Politikë Nga JAKIN MARENA, 08 Dhjetor 2013
TIRANE – Në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com”, njëri ndër udhëheqësit e Lëvizjes Studentore të 8 Dhjetorit 1990, Myftar Gjana tregon detaje të zhvillimeve të këtyre ditëve historike që sollën pluralizmin politik në Shqipëri dhe shembjen e diktaturës komuniste më të egër në Evropën Lindore.
Ai thotë se personazhe të politikës së sotme megjithëse kanë qënë gjimnazistë kërkojnë që të quajnë veten studentë të dhjetorit, ndërsa nuk mungon të shprehet se lëvizja studentore u sendërtua si maternitet politik i lirisë dhe i lindjes së pluripartitizmit. Ai rendit të gjithë studentët e dhjetorit, duke deklaruar se asnjë prej tyre nuk është në PD, që u themelua prej tyre dhe që frenat i morën të dërguarit e Ramiz Alisë, apo “pardesytë e bardha” siç i cilëson ai, me të cilëve dhe Berisha.
Ai thotë se Azem Hajdari lideri i dhjetorit u mënjanua dy muaj pas themelimit të PD nga grupet rivale në PD dhe ata që kishin ende teserën e PPSH në xhep. Ku sipas tij Azemi është përjashtuar disa herë nga grupi, forumet pasi kërkonte një PD të lirë por që ishte kthyer në repart ushtarak. Ndërsa fundi i drejtimit të të PD nga Aleksandër Meksi për 24 orë dhe ardhja në krye e Sali Berishës u bë për shkak se ai prishi skemën e të dërguarve të Katovicës dhe me presionin politik të Ramz Alisë.
Teksa cilëson Bashën një “yll” në ngjitje në PD por që do vite dritë të ndriçojë dhe se me të PD nuk vjen në pushtet, ai thotë se Berisha duhet ta drejtojë vetë partinë. Në lidhje me kërkesën e PE për futjen në burg të zyrtarëve të lartë, Gjana thotë se Prokuroria Përgjithshme duhet të veprojë dhe me kryesisht.
Zoti Gjana, është përvjetori i 8 dhjetorit, ditës së rinisë, ku nisi lëvizja studentore dhe rruga e pluralizmit shqiptar që solli dhe rrëzimin e diktaturës komuniste. Si e përjetoni këtë datë?
Lëvizja studentore shqiptare kishte disa ngjarje të mëparshme që e nxitën dhe i dhanë atë formë: Lëvizja e Marsit të vitit 1989 në Kosovë e udhëhequr nga Rugova, Rënia e Murit të Berlinit dhe revolucionet e kadifenjta të Europës lindore, më pas tentativa për rrëzimin e monumentit të Stalinit në Shkodër në shkurt 1990, ngjarjet e ambasadave në Korrik 1990 në Tiranë. Të gjitha këto, duke përfshirë dhe intransigjencën e dështuar e të paarsyeshme të regjimit të Tiranës krijuan atë zinxhir ngjarjesh politike që bënë të mundur formësimin intuitiv dhe inteligjent të Lëvizjes Studentore. Data 8 dhjetor përbën datën më të rëndësishme në historinë moderne politike shqiptare.
Për këtë shkak shumica e njerëzve që janë marrë me politikë këto vite të tranzicionit kanë dashur me çdo kusht të jenë pjesë e protagonizmit të saj, ose më së paku pjesëmarrës fizik i saj. Nuk është e çuditshme që personazhe të sotëm të politikës, edhe pse kanë qenë në vitin 1990 gjimnazistë, kanë dëshirë ta venë në dukje këtë fakt. Por ende nuk janë kryer studime të mirëfillta historiko-shkencore për këtë lëvizje. I vetmi studim është ai i Prof. Shinasi Ramës tek libri “Probleme shqiptare”, ndërsa pjesa tjetër e shkrimeve për këtë temë është në formë artikujsh gazetash, kujtimesh të njerëzve pjesëmarrës.
Sipas meje, lëvizja studentore shqiptare e Dhjetorit 1990 ka qenë një lëvizje kryesisht e studentëve-konviktorë të Tiranës, të cilët në kushtet e një lirie relative të banimit dhe shkollimit së bashku, larg tutelës së familjeve të tyre, disi të veçuar nga presioni propagandistik i regjimit arriti ato rezultate, ku kryetriumf ishte pluralizmi politik. Kështu qyteti i studentit dhe lëvizja studentore shqiptare (LSSh) u sendërtua si maternitet politik i lirisë dhe i lindjes së pluripartitizmit. Kjo është një datë e madhe dhe kam qenë me fat që isha në kohën e duhur, në vendin e duhur: student i vitit të pestë të Universitetit të Tiranës në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit.
