Nano: Gegnishtja është injoruar. Shqiptarët e njëmendtë dhe të pastër janë gegë

0
52

TemA, 12 Tetor 2013

Mustafa Nano, që sapo ka publikuar librin e tij “Unë jam gegë”, thotë në një intervistë për gazetën Mapo se gegnishtja është injoruar gjatë viteve të diktaturës.

“Personalisht më duket më e arsyeshme kjo zgjidhje, por edhe tezës së Primo Shllakut i jap të drejtë sepse është injoruar gegnishtja me të cilën është bërë letërsi për 50 vjet dhe letërsi e mirë. Sigurisht edhe në toskërisht, por në këtë dikotomi ajo që është injoruar është gegnishtja. Dhe problemi nuk qëndron se përse u zgjodh toskërishtja si bazë për standardin, problemi është se u varros gegërishtja. U kall në arkiv. Pas kaq vitesh nuk është çudi që të kemi shkodranë që janë standardizuar e nuk lexojnë dot as Fishtën e tyre. Por, pavarësisht se e shoh si pretendim të drejtë atë të Shllakut, e konsideroj të rrezikshme si tezë. Krijimi i një standardi të dytë vërtet do të ishte një gjë e drejtë për gegët, por kjo do të përjetësonte përçarjen mes toskëve dhe gegëve, ndaj e shoh si të rrezikshëm,” thotë Nano.

I pyetur nëse libri do të provokojë ndasi, Nano thotë: “Këtë nuk e kam menduar se libri në vetvete mund të provokojë një lloj ndarjeje. Unë mendoj se po të flasim për cenet që kemi, do të dimë si të çlirohemi prej tyre. Unë thjesht i jap zë një shqetësim timit, sepse vë re se dikotomia toskë-gegë herë pas here ngre krye. Debati mbi gjuhën e evidentoi këtë. Por edhe në diskutimin politik ajo është e pranishme edhe pse elita politike dhe intelektuale mundohet ta fshehë. Veriorët e kishin identifikuar veten me pushtetin e Berishës sepse e shihnin atë si të tyrin, ashtu siç toskët e identifikuan veten me pushtetin e Fatos Nanos. Nuk e di ç’do bëhet me Ramën, sepse Rama është një personazh toskë-gegë”.

I pyetur për tezën e tij se shqiptarët e njëmendtë dhe të pastër janë gegë, Nano thotë: “Kjo është teza e antropologut Antonio Baldacci, me të cilin po, unë bie dakord. Antropologët nëse duan shqiptarin e pastër, të shkojnë në malësitë e Veriut, sepse kjo ka qenë historia e tyre. At kanë jetuar më të panakatosur me qytetërimin. Otomanët në jug u ulën këmbëkryq, gjë që nuk ndodhi në veri. Por të gjitha këto janë konstatime që i kanë nxjerrë autorë të huaj”./ep