Ringjallja e 8 Dhjetorit

0
44

Nga Mero Baze

Ka një debat sipërfaqësor lidhur me vlerat e Lëvizjes Studentore në Shqipëri, në dhjetor të vitit 1990, për atë se ku përfunduan “idealet e Dhjetorit”. Shumë protagonistë studentë të vitit 1990, natyrisht nuk ia dolën dot të ishin në jetën politike të vendit për shkak të formateve politike që u krijuan në Shqipëri, një pjesë e vogël e tyre mbijetuan duke u kacavjerrë në dy partitë kryesore, kurse shumica e madhe e studentëve të vitit 1990, ishin dhe vazhdojnë të jenë pjesa më aktive e shoqërisë shqiptare këto 23 vjet.

Kur debatohet për zhgënjimin e “idealeve të Dhjetorit”, debatohet kryesisht për Partinë Demokratike, mungesën e lirisë brenda saj, eliminimin prej Sali Berishës të gjithë lidershipit apo poshtërimit të tyre deri sa i ktheu në mercenarë, flitet për regresin dhe krizat e shoqërisë shqiptare për 23 vjet, krizën e vitit 1997, problemet me demokracinë dhe protestat, vrasjet e 21 janarit, etj. Por realisht dhjetori i vitit 1990, nuk duhet pretenduar se i solli Shqipërisë demokracinë, por mjetin për të arritur demokracinë, që ishin protestat paqësore.

Për të kuptuar se çfarë kemi fituar nga 8 Dhjetori, duhet të shikojmë se si e ka përballuar shoqëria shqiptare institucionin e protestës, dhe pse ky institucion fitoi legjitimitet në dhjetor të vitit 1990. Po krahasoj si dëshmitarë disa  raste nga protesta e Dhjetorit dhe protestat e tjera në Shqipëri gjatë këtyre 23 viteve.

9 dhjetor 1990

Më 9 dhjetor 1990, rreth orës 12 unë isha në Rrugën e Elbasanit, tek cepi fundor i murit të ish- ambasadës italiane, sot ambasada amerikane. Mes ambasadës dhe muzeut “Lenin- Stalin” ishte një fushë e madhe bosh, që binte me një skarpat bari mbi rrugën e Elbasanit. Në krah tim ishin dy asistentë pedagogë në atë kohë, Andrea Marto, pedagog në Gjeologji- Miniera, sot deputet në Kuvend, dhe Leonard Gremi. Balli i protestës ishte tek kryqëzimi i Liceut me Rrugën e Elbasanit. Ndërkohë që po afronte ora e shpërndarjes, na u afrua një polic i Qytetit Studenti dhe na ftoi të largoheshim pasi kishte dhënë ministri urdhër të na shpërndanin me forcë. I thamë që nuk do ikim.

–Si të doni, tha, dhe u kthye pas duke folur në radio.

Dhjetë minuta më pas, balli i parë i policëve që u lëshuan me shkopinj gome, duke dalë nga rruga që të çon tek aneksi i “Qemal Stafës”, u përball me ne. Andrean e qëlluan në shpinë, Leonardi dhe unë u kthyem me fytyrë nga muri në përpjekje për t’u mbrojtur dhe i shpëtuam shkopit pasi Leonardi tha “jemi gazetarë”.

Pastaj policët ndoqën studentët nëpër fushën që kish filluar të bëhej me baltë për shkak të një shiu që kish rënë. Në ballë të protestës po bëhej kërdia dhe shumë studentë po rrëzoheshin në përpjekje për t’u ngjitur në skarpatin e lagur të fushës. Pasi ra qetësia dhe ne i shpëtuam drurit, një studente kërkonte një këpucë të humbur në baltën e kanalit dhe duronte dhe të sharat dhe ndonjë gjest dhune të policëve mbi të… Nuk pati të vrarë…