Kush ishin të parët ata të cilët u bashkuan në këtë lëvizje studentore dhe aktualisht ku janë tani?
Do të flas nga optika ime e këndshikimit dhe e përjetimit të atyre ditëve historike. Më datën 8 Dhjetor kemi dëgjuar një oshtimë që vinte nga Qyteti i Studentit tek godinat tona tek Fakulteti i Ndërtimit. Me një grup studentësh mes të cilëve Kujtim Allaraj, Dritan Çuni, Hajredin Muja kemi shkuar me nxitim atje dhe jemi përfshirë në protestat e studentëve, ku kemi takuar studentët më aktivë që ishin përkatësisht edhe organizatorët e fakulteteve përkatëse si Shinasi Rama, Tefalin Malshyti, Bardhyl Ukcama, Arben Lika, Ilir Dizdari, Spiro Cura, Arben Sula, Arben Broci, Ndue Lugja, Niko Kaciroti, Akli Fundo, Alban Bala, Shpend Dishnica, Azem Hajdari, Pal Serreqi etj.
Këto emra, pa marrë parasysh kontributin që dhanë për partinë demokratike që e themeluan vetë në vitet 1990-1992, aktualisht janë jashtë formacioneve politike që janë në Shqipëri për arsye të zhgënjimit që patën që në fillim me uzurpuesit e lëvizjes së tyre me mjete jo politike. Disa prej tyre u larguan në emigracion të gjatë, ku jetojnë në mënyrë dinjitoze si qytetarë të lirë, pjesa më e madhe e tyre jeton dhe punon në Shqipëri, e zhgënjyer nga politika e pashpresë e tranzicionit të pafund.
Është folur shumë për dilemat mes krijimit të një partie studentore dhe PD. Pse Berisha ishte për një parti studentore, duke deklaruar mbështetjen nga jashtë?
Ka pasur dilema të mëdha ato ditë. Meqenëse studentëve iu bashkuan ditën e tretë edhe disa pedagogë në moshë të re, u mendua që partia e parë opozitare të quhej partia e studentëve dhe intelektualëve të rinj. Pas shpalljes së detyruar të pluralizmit politik nga shefi i regjimit komunist Ramiz Alia, intelektualët e vetafruar tek studentët si dhe ata të “dërguarit” me pardesy të bardha u mblodhën dhe shpallën një Komision Nismëtar të PD-së, ku sa për të ruajtur fasadën para mbështetësve të kësaj lëvizje të madhe politike zgjodhën si Kryetar të këtij komisioni Azem Hajdarin-student konviktor si edhe shtatë studentë të tjerë. Sa për deklarimet e Berishës, për të ruajtur saktësinë, juve si gazetar mund të verifikoni regjistrimet e kohës në median e shkruar dhe audiovizive dhe mund ta pyesni vetë atë.
Berisha nuk ka qenë në themelim pasi erdhi vonë, pse në fjalimin e deklarimit të pluralizmit dhe krijimit të PD ai tha se do të mbetej një mik i mirë i PD. Si ndodhi që ai u gjend në komisionin nismëtar?
Është e vërtetë pjesërisht kjo që thoni ju. Ai ka qenë afër studentëve që në ditën e dytë të shpërthimit të lëvizjes studentore, jo për të mbetur mik i mirë i PD-së, por për të marrë frenat e saj, siç edhe ndodhi më vonë pas dy muajsh. Nuk mund ta ndalonim. Studentët që ishin në krye të lëvizjes studentore nuk kishin mundësi praktike të udhëhiqnin politikisht opozitën kundër një regjimi barbar. Ata e mposhtën atë regjim për tre ditë, por ishin të përgatitur në kushte paqësore për te ngritur sistemin e ri, i cili kur vjen në mënyrë paqësore ka një lloj tranzicioni dhe ndërrimi elitash të të njëjtit lloj, siç edhe ndodhi.
Cili ishte roli i Azem Hajdarit, dhe cili ishte konflikti që solli mënjanimin e tij gjashtë muaj në vonë nga drejtimi i grupit nismëtar të PD?
