli në një konferencë për shtyp një ditë përpara mbylljes së vitit për të bërë bilancin e këtij viti, por edhe për të folur për perspektivën e vitit që nis.

Në këtë konferencë, bashkë me Ramën të pranishëm ishin edhe të gjitha ministrat e kabinetit.

Rama tha se viti 2013 nisi me pesimizëm, por pas 23 qershorit nisi optimizmi.

Rama tha se buxheti i vitit 2014 i ka kthyer optimizmin vendit.

Ai tha se tani mjekët, policia, ushtarakët do të marrin më shumë lekë dhe do kenë më pak taksa.

“Rivendosja e rendit dhe mbrojtja e qytetarëve dhe pronës së tyre do të jenë prioritet i vitit 2014. Prioritet do të jetë edhe reforma në drejtësi. Shqiptarët kanë nevojë për drejtësi”, ka theksuar Rama, i cili ka nënvizuar se prioritet do të jenë edhe politika e jashtme dhe ajo e integrimit.

Rama deklaroi se viti që vjen nis me një takim të përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë në Prizren.

“Në mbledhjen e parë të dy qeverive do të shënohet fillimi i qeverisjes strategjike mes dy shteteve tona shqiptare”.

Rama konfirmoi lajmin se ata kanë përgatitur një paketë ndihme për Luginën e Preshevës.

I pyetur nëse Shqipëria do e marrë statusin e kandidatit në qershor, Rama tha se qeveria do mbajë përgjegjësinë e saj. Por ai shtoi se shpreson se forcat ekstremiste nuk do kenë ndikimin që patën këtë herë.

Më tej, i pyetur në lidhje me qëndrimin e Shqipërisë në radhët e Konferencës Islamike, Rama ka pranuar se kjo është një çështje që shqetëson BE-në, por ka nënvizuar se do të zgjidhet me maturi.

Rama konfirmoi se do të vazhdojë aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje.

Rama tha se qeveria është e vendosur që të marrë plotësisht nën kontroll territorin.

Kryeministri deklaroi se në fillim të vitit tjetër do miratohet ngritja e Agjencisë Kombëtare për Bregdetin.

“Do hapim një kapitull të ri në administrimin e kësaj pasurie kombëtare,” tha Rama.

Kryeministri tha se do merren nën kontroll të gjithë pasuritë kombëtare.

I pyetur nëse do ketë ndryshime kushtetuese, Rama tha se ndryshimet kushtetuese nuk janë qëllim në vetvete.

I pyetur nëse do ketë një nismë për shkarkimin e Presidentit Nishani, Rama tha se reforma në drejtësi nuk synon emrat, por reformimin e sistemit.

Rama tha se do të bashkëpunojë me opozitën për reformën në drejtësi.

Rama tha se qëllimi i qeverisë do të jetë certifikimi i ekonomisë informale. Por Rama e pranoi se do jetë një mision i vështirë, pasi nuk mund të deklarojë se në fund të vitit tjetër nuk do ketë më ekonomi informale.

Rama tha se dosja e Arben Imamit është e para e një zinxhiri të gjatë bëmash të paligjshme tek Ministria e Mbrojtjes.

Rama tha se në prokurori do të shkojnë dosje nga të gjithë dikasteret ku ka pasur përfitime të paligjshme.

Kryeministri premtoi nisjen e procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje. Rama tha se do marrë fund kalvari i vuajtjeve për ata që duan të legalizojnë banesat.

Rama tha se situata e medias në vend është më e mirë.

I pyetur për protestën ndaj armëve kimike, Rama tha se ajo nuk ka ndryshuar asgjë në marrëdhëniet me SHBA./ep