Tani po na tregojnë sa kanë vjedhur!

0
36

Nga Mero Baze, 5 Tetor 2013

Ka disa ditë që qeveria e larguar po rri vigjilente për emërimet e reja dhe shoqëron çdo emërim me një faturë të mundshme përfitimi për çdo individ që emërohet aty. U emërua Spiropali dhe i taksën që do fitojë 100 milionë euro në vit nga Doganat. U emërua një zonjushë në Tatime dhe i taksën dhe asaj rreth 100 milionë të tjera. Është emëruar djali i një kolegu gazetar specialist kompjuterësh tek Lojërat e Fatit dhe i taksën që do fitojë 60 milionë euro në vit. Po kështu vazhduan me emërimet në APP, Hipotekë, etj.

Unë nuk vë bast që të emëruarit e rinj do të jenë puritanë, edhe pse për këtë do të luftoj, por ajo që më bën përshtypje është se këta të Berishës, që kanë ikur tani, po na tregojnë sa kanë fituar.

Në Dogana, ku ka shkuar Spiropali, ka qenë i fundit një kamikaz i Familjes Berisha, kunati i Bashkim Gazidedes, që drejtonte Doganat në rivalitet me klanin e Ridvan Bodes, i cili kishte aty përveç një bande nepotike, dhe një grup kunetërish, nipash e mbesash. Me sa duket Berisha ua paska pranuar këtë shifër këtyre bandave dhe tani apriori mendon se do ta marrë dhe Spiropali.

Në Tatime Sali Berisha, përveç klanit të Bodes, kishte klanin e tij përmes Agim Shehut dhe Spahiut. Me sa duket edhe atyre ua kishte caktuar një shifër tek 100 milionëshi në vit, derisa mendon se drejtoresha e re do fitojë po aq.

Tek Lojërat e Fatit, pasi hoqi zarin e Ridvanit, kontrollin e mori plotësisht i biri i Berishës, duke emëruar aty drejtorin dhe djalin e vëllait të Berishës si inspektor. Të gjithë e dimë mirë historinë se sa pika pa licencë kishin në gjithë Shqipërinë njerëzit e Berishës dhe si i shpëtonin sistemit. Tani që djali i Filip Çakulit, një specialist IT është transferuar nga Rinasi specialist për internetin tek Lojërat e Fatit, Berisha mendon se ai do fitojë miliona euro. Atëherë sa euro paska fituar nipi i tij dhe banda e djalit të tij, që nuk kanë qenë specialistë kompjuterësh, por drejtorë dhe inspektorë?

Tek Albpetrol është emëruar vërtet një ish- administrator i bizneseve të Koço Kokëdhimës. Berisha thotë se ai tani do të bëhet sheiku i naftës. Por deri para një muaji Albpetroli administrohej direkt nga Familja Berisha, bile djali i tij ka gjurmë deri në marrëveshjet për ARMO-n në Azerbajxhan. Ç’do bëhet me këtë sheik, a do t’i gëzojë paret? Me sheikun e supozuar të Koços jemi gati të rrimë vigjilent të gjithë, por Berisha duhet të na dorëzojë një herë fitimet e sheikut të Familjes së tij, që ka administruar deri tani naftën e Albpetrolit dhe që e ka shpërndarë gjatë muajve të verës tek njerëz të tij.

Po kështu lista mund të vazhdojë më tej me APP, me Hipotekat, AKBN, CEZ, OST, etj.

Ne të gjithë e dinim që këta vidhnin, por nuk na kish shkuar në mendje që paskëshin vjedhur kaq shumë, shifrat që këta po deklarojnë janë të frikshme, por dhe optimiste nga ana tjetër. Nëse njerëzit e Berishës dhe Bodes paskan vjedhur nga 60 milion deri në 100 milion euro në çdo drejtori ku kanë qenë, lajm i mirë është se buxheti mund të mbushet lehtë meqë ata kanë ikur. Kaq shumë sa thonë këta, paska për të fituar dhe për të ngelur për buxhetin.

Nga ana tjetër këto deklarata janë rast i mirë për prokurorinë të shikojë se kush mund të ketë abuzuar me pushteti dhe në çfarë shifrash mund të ketë abuzuar.

Unë e kuptoj se shifrat që jep Berisha janë më shumë objektiva që hajdutët e tij kanë pasur për çdo post. Janë shifra, të cilat Familja i kishte parasysh kur i vinte gjoba drejtuesve. Dhe është kjo arsyeja që ai tani jargavitet dhe murmurin këto shifra që nuk i ikin nga mendja.

Nga ana tjetër, unë nuk jam i prirur se në këto poste kanë shkuar puritanë, por njerëz të zakonshëm që duhet të bëjnë detyrën. Nuk më rezulton se janë zgjedhur me kriterin që Argita dhe Shkëlzeni zgjidhnin drejtorët, por nuk e përjashtoj të lindin Argitat dhe Shkëlzenët e rinj. Ne jemi këtu për të parë se ç’po ndodh. Ajo çfarë ka ndodhur, ka qenë shpesh e errët për ne. E kemi ditur që vidhnin, por jo kaq shumë. Berisha dhe të vetët po na ndihmojnë duke na treguar sa paskan vjedhur për çdo vend drejtori. Qenka vërtet masakër!