Nga Mero Baze, Gazeta TemA, 21 dhjetor 2013
Drejtoria e Krimit Ekonomik ka futur nën akuzë biznesmenin Rezart Taçi dhe thuajse gjithë prestarët e familjes së tij, të përfshirë formalisht në skemat e bizneseve të tij, në tregtinë dhe përpunimin e naftës. Është një histori e dhimbshme dhe fat i keq i disa familjarëve, të cilët vuajnë mes të tjerash jo vetëm pasojat e një aventure biznesi të dështuar të djalit të tyre, por dhe të një mënyre qeverisje të korruptuar.
Rezart Taçi pason modelin e tretë të padive të ngritura deri më sot, pas asaj të korrupsionit me miliona euro për reklamat e Frangajt dhe modelin korruptiv të Xhelal Mziut. Të tre modelet e deritanishme kanë lidhje, jo aq shumë me personat e akuzuar se sa me mënyrën e qeverisjes së Sali Berishës, e cila për të mbajtur pushtetin nën kontroll, të vetmen ofertë kishte korrupsionin.
Unë jam një kritik i hershëm i gjithë këtyre personazheve, por sot nuk ndjehem as i plotësuar dhe as i qetë që ndaj tyre po ngrihen akuza. Ata janë sot qartësisht aktorë dhe viktima të një sistemi, i cili ka pasur ofertë të vetme korrupsionin.
Konkretisht, nëse shikojmë grupin e parë të padive që mund të zgjerohet dhe në ministri të tjera, dhe që lidhet me financimin e përbindshëm të TV Klanit dhe vëllezërve Frangaj, ky sistem ka funksionuar në çdo ministri dhe çdo ndërmarrje publike që nga Albpetroli, Posta Shqiptare, Porti, etj. Pra, ajo që ka bërë Sali Berisha në raport me një medie të tij kamikaze, nuk është ndërtimi i një medie të lirë, funksionale, të marketizuar, e cila mund të mbijetonte, por të një modeli medie piramidale, e cila të ekzistonte vetëm falë financimeve të tij të paligjshme. Një medie e tillë është e destinuar të ikë bashkë me modelin që e ka prodhuar. Ajo që po ndodh sot shëmtuar, është se ministrat dhe drejtorët e Sali Berishës mund të shkojnë në burg për Aleksandër Frangajn, dhe mund ta denoncojnë atë, por problemi më i madh është se vetë media e Frangajt, e ndërtuar mbi paratë e dhëna politikisht dhe pronat e zaptuara në emër të pushtetit, nuk mund të mbijetojë nëse ky model ndërpritet. Prandaj sinjali i parë serioz nëse pushteti i ri është ndarë nga modeli korruptiv i Berishës, do të jetë kur modeli i kësaj medie të stopojë për shkak të prerjes së burimeve financiare të paligjshme.
Për këtë arsye nuk ia vlen të thuash që Sali Berisha u ka bërë ndonjë nder të jetës. Ai thjesht i ka përdorur duke mos besuar tek ata dhe duke mos i lejuar të jenë njerëz të lirë, por thjesht një bandë hajdutësh, që janë të dënuar të ikin ose të njollosen pas ikjes së tij. Nderi real që mund t’i bënte Berisha Klanit dhe Frangajve ishte t’i ndihmonte të qëndronin në këmbë si biznes dhe të konkurronin dhe jo të rrinin si qeni tek dera për një kockë në shkëmbim të propagandës gëbelsiane për të. Tani që ai iku nga pushteti, ai po shikon jo vetëm si po zbërthehet sistemi i tij korruptiv, por dhe si po ngelen të zbuluar ata që i shërbyen, pa u dalë askush zot.
E njëjta gjë mund të thuhet dhe për Mziun. Ai ishte një militant i sëmurë i PD-së, i cili kuptoi se për të mbijetuar në atë parti, nuk ka nevojë të jesh as i zgjuar, as intelektual, as njeri me vlera, por thjesht një njeri që mund të abuzosh me fondet, t’i paguash taksën Familjes dhe të jesh në listat e pushtetit të tyre.
Tani që Familja iku, Mziu dergjet në qelitë e burgut, kurse Sali Berisha dhe Lulzim Basha nuk mbledhin dot në shesh as 50 veta për ta mbrojtur atë. Aq keq janë katandisur, sa PD e famshme për mitingje është zëvendësuar nga një OJQ super e korruptuar, që ngjall alergji dhe tek pastrueset e bulevardit.