Azem Hajdari ka rolin kryesor, madje më heroikun në atë histori, sepse u vetëshpall lider i asaj lëvizje me gjithëpranim nga studentët më aktivë. Fati ndihmon guximtarët në rrethana të veçanta, kur duhen marrë vendime. Për saktësi, Azemi u mënjanua nga drejtimi i grupit nismëtar të PD-së vetëm dy muaj pas shpalljes së PD-së më 14 Shkurt të vitit 1991, katër ditë para grevës së urisë së studentëve për heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga UT-ja. Ai nuk pati një konflikt thelbësor, por heqja e tij atëherë ndodhi për dy arsye themelore: së pari ai u shkëput nga studentët që bënë të mundur evidentimin e tij në krye të PD-së, së dyti intelektualët në krye të PD-së ishin në rivalitet për pushtet por kishin bashkëpunim për heqjen e Azemit. Nga dy grupet e intelektualëve në Komisionin nismëtar të PD-së, pjestarët e njërit prej grupeve mbante ende teserën e PPSH-së (ishin anëtarë ose kandidatë të PPSH-së).
Aleksandër Meksi ka qënë 24 orë kryetar i PD. Çfarë ndodhi që pas dy ditësh në këtë post, ai humbi përballë Sali Berishës?
Si duket Meksi prishi një skemë të të dërguarve të Katovicës në Kryesinë e PD-së dhe në ato vështirësi që ishte, me refuzimin e studentëve që po bëheshin gati për të vdekur në grevë pas tri ditësh (Kam një procesverbal origjinal të mbledhjes së Komisionit nismëtar të atyre ditëve) e me presionin politik të Ramiz Alisë, një muaj para zgjedhjeve të 22 Marsit 1991, Meksi u dorëzua humbës si Hasan Prishtina në vitin 1924 që qëndroi vetëm 24 orë kryeministër.
Ka pasur përjashtime dhe kthime nga PD gjatë tërë këtyre viteve. Mendoni se janë realizuar aspiratat e dhjetorit?
Ka pasur me qindra dorëheqje, vetëpërjashtime dhe përjashtime dhe rikthime nga PD-ja gjatë 23 viteve. Vetë Azem Hajdari është përjashtuar disa herë nga organet drejtuese të PD-së, madje i është hequr edhe imuniteti, për t’u plagosur rëndë dhe më vonë për t’u ekzekutuar para selisë së PD-së. Nga “Pishtar të Demokracisë” e shndërruan në “Martir të Demokracisë”. Ai donte diversitet brenda idesë, por Partia Demokratike nga një parti antistaliniste, u shndërrua për pak vite në parti autoritariste dhe monokratike, pa frymë lirie dhe kompromisi brenda programit të saj. Asnjëherë pas viti 1995 lidershipi i saj nuk ka respektuar statutin dhe frymën e statutit të saj, duke e kthyer pak nga pak në një repart ushtarak pa hierarki, pa grada ndërmjetëse, me vetëm një komandant dhe me mijëra ushtarë militantë, pa asnjë gjeneral, asnjë kolonel, asnjë major.
Tashmë PD humbi zgjedhjet e 23 qershorit, ndërsa në krye të PD u zgjodh Lulzim Basha. Mendoni se e ka fuqinë politike të udhëheqë opozitën për të risjellë të djathtën në pushtet?
Unë nuk e njoh nga afër Lulzim Bashën, por vetëm i kam ndjekur artikulimin politik publik. Ai u shfaq disa muaj në krye të KOP-it, i prezantuar nga ish-kryetari i opozitës së asaj kohe si një yll i ri në ngjitje në politikën e PD-së. Por yjet duhet miliona vite që të shfaqen në galaktikë, prandaj unë mendoj se pavarësisht suportit politik që pati në qeverisjen 8 vjeçare dhe më pas lokale e ka të vështirë të udhëheqë opozitën e sotme për ta sjellë shpejt në pushtet.
Largimi nga jeta për shkak të aksidentit të rëndë automobilistik i rivalit të Bashës për kreun e PD, Sokol Olldashi sa e ka dobësuar PD në zërin ndryshe të saj?
Sokol Olldashi (iu prehtë shpirti në paqe) ka qenë vetëm një rival formal i Lulzim Bashës në garën për kreun e PD-së. Në këtë kuptim as e ka dobësuar as e ka forcuar PD-në. Ai, si rival nuk duhet të kishte pranuar të hynte në garë në kushte të pabarabarta, në një kohë aq të shpejtë dhe pa bërë analizë të humbjes së pushtetit, pjesë e të cilit kishte qenë. Ai thoshte gjatë garës pak a shumë: ne kemi qenë qeveri e suksesshme prandaj edhe i humbëm zgjedhjet e 23 qershorit.
Berisha si ish-kryetar PD dhe ish kryeministër është shumë aktiv në politikë. Mendoni se vijon ende ta drejtojë realisht PD?