20 shkurt 1991

Më 20 shkurt isha tek sheshi “Skënderbej”, afër Xhamisë, kur monumenti po lëkundej. Ishim aq të sigurt që askush nuk do të na vriste, sa na dukeshin si lodra policët me qenë dhe skafandra që u turrën në shesh pak para se të binte monumenti. Nuk ishte punë frike që ishim aq larg monumentit, se sa pamundësi fizike për t’u afruar tek një vend ku dukej se kish mbirë gjithë Shqipëria. U dëgjuan ca thirrje paralajmëruese, fishkëllima, një urra e zgjatur dhe monumenti u anua dhe më pas u rrëzua… Më pas e morën zvarrë me një makinë për t’ua çuar studentëve si trofe… Nuk u vra askush.

21 janar 2011

Më 21 janar 2011 isha në katin e katërt të dy kullave tek restorant Royal së bashku me Andi Bushatin, Rudina Xhungën, Artan Hoxhën dhe disa reporterë që ndiqnin prej andej skenën e protestës. Momenti më kulmor mendova se ishte një çast kur u shfaqën në rrugë dy makina të blinduara me ujë që shpërndanin protestuesit. Andi Bushati ishte i pari që tha se “po u detyrove të nxjerrësh këto, merr fund pushteti”. Në fakt ato goditën disa demonstrues që u përpëlitën në rrugë, por protesta vazhdoi. Pak më vonë filluan armët. Garda filloi të qëllojë mbi protestuesit dhe plumbat mund të na preknin dhe ne, se ishim në rrezen e tyre. Sikur ata të kishin qëlluar në ajër, siç duan të justifikohen, viktimat do të ishim ne. Në fakt ata qëlluan mbi njerëz. Ne arritëm të shikonim si njerëzit rrëzoheshin përtokë. Pas pak mësuam se ata vdiqën. I fundit dha shpirt Aleks Nika disa ditë më vonë.

Pas 21 vjetësh nga dhjetori i vitit 1990, qeveria i kishte mbijetuar protestës me gjak. Ajo çfarë shqiptarët fituan më 8 dhjetor, e drejta për të protestuar dhe guximi për t’u përballur me një regjim, ishte shuar. Në fund të ditës, qeveria sillej si triumfatore.

Katër muaj më pas Lulzim Basha, ministri i Brendshëm që ishte përgjegjës për vrasjen e katër qytetarëve, hyri në Bashki të Tiranës po si triumfator, edhe pse nuk e fitoi mandatin. Në një kohë tjetër, ai do ishte rrethuar dhe mbytur nga protesta popullore. Në fakt opozita as mori mundimin të bënte protesta. Njerëzit ishin realisht të frikësuar. Bindja se Sali Berisha të vret po i preke pushtetin, ishte bërë e plotpushtetshme. Viti 2011 ishte viti që varrosi trashëgiminë më të mirë që solli Lëvizja e Dhjetorit, triumfin e protestave paqësore dhe kthimin e tyre në një mjet të madh për ndryshimin.

15 nëntor 2013

Mijëra vetë, të frymëzuar nga organizatat joqeveritare, ambientalistë dhe gazetarë, u mblodhën për të katërtën ditë para selisë së qeverisë në tiranë. Ishin ekzaktësisht në vendin ku më 21 janar qeveria kishte vrarë katër vetë. Fakti që pas xhamave të blinduara nuk qëndronte Sali Berisha, kishte vrarë frikën. Ky i fundit tentoi të ulej këmbëkryq në shesh mes protestuesve, por ata e zbuan si qen.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nervoz për protestën e keqkuptuar sipas tij, dhe fajtor që nuk bëhej dot partner serioz i SHBA, mbajti një fjalim të rrallë emocional dhe i qetësoi protestuesit të ktheheshin në shtëpi si fitimtarë. Nuk u vra  askush. Përkundrazi, u ringjall Dhjetori i ‘90-ës. Është e vetmja gjë me të cilën mund të krenohemi sot. Dy vjet më parë, ishte një datë e pushkatuar.