E njëjta gjë mund të thuhet dhe për modelin e Rezart Taçit. Ai nuk do të lulëzonte në këtë vend po të mos kishte një pushtet si i Sali Berishës. Ai nuk do t’ia dilte dot të blinte ARMO-n në atë mënyrë si e bleu, as ta menaxhonte ashtu si e menaxhoi, as të fitonte ato privilegje në treg në atë mënyrë si i fitoi. Sistemi ishte i tillë që funksiononte dhe një fotografi me Liri Berishën, dhe një pikturë e shtrenjtë tek darkat e bamirësisë së saj, dhe një pagesë nën dorë për studion e avokatisë, dhe ndonjë mbushje e asaj çantës së zezë që shëtiste biznes më biznes… dhe falë kësaj tolerohej gjithçka. Por Rezart Taçi ka qenë biznesmen dhe para ardhjes së Sali Berishës, por nuk ka prodhuar dot këtë skemë piramidale që prodhoi me Berishën. Ai nuk falimentoi kur iku nga pushteti Fatos Nano, edhe pse me atë ka qenë boll i lidhur. Arsyeja është se ai pushtet nuk e lejoi të ishte informal dhe jashtë tregut, por e mbajti si operator konkurrues. Modeli i qeverisjes së Sali Berishës, është i tillë që imponon një biznes informal me fitim marramendës, por me përgjegjësi personale në fund. Të gjithë ata kanë paguar Familjen, por tani po marrin më qafë familjet e tyre. Mua nuk më shkon shumë të shpreh keqardhje për ta, por për të qenë realist, edhe Frangajt, edhe Mzijtë, edhe Taçët, pavarësisht se kanë qenë heronj që shndrisnin nga shkëlqimi i pushtetit dhe paret, ishin siç po shihet viktima të një pushteti fals dhe të korruptuar në themel. Ata u bënë gati si modele suksesi, siç u bë dikur Sudja, Xhaferri apo Vehbiu. Mbaj mend kur unë për gati një vit rresht shkruaja dhe flisja për historinë e privatizimit dhe keqmenaxhimit të ARMO-s, nuk isha aq shumë armik i Rezart Taçit se sa i Familjes, nuk isha aq shumë i sulmuar nga Rezart Taçi se sa nga medie mercenare të Frangajt, të cilat kishin detyrë të lartësonin këtë shembuj. Është vulgare tani të rilexosh gazetën e Frangajt, ku bënte thirrje nga një i sëmurë psikik që mua të më pritej koka, të më shpohej truri me gozhdë, të varesha në një pemë e të tjera makabritete që mund t’i prodhojnë mendje të sëmura, vetëm pse unë prekja modelin e suksesit të pushtetit. Unë nuk kisha asgjë personale me Rezart Taçin, bile thellë- thellë ai është për t’u mëshiruar që ka shpenzuar energjitë e tij për biznes në funksion të një modeli korruptiv që ka imponuar Sali Berisha.
E rënda në këtë histori është që nën pushtetin e Sali Berishës, modelet e glorifikuara ishin ato që kishin dhënë prova në raport me Familjen dhe sot ata janë viktima të atij pushteti dhe jo të drejtësisë. Për këtë arsye sot nuk është një ditë për t’u ndjerë të gëzuar dhe as një ditë që na rikthen qetësinë. Sot është një ditë që duhet të na rritë përgjegjësinë për të çuar para drejtësisë ideatorin e këtij modeli korruptiv, njeriun që po gëzon bashkë me familjen e vet miliardat që ka nxjerrë nga llogaritë tona përmes këtyre moleve që sot po dërgohen si koka turku në burg. Ky vend do të jetë i qetë kur Sali Berisha të fillojë të paguajë personalisht, familjarisht dhe si përgjegjës për institucionalizimin e korrupsionit në këtë vend. Këta që po shkojnë para tij, janë viktimat e gjalla të pushtetit të tij. Ka pasur dhe më keq se këta. Janë ata që po dergjen nën dheun e Gërdecit dhe ata që kanë përgjakur bulevardin ku Sali Berisha sot nuk mbledh dot as 30 vetë.