Pushtuesi i parajsës 1453

0
49

Nga Kimete Berisha, 3 Tetor 2013

Kryeministri i turqve, Rexhep Erdogan, sot e tregoi arsyen pse Kosova nuk mund të flasë kundër Islamit.

“Kosova është shumë e vogël për të folur kundër islamit”.

Pra, Kosova nuk është vetëm e vogël, por është “shumë e vogël”, s’ka ku shkon më e vogël, veç Vatikani është më i vogël. Por sikur të ishte e “madhe” Kosova do të mund të fliste kundër Islamit.

Sipas metrit të Erdoganit, Rusia mund të flasë kundër Islamit, se është e madhe.

Por, të drejtat ekskluzive për të folur kundër Islamit i kanë indianët dhe kinezët sepse janë së bashku rreth 3 miliardë.

Vatikani nuk ka të drejtë të flasë kundër Islamit, se është edhe më i vogël se Kosova. Pra, sa më i vogël që je, aq më pak të drejtë ke.

Kosova është vend, e vendi nuk rritet në mënyrë natyrore, përveç nëse bashkohet me Preshevën. Edhe në rast të bashkimit me Shqipërinë, Kosova prapë se prapë mbetet e vogël.

Prandaj, Kosova duhet të heshtë përgjithmonë. Edhe kur e sheh në ëndërr profetin Muhamed, sepse është e vogël për ta parë në ëndërr pejgamberin.

S’di a na lejon Erdogani që të flasim pro Islamit. Se, nëse nuk mund të flasim kundër Islamit, nuk do të ishte dashur të kishim lirinë as të flasim pro Islamit, se edhe kur flasim pro Islamit, prapë jemi të vegjël.

Për cilën Kosovë e ka pasur fjalën Erdogani? Se, Kosova zyrtarisht asnjëherë nuk ka folur kundër Islamit. S’ka pse të flasë kundër Islamit.

Nëse Kosova është e vogël, pse Perandoria Osmane e mbajti të okupuar 500 vjet.

Osmanllinjve u dukej Kosova aq “e madhe” sa që pesë shekuj, me kanunin osman, luftuan kundër shkollës shqipe, kundër këngës shqipe, kundër emrave shqip.

Por, Turqia ka pranuar që të privatizojë pasuritë e Kosovës “së vogël”, sepse pasuria natyrore dhe materiale nuk ka fe. Krejt çfarë pati Kosova, kryeministri Thaçi ia dha Turqisë.

Erdogani zyrtarisht i quan shqiptarët “vëllezër e motra”, pra me shqiptarët e Kosovës shkëmben përvoja shpirtërore, shqiptarëve ua jep shpirtin, por Serbisë ia jep 10 milion euro. Këtë marrëveshje për 10 milionë euro donacion për rindërtimin e aeroportit ushtarak të Kralevës, Turqia e nënshkroi me shefin e armatës serbe, që udhëhoqi luftërat e Milosheviçit, gjeneralin famëkeq Ljubisa Dikoviç.

Sivjet Erdogani është më i zemëruar se vitin e kaluar. Çfarë besimtari është ai që Kosovës i thotë “shumë e vogël”. Ne jemi të pafajshëm. Të pafuqishëm. S’jemi vetë- zvogëluar dhe nuk kemi vendosur ne që të jemi “shumë të vegjël”. Me dëshirë do të ishim “të mëdhenj”, si Erdogani. Të vegjël kemi mbetur edhe për shkak të atyre që sot na thonë “të vegjël”.

Sivjet Erdogani vazhdimisht ka qenë i disponuar për deklarata raciste, dhe me një rast e ka çuditur edhe Obamën.

Në element racist, duke kritikuar Kemal Kiliçdaroglu, lideri i qendrës së majtë dhe laike i Partisë Popullore Republikane (CHP), Erdogan tha: “Kiliçdaroglu po përpiqet dëshpërimisht që të mund ta ngrejë veten nga niveli i një personi të zi në nivelin e një njeriu të bardhë”.

Sipas kësaj deklarate përulëse, Erdogani nuk e ka vëlla Kemajlin, vetëm për shkak se Kemajli është i zi. Tash, a i ka vëllezër vetëm myslimanët e bardhë, a çka është puna!

CNN ia përmend Erdoganit edhe këtë deklaratë dëshpëruese: “Ata mendojnë se ne nuk e kuptojmë/ nuk dimë asgjë rreth artit dhe muzikës. Ata mendojnë se ne jemi njerëzit e zezak”.

Kjo thënie e Erdoganit, përveç raciste është edhe e pavërtetë, sepse askush nuk këndon dhe nuk kërcen më mirë se afrikanët.

Kështu ndodh kur ish- pushtuesi osman dhe ish- viktimat e konvertuara shqiptare bëhen ndërmjet vetes vëllezër e motra, për pikë të qejfit. Se pushtuesi gjithmonë është “i madh”, ndërsa viktima gjithmonë mbetet “e vogël”.

Turqia zyrtare kurrë nuk ka kërkuar falje për vrasjet, dëbimet, dhunimet e Perandorisë osmane ndaj shqiptarëve për 500 vjet, sepse askush nuk ia ka kërkuar këtë gjë.

S’di a vlen deklarata e Erdoganit edhe për Hashim Thaçin, apo vetëm për Kosovën!

Erdogani vjen në Kosovë fushatës zgjedhore (më 23 tetor 2013, me rastin e inaugurimit të terminalit të ri të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, Prishtinë), dhe për ta ndihmuar Hashim Thaçin që ta mbajë Prizrenin në dorë. Kaq poshtë ka zbritur karizma e tij.

Nervoza e Erdoganit ndaj Kosovës ka lindur në vitin 2011, kur luftonte si osmanli i vërtetë për ta hequr pushtimin pesëqind vjeçar osman nga Historia e shqiptarëve. Pasurinë materiale të Kosovës e merr nga Hashim Thaçi, por historia është e viktimave të pushtuesit, prandaj s’ka kush që e nxjerr nga libri.

Disponimi racist i Erdoganit, Kosovës (momentalisht) nuk i prish punë!

P.S: Nën udhëheqjen e Erdoganit turqit po magjepsen (edhe një herë) me historinë e tyre. Perandoria osmane po glorifikohet. Se, kur futet thellë në histori, sheh veç viktima “shumë të vogla”, dhe i bie në mend koha kur kishin fuqi të madhe, aq të madhe sa që ua “ndërronin edhe Zotin” viktimave të tyre.

Që janë të magjepsur me historinë e tyre, përveç në politikën e jashtme, e shihni edhe në filma (shih filmin epik turk “Fetih 1453”, se e ka parë edhe Erdogan dhe ka thënë që i ka pëlqyer shumë).