Jo vetëm e drejton në mënyrën e tij, por sipas meje ai realisht duhet edhe ta drejtojë edhe formalisht atë, pa hipokrizi deri sa të riformatohet PD-ja sipas frymës së PPE-së ku është anëtare, duke bërë një analizë të plotë 23 vjeçare të humbjes, duke rikthyer njerëzit themelues që nuk kanë shkuar majtas, duke bërë zgjedhje në të gjitha strukturat me parimin “një anëtar një votë”. Pas këtij procesi që duhet ta udhëheqë vetë me sinqeritet dhe me principe, të deklarojë se nuk do të kandidojë për kryetar të PD-së dhe atëherë do të mbetej në historinë e PD-së një reformator i madh.
Si mund të ringrihet PD, kur njerëzit aktivë të saj po largohen?
Pak a shumë, nga ato që thashë më sipër PD-ja mund të ringrihet vetëm kur të kthehet te origjina e saj, pra kur të bëhet një Parti demokratike, me vlerat e lirisë dhe të bartësve të saj, me shtresa të përcaktuara të një partie të djathtë europiane, me fraksione të legjitimuara, me parimin “një anëtar një votë”.
Shqipëria është në prag të marrjes së statusit të vendit kandidat, ndërkohë që është kërkuar që për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të merret shembulli kroat, i cili futi ish-kryeministrin Sanader në burg për korrupsion. Raporteri për Shqipërinë në PE kërkoi që Shqipëria të japë shembuj konkretë, duke futur një ministër, Kryeprokuror apo kryeministër në burg. Si e shihni rastin shqiptar, ku mbi ish-kryeministrin Berisha rëndojnë një sërë akuzash si Rruga e Kombit, Gërdeci e 21 janari?
Shqipëria është në prag, por mendoj se pragu po largohet nga paaftësia e elitës politike të të dy krahëve për të pasur sjellje qytetare europiane me reformat dhe aktorët e saj. Është shumë e vështirë që kjo elitë të kryejë ato reforma që kërkohen sepse Shqipëria është demokraci hibride, ose e deformuar. Nga të tre pushtetet( pa llogaritur pushtetin e katërt-median) që ekzistojnë në sistemin politik formal që kemi, funksionojnë keq vetëm dy pushtete, ai legjislativ dhe ekzekutiv, ndërsa pushteti i tretë, pushteti gjyqësor nuk funksionon pothuajse fare. Pra nëse figurativisht tre pushtetet i konsiderojmë si tre këmbët e karriges së shtetit, kjo karrige, pra shteti shqiptar, rri i mbështetur në dy këmbë gjë që është e pamundur objektivisht.
Kjo është edhe kërkesa kryesore që bën BE-ja për elitën politike shqiptare. Pushteti gjyqësor si në perceptimin e publikut, ashtu edhe në raportet e ndërkombëtarëve paraqitet skajshmërisht i korruptuar, ndërkohë që ai duhet të luftojë si krimin e organizuar ashtu edhe korrupsionin. Ka një pyetje që ka lidhje me një fabul: Ishin mbledhur minjtë e një shtëpie dhe vendosën njëzëri që t’i varin maçokut të shtëpisë një zile në qafë, që të shpëtonin kokën e tyre, duke u fshehur nëpër vrima sa herë të binte zilja kur lëvizte maçoku. Miu më i vogël në moshë, pasi u mor vendimi bëri një pyetje: Kush do t’ia varë maçokut zilen në qafë? Asnjëri nuk doli vullnetar. Sa për shembujt konkretë nuk mendoj se kjo vjen as me urrejtje politike, as me gjueti shtrigash.
Do reformuar urgjentisht sistemi gjyqësor, duke kontrolluar imtësisht dhe me agjenci ndërkombëtare të gjitha pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme të gjyqtarëve, prokurorëve dhe policisë shqiptarë të të gjitha niveleve, duke kontrolluar llogaritë e tyre bankare brenda dhe jashtë nga viti 1992-2013. Vetëm atëherë mund t’i japim përgjigje pyetjes: kush do t’ia varë maçokut zilen? Pra atë zile mund t’ia varë vetëm një drejtësi e pavarur, e pakorruptuar dhe e ndëshkueshme për çdo shkelje ligji. Për t’iu përgjigjur pyetjes për rastet konkretë do të shtroj vetëm një pyetje: Pse Prokuroria e Përgjithshme nuk vepron kryesisht për çdo zyrtar të akuzuar publikisht?
Shkrimi u publikua sot (08.